/Evelina Dëma/
Good Cop
Kur fillova të jetoja në kryeqytet, në imagjinatën time polici mbante ende veshur petkun e heroit, petk që ia kisha veshur përgjatë formimit tim social në qytetin e lindjes. Në rrugët e qytetit dëgjoheshin rëndom legjendat urbane për policët. Qarkullonte historia e djaloshit të ri polic që kishte shpëtuar një kalimtare nga përdhunimi, duke u përleshur me përdhunuesin; historia e policëve që në vitin e trazuar 1997 kishin mbrojtur qytetarët me trupat e tyre gjatë breshërive të plumbave; ajo e policit i cili natën që u bë baba ishte me shërbim dhe nuk mund të merrte leje javë të tëra për të parë fëmijën e porsalindur; e policit rrugor që mbylli një sy ndaj urdhrave të shefit dhe nuk arrestoi xhajën e varfër pa patentë motori që i mundësonte familjes mbijetesën duke shitur agrumet modeste të kopshtit të tij; si dhe historitë e policëve që morën parasysh vdekjen në krye të detyrës dhe nuk pranuan ta ulnin poshtë dinjitetin e qytetit, duke ua dorëzuar komisariatin bandave të armatosura etj.
Besoj se janë marrë mjaftueshëm shembuj për të shpjeguar karakterin heroik të thashethemeve. Imagjinata ndaj një subjekti formohet nga përvojat e mëparshme të njohura. Bombardimi me thashetheme, (që në qytetet periferike janë veçanërisht të bollshme) të cilat i pasqyrojnë policët të drejtë, sakrifikues dhe vulnerabël besoj se e justifikon disi perceptimin tim romantik mbi figurën e policit.
Bad Cop
Kur mahnitja me qytetin e ri shuhet, siç shuhet ngadalë hutimi me çdo gjë të re që vjetrohet dhe e humb magjinë e misterit, fillon të angazhohesh më tepër në jetën sociale, si një mënyrë për të plotësuar vendet bosh që kanë lënë zbehjet e marrëdhënieve me prindërit dhe fitimit të statusit të “të pavarurit”. Në mungesë të familjes, ndikimi nga rrethet sociale që aderon shumëfishohet. Në varësi të grupeve që zgjedh të përfshihesh, përcaktohet edhe intensiteti i përballjes me autoritetin, i cili nuk vjen më i veshur nën petkun e prindërve, por në atë të pronarit në vendin e punës, pedagogut apo edhe vetë shtetit. Nëse qëllon të përfshihesh në grupe sociale që vënë në diskutim autoritetin e shtetit, atëherë në mënyrë të pashmangshme do të përballesh me fytyrën që nxjerr shteti kur i preket autoriteti: policinë.
Fjalët e dëgjuara më parë tani të jepet rasti t’i vërtetosh. Por, për habinë tënde, në vend të policit heroik, përballesh me policin që godet një student brenda në fakultet; me policin që tërheq zvarrë aktivistët që po protestojnë ndaj oligarkëve që kanë marrë peng vendin; me atë që i sekuestron barishtet dhe qepët e njoma nënës që shet në trotuar. Përballesh me policin që të arreston vigjiljen e Vitit të Ri, teksa ishe duke biseduar me fqinjën për bakllavanë në derën e shtëpisë për të vetmen arsye se pate fatin e keq që fytyra jote t’i dukej antipatike; me policin që vjen të të prishë shtëpinë dhe të flak në rrugë; me atë që e ngre peshë prej leckash dhe e rras në birucë studentin që guxoi t’i turbullojë pasditen kryeministrit, duke e kundërshtuar teksa mbante fjalimin rutinë propagandistik.
Cilit prej dy perceptimeve ekstremisht të kundërta që ke hasur duhet t’i referohesh? Do t’i referohesh policit superhero të qytetit të lindjes apo Robokopit të shoqërisë distopike të kryeqytetit? Mungesa e pikës së referimit dhe dualiteti konceptual nuk janë shumë komod për njerëzit.
