/Arlind Qori/
“Shqipëria në krizë” – është një e vërtetë aq bazike dhe e stërpërmendur, sa rrezikon të kthehet në klishe. Çka duhet bërë është të analizohen rrënjët e krizës dhe, mbi të gjitha, të vihen në dukje potencialet e shfrytëzimit të saj për të sjellë ndryshime strukturore.
Ku gjendemi?
Jemi në mes vështirësish ekonomike si rrallëherë më parë. Rritja e çmimeve jo vetëm po përkeqëson kushtet e jetesës së pjesës më të madhe të shoqërisë, por po ngulfat edhe ekonominë në përgjithësi. Ndonëse inflacioni zyrtar i shpallur nga institucionet shtetërore është 7.5%, të tjera shifra i tregojnë më mirë pamundësitë e jetesës. Në një vend të varfër si Shqipëria, ku shumëkush e shpenzon pjesën më të madhe të të ardhurave për ushqim dhe mallra bazike, rëndësi parësore ka rritja e çmimeve të këtyre të fundit. Sipas të dhënave zyrtare, çmimi i vajit është rritur 30.6%, ai i bukës dhe drithërave 20%, kurse bulmeti me rreth 50%. Masat gjysmake qeveritare të pak muajve më parë (ndihma për pensionistët dhe disa shtresa në nevojë) kanë avulluar prej kohësh, ndërkohë që në vjeshtë është e mundshme një krizë energjetike që do të na kredhë dekada më parë, kur “ardhja e dritave” shndërrohej në hare kombëtare. Qeveria dhe institucionet shtetërore po i përgjigjen inflacionit vetëm me masa monetariste (rritja e normave të interesit), pa e vrarë mendjen për asnjë çast se si mund të rishpërndahen të ardhurat e pasuria nga ata që i gëzojnë me tepri (e shpesh herë në mënyrë të paligjshme) tek ata të cilët jetojnë në zgrip, ndonëse në të shumtën e rasteve janë prodhuesit e palodhur të të mirave.
Shqipëria është vend i varfër, ndonëse mes varfërisë sonë spikasin ishuj pasurie përrallore. Ja disa tregues: Shkalla e thelluar e privimit material, e matur për herë të fundit në vitin 2020, prek 34.7% të popullsisë. Rreziku për të qenë i varfër ose përjashtimi social – ku përfshihen edhe familjet me intensitet shumë të ulët punësimi – arrin në 43.4%. Nëse u referohemi të ardhurave nga puna, Shqipëria është ndër 4-5 vendet e fundit në Evropë për sa i përket pagës minimale dhe asaj mesatare. Vendet e rajonit janë më lart se ne, ndërkohë që për të gjetur më keq duhet kërkuar mes disa prej ish-republikave të Bashkimit Sovjetik.
