Dy revolucione (i)

/Perry Anderson/

Perry Anderson-i është një prej figurave qendrore të historiografisë materialiste të dekadave të fundit. Pjesë e të Majtës së Re britanike që në vitet 1960 – si një alternativë qoftë ndaj burokratizimit të Partisë Komuniste të Britanisë së Madhe (e cila, paradoksalisht, prodhoi një brez të shquar historianësh), ashtu edhe ndaj oportunizmit dhe qullësisë së laburistëve, kredencialet e Anderson-it si historian madhor u vendosën që me botimin e dy librave të tij të parë “Passages from Antiquity to Feudalism” dhe “Lineages of the Absolutist State” në vitet 1970. Më pas kontributi i Anderson-it u shpalos më së shumti në kontekstualizimin historik dhe shoqëror të filozofisë dhe mendimit politiko-shoqëror (“Considerations on Western Marxism”, Arguments within English Marxism”, “In the Tracks of Historical Materialism”, “The Origins of Postmodernity”). Në dekadat e fundit, ndoshta i vetëdijshëm se nuk mund ta tejkalojë karakterin madhor të veprave të para historiografike, ai është përqendruar në shkrimin e eseve dhe artikujve të gjatë studimorë, por edhe divulgativë, mbi koncepte, fenomene e personazhe teorike e historike nga më të larmishmit.

Në fillim të viteve 1960 Perry Anderson-u mori postin e kryeredaktorit të Neë Left Review-së, një prej revistave shkencore e kritike më prestigjioze, si dhe bosht teoriko-politik i të majtës bashkëkohore. Atyre viteve, së bashku me Tom Nairn-in, më pas studiues i veçantë i nacionalizmit, i trazuan ujërat studimore britanike me botimin te New Left Review-ja të një sërë artikujsh (teza Anderson-Nairn) mbi veçantinë e raporteve klasore në Britaninë e madhe – ku revolucioni i parakohshëm borgjez (shekulli XVII) kishte sjellë një borgjezi të nënrenditur politikisht ndaj aristokracisë, çka kishte kushtëzuar edhe karakterin politikisht pasiv të klasës punëtore britanike dhe Partisë Laburiste.

Sidoqoftë, shkrimi i mëposhtëm është pjesa e parë e një artikulli të gjatë krahasimor mbi Revolucionin Rus dhe Revolucionin Kinez. Tri pjesët e tjera do të botohen gjatë ditëve në vijim.

***

Shënime bazike

Nëse shekulli XX është mbisunduar, më shumë se nga çdo ngjarje tjetër, nga trajektorja e Revolucionit Rus, shekulli XXI do të formohet nga pasojat e Revolucionit Kinez. Shteti sovjetik, i lindur nga Lufta e Parë Botërore, fitimtar në të Dytën, i mposhtur nga riprodhimi i ftohtë i të Tretës, u shpërbë pas shtatë dekadash pa shumë vështirësi, po aq rrufeshëm sa ç’u ngrit. Ç’mbeti është një Rusi më e vogël se e kohës së iluminizmit, me më pak se gjysmën e popullsisë së BRSS, ku kapitalizmi i restauruar është tanimë më i varur nga eksporti i lëndëve të para se gjatë ditëve të fundit të carizmit. Ndonëse përmbysjet e ardhshme nuk duhen përjashtuar, për momentin ç’ka mbijetuar nga kryengritja e Tetorit, në kuptimin pozitiv të fjalës, duket e vogël. Arritja e vet më afatgjatë, madhore në fakt, është mohore: mposhtja e nazizmit, çka nuk mund ta arrinte asnjë regjim tjetër evropian. Ky do të ishte një gjykim i zakonshëm në ditët e sotme.