E majta
E majta ka zgjedhur që përgjithësisht t’i referohet kësaj të dytës. Kjo është më se e kuptueshme duke konsideruar karakterin paramilitar të fashizmit, i cili ka përdorur instrumentet policore për të shtypur çdo mendim të ndryshëm nga i veti(1) dhe kontekstet historike ku policia është rreshtuar shpesh herë krah për krah me shtypësit kundrejt të shtypurve. Qëndrimi armiqësor i të majtës sot është i kuptueshëm, por jo i justifikueshëm. Në një kontekst shoqëror si i sotmi, është e pajustifikueshme që e majta të ketë mungesë artikulimi, duke mos u thelluar në shkaqet e katandisjes së policit, nga një figurë protektive në një figurë kërcënuese, por duke u mjaftuar me pozicionime sipërfaqësore dhe armiqësore ndaj “policëve të këqij”. Përse policët janë agresivë dhe të dhunshëm? Për shkak se zgjedhin të jenë? Apo për shkak të vetë natyrës shtypëse të sistemit? Metoda me të cilën e majta logjikon është të gjejë shkakun e fenomeneve, por kur vjen puna te policia kjo metodë nuk zbatohet. Pasolini u kritikua ashpër kur, si i majtë, përgjatë Majit të 68’, në përballjet midis studentëve protestues dhe policisë guxoi të mbështeste këta të fundit. Sipas tij, studentët me gjithë idealet e tyre, mbeteshin në pozicionin komod të bijve të përkëdhelur, ndërsa policët nga ana tjetër ishin bijtë e të varfërve(2). Shumë të majtë bashkëkohës iu kundërvunë duke e quajtur reaksionar.
A nuk është polici një lloj punëtori?! A nuk është punëtor polici nëse paguhet po aq (ka raste edhe më pak) sa punëtori?! A nuk është punëtor kur bie pre e agresivitetit të shefit po aq sa është punëtori pre e pronarit?! A nuk është punëtor që rrezikon jetën përditë si punëtori i ndërtimit që punon në një skelë të lartë, pa kushte apo minatori që futet thellë në galeri?! A nuk është punëtor kur detyrohet të kryejë veprime kundra konvencioneve të veta morale, duke iu bindur vullnetit të atij që ka mbi krye, sepse në fund të ditës duhet t’u çojë për të ngrënë fëmijëve?! A nuk është punëtor kur nuk përfaqësohet kurrë në mënyrë të dinjitetshme, por drejtuesit e tij janë në rastin më të mirë injorantë dhe të paaftë, ndërsa rëndom të korruptuar deri në palcë?!
Justifikime
Sigurisht, argumenti i parë që mund të vijë në mendje është se punëtorët, ndryshe nga policët, nuk shtypin askënd. E drejtë! Por sa cinike është të fajësosh këta të fundit që sistemi në mënyrë të pavullnetshme i ka kthyer në njerëz të dhunshëm?! Agresiviteti dhe forma më ekstreme e tij (dhuna) janë sjellje të qëllimshme për të dëmtuar dikë, të cilat rriten nga kompeticioni dhe mungesa e bashkëpunimit (3). Në kapitalizëm individët janë vazhdimisht në luftë me njëri-tjetrin pasi kemi të bëjmë me një sistem i bazuar te fitimi me çdo kusht: nëse dëshiron të kesh më shumë, duhet të zësh vendin e dikujt që fiton më shumë se ti. Pra kapitalizmi nxit një lloj agresiviteti instrumental që e motivon individin të dëmtojë të singjashmin e tij për të përmbushur qëllimet e veta. Agresiviteti bëhet instiktiv dhe i pashmangshëm, pasi është elementi që i mundëson njeriut mbijetesën aty ku i kërcënohet ekzistenca e tij.(4) Në kushtet ku stimulohet agresiviteti i gjithë shoqërisë, si mund të mbetet imun dhe moralisht i pakorruptuar institucioni më i ekspozuar ndaj agresivitetit: policia? Për reduktimin e agresivitetit do të ishte i volitshëm një sistem ekonomik që do të nxiste bashkëpunimin dhe do ta kufizonte konkurrencën. Nën ndikimin e mjedisit të duhur, edhe njeriu me instinktet më të forta egocentrike do të pasqyrojë nga vetja cilësitë e tij më të mira.(5)
