Piramida nga lart përmbi piramidën nga poshtë

/Arlind Qori/

Po sikur çështja të mos reduktohet në saktësinë e përgjigjes?! Cila është pyetja? Ajo e përdisamuajshmja: a duhet me u prish piramida? Sigurisht qe jo. S’do mend që jo. Duhet me e pasë humorin të lidhur me fazat e hënës për me mendu ndryshe; për me mendu se shqetësimi shoqëror trupëzohet në të patrupëzueshmen, fantazmën e tiranit; për me mendu se parlamentarizmit i nevojitet godinë madhështore në vend të përfaqësimit autentik, për me mendu se në teh të theqafjes ekonomike duhet me mbajt në kurriz edhe trastën e shpenzimeve spektakolare. Të gjitha këto mishërojnë saktësinë e përgjigjes, veçse pyetja është gabim. Ose më saktë, sot pyetja nuk ka rëndësi.

Prej javësh në Bulqizë e ditësh në Tiranë minatorët protestojnë. Shkojnë e vinë, thërrasin përpara institucioneve shtetërore, shtrihen natën në barin përpara piramidës e me mëngjes ia nisin nga e para. Ç’kërkojnë? Të punojnë e të mirëpaguhen për të jetuar e të jetojnë për të punuar. (I puthim fëmijët, por jo gruan, para se të dalim nga shtëpia. Humor i zi, por mbase e vetmja mënyrë për të përballur frikën e hyrjes për së gjalli në minierën varr). Veçse përmbi to duan që miniera, buka e tyre, të jetojë, të mos shfrytëzohet egërsisht duke kërcënuar për pak kohë mbylljen përfundimtare.

Piramida e minatorët shërbejnë për të kuptuar raportet sunduese e fuqizimin e tyre përmes vetëdijeve të formuara ideologjikisht. Ideologjikja e kryen funksionin e saj jo duke i dhënë përgjigjen e gabuar pyetjes së drejtë, por duke i dhënë përgjigje të saktë pyetjes së gabuar. Kështu, përgjigjja ndaj pyetjes nëse duhet me u prish piramida, afërmendsh është mohuese, veçse gabueshmëria qëndron jo edhe aq në shtrimin e kësaj çështjeje, por në përdorimin e saj për të fshehur apo heshtuar problematikën e vërtetë shoqërore, atë të shfrytëzimit ekonomik. Këto ditë në Tiranë ka pasur dy thirrje: ajo e minatorëve që kërkojnë solidaritet njerëzor (një batanije s’i kushton gjë shumëkujt) e politik (bashkim trupash me të drobiturit e të kërcënuarit prej vdekjes trupa) e ajo e mbrojtësve të piramidës. Mbështetësit e të parës nuk i kalonin dhjetërat, tek e dyta mësynë qindrat e mbase mijërat.

Pse është më e lehtë të dalësh për piramidën se për punëtorët? Përgjigjja kushtëzohet nga ndërgjegjja politike e kjo e fundit nga mësymja ideologjike. Ideologjia shqiptare ngërthehet brenda pikave nyjore si Perëndimi, Evropa, tregu, sipërmarrësi, sidomos i huaji, prona private si kulm i të drejtave të njeriut, demokracia si praktikë apolitike në kundërvënie ndaj autoritarizmit etj. Në një shtrat të tillë, kauza minatore kërcënon pikërisht atë çka piramida paradoksalisht fuqizon, triumfin e ideologjisë e përjetësimin e sundimit. Për minatorët magjepsja pas fetisheve shoqërore bie ndesh me dhimbjen trupore, me mjerimin, tëhuajsimin, të qenit as të gjallë e as të vdekur, por në kufirin mes tyre si për të dëshmuar se e përtejmja parajsore i lë vendin të ndërmjetmes nëntokësore. Për ta investitori i huaj është emri i një firme që shqyen përditë pa plan e pa investime burimin jetësor, minierën. Për ta, perëndimori është administratori që i keqpaguan e s’mban as më të voglën përgjegjësi për “rëniet në krye të detyrës”. (U tentua të shfajësohej perëndimori, kur për fat zyrtari i firmës koncensionare doli gjeorgjian: jo po s’i bëjnë austriakët këto punë, megjithëse ua dikton interesi imediat se janë dojçë. Ja këta batakçinjtë orientalë na morën më qafë!, duke harruar kështu thelbin ekonomiko-politik të çështjes për ta çuar aty ku bëhet jokërcënuese për stabilitetin: tek llomotitjet kulturalisht raciste.) Për ta, ëndrra evropiane e turizmit pa viza është film fantashkencor. Për ta, tregu e privatizimi janë mjetet konkrete të varfërimit e rrënimit ekonomik (si me turp e nën zë, i quanin tronditshëm më të mira kushte, sigurinë e mirëpagimin në punë gjatë komunizmit). Për ta, prona private reduktohet në muret e shtëpizave, rrobat e trupit e mallrave gjithnjë e më të paktë të konsumit. Për ta, demokracia nuk është e kundërta e autoritarizmit, por vetë autoritarizmi sa kohë lirinë e matin me jetë, bukë punë e të drejtat politike jo me lënien e lulishtes apo trotuarit para godinave shtetërore për me u shfaq si qenie piktoreske që pasurojnë peizazhin ekzotik të qytetit, por si mundësinë për t’u dëgjuar, për të parë solidaritet, për të parë mijërat e tiranasve që lënë ca orë punët e tyre idiote për me u bë njësh me ta. (Çdo pesë minuta rrëfente më i riu prej tyre emocionet lotsjellëse ndaj pranisë së 10 gomerëve e gomaricave që në vend të pinin ndonjë kafe snobiste, u drejtonin grushtet bashkë me ta mureve të sundimit e shfrytëzimit). Minatorët, të revoltuarit e parë, shtrojnë kauzën e tyre e rreken të shqyejnë pëlhurën ideologjikisht sunduese.

