7 minutat dhe shpresa jonë e pafundme

/Liri Kuçi/

Në filmin italian “7 minuti” qendërzohet dhe vihet në provë gatishmëria e dhjetëra grave që punojnë në një fabrikë tekstilesh. Regjisori, njëkohësisht dhe aktor në këtë film, Mikele Plaçido na sjell përmes pamjeve një histori të vërtetë. Në vitin 2012 në Isanzho të Francës dhjetëra grave punëtore u duhej të vendosnin për fatin e fabrikës, ndërkohë që po i kalonte në pronësi një ndërmarrjeje multinacionale. Në dukje asgjë nuk do të ndryshonte, përveç reduktimit të pushimit të drekës nga 15 në 8 minuta. Sigurisht që punëtoret u vendosën në dilemë përballë mbajtjes së vendit të punës apo sakrifikimit të vetëm 7 minutave prej pushimi të drekës. Shumëkush mendonte familjen dhe pasigurinë që do të pasonte nëse do të protestonin për 7 minuta pushim. Disa do të pranonin të ruanin vendin e punës edhe duke mos pasur asnjë minutë pushim.

Në të vërtetë situata nuk ishte aspak e thjeshtë. Duke arsyetuar me orë të tëra, gratë kuptojnë se nuk bëhej fjalë vetëm për 7 minuta më pak prej pushimit të tyre të drekës. Çfarë fshihej pas tyre atëherë? Nga fjala në fjalë, duke dëgjuar dhe eksperiencat e punëtoreve më të vjetra aty, mjegulla që bluante mendjen e secilës filloi të fanitej. Sakaq, njëra prej tyre deklaron se në fillim pushimi i drekës kish qenë 45 minuta, për t’u bërë më pas 30, 20, 15 deri në 8 minuta që kërkuan së fundmi. Pronarët e rinj po i rrisnin fitimet në mënyrë marramendëse në kurriz të punëtoreve, ku secila syresh do të punonte mesatarisht 175 minuta më shumë, ndërkohë fabrika e tyre kishte rreth 300 punëtore… Njëkohësisht, pronarët kërkonin të matnin pulsin e punëtoreve se deri ku do të arrinte shkalla e sakrificës për ta mbajtur atë vend pune. Pra ç’lëshime të tjera do të pranonin në kurriz gjatë rrugës.

Po çfarë nëse gratë punëtore nuk do të kishin kundërshtuar dhe reaguar aq fort? E nesërmja nuk do të ishte aspak më e mirë. Ato do t’i ktheheshin punës me pushim të reduktuar ku, pasi t’i peshonin mirë grintën e tyre, do të prisnin dhe do të duronin abuzimet që do të vijonin, mediat do të shkruanin për fuqinë që vepra e tyre do të kish’ dhe për frymëzimin e munguar për sektorët e tjerë të fabrikave që pësonin kushte të këtilla apo edhe më keq.

Por ato, pavarësisht nevojave të secilës – dikush shtatzënë, studente, emigrante apo në moshë të thyer –nuk i pranuan kushtet të cilave duhet t’u nënshtroheshin.  Protesta e tyre mori përmasa madhështore sepse ato bindën sho-shoqen dhe një shoqëri të tërë se nuk po pranonin të hiqnin dorë vetëm për 7-minutëshin (edhe për të sepse u takonte), por mbi të gjitha për atë çka përfaqësonte: shtypjen, dorëheqjen, vdekjen e dalëngadaltë të dinjitetit dhe mundësisë për të bërë qëndresë.  Ato frymëzuan protesta dhe revolta masive në vend.  Pishtar që ndezën dritën e shpresës për të ngjashmit e tyre, mbarë shoqërinë asokohe dhe akoma vlejnë si shembull edhe për ne.