Përtej kësaj, në një tentativë të fundit për të justifikuar karakterin agresiv të policit mund të përmendet edhe që sjellja ndërtohet përmes vëzhgimit të të tjerëve dhe sa më shumë të jesh në prani të agresivitetit, aq më shumë realiteti mutilohet, duke kthyer dhunën në një element të pranueshëm dhe duke pakësuar empatinë.(6) Çfarë mund të presësh, veç shtypjes për ata që ka nën vete, nga një polic i cili shtypet dhe poshtërohet nga drejtori, ministri, kryeministri dhe çdo i paaftë tjetër që ka sado pak autoritet mbi të?! Energjia negative që një polic merr nga rroga e ulët, taksat e larta, shefi analfabet që e kërcënon me pushim nga puna dhe të sharat e djalit të deputetit me makinë luksoze që kërkon trajtim të veçantë nga ligji, nuk do të zhduket në horizont, por do të kanalizohet tek ata mbi të cilët ai ka autoritet. Polici është ai element i shoqërisë, të cilit i është dhënë e drejta të shtypë të tjerët në mënyrë që të ruhet hierarkia e pushtetit. Policit i është dhënë autoritet i bollshëm për të shtypur ata që ka nën vete, por jo i mjaftueshëm për të kërcënuar status quo-në e atyre që ka sipër. Në këtë mënyrë një polici i serviret iluzioni i forcës, që të vazhdohet shtypja dhe përdorimi i tij, pa u kuptuar nga ai vetë.
CANB (Cops Are Not Bastards)
Përsiatjet mbi profesionin e policit janë mënyra e duhur nëse do ta shtiesh veten në kriza moraliteti, pasi pozicioni i një polici është më i komplikuari për të përcaktuar nëse është shtypës apo i shtypur. Një polic është të dyja, por ajo që vlen të mbahet në mendje nga një i majtë është se ky fakt nuk e bën fajtor. Të gjykosh një polic për agresivitetin e tij është po aq naive sa të gjykosh një punëtor që zgjedh të punojë në kushte të pasigurta apo të gjykosh një grua të dhunuar që nuk largohet nga shtëpia e dhunuesit. Sfida e re e të majtës duhet të jetë që hostiliteti ndaj figurës së policit të zëvendësohet nga vullneti për të ndryshuar rendin shoqëror që ka nevojë për policin si funksion i shtypjes klasore dhe për ta emancipuar dhe ndërgjegjësuar atë rrugës. Shprehja ACAB (All Cops Are Bastards) është arkaike dhe nuk ka funksion tjetër veçse të rrisë adrenalinën e tifozerive nëpër stadiume kur thërritet në kor, apo të zbukurojë muret me grafiti.
Burime bibliografike
- Ligjërimi: “Mbi fashizmin: Dimensionet shoqërore, politike, ideologjike.’’ Organizata Politike.
- Pasolini. P, (1968) Poezia “Il Pci ai giovani”.
- Dragoti. E, (2017) Psikologjia Sociale. Shtëpia botuese ‘’Mediaprint’’, Tiranë.
- Lorenz. K, (1966) On Aggression. Shtëpia botuese ‘’Methuen Publishing’’, Londër.
- Hugo. V, (2012) Të mjerët. Shtëpia botuese ‘’Bota shqiptare’’, Tiranë.
- Bandura. A, (1978) Artikulli ‘’Journal of Communication’’.
Imazhi: Lëvizja Për Universitetin
Ky artikull është botuar nën licensën CCA 4.0 (Creative Commons Attribution 4.0 International License)