Procesi i Bolonjës dhe ligji i arsimit të lartë

/Alfred Bushi/

Universiteti është produkt i shoqërisë dhe në raport me të universiteti kryen dy funksione kryesore. Së pari, ai është hapësirë e dijes instrumentale, në kuptimin që aty formohen profesionet që mbajnë në këmbë strukturën shoqërore. Për shembull, pa mjekë, inxhinierë, ekonomistë, biologë, fizikanë, juristë, sociologë etj., shoqëria e sotme do ta kishte të vështirë, në mos të pamundur, që të funksiononte. Vetë shoqëria është produkt i pamjaftueshmërisë së individit, pamundësisë së tij për të kryer shumë funksione njëkohësisht dhe domosdoshmërisë së të tjerëve. Universiteti është, së dyti, hapësirë e dijes kritike, asaj dijeje që në liri na edukon se si ta ruajmë këtë liri sa herë që pushteti politik, pushteti i teknikës apo pushteti ekonomik tentojnë që të mbajnë me dhunë status quo-në ose të vendosin një hegjemoni mbi këtë dije kritike. Në këtë shkrim do të ndalemi vetëm në funksionin e parë të universitetit, që është ai zhvillimit të fakulteteve të domosdoshme shoqërore ose i profesioneve të ndryshme. E në këtë kuptim, sa dhe si i shërben universiteti shoqërisë? Universiteti sot i shërben shoqërisë apo tregut?

Me Deklaratën e Bolonjës të vitit 1999 u çel sipari i asaj që më pas do të merrte emrin Procesi i Bolonjës, i cili në thelb, sipas redaktuesve të deklaratës, synonte reformimin dhe unifikimin e sistemit arsimor evropian. Ministrat e arsimit të vendeve evropiane zotoheshin, pikësëpari, që në një kohë të shkurtër të unifikonin tregun e arsimit të lartë në mënyrë që studentët të ishin të punësueshëm kudo nëpër Evropë, si edhe që të rritej konkurrueshmëria e arsimit të lartë evropian kundrejt sistemeve të tjera arsimore. Së dyti, në këtë deklaratë shpallej objektivi i krijimit të një sistemi arsimor të bazuar në dy cikle kryesore studimi. Cikli i parë, me një kohëzgjatje së paku tre-vjeçare, duhet të përbënte një kualifikim të mjaftueshëm për punësimin e studentëve në tregun evropian të punës, ndërsa cikli i dytë përbëhej nga studimet master ose doktoratë. Argumenti kryesor i nismëtarëve të Procesit të Bolonjës ishte mundësimi i një aksesi sa më të shpejtë të studentit në tregun e punës. Sipas ideatorëve të këtij akti, me të mbaruar baçelorin, studenti është i punësueshëm në tregun e përbashkët të punës sepse, sipas logjikës së tregut, mjaftojnë tre vjet për të qenë i shfrytëzueshëm. Kjo sepse tregut të punës i duhen profesionistë të formuar në pak kohë, si edhe sepse shumë punë mund të bëhen pa pasur nevojë për studime të gjata.

Në një vepër të vitit 2011, Guy Standing-u pohon se, sipas disa studimeve, meqenëse ekonomia krijon vazhdimisht lloje të ndryshme punësh, në dekadën tjetër më pak se gjysma e punëve të reja në SHBA do të kërkojnë një diplomë univeristare. Nëse diçka e tillë do të ndodhë në SHBA, imagjinojeni se ç’mund të ndodhë në një vend të periferisë si i yni.

Ndërkohë, ndarja e punës, specializimi në një punë të caktuar – siç thoshte mjekëroshi nga Trier-i – e bën më të lehtë kryerjen e një pune të caktuar. Që këtu vihet re se si arsimi është shndërruar tashmë në një instrument të integrimit ekonomik evropian, pra në një instrument të tregut. Nga universiteti si instrument i shoqërisë kemi kaluar në universitetin si një instrument në duart e tregut. Është tregu që përcakton kohën e studimit dhe atë që duhet studiuar qoftë nëpërmjet politikave, qoftë nëpërmjet financimit. Financimi i universiteteve nga tregu, nga sipërmarrës të ndryshëm, rrit influencën e tyre në kurrikulat dhe specializimet, çka sjell edhe ndryshimin rrënjësor të idesë së universiteteve nga vatër kritike dhe vend i formimit të individit që mund të ndryshojë realitetin në të cilin gjendet në hapësirë modelimi të kapitalit njerëzor në shërbim të kapitalit të madh. 

