Kokëçarja me kauzën palestineze

/Arlind Qori/

Rreth një javë më parë pak, fare pak njerëz u mblodhën disa metra afër kangjellave të kryeministrisë për të shpallur publikisht protestën ndaj kërkesës së ministrit të jashtëm izraelit për mosnjohjen e shtetit të Palestinës nga ana e Shqipërisë. Kritikët zemërgjerë të këtij akti ua kursyen pjesëmarrësve etiketat e modës perëndimoriste të tipit: mjekërgjatë, fondamentalistë, orientalistë, protalebanë, komunistë, prishës të imazhit (megjithëse nëpër forume virtuale kish syresh që kur morën vesh ngjarjen e pritshme arritën deri edhe të luten për anullimin e saj për hir të interesave të larta kombëtare që rrezikoheshin në rast se fuqitë sa të mëdha aq edhe të mira e merrnin vesh se paska do shqiptarë që s’u vijnë pas avazit, a thua se interesat e shteteve ndryshojnë si kapriçot e personazheve të telenovelave?!) Them zemërgjerë pa ironi pasi përveç kritikave përmbajtësore të mbështetura në argumente moralizuese e gjeopolitike, kusuri i vetëm ishte ndonjë seancë e atypëratyshme psikanalitike që rrekej ta gjente motivin e protestës tek imitimi i anti-globalistëve prej “jashtë shtetit”. Mënjanë këtë shkarje joserioze, s’do ishte keq të merreshim me aspektet moralizuese e gjeopolitike pasi në to shfaqet hapur ideologjia si formë jo-kritike mendimi, çka në rastin e kauzës palestineze fashit thelbin politik të kuptimit të së drejtës së popujve.

Ideologjia mëton ta devijojë debatin prej të drejtës së kuptuar universalisht, pra politikisht, kah elementë moralizues që prekin ndjeshmërinë njerëzore për të pohuar se janë vuajtjet e njeriut si individ që themelojnë gjykimin e praktikën politike, pra drejtësinë, e jo këto të fundit që përkufizojnë edhe të drejtat njerëzore. Duke mos qenë e rëndësishme në vetvete, kjo qasje i mundëson debatit të “emocionalizohet” në imazhe që përmes konsumit publik thurin hartën politike konjitive të shikuesve. Po ashtu, qasja ideologjike kapitalit moralizues i shton pashmangshmërinë e ndryshimit të situatës, e cila në kundërshtinë ndaj kauzës palestineze rëndom merr trajtën e pamundësisë gjeopolitike të një shteti të vërtetë palestinez për hir të sigurisë së Izraelit. Kjo do të thotë sipas ndonjë qasjeje vulgarizuese të Spinozës se meqë palestinezët nuk munden, ata as nuk duhet.

Shigjeta më e lehtë që u hidhet mbrojtësve të kauzës palestineze ka të bëjë me kritikën morale ndaj veprimeve herë pas here terroriste të grupimeve politike palestineze. Duke shfaqur publikisht pamjet makabre të picerive apo autobuzëve të Tel Avivit, Jeruzalemit, Be’er Shevas etj të hedhura në erë nga kamikazët, neverinë morale të secilit ndaj akteve të tilla rreken ta orientojnë kah mungesa e hakut politik të popullit palestinez për të rrojtur i lirë e sovran në truallin e tij. Nga ana tjetër, moralistët pro-palestinezë nuk vonojnë të kundërpërgjigjen duke shpalosur me po të njëjtin merak publicitar fëmijët e djegur gjatë bombardimeve në Gaza, adoleshentët e vrarë gjatë hedhjes së gurëve ndaj tankeve etj. E gjithë kjo nuk bën gjë tjetër  veçse e redukton ideologjikisht kauzën palestineze duke e zhveshur nga konotacioni politik për ta shndërruar në lojën perverse moralisto-humanitare të numërimit të viktimave apo krahasimit të vrasësve. Kështu, në kohën e mishërimit të imazhit si thelb e reduktimit të thelbit në shije, elitat propaganduese palestineze s’e kanë për gjë që edhe atëherë kur plumbi izraelit nuk shpon njeri ta inskenojnë ndodhinë e po ashtu homologët më të aftë izraelitë të marrin kamerën në kurriz e ndërkohë që nga pas buldozeri prish shtëpitë e palestinezëve për t’u hapur vendin kolonëve, ushtari paraqitet i përlotur e madje është gati të rrëfejë intimitete përafruese me “armiqtë”, por ama vetëm një gjë s’mund ta bëjë: të shkelë urdhrin e ta lerë në këmbë shtëpinë. Armiq jemi, por në fund të fundit mbetemi njerëz! A thua se i ndryshon gjë kjo pasojës?!

