/Hajdi Bengu/
Imagjinoni për një moment një sistem shëndetësor nga i cili shteti heq dorë vazhdimisht nga pak! Një sistem të kthyer përmbys, në të cilin shteti financon me paratë, punën dhe djersën e taksapaguesve të tij, privilegjet, fitimet dhe pushimet e pronarëve të spitaleve private. Çfarë mund të ndodhë nëse spitalet publike varfërohen gjithmonë e më shumë? Për të mbijetuar institucionalisht, do t’iu duhet të rrisin tarifën e shërbimit. Vetë fakti që shëndeti publik mund të kthehet nga një e drejtë kushtetuese dhe e aksesueshme për të gjithë në një shërbim me pagesë për ata që mund ta përballojnë është jo vetëm irritues për të gjithë njerëzit e arsyeshëm, por edhe një hap gjigand mbrapa në rrugën drejt mirëqenies. Jo se nuk mund ta imagjinojmë dot, pasi në Shqipëri këtë realitet pothuajse mund ta prekim. Por fakti që shteti kërkon ta zyrtarizojë këtë situatë me një projektligj është i papranueshëm dhe duhet të nxisë zemëratë të gjerë.
E njëjta gjë po ndodh sot në zyrat e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit dhe komisionit të ngritur prej kryeministrit. Dija dhe arsimi po shndërrohen në shërbime, universiteti publik po kthehet në dyqan diplomash, pedagogët në shitës, rektorët në agjentë marketingu dhe studenti në klient. Pikërisht si në një universitet privat. Tarifat do të rriten çdo vit në mënyrë të papërballueshme për pjesën më të madhe të studentëve-klientë, të cilët ose do të përjashtohen nga e drejta për tu arsimuar, ose do të kridhen në botën e pamëshirshme të borxhit studentor. Si në mesjetë, do të arsimohen vetëm bijtë dhe bijat e shtresës më të pasur të vendit. Bashkë me heqjen dorë pak nga pak të shtetit nga financimi i institucioneve të arsimit të lartë, paradoksalisht ky shtet kërkon t’i ‘kapë’ këto universitete për t’i kthyer nga asete publike në asete partiake. Demokracia e brendshme e studentëve nuk do të ekzistojë më. Ky projektligj nuk bëhet për të rritur cilësinë, siç justifikohet përherë me të njëjtat fjale të mësuara përmendësh zonja ministre. Kjo bëhet për mbushur xhepat e privatëve me paratë e taksave tona dhe për të çliruar shtetin nga barra e mbajtjes së universiteteve. Precedentët e mëparshëm në vende të ndryshme të botës kanë treguar se sistemi tregtarizues i ashtuquajtur “anglo-sakson” është i destinuar të dështojë. Rasti më i mirë është Kili.
Unë këtë shkrim nuk e bëj që ta lexojë zonja ministre kukull, zoti zv. ministër apo ndonjë nga anëtarët e komisionit. As që e pretendoj diçka të tillë. Unë jam thjesht një student si të gjithë studentët. Por nëse do të kisha rast t’u flisja zyrtarëve të ministrisë apo lobeve private të fshehura prapa tyre nuk do t’u kërkoja të hiqnin dorë nga reforma. E di që nuk do ta bënin. Por të paktën do të sigurohesha që të kuptonin se kanë filluar një luftë kundër një segmenti të shoqërisë ndaj të cilit nuk ka fituar asnjë qeveri deri më tani: studentëve.
Ky nuk është precedenti i parë i privatizimit të sektorëve publik kyç në Shqipëri, megjithëse mund të them se është më okulti deri tani. Por nëse realizohet, nuk do të jetë i fundit, përveç faktit që do të duhen dekada për të rikuperuar sistemin arsimor. Pak më sipër luajta pak me imagjinatën, duke krijuar një mini-skenar të privatizimit të shëndetësisë dhe jo pa shkak, por për të treguar se ajo ditë nuk do të jetë e largët, duke parë rrjedhën që ka marrë ekonomia shqiptare në këto njëzetekatër vite tranzicion. Pavarësisht se cila parti formon qeverinë, këshilltarët e tyre ekonomikë kanë rënë dakord se politikat neoliberale janë ato që i duhen vendit. Nuk kanë faj, këto lloj politikash i shkojnë për shtat ‘ekonomistëve’ të papërgatitur. I bëjnë ta shkarkojnë barrën e borxhit në brezat pasardhës, duke u lejuar të mburren sot për zhvillimin. Për ta nuk ka rëndësi pabarazia që sjell ky ‘zhvillim’.
Arsimi është një nga shtyllat primare të organizimit shtetëror, nuk mund t’ia falim privatit. Prandaj, studentë dhe pedagogë, maturantë, prindër, punëtorë, kamerierë dhe operatorë call-center-ash, bashkohuni në protestat e radhës për të mos e lënë këtë reformë të kalojë, për t’i thënë ndal këtij vargu të gjatë e të lodhshëm privatizimi të së mirës publike, të pronës tonë të përbashkët. Këto projektligje okulte na prekin të gjithëve, drejtpërdrejt apo tërthorazi. Studentët kanë filluar të marshojnë, të protestojnë dhe të zaptojnë. Bashkohu edhe ti!
Zemrat bashkë, mendjet bashkë! E ardhmja është e të gjithëve!
Botuar në numrin e pestë të gazetës “Universitari”.