Shkaqet e varfërisë lidhen jo vetëm me shfrytëzimin në punë, por edhe me strukturën ende paramoderne të kapitalizmit periferik shqiptar. Në tremujorin e parë të 2022 norma zyrtare e papunësisë ishte 11.3%, kurse shkalla e punësimit (raporti i të punësuarve 15-64 vjeç kundrejt popullsisë në moshë pune) shkonte 63.5%. Këto shifra bëhen mjaft më alarmante nëse shohim strukturën e punësimit. Nga të gjithë ata që INSTAT-i i konsideron të punësuar, më pak se gjysma (47.9%) janë punonjës me pagë (te të cilët, së paku në parim, vlejnë vendimet për pagën minimale etj.). Të tjerët janë ose të vetëpunësuar në sipërmarrje tejet të vogla (32%), ose punëtorë pa pagesë në biznesin e familjes (20.1%). Bëhet fjalë për njerëz – kryesisht në sektorin e bujqësisë (33.8% e të punësuarve) dhe të shërbimeve (44.3% e të punësuarve) – që jetojnë çdo ditë në zgrip të falimentimit, të kërcënuar nga bizneset e mëdha dhe të shtyrë drejt normave gjithnjë e më shkatërrimtare të vetëshfrytëzimit.[1]
Si të mos mjaftonte varfëria, shoqëria përshkohet nga një nivel gjithnjë e më i pabarabartë i shpërndarjes së pasurisë dhe të ardhurave. Tabela e Excel-it të pagave që u bë publike në fillim të këtij viti vërtetoi jo vetëm nivelin tejet të ulët të pagave të shumicës dërrmuese të të punësuarve (thuajse gjysma e punëtorëve në Shqipëri paguhet me pagë minimale e poshtë), por edhe pabarazinë e frikshme midis tyre dhe pasanikëve rrogëtarë. (Afërmendsh, pabarazia në pasuri duhet të jetë mjaft më e lartë). Kësisoj 0.01% më i pasur paguhet mesatarisht 6.643.972 lekë (të reja) në muaj. Ata marrin 221 herë më shumë se punëtori me pagë minimale dhe 119 herë më shumë se punonjësit me pagë mesatare. Nëse shohim përbërjen sociale të këtyre super-rrogëtarëve, vëmë re se në të kryesojnë drejtuesit dhe specialistët e lartë të huaj (vetëm 28% e tyre janë shqiptarë) të kompanive të huaja (si p.sh. Bankers-i në sektorin e hidrokarbureve).
Nëse llogarisim 1% e rrogëtarëve më të paguar (diku rreth 7000 vetë), pabarazia ulet ndjeshëm, po gjithsesi është domethënëse. Kjo shtresë rrogëtarësh të privilegjuar paguhet mesatarisht 455.022 lekë (të reja) në muaj. Krahasimisht ata marrin 15 herë më shumë se punëtori me pagë minimale dhe 8.12 herë më shumë se punonjësi me pagë mesatare. Jemi ende në rangun e njerëzve të privilegjuar të shoqërisë, ose më saktë te mesatarja e njerëzve që mund të konsiderohen të pasur në terma page.
Për të pasur një sens më të qartë të pabarazisë, mund t’u referohemi disa të dhënave të përpunuara nga Thomas Piketty-ja për shpërndarjen e të ardhurave në vendet më të zhvilluara: “Në vendet ku të ardhurat nga puna janë të shpërndara më barazisht, si për shembull vendet skandinave midis viteve 1970 dhe 1990, 10% më i lartë merrte rreth 20% të totalit të pagave dhe 50% më i ulët merrte rreth 35%. Në vendet ku pabarazia në paga ishte mesatare, ku futen shumica e vendeve evropiane (si p.sh Franca e Gjermania) sot, grupi i parë merr 25-30% të totalit të pagave dhe grupi i dytë rreth 30%. Dhe në vendet më të pabarabarta, si për shembull SHBA e fillimviteve 2010… decili i sipërm merr 35% të totalit, kurse gjysma e poshtme merr vetëm 25%.”[2] Nëse i referohemi dokumentit të pagave në Shqipëri, rezulton se 10% më i paguar merr gjithsej 33.07% të pagave, kurse 50% më i keqpaguar merr gjithsej 17.15% të pagave. Siç mund ta shohim, Shqipëria është shumë larg vendeve më barazimtare kapitaliste (vendet skandinave të disa dekadave më parë), larg vendeve më të ekuilibruara kapitaliste të sotme (si Franca e Gjermania) dhe shumë pranë SHBA si një prej vendeve më të pabarabarta në botë për shpërndarjen e pagave. SHBA e ka ndërtuar këtë strukturë pabarazie në mbi dy shekuj kapitalizëm industrial, kurse Shqipëria ka vrapuar drejt niveleve skandaloze të pabarazisë në tri dekada kapitalizëm periferik.