Rezultati i Revolucionit Kinez bën kontrast të dukshëm. Duke hyrë në dekadën e saj të shtatë, Republika Popullore është motor i ekonomisë botërore, eksportuesja më e madhe drejt BE, Japonisë dhe SHBA; zotëruesja e rezervave më të mëdha të valutës së huaj në botë; prej një çerek shekulli karakterizohet nga normat më të shpejta të rritjes së të ardhurave për frymë, ndonëse ka popullatën më të madhe në botë, që janë regjistruar ndonjëherë. Qytetet e mëdha nuk kanë rivalë për sa u përket ambicieve tregtare e arkitekturore dhe mallrave të shitura anekënd. Ndërtuesit, eksploratorët e mineraleve dhe diplomatët e saj i bien rreth e qark globit në kërkim të mundësive dhe ndikimit të mëtejshëm. E mikluar nga ish-armiqtë dhe miqtë e saj, për herë të parë në histori Mbretëria e Mesit është bërë një fuqi e vërtetë botërore, prania e të cilës mbërrin në çdo kontinent. Me rënien e BRSS formula e “rënies së komunizmit” u kanonizua si shpjeguesja më domethënëse e ngjarjeve. Njëzet vjet më vonë diçka e tillë duket eurocentrike. Sipas një këndvështrimi, komunizmi jo vetëm që ka mbijetuar, por është shndërruar në histori suksesi të epokës sonë. Afërmendsh, në karakterin dhe shkallën e kësaj arritjeje ka më se një ironi (të hidhur). Po nuk mund të vihet në dyshim fati i ndryshëm i dy revolucioneve në Kinë dhe Rusi.

Si shpjegohet ky kontrast? Pavarësisht rëndësisë historiko-botërore të çështjes, diçka e tillë nuk është diskutuar shumë. Puna nuk qëndron thjesht te krahasimi i dy kryengritjeve të ngjashme, por të dallueshme nga njëra-tjetra, përndryshe të palidhura në kontekstet e tyre të ndryshme si në çiftimin dikur të zakonshëm midis 1789 dhe 1917. Revolucioni Kinez lindi drejtpërdrejt nga Revolucioni Rus dhe mbeti i lidhur me të, si frymëzim dhe paralajmërim, deri në momentin e tyre të përbashkët të së vërtetës në fund të viteve 1980. Dy përvojat nuk ishin të pavarura nga njëra-tjetra, por formonin një sekuencë rendore të qëllimtë.[1] Kjo lidhje duhet marrë në konsideratë për sa u përket rezultateve të tyre të ndryshme. Nga ana tjetër, shpjegimi i tyre kërkon reflektim në disa nivele. Mund të evidentohen katër syresh. Së pari, sa shumë dallonin agjencitë politike subjektive të dy revolucioneve – domethënë, partitë përkatëse të çdo vendi dhe strategjitë e tyre? Së dyti, cilat ishin pikënisjet objektive – kushtet ekonomiko-shoqërore etj. – prej të cilave secila parti sunduese përcaktoi kursin e reformave të saj? Së treti, cilat ishin pasojat efektive të politikave të tyre? Së katërti, ç’trashëgimi në longue durée-në e historisë së dy shoqërive mund të konsiderohet si përcaktuese e rezultateve përfundimtare të revolucioneve dhe reformave? Përderisa Republika Popullore e Kinës (RPK) e tejkaloi BRSS në jetëgjatësi dhe e ardhmja e saj përbën ndoshta rebusin qendror të politikës botërore, boshti i asaj që do të vijë do të jetë Kina, e parë në pasqyrën ruse – jo i vetmi me rëndësi, siç do të bëhet e qartë, por kusht i pashmangshëm i pjesës së mbetur.