Madje nëse na duhet t’i shtojmë të mësipërmes copa programesh apo deklaratash politike “barbare”, secili mund të zgjidhte rehat ndonjë xhihadist apo hamasisit po aq lehtë sa ndonjë likudist e beiteinuist apo edhe ndonjë heroinë politike si Golda Meir për të cilën palestinezët nuk ekzistonin si popull. Sa për deklaratat bombastike për hedhje në det të izraelitëve apo “tokës pa popull që pret popullin pa tokë”, të gjitha këto marrëzi propagandistike ndryshojnë brenda natës kur palët tentojnë t’i hyjnë seriozisht çështjes (kujtoni këtu njohjen me ovacion të shtetit të Izraelit i udhëzuar nga “terroristi” Arafat, sofizmat e Hamasit që pasi fitoi zgjedhjet nën zë hapte mundësinë e njohjes së shtetit të Izraelit pas një të ardhmeje të gjatë armëpushimi, apo tërheqja e beftë nga Gaza e fajkoit Sharon, përgjegjës për masakrën e Sabrës e Shatilës).

Argumenti i dytë ideologjik që mishëron aspektin e pamundësisë së lëvizjes së status quo-së mbështetet në të drejtën e pamohueshme të shtetit të Izraelit për të jetuar në kufij të sigurt nga sulmet kamikazo-kasamiste, çka nënkupton reduktim të territorit të shtetit të ardhshëm palestinez në krahasim me kufijtë e njohur ndërkombëtarisht. E meqë shteti i Izraelit tash e mot do të ketë nevojën për siguri dhe kjo e fundit nuk mund të jetësohet pa futur mirë në kafaz “bishën” palestineze, asnjë alternativë tjetër s’ka veç vizatimit të kufijve në përputhje me këtë interes, sidomos kur merret parasysh mbifuqia ushtarake izraelite. Përveç saktësisë tekniko-ushtarake të pohimit në fjalë (jo për gjë, por edhe pa zotëruar të shumtën e territorit grupet militante palestineze mund t’i kryejnë sulmet), rrengu ideologjik nuk qëndron në përgjigjen e gabuar ndaj pyetjes së drejtë, por në shtrimin e pyetjes së gabuar. Mos mungon gjë në ekuacionin e sigurisë? Problemi i këtij qëndrimi është se asnjëherë nuk e sheh sigurinë si problem të dykahshëm. Mirë që kufijtë e drejtë e të njohur ndërkombëtarisht (Gaza dhe Bregu Perëndimor) kërcënojnë Izraelin, po kufijtë e ngushtë të një shteti të mundshëm palestinez apo mosekzistenca e këtij të fundit mos kërcënon ndokënd? P.sh. vetë palestinezët? E këtu rishfaqet në fushë shpata ideologjike, e cila s’e ka për gjë t’i ndajë popujt në racionalë-demokratikë-perëndimorë-paqësorë (kupto: izraelitët) përballë atyre iracionalë-autoritaristë-orientalë-gjakësorë (kupto: palestinezët). D.m.th. çështja e sigurisë apo pasigurisë së popujve nuk lind ngaqë elitat e njërit rreken të sundojnë e shfrytëzojnë tjetrin e populli tjetër rreket të çlirohet nga sundimi, pavarësisht perversitetit të elitave të veta, por në karakterin e tyre. Kështu, “barbarët” palestinezë s’do ta kishin për gjë që edhe pasi ta kenë ndërtuar shtetin e tyre të hedhin gjithçka në zjarr vetëm për hir të fiksimit idiot me zhdukjen e Izraelit. (Kujtoni filmin jugosllav “Kam takuar edhe ciganë të lumtur”, ku Bekim Fehmiu, pyetjes së hetuesit se pse duke qenë tregtar puplash kishte çuar dëm gjithë ngarkesën, i përgjigjet: epo kështu e kemi ne ciganët, pimë e s’dimë ç’bëjmë!) Ndërkohë që avantposti i Perëndimit mes ujqërve orientalë do ta kufizonte veten së ndërhyri vend e pa vend, megjithëse interesat do t’ia diktonin.