Duhet përsëritur fakti se pabarazia në paga, sado e lartë qoftë, është më e moderuar sesa pabarazia në pasuri (asete ekonomike), e cila në Shqipëri, edhe për shkak të informalitetit, është vështirësisht e llogaritshme.
Kjo varfëri e pabarazi në rritje nuk mund të ekzistonte nëse në superstrukturën politike të vendit nuk do të dominonte një sistem dypartiak i cili me kalimin e kohës është shndërruar në kartel politik. Specifika e kartelit është kontrollimi dhe zbutja e konkurrencës (politike në këtë rast). PS dhe PD, bashkë me ndonjë bisht si (ish-)LSI, me kalimin e viteve jo vetëm kanë konverguar ideologjikisht, por duket se funksionojnë brenda disa rregullave të pashkruara të tolerimit reciprok. Tonet e komunikimit politik publik janë të larta, gjestet herë pas here ngjajnë me ato të heronjve të Homerit. Po përtej deklaratave dhe simbolizmave, sistemi partiak është rehatuar në quid pro quo-në e përfitimeve reciproke. Lidhja e partive me oligarkët është organike. Oligarkët mbushin informalisht arkat e partive dhe u sigurojnë politikanëve kryesorë para për të jetuar në luks; pjesën më të madhe e merr partia në pushtet, kurse partia në opozitë kënaqet me diç më pak në këmbim të premtimit se kur të vijë në pushtet nuk do të ndryshojë rregullat e përfitimit të dyanshëm.
Po që prej zgjedhjeve të 2021 duket se diçka po ndryshon në konfigurimin politik. Dobësia dhe përçarja e PD, nga njëra anë, zhytja më e thellë e qeverisë në korrupsion dhe trafiqe, nga ana tjetër, krijojnë përshtypjen e rishikimit të rregullave të kartelit partiak në favor të një hegjemonie në dukje afatgjatë të PS. Kjo hegjemoni po përforcohet edhe nga mbështetja që qeveria po gjen te fuqitë perëndimore, si dhe izolimi i PD nga këta të fundit, sidomos pas shpalljes non grata të Sali Berishës nga Departamenti i Shtetit në SHBA. Siguria që ndjejnë Rama dhe PS në pushtet shoqërohet me shpengimin në futjen me kokë në afera korruptive (si ajo e inceneratorëve), gatishmërinë për të shtënë logjikën komerciale në spitalet publike (projektligji i ri për shërbimin spitalor) dhe kapadaillëku deri në pafytyrësi për të mbrojtur të gjitha prapësitë qeverisëse.
Ndryshimi i rregullave të kartelit politik nuk e shkatërron kartelin dhe as zhbën logjikën e tij; vetëm sa synon të ndryshojë masën dhe raportin e përfitimeve prej tij në dobi të qeverisë aktuale. Nga ana tjetër, sinjalet e sforcuara të jetës artificiale që jep herë pas here PD – si p.sh. protesta e korrikut – nuk kanë synim të ndërrojnë logjikën e kartelit dhe marrëdhëniet e tij me oligarkët, por thjesht të rrisin peshën e PD në tryezën e bisedimeve. Prej 30 vjetësh PS dhe PD kanë bashkëndërtuar një sistem partiak nga i cili përfitojnë shumë më shumë së bashku nga ç’humbin si rezultat i garës së pjesshme mes tyre. Qëllimi i tyre madhor është pamundësimi i çdo force me potencial popullor – çka realizohet sa përmes pengesave institucionale (Kodi Zgjedhor, pengesat dhe vështirësitë për organizimin e referendumeve dhe nismave ligjore), aq edhe nëpërmjet kapjes së mediave të mëdha dhe shtrirjes së tentakulave klienteliste (trafik favoresh, punësime partiake, blerje vote, kërcënim votuesish etj.)
Ku mund të përfundojmë?