I. MATRICA

Revolucioni i Tetorit ishte një kryengritje e rrufeshme urbane që e mori pushtetin në qytetet kryesore të Rusisë për punë ditësh. Shpejtësia e përmbysjes së qeverisë provizore shkoi krah për krah me kristalizimin e partisë që e realizoi atë. Bolshevikët, të cilët nuk kishin më shumë se 24,000 anëtarë në janar 1917, në vigjilje të abdikimit të car Nikolës II, kishin arritur në mbi 200,000 anëtarë kur përmbysën regjimin e Kerenskit nëntë muaj më vonë. Bazë e tyre shoqërore ishte klasa punëtore ruse, e cila përbënte më pak se 3% të popullsisë. Ata nuk ishin të pranishëm në fshatra, ku jetonte mbi 80% e popullsisë, duke mos e menduar kurrë organizimin e fshatarëve – hiç më pak se Social-Revolucionarët, ndonëse SR gëzonin një mbështetje dërrmuese rurale më 1917. Kjo fitore e shpejtë, prej një baze mbështetëse ende të vogël, u mundësua nga shpërbërja e shtetit carist si rezultat i goditjeve të forta gjermane në Luftën e Parë Botërore – dështimi ushtarak solli rebelime mes ushtarëve, çka e shpërbëri aparatin e tij represiv, ndërkohë që Revolucioni i Shkurtit la në këmbë një ngrehinë tejet të dobët autoriteti pasues.

Po nëse pushteti u mor lehtë në të tillë vakum, ishte e vështirë të mbahej. Pjesë të mëdha territoriale u pushtuan nga gjermanët. Me mposhtjen e Gjermanisë më 1918, dhjetë ekspedita të ndryshme ushtarake – amerikane, britanike, kanadeze, serbe, finlandeze, rumune, turke, greke, franceze, japoneze – erdhën në ndihmë të Ushtrisë së Bardhë për të thyer regjimin e ri në një luftë civile të ashpër që zgjati deri më 1920. Në fund të saj, duke plotësuar shkatërrimin e sjellë nga Lufta Botërore, Rusia ishte e shkatërruar: uri në fshatra, fabrika të braktisura në qytete, klasa punëtore e bërë pluhur e hi nga luftimet dhe çindustrializimi i vendit. Partia e Leninit, me bazë shoqërore të çintegruar ose të përthithur në strukturat e shtetit të ri, u katandis në një aparat të izoluar pushteti të mbetur pezull në një peizazh të shkretuar: sundimi i saj tanimë identifikohej me mjerimin e luftës së brendshme dhe jo më me dhuratat e paqes dhe tokës që u morën pas Tetorit.

Bashkimi i Republikave Socialiste Sovjetike që u ngrit me mund të madh zinte një pjesë të madhe të ish-perandorisë ruse. Po si shteti i parë në histori që refuzonte çdo përkufizim territorial, BRSS e sapolindur nuk pretendonte krenari patriotike apo ndërtim kombëtar. Apeli i saj ishte ndërkombëtar: solidariteti i lëvizjes punëtore anembanë botës. Duke marrë pushtetin në një vend thellësisht të prapambetur, ekonomia e të cilit ishte në mënyrë dërrmuese bujqësore dhe popullsia mjaft analfabete, bolshevikët prisnin mbështetjen e revolucioneve në vendet më të zhvilluara dhe industriale të Evropës për t’i shpëtuar nga gjendja e vështirë e përkushtimit ndaj socializmit në një shoqëri pa parakushtet e një kapitalizmi koherent. Ky bast, që sundimtarët e rrethuar e humbën shpejt, që nga fillimi nuk donte të thoshte asgjë për masat e të sunduarve. Partia Sovjetike duhej të mbahej me këmbët e veta, duke u përpjekur të ecte sa më shumë mundej drejt një forme tjetër shoqëria, pa shumë mbështetje brenda vendit apo ndofarë ndihme nga jashtë.

