Dikensi dhe Oruelli – zgjedhja për kapitalizmin

/Janan Ganesh/

Ky vit është përvjetori i 70-të i vdekjes së Xhorxh Oruellit dhe i 150-i i asaj të Çarls Dikensit. I pamagjepsur ndonjëherë prej tyre (“Robi nuk di të shkruaj fare” – tha i riu Martin Amis, pasi lexoi një faqe nga 1984), përtoja t’i rilexoja për arsye përkujtimore. Dhe kështu bëra. Por më pas kriza e këtyre ditëve më çoi pas tek ajo që njëri prej tyre shkroi për tjetrin.

Do t’i rikthehem këtij argumenti, por më parë besoj do ta keni vënë re se si pandemia po i shtyn korporatat e mëdha drejt një soj vigjilence morale. Ato që i përshtatin fabrikat e tyre për të prodhuar antibakterialë për duart (LVMH) apo ofrojnë ekspertizën e tyre (IBM), lavdërohen. Ato që sillen si kopracë (JD Wetherspoon, Britannia Hotels), kritikohen e bëhen për një lek.

Kompanitë duhet të vendosin në peshore se sa ndihmë të ofrojnë pa rrezikuar detyrimin vetjak të mbijetesës dhe fitimit.

Ky është muhabeti i Kapitalizmit të Aksionerëve apo i Përgjegjësisë Sociale të Korporatave. Kjo temë ka pluskuar në ajër gjatë gjithë karrierës time. Asaj i është dhënë një rëndësi e shtuar për shkak të ngjarjeve. Kjo është një temë mjaft e lakuar edhe nga Financial Times-i.

Por Oruelli, kam përshtypjen, do të shihte tejpërtej saj si përmes një qelqi.

Në një ese të vitit 1940 (sa të llastuar jemi me përvjetoret e mëdha) ai i vuri minat me mirësjellje idesë se Dikensi ishte radikal apo reformator social. Argumenti i tij ishte se, për Dikensin, nuk ka asnjë të keqe në këtë botë që nuk mund të rregullohet përmes ndërgjegjjes individuale.

Sikur Mardstoni të ishte më i sjellshëm me David Koperfildin! Sikur të gjithë pronarët të ishin aq të dashur sa Feziuigu! Që askush nuk duhet të ketë një pushtet kaq të plotë ndaj të tjerëve nuk përmendet fare te Dikensi, dhe me gjasë as që mendohet. Prandaj botëkuptimi i tij, thotë Oruelli, është “thuajse vetëm moral”.

Dikensi kërkon “një ndryshim në shpirt në vend të një ndryshimi në strukturë”. Ai nuk e percepton tregun e lirë si një “të keqe sistemike”. Revolucioni Francez mund të ishte mënjanuar sikur Rendi i Dytë të “kishte bërë kthesë, siç bëri Skruxhi”.

Dhe kështu kemi “personazhin që përsëritet te Dikensi, Pasanikun Zemërmirë”, madhështia e mirëqenë e të cilit përdoret për të ndihmuar endacakun apo borxhliun mirënjohës. Personazhi që mungon është Sindikalisti i Mirë që përpiqet për ndryshime strukturore. Mungon gjithashtu Ministri i Financave i Mirë që rishpërndan pasurinë. Ka diçka feudale në lidhje me Dikensin. Pasaniku në kështjellën e tij duhet të jetë më i dhembshur ndaj varfanjakut që i troket në derë, por secili është në vendin që i takon.

Nuk ka pse të biesh dakord me socializmin asketik të Oruellit (i shkruaj këto teksa po pi një Meursault të 2010-s) për të ndjekur argumentin e tij. Madje për të kuptuar se sa i përshtatet situatës ekonomike të tashme.

Disa kompani janë gati të bëjnë gjithçka për t’i shërbyer të mirës së përbashkët – përveçse të pranojnë taksa më të larta dhe rregullim të tregut. “Më duket vetja si në një konferencë zjarrfikësish” – tha shkrimtari Rutger Bregman në një event të Davosit rreth pabarazisë ku nuk përmendej taksimi –“ku askush nuk ka të drejtë të flasë për ujin.”

Ajo që Oruelli do të kish urryer rreth Kapitalizmit të Aksionerëve nuk do ishte fakti se ai mund të sjellë rezultate më të rrëmujshme se shteti universal. As se u jep të pushtetshmëve edhe më shumë pushtet – në disa raste, siç po bëhet e qartë, mbi jetën dhe vdekjen. Qeveri me mungesa të burimeve bazike për të cilat u shtrijnë dorën privatëve: ky është një spektakël që njëkohësisht ta ngroh zemrën dhe të rrëqeth.

Çka unë besoj se Oruelli do të kish përçmuar është vetëkënaqësia e pamerituar. Aureola e “ndërgjegjjes”, kur përgjigje më sistemike janë të mundshme përmes qeverisë. Aureola që Dikensi ende mban mbi krye. Mund ta këqyrësh në botën e samiteve filantropike dhe të fondeve të investimit me impakt.

Përvjetori i dyfishtë i shkrimtarëve më të mëdhenj anglezë që prej Shekspirit nuk kishte ndonjë kushedi çfarë domethënieje për mua deri kur u përhap virusi. Papritmas, ata shërbejnë si një dritëhije e qartë mes dy botëkuptimesh. Dikensi do ta shihte krizën dhe do të bënte me turp korporatat që nuk nxjerrin në pah Feziuigun që mbartin brenda vetes. Oruelli do të mahnitej se si dreqin kjo u lihet në dorë tekave të tyre.

Dallimi ka rëndësi sepse, kur e gjitha kjo të marrë fund, ka gjasa të nënshkruhet një kontratë e re sociale. Ajo që ngelet për t’u parë është nëse do jetë më dikensiane (në kuptimin më të mirë) apo oruelliane (po prapë në kuptimin më të mirë). Pra a do t’i nxisë më të pasurit të japin më shumë për të përbashkëtën apo do t’i detyrojë se s’bën ata?

E përktheu Redi Muçi

Marrë nga gazeta Financial Times

Imazhi: Ullstein Bild/Getty Images

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.