Një mësim që mund të nxirret nga historia bashkëkohore e Shqipërisë është se sado keq të jemi, e keqja nuk ka fund. Kjo lidhet jo vetëm me shpronësimin kumulativ të shoqërisë nga oligarkët, por edhe me sistemin partiak që deri më sot ia ka dalë të zhvendosë vëmendjen publike nga kontradiktat themelore. Karteli partiak si përkim interesash ekonomiko-politike mbahet në këmbë, madje fuqizohet, nëse mbulohet me një vello kontradiktash në rrafshin simbolik e imagjinar. Ndryshimi i raportit të forcave në PD me ardhjen e Berishës në krye të partisë e ka ndezur luftën simboliko-imagjinare me qeverinë. I vetëdijshëm se e ka thuajse të pamundur të vijë në pushtet për shkak të statusit prej pariah-u politik – të cilin ia kanë mveshur fuqitë perëndimore – Sali Berisha po kërkon të konsolidojë pushtetin e vet në opozitë. Për të nuk ka më rëndësi fitimi i pushtetit, por sigurimi i vendit të dytë. Kështu edhe orvatet të dobësojë çdo alternativë opozitare antisistemore, edhe kërkon përmes kërcënimit që ta ulin në tryezën e negociatave informale. Dikush mund të mendojë se kanos në emër të shpëtimit nga burgu (të vetes apo familjarëve), dikush tjetër se kërkon një kamare në historinë e Shqipërisë, siç ka syresh që u duket se po rilind së dyti në krye të një lëvizjeje ideologjikisht reaksionare. Motivet, në këtë rast, janë të dorës së dytë. Në thelb, “ri”ngjallja e tij përfton shtrëngimin e radhëve të mbështetësve tradicionalë të PD dhe, për pasojë, në çimentimin e frakturave të mundshme midis zgjedhësve të PS. Edi Rama e kupton se mënyra më e mirë për të justifikuar matrapazllëqet qeverisëse është të drejtojë gishtin drejt gogolit Berishë dhe të shpresojë që inatet, kusuret dhe emocionet e vjetra të mbështetësve të vet të ridalin në sipërfaqe.
Për ta përforcuar këtë prirje, PS dhe PD do të duhet t’u fryjnë sa më shumë kontradiktave simboliko-imagjinare, duke u vetëpërfytyruar si dy forca të kundërta qytetërimore dhe zhvilluar beteja vlerore në vend të atyre që prekin dimensionin politik të ekonomisë. PS do të vazhdojë të shesë imazhin e një partie “qytetare”, pro-perëndimore e më moderne – pavarësisht plaçkitjes së strukturuar të shoqërisë. Kundruall saj, PD e Berishës do të theksojë më fort etno-nacionalizmin, antikomunizmin, duke i përzier këto vlera tradicionale të së djathtës me nocionet e rrëmujshme e budallaqe që vijnë nga teoritë konspirative. Do të bëjnë kësisoj me shpresën se shoqëria do të harrojë se në fund të ditës të dyja palët shkojnë e falen në pragun e Samir Manes, Shefqet Kastratit, Bashkim Ulajt, Pëllumb Salillarit etj.
Ky realitet i mundshëm i të ardhmes së afërt jo vetëm që do ta çorodiste opinionin e shëndoshë publik, por edhe do të mbillte farën e impotencës shoqërore përpara kartelit partiak. Kush do të kishte shpresë të ndërhynte në mes të betejave imagjinare të egërsirave të vjetra të politikës?! Në pastë ndonjë reagim alternativ, ai do të dënohej në margjinat e vëmendjes publike. Në mos, më keq akoma, do të vinte si shfryrje dufi në rrjetet sociale.
Çfarë mund të ndërtojmë?