2

Ndonëse i frymëzuar nga Revolucioni Rus, Revolucioni Kinez i përmbysi pothuajse të gjitha karakteristikat e të parit. Partia Komuniste Kineze (PKK), e krijuar më 1921, nuk kishte më shumë se një mijë anëtarë katër vjet më vonë, kur nisi të bëhej për herë të parë një forcë domethënëse, e lindur nga shpërthimi i militantizmit të klasës punëtore në qytetet bregdetare gjatë lëvizjes së 30 majit të 1925 dhe e ndihmuar nga roli jetik i këshilltarëve dhe furnizimeve sovjetike në regjimin e sapokrijuar të Guomindanit të udhëhequr nga Sun Jat Seni në Kanton. Midis momentit themelues dhe marrjes së pushtetit nga komunistët në Kinë shtrihen luftëra çerekshekullore. Pikat historike të këtij procesi janë të mirënjohura – Ekspedita Veriore e 1926, ku nacionalistët dhe komunistët u bashkuan kundër regjimeve të zotëve të luftës; masakrimi i komunistëve nga Çan Kai Shia në Shangai më 1927; terrori i bardhë pasues; themelimi i Sovjetit të Jançisë më 1931 dhe pesë fushata shfarësosë që udhëhoqi Guomindani ndaj tij; Marshimi i Madh i Ushtrisë së Kuqe drejt Jananit më 1934-35 dhe krijimi i Rajoneve Kufitare të udhëhequra nga PKK në veri-perëndim; Fronti i Bashkuar sërish bashkë me Guomindanin kundër pushtimit japonez më 1937-45; dhe lufta civile përfundimtare e 1946-49, gjatë së cilës Ushtria Çlirimtare Popullore kapi gjithë vendin.

Kjo përvojë dallohej nga përmbysja në Rusi jo vetëm prej kohësisë tërësisht të ndryshme. E ndryshme ishte edhe mënyra si u fitua pushteti. Nëse shteti përkufizohet, sipas formulës së famshme të Weber-it, si ushtrim i një monopoli të dhunës legjitime mbi territor, revolucioni karakterizohet nga një thyerje e këtij monopoli dhe lindja e asaj që Lenini dhe Trocki e quanin dypushtet. Logjikisht ka tre mënyra si mund të lindë diçka e tillë, të cilat përkojnë me tri termat e formulës së Weber-it. Një revolucion mund të thyejë monopolin e pushtetit shtetëror duke shkatërruar legjitimitetin e sundimit të tij, kësisoj lëvizja që i kundërvihet nuk mund shtypet. Shembull i kësaj do të ishte Revolucioni Iranian, gjatë të cilit nuk pati ndërluftime pasi ushtria mbretërore u paralizua me rënien e monarkisë. Nga ana tjetër, një revolucion mund të ushtrojë dhunë kryengritëse ndaj aparatit shtypës të shtetit, duke e mposhtur atë përmes një goditjeje shkatërrimtare të shpejtë, pa siguruar paraprakisht ndofarë legjitimiteti të përgjithshëm. Ky ishte modeli rus, i mundshëm vetëm përballë një kundërshtari të dobët.

Në fund kemi revolucionin që mund ta thyejë monopolin shtetëror të pushtetit jo duke e zhveshur nga fillimi prej legjitimitetit, as duke e shpërbërë rrufeshëm nga kapaciteti i ushtrimit të dhunës, por nëpërmjet marrjes së një hapësire territoriale të mjaftueshme sa për të ngritur një kundërshtet, që me kalimin e kohës mund ta gërryejë forcën dhe pëlqyeshmërinë e shtetit. Ky ishte modeli kinez. Nuk është eksluzivitet i Kinës, por një shteg i përgjithshëm i forcave guerile – edhe jugosllave ose kubane – drejt pushtetit. I jashtëzakonshëm në rastin kinez nuk ishte krijimi i “shteteve rebele” te njëpasnjëshme brenda shtetit, por jetëgjatësia e tyre e kombinuar. Shpjegim kërkojnë kushtet e kësaj jetëgjatësie.