Për me i kapardis ca rreshtat gjeopolitikisht, mund të them se interesi real, por jo e drejta e shtetit të Izraelit, nuk është mos njohja e shtetit palestinez, por nëpërmjet ngulimeve kolone që jo vetëm nuk zmbrapsen nga Bregu Perëndimor, por as “ngrijnë”, të krijojnë terrenin e faktit të kryer në mënyrë që në tryezën e bisedimeve të imponojnë zgjidhjen e krijimit të një shteti gjysmak palestinez në territor e të ndarë ku në cep të Gazës sundojnë të rrethuar hamasistët e fandaksur që kur s’kanë izraelitë për të qëlluar i kthehen popullit të tyre pamëshirshëm e në Bregun Perëndimor në kufij të ngushtuar (ku edhe burimet natyrore e fuqia ushtarake nuk janë në duart e palestinezëve) sundojnë elitat korruptive thuajse-kuinslinge. Ashtu sikundër interesi, por jo e drejta e as mundësia e elitave politike palestineze  është sundimi i sa më shumë territori, madje edhe të krejt Izraelit, e shfrytëzimi ekonomik i sa më shumë njerëzve. Vetëm se përtej pretendimeve gjendet e drejta.

Prandaj në 29 qershor, pranë kangjellave të kryeministrisë pak shqiptarë, fare pak, megjithëse jo më pak se në çdo përpjekje autonome nga partitë klienteliste për të drejtën, zgjodhën ta antagonizonin çarjen e kokës: ata vetë ta çanin kokën për kauzën palestineze e në këtë mënyrë t’u çanin kokën kureshtarëve e kritikëve zemërgjerë me pohimin e përparësisë absolute të së drejtës në kuptimin politik ndaj çdo versioni të së mirës, moralshmes, estetikes etj. Universalizmi politik i protestës mbartte frymën e përdorimit publik të arsyes, e cila nëse i referohemi Kantit nuk ka të bëjë me numrin e kokëçarësve, por me motivimin e lëvizjes nga qëllime që nuk i referohen kategorive si interesi imediat, marrja me punët tonat si personalisht ashtu edhe në kuptimin e bahçes në të cilën jetojmë, pasi punët e mëdha e çështjet e së drejtës u takojnë popujve të mëdhenj, p.sh. perëndimorëve e çdo përpjekje në të njëjtën frymë s’do të ishte gjë tjetër veçse imitim fshataresk. Përdorimi publik i arsyes ndodh në çdo tavolinë, klub, lulishte, kangjellë, shesh…në të cilin njerëz të frymëzuar nga karakteri universal dhe emancipues i së drejtës pohojnë përparësinë e saj ndaj çdo gjëje. Atë ditë e drejta kërkonte që arsyeja të shprehej publikisht në favor të krijimit të shtetit të Palestinës në kufijtë e njohur ndërkombëtarisht, në fqinjësi të paqtë me shtetin e Izraelit, ku paqja është rezultat i së drejtës e jo copëtuese e saj. Në çastin që po dalin këto radhë, ndoshta Kolegji Zgjedhor e ka marrë vendimin e askush s’ia ka ngenë të çajë kokën me palestinezët. Gjithsesi, aq më keq për moskokëçarësit! Shqetësimi për një kauzë të drejtë përtej çdo interesi të atypëratyshëm nuk nënkupton shpërfilljen ndaj të drejtës së brendshme, por tentativën për të ngritur një të tillë nivel ndërgjegjësimi politik mbi të drejtën që kur gjen kohë të shkojë deri në Palestinë, në Shqipëri klith përditë për drejtësi.

This image has an empty alt attribute; its file name is direct

Ky artikull është botuar nën licensën CC BY-SA 4.0.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.