Shtatori – aq shumë i përmendur nga Sali Berisha dhe Ilir Meta – nuk ka pse të jetë muaji fatal i ngufatjes së kartelit partiak. Historia nuk është e paracaktuar, pavarësisht orvatjeve ideologjike të atyre që kontrollojnë mjetet e ndikimit publik. Shumica dërrmuese e shoqërisë – ku futet edhe një pjesë e mirë e atyre që votojnë për partitë e kartelit duke mbajtur hundën me dorë – është thellësisht e pakënaqur me gjendjen ekonomike, e tjetërsuar nga partitë dhe me një mllef që deri më sot nuk ka gjetur rrugëdalje politike. Të gjithë flasin për nevojën e një force të re politike – popullore në ide, apel dhe përbërje – ndonëse shumëkush duket se pret ndonjë mrekulli, ndërhyrje nga jashtë apo Mesi që të marrë iniciativën. Mosbesimi te njëri-tjetri, por mbi të gjitha te vetja si kontribuues në rindërtimin politik të shoqërisë, është çarku që na kanë ngritur prej dekadash. Prandaj është imperative strategjikisht të ndërtojmë besimin te njëri-tjetri. Ky besim nuk mund të jetë imagjinar, as t’i drejtohet një tërësie ku në gjirin e atyre që e pësojnë treten edhe shkaktarët e pësimit. Ai mund të ndërtohet vetëm në organizim e sipër të shumësisë që jeton përmes punës së vet – shumëkush mjaft keq e pakkush pak më mirë. Organizim që u bën apel të gjithë atyre që meritojnë më shumë, por puna dhe krijimtaria e të cilëve shfrytëzohet e tëhuajësohet nga klika e të privilegjuarve.
Ky organizim – në vende pune, shkollimi e banimi – duhet të jetë shtylla kurrizore e një lëvizjeje të re që në përditshmëri e konsideron politikën si një luftë pozicionesh jashtë dhe brenda institucioneve: greva, bojkote, protesta, iniciativa ligjore e referendare, pjesëmarrje në zgjedhje, ushtrim i presionit brenda parlamentit etj. Ndërkohë që ruan mundësinë e manovrave kur ashpërsimi i kontradiktave shoqërore arrin pikun e krizës, nga e cila nuk mund të ketë as kthim prapa dhe as rregullime të pjesshme. Po mbi të gjitha, e zhvillon betejën për hegjemoni në të gjitha hapësirat dhe strukturat ku jepet informimi dhe gatuhen vlerat dhe botëkuptimet shoqërore, për të mundësuar që e vërteta dhe e drejta të prekin vetëdijen e sa më shumë qytetarëve.
Në afatshkurtër kjo lëvizje duhet ta tejkalojë dilemën e rrejshme midis luftimit të qeverisë dhe luftimit të sistemit politiko-ekonomik. Opozitarëve brenda kartelit u leverdis vetëm lufta e parë për të fituar pozitat dominuese në tryezën e përbashkët me oligarkët, kurse romantikët e çdolloj ngjyre mendojnë se ka gjithmonë një detyrë më të rëndësishme se lufta e pakompromis kundër qeverisë. Lëvizje e re e shtresave të gjera popullore – që bazohet në vlerat e solidaritetit, barazisë dhe emancipimit – mund të jetë vetëm ajo që e kupton se mënyra më e suksesshme e luftimit të sistemit është të luftosh kundër një qeverie grabitqare dhe mënyra më e mirë për të luftuar kundër kësaj qeverie është të godasësh krejt sistemin e shtypjes, shfrytëzimit dhe privilegjeve.
Një lëvizje e tillë kërkon ide të vërteta, mendjemprehtësi, koherencë veprimesh, imagjinatë produktive, po mbi të gjitha guxim.
Jemi gati?
[1] Shih: http://www.instat.gov.al/media/10081/anketa-tremujore-e-forcave-t%C3%AB-pun%C3%ABs-t1-2022.pdf
[2] Pikkety, Thomas. (2014). Capital in the Twenty-First Century. Cambridge: The Belknap Press of Harvard University Press, f. 256.
Imazhi: “Ndërtuesit”, Jacob Lawrence
Ky artikull është botuar nën licensën CC BY-SA 4.0.