Në kapërcyell të shekullit monarkia e Romanovëve, pavarësisht dobësive të saj, ishte ku e ku më e fuqishme se ajo e Çinëve: një institucion vendas që mund të mbështetej jo vetëm në xhepa industrie të zhvilluar dhe burime natyrore të bollshme, por edhe në një ushtri gjigande dhe rezerva të mëdha besnikërie patriotike, të lindura nga fitorja kundër Napoleonit. Në Lindjen e Largët ajo ishte kryesorja mes fuqive evropiane që po shkelnin kufijtë e Perandorisë Kineze. Vetëm disfatat masive në fushëbetejë, fillimisht nga Japonia e pastaj nga Gjermania, shkaktuan revolucionet e 1905 dhe 1917. Në të kundërt, që prej mesit të shekullit XIX monarkia e Çinëve urrehej gjerësisht si dinasti e huaj dhe së shpejti edhe e varur në mënyrë korruptive nga Perëndimi. Pas Kryengritjes së Taipingut ajo nuk ia arriti kurrë të rifitojë kontrollin e plotë të territorit. Aq shumë ishte dobësuar shteti perandorak, saqë më 1911 ra pa pasur përballë ndonjë lëvizje të organizuar. Asnjë regjim pasues nuk arriti t’i përmbahej standardit të Weber-it. Republika u shpërbë – fillimisht në një fushë shahu feudesh të zotëve të luftës në rivalitet me njëri-tjetrin; paskëtaj në një regjim hibrid me bazë në Nanjin, ku Guomindani komandonte qendrën e vendit rreth deltës së Jancesë, ndërkohë që në pjesën tjetër të vendit mbizotëronin ushtarakët lokalë: Çan Kai Shia nuk kontrollonte kurrë më shumë se gjysmën e tetëmbëdhjetë provincave tradicionale të Kinës, madje nganjëherë edhe më pak se kaq.

Në këtë labirint qendrash rivale pushteti PKK mund ta ankoronte veten në xhepat midis juridiksioneve të ndryshme dhe të ndërtonte një kundërpushtet të lëvizshëm. Po ndonëse nuk u përball kurrë me një makineri shtetërore të unifikuar, si bolshevikët, kundërshtari i saj ishte paradoksalisht më i frikshëm dhe rreziqet e humbjes më të mëdha. Ndonëse i kufizuar në bastionet e veta strategjike, Guomindani nuk ishte një regjim absolutist në fund të jetës së tij, as një qeveri e përkohshme fantazmë. Nacionalizmi dhe komunizmi ishin bashkëkohës si antagonistë, të formuar sipas të njëjtit brumë organizativ: rivalë njëlloj modernë, sipas mënyrës së tyre, për sundimin e vendit. Sidoqoftë Guomindani kontrollonte një ushtri tejet të madhe, të pajisur me armatime të rënda dhe të trajnuar në misione të njëpasnjëshme – Von Seeckt-i, Von Falkenhausen-i – nga ajka e Vermahtit; ai kishte në kontroll të ardhurat tatimore nga rajonet më të pasura të Kinës. Pavarësisht heroizmit të Marshimit të Madh, nuk ka dyshim që do ta fshinte nga faqja e dheut PKK në fund të viteve 1930 nëse Japonia nuk do të niste sulmin frontal ndaj regjimit të Nanjingut më 1937.

Në të tillë emergjencë Çani, i mashtruar nga preja e saj por ende i obsesionuar me komunizmin si rreziku më i madh, u tregua i pazoti për t’u përballur me armikun e jashtëm. Bashkëpunëtor i hershëm me ushtrinë japoneze – me të cilën planifikoi masakrën e Shangait më 1927, duke marrë avionin për Tokio fill më pas për të nënshkruar një pakt me Shtabin e Përgjithshëm të saj – i cili e kishte pranuar pushtimin e Mançurisë, ai u tërhoq në brendi të vendit, me shpresën pas Pearl Harbour-it që të priste fitoren e amerikanëve dhe më pas t’i kthehej PKK me forca të paprekura. Fushata përfundimtare e Japonisë në Kinë, Ofensiva e Içigos më 1944, i dha fund realizimit të kollajtë të këtij plani, duke shkatërruar divizionet më të mira të Guomindanit. Jo më pak i dëmshëm ishte diskreditimi i diktaturës së Çanit nga refuzimi për t’i angazhuar të gjitha forcat në mbrojtje të vendit.