Mendimi liberal dhe ai neoliberal në veçanti nuk bëjnë ndonjë dallim ndërmjet tregut dhe shoqërisë. Për ta shoqëria është një treg i madh, në të cilin individët janë në konkurrencë të vazhdueshme me njëri-tjetrin, ku çdo gjë lëviz sipas logjikës së eficiencës maksimale dhe dobishmërisë. Por shoqëria ndryshon rrënjësisht nga tregu sepse ajo ka nevoja të domosdoshme pa të cilat vetë vazhdimësia e saj do të vihej në rrezik; nevoja të cilat tregu sot do t’i cilësonte si të padobishme sepse nuk do të sillnin fitim monetar imediat të kënaqshëm. Të tilla janë, për shembull, dijet kritike, shkencat humane në tërësi apo format e ndryshme të artit. Për këto dije nuk ka vend në tregun e madh pasi nuk janë të kuantifikueshme monetarisht, nuk sjellin asnjë fitim.

Për t’iu rikthyer raportit të universitetit me shoqërinë dhe tregun, pasojat e Procesit të Bolonjës në Shqipëri edhe kanë ngjashmëri, edhe ndryshojnë nga ato të  vendeve të tjera evropiane. Ndryshe nga  to, Shqipëria e sotme ofron dy sfera të mëdha punësimi: në të parën punësohesh vetëm nëse ke master ose doktoratë; në të dytën mjafton shkolla e mesme ose 8-vjeçare apo thjesht njohja e një gjuhe të huaj të mësuar me anë të televizorit. Pra me baçelor ti nuk i hyn në punë askujt në tregun e punës. Tregu në këtë rast përcakton shumë pak në raport me fakultetin që duhet studiuar, pasi puna ka pak ose aspak lidhje me universitetin. Universiteti ynë prodhon vetëm një shtresë të caktuar teknicienësh për administratën publike dhe disa inxhinierë ndërtimi për pallate dhe rrugë dytësore. Kështu, kuptohet qartas se në rastin e Shqipërisë e vetmja arsye se përse e kanë fragmentuar ciklin e lartë të studimeve ka qenë vjelja e sa me shumë parave nga xhepat e studentëve dhe familjeve. Te ne, adoptimi i sistemit të Bolonjës nuk mund të ketë si argument justifikues punësueshmërinë, por mund të ketë, nisur nga imigrimi i madh i mjekëve dhe infermierëve, argumentin e përputhshmërisë së diplomave, duke lehtësuar lëvizjen e fuqisë punëtore të kualifikuar.

Në tëhuajësimin e universitetit nga shoqëria dhe afrimin e tij për nga tregu kemi edhe ligjin e arsimit të lartë. Ligji në fakt është në përputhje me tregun vetëm në kuptimin që e ka kthyer dijen në mall që shitet dhe blihet me një çmim të kripur. Për sa i përket përputhshmërisë së tij me tregun e punës (me aq treg sa ç’është), ai në thelb, nëpërmjet tarifave të larta, e pamundëson punësimin. Në raport me shoqërinë ky ligj kontribuon në rritjen e pabarazive shoqërore dhe vështirëson, po nëpërmjet tarifave të larta, mobilitetin social. Në Shqipëri nëse nuk ke master, e ke të pamundur të zësh një vend pune me pagë mesatare ose të lartë. Studentët bëjnë çmos, sakrifikojnë shumë nga jeta e tyre, që të mbarojnë universitetin sepse e dinë se pa universitet përfundon duke bërë një punë me 20 000 lekë pagë mujore. Ligji është gjithashtu në shërbim të ruajtjes së status quo-së pasi, sipas tij, vetëm një grusht gjithnjë e më i vogël studentësh do të kenë mundësi të ndjekin nivelin e dytë të arsimit.

Parë në terma afatgjatë, efekti më domethënës i protestës studentore të kapërcyellit të 2018-2019 është se i jep fund një epoke të gjatë status quo-je, në të cilën vitet thjesht pasonin kalendarisht njëri-tjetrin, dhe hap siparin e një epoke të re tranzicioni. Përkundër asaj që thuhet, mendoj se protesta nuk i jep fund tranzicionit, pasi ne nuk kemi qenë ndonjë herë në tranzicion. Tranzicioni është një term që përshkruan kalimin nga një mënyrë e të qenit në një tjetër, kalimin nga një fazë në tjetrën. Kështu, mundësia që shoqëria jonë të kalojë nga një gjendje në një tjetër – ku në arsim e më tej të mbizotërojnë parimet e drejtësisë shoqërore – po na jepet për të parën herë vetëm tani.

Imazhi: Nadine Muller

Ky artikull është botuar nën licensën CCA 4.0 (Creative Commons Attribution 4.0 International License).

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.