Prandaj kauza e tyre është e huaj për ndërgjegjet e tredhura e të depolitizuara të Tiranës. Është me e lehtë piramida. Aty jemi brenda ideologjisë. Aty fajin e ka tirani i ri. Aty mendohet se nëse qeveria nuk vret, liria lulëzon. Aty problematika politike reduktohet në vullnetet e të fortëve në pushtet e në shpresën se pasardhësi ka me qenë ca më tolerant se paraardhësi. Aty mendohet se mjerimi social-ekonomik do të zgjidhet vetiu në dyert e Evropës që do të hapen sapo të ndërrojmë kalorës, ndërkohë që vetë Evropa zhytet përditë në krizë jo pse është më pak a më shumë Evropë apo Perëndim, por se identitetet kulturore janë mjerane përpara sistemit ekonomik, i cili në tollovinë e vet varfëron e shfrytëzon gjithnjë e më shumë. Aty i bëhet thirrje qytetarisë jo si qenie e akt politik rezistues, por si cilësi e lindur dhe e përcaktueshme nëpërmjet origjinës. Ja në një anë qytetarët kokëlarë e tiranas disa-brezash e në anën tjetër katundarët pa shije që janë rrokullisur si ortek në qytet e po prishin piramidën. Nga njëra anë autoritarizmi që shemb pa iu dridhur qerpiku e në anën tjetër ata që dridhen nga imazhi i piramidës së zhdukur e përbindëshit parlamentar. Nga njëra anë shqiptaro-perëndimorët e kulturuar e në anën tjetër barbarët orientalë, ku vija ndarëse nuk është ajo e politizimit të kauzës ekonomike, por në atë të estetizmit të politikës. Pikërisht estetizmi i politikës, megjithëse paradoksalisht në rastin shqiptar, shtrati i përhershëm i fashizmit.

Veçse më të lehtë e patën minatorët të bashkohen me kauzën e piramidës se e anasjellta. Ata, si punëtorë e kanë më të lehtë ta universalizojnë çështjen e tyre e ta shohin çdo problem publik si të tyrin. Për ta, jo vetëm piramida, por çdo ndërtesë publike, shkollë, spital etj buron nga të ardhurat që shteti shqiptar ndër vite ka nxjerrë nga puna e nëndheshme e tyre. Ata janë baza e piramidës. Përpara minatorëve të djersitur, të zhubrosur, të etur për ujë e drejtësi qëndronin familjet e mira tiranase që boshësinë ndaj minatorëve e mbushnin me kujtimet piramidore të ndonjë panairi, festivali rock-u apo më intimisht hipjen në majë të saj për t’i rrëfyer poezinë e vjedhur në vesh të dashurës me kokën tek yjet. Në majë të piramidës shëmtia e shfrytëzimit të bazës zor se e tundon syrin të kthehet.

Nesër me minatorët do të bashkohen pak njerëz, jo pak kundër prishjes së piramidës,  por aq politikë në trupat e mendjet e tyre sa të shtrojnë çështjen e drejtë: atë të të qenit me ta pa kushte, deri në fund, përtej fundit, drejt emancipimit.

This image has an empty alt attribute; its file name is direct

Ky artikull është botuar nën licensën CC BY-SA 4.0.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.