/Caitlin Johnstone/
Liberalët i urrejnë të majtët. I urrejnë me gjithë shpirt!
Ata nuk e pranojnë në shumë raste, sigurisht. Të pranuarit se i urren ata në të majtë po aq sa i urren ata në të djathtë do të shkaktonte shumë disonancë konjitive për ata që e pandehin veten si të ishin nga e majta, dhe kjo do t’i dobësonte dukshëm argumentet e tyre.
Por ja që kështu ndodh. Liberalët i urrejnë të majtët për një sërë arsyesh.
Liberalët i urrejnë të majtët sepse ka dallim si nata me ditën midis një ideologjie kapitaliste, të establishmentit, dhe një ideologjie që do ta shkulë të parën dhe ta zëvendësojë me paqen dhe me socializmin. Dallimi mes të majtëve të vërtetë dhe liberalëve të sistemit është më i madh sesa mes ekstremit të djathtë dhe liberalëve të sistemit.
Liberalët i urrejnë të majtët për shkak se parehatia psikologjike e njohur si disonancë konjitive dhemb me të vërtetë, dhe kush e provokon shpesh atë mund të konsiderohet shkaktues i dhimbjes.
Liberalët i urrejnë të majtët sepse për vete e kanë kaluar gjithë jetën duke ndërtuar dhe fuqizuar një botëkuptim i cili përligj luftërat, oligarkinë dhe shfrytëzimin, ndërsa veten e konsiderojnë mbrojtës të barazisë dhe arsyes së shëndoshë. Kështu kur dikush nis të përkrahë një ideologji që vë në dukje mospërputhjet mes këtyre dy pikave, disonanca konjitive pasuese i bën ata të ndihen sikur e majta ua ka përplasur fytyrës.
Liberalët i urrejnë të majtët sepse kur të dyja palët pretendojnë se mbështesin klasën punëtore dhe grupimet më të dobëta, vëtëm njëra palë e bën.
Liberalët i urrejnë të majtët për të njëjtën arsye që dikush i cili tregon një histori të rreme për veten në një festë e urren atë që e kap gafil duke mashtruar në sy të të gjithëve.
Liberalët i urrejnë të majtët sepse të majtët janë një kujtesë e përhershme se liberalët nuk janë siç pretendojnë.
Liberalët i urrejnë të majtët për të njëjtën arsye që ti do të urreje dikë që bërtet “Kjo është e gjitha e stisur! Këta janë aktorë!” në teatër: ata prishin një iluzion të këndshëm që liberalët përpiqen ta shijojnë kur të ligjtë ndalen nga heronjtë protagonistë.
Liberalët i urrejnë të majtët për të njëjtën arsye që një grua e cila është vënë në dijeni se bashkëshorti po e tradhëton shpesh e kthen zemërimin e saj ndaj personit që ia tregoi: ata ua bëjnë të vështirë të qëndrojnë në lajthitjen se projeksioni i tyre po ecën më së miri.
Liberalët i urrejnë të majtët sepse një botëkuptim që bazohet gjithnjë në rrena do të kundërshtohet medoemos nga një botëkuptim që bazohet në të vërteta.
Liberalët i urrejnë të majtët sepse botëkuptimi është pjesë jotja, kështu që njerëzit që vënë në dukje hipokrizinë, padobishmërinë, paligjshmërinë dhe pavërtetësinë e botëkuptimit tënd shpesh duket sikur po të sulmojnë personalisht.
Liberalët i urrejnë të majtët sepse ata janë të rrethuar nga ekrane që u tregojnë se ideologjia e tyre është pozicioni i vetëm i duhur, kështu që kush u tregon të metat në ideologjinë e tyre nuk do të shihet si dikush me të cilin nuk bien dakord, por si gënjeshtar.
Liberalët i urrejnë të majtët pasi vitet e fundit janë mësuar nga masmedia që ta shohin çdo mosdakordësi me konsensusin imperialist mbi politikën e jashtme si ndërhyrje dashakeqëse të Rusisë.
Liberalët i urrejnë të majtët sepse ndryshimi është i frikshëm dhe prirja ndaj status quo-së është e painjorueshme.
Liberalët i urrejnë të majtët sepse nëse të majtët kanë të drejtë, atëherë çdokush që i ka mësuar ata e ka gabim dhe çdo gjë që ata dinë në jetë është e gabuar.
Liberalët i urrejnë të majtët sepse është më e lehtë sesa të shkatërrosh krejt botëkuptimin tënd dhe ta rindërtosh atë copëz pas copëze nga këndvështrimi se gjithçka të është treguar rreth botës dhe mënyra si funskionon ajo është e gënjeshtërt.
Liberalët i urrejnë të majtët sepse pavarësisht çfarëdolloj historie që ata mund të besojnë rreth vetes, liberalët janë kundër gjithçkaje që përfaqësojnë në çfarëdo mënyre kuptimplote.
Sa më koherentë të jenë të majtët e vërtetë, aq më efektivë do të bëhen.
E përktheu Kristi Çunga
Shënim: autorja është aktiviste dhe gazetare e pavarur, me mbështetje të plotë nga lexuesit. Lexuesit mund të kontribuojnë sado pak në llogarinë e saj në Patreon dhe PayPal. Artikulli botohet me lejen e saj.
Imazhi: Wikimedia Commons
Ky artikull është botuar nën licensën CC BY-SA 4.0.