Paralelizmi mund të vlejë në lidhje me protestat e studentëve për arsimin, të cilat ndezën shpresën e fjetur se ndryshimi vjen vetëm sa kohë i kthejmë sytë nga vetja, duke u bërë subjekte aktive dhe urë në procesin e gjatë drejt arritjes së qëllimeve. Nuk është aspak rastësore gjendja e nderë që ka pllakosur universitetet anembanë vendit. Tarifat tejet të larta, reduktimi i votës studentore, kushtet e lemerishme të konvikteve, mosekzistenca e kartës studentore, kalbja së brendshmi e universitetit- burokratizimi dhe tregtia e librave, në fakt  nuk janë asgjë më shumë sesa vetëm pasqyrim i lëshimeve të herëpashershme që janë bërë në kohë. Para 20 viteve tarifa e universitetit ka qenë zero. Pastaj u rrit diçka, më tej edhe më shumë, derisa tani duhet të mendohemi dy herë përpara se të marrim vendimin për të filluar studimet në universitet. Njëlloj edhe me votën studentore; dikur pak më e lartë, kurse tani krejt e pakonsiderueshme. Duke u bërë gërryerjet gradualisht, sigurisht që logjika dhe justifikimet janë përsosur gjithnjë e më shumë me frymë funksionale liberale, për ta përtypur dhe pastaj kapërdirë sa më lehtë gjendjen e re arsimore, nën paradigmën: “Arsimi është shërbim, si i tillë kush ka më shumë, blen ç’t’ia ketë ënda!”. Mirë se vini në stomakun e madh konsumerist! Arsimi sot.  

Po njësoj si në filmin “7 minuta”, neve na kërkohet që të kënaqemi me paktin pakogjë të propozuar prej kryeministrit pas protestave madhështore dhe maratone të dhjetorit. Nga lart pritej që ne të tërhiqeshim nga qëndresa pas kësaj, duke u përpjekur të na hidhnin hi syve, për t’u mjaftuar me risinë pa asgjë të re, ku ashtu si në fabrikën tekstile në Francë me demek duhet të gëzoheshim që kapësit e shtetit u kujtuakan për ekzistencën tonë pas proteste.

Sakaq, si në përballjen e punëtoreve të fabrikës tekstile në Francë, ku pronarët biznesmenë u fshehën pas 7-minutëshit të sakrifikuar, këtu fshihen në paktin më qesharak që ka njohur historia dhe përpjekjet njerëzore për arsim publik. Atje donin të kuptonin sa më shumë do të mund t’ua shtrëngonin rripin pas 7-minutëshit të pamjaftueshëm për pushim, por aq të rëndësishëm për llogarinë e pronarit dhe punën e papaguar. Ndërsa këtu duan të arrijnë të mbajnë ende të kanalizuara sa më shumë fonde për privatin, për të ushqyer shëndetshëm të ashtuquajturin partneritet publik-privat, ku në fakt hahet vetëm në kurriz të më të varfrit. Atje kërcënonin me vende të pasigurta pune, këtu kërcënimi dhe frika më e madhe janë studentët që kanë vënë në krizë sistemin arsimor dhe status quo-në e pushtetit. Frika e punëtoreve ishte humbja e vendit të punës, ndërsa jona është rinisja e mësimit në po të njëjtat kushte të mjerueshme, të cilat asnjë pakt nuk i merr përsipër. Në të dyja rastet ama zgjidhja ishte një dhe e vetme: Në Francë punëtoret kundër 7-minutave, në Shqipëri studentët kundër zgjedhës të arsimit të lartë.

Punëtoret fituan, duke mos e ngrënë karremin e reduktimit të 7-minutave të pushimit të drekës. Ato e kthyen mbrapsht blerjen e fabrikës nga aksionarë ndërkombëtarë, madje e shtuan kohën e pushimit të drekës. Jo vetëm kaq, por ajo revoltë u bë shembull e frymëzim për fabrika të tjera prodhuese për të drejtat e cunguara të punëtorisë. Njësoj edhe ne do të fitojmë, për sakrificën që kanë bërë brezat e shkuar dhe për të nesërmen e brezave të rinj. Paramendoni një të nesërme ku studentët t’i ktheheshin mësimit sikur të mos kish’ ndodhur asgjë! T’i riktheheshin me vullnet po të njëjtit ferr. Veç shpresës së tyre të shuar, ne do të varrosnin ende pa lindur shpresat e mijëra studentëve që do të vijnë sepse do t’u mungonte precedenti frymëzues. Paramendoni mediat, duke moralizuar për tërheqjen dhe artikuluar ngërçin e vullnetit studentor. Paramendojmë veten duke na kaluar përpara syve forca e vërtetë jona, të demoralizuar dhe të pafuqishëm për t’u kthyer pas, sërish në protestë…

Mirëpo, ne jemi ende këtu me mundësinë për t’i shmangur vetes ankthin e pastajmë të një tërheqjeje hipotetike. Sepse në fakt kemi shumëçka për të fituar; vendin tonë në botë dhe një botë më të mirë!

Imazhi: Filmitalia

Ky artikull është botuar nën licensën CCA 4.0 (Creative Commons Attribution 4.0 International License).

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.