E ndodhur përtej kontaktit me Guomindanin apo penetrimit të japonezëve, me bazë në rajonin e largët kufitar të Jananit, PKK u angazhua në një luftë guerile efektive kundër pushtuesit në Kinën veriore. Rritja e fuqisë së saj erdhi si rezultat i aftësisë për të kombinuar reformat në fshatra – reduktimin e rentës së tokës, anulimin e borxheve dhe rishpërndarjen e kufizuar e tokës bujqësore – me rezistencën ndaj pushtuesit. Bashkimi i të dyjave i thelloi rrënjët shoqërore të saj në përmasa që partia ruse nuk i pati kurrë, duke i siguruar një bazë masive në rritje mes fshatarësisë, klasës që përbënte shumicën dërrmuese të popullsisë. Në tetë vite, nga 1937 në 1945, partia kineze u rrit nga 40,000 në 1,200,000 anëtarë, kurse ushtria e saj nga 90,000 në 900,000 vetë. Me kapitullimin e Japonisë, ata u shtrinë shumë shpejt në rrafshinat e Kinës veriore: kur nisi lufta civile më 1947 radhët e saj ishin dyfishuar e më shumë në rreth 2,700,000 vetë. Ndërkohë në zonat e kontrolluara nga Guomindani të qendrës dhe jugut të vendit korrupsioni dhe inflacioni i pafre shkatërruan mbështetjen urbane për regjimin e Çanit, ushtria e demoralizuar e të cilit, sado e mirëpajisur nga SHBA, nuk ia dilte dot UÇP. Gjatë marshimit në jug komandantët e saj nisën të dorëzoheshin ose të ndërronin anë gjithnjë e më shpesh: Qytetet më të mëdha të Kinës – Pekini, Shangai, Nanjingu, Guanzhuja – ranë njëri pas tjetrit pothuajse pa rezistencë.

Në Rusi lufta civile erdhi pas revolucionit, si hakmarrje ndaj këtij të fundit, duke e zhytur vendin në kushte tejet më të këqija nga ç’ishin përpara se të merrnin pushtetin bolshevikët. Në Kinë revolucioni erdhi pas luftës civile dhe pasojat e tij të menjëhershme u dukën si shëlbim prej saj. Për më se një shekull Kina nuk kishte pasur një shtet qendror që mund t’i rezistonte agresionit të huaj apo të siguronte rendin anembanë vendit. Komunizmi solli edhe pavarësinë kombëtare, edhe paqen e brendshme. Me disfatën e Guomindanit, oficerët amerikanë, luftanijet britanike dhe mbetjet japoneze mblodhën plaçkat e ikën. Në vend që të një ekonomie dhe shoqërie të shkretuar, fitorja e UÇP solli rimëkëmbje dhe stabilitet. Inflacioni u vu në kontroll, u ndalua korrupsioni dhe nisën furnizimet. Në fshatra u zhduk çifligarizmi. Në qytete nuk ishin të nevojshme shpronësimet e mëdha pasi dy të tretat e industrisë ishin në pronësi të shtetit që gjatë qeverisjes së Guomindanit, kurse kapitali komprador u arratis në Hong Kong e Tajvan. Klasa e mesme ishte aq e tjetërsuar nga vitet e fundit të sundimit nacionalist, saqë pjesa më e madhe e saj e mirëpriti ardhjen e komunistëve; me rigjallërimin e prodhimit, punëtorët iu kthyen punësimit normal dhe pagave. Si trupëzuese e idealeve patriotike dhe disiplinës shoqërore, Republika Popullore erdhi në jetë duke gëzuar një shkallë pëlqimi popullor që Bashkimi Sovjetik nuk e njohu kurrë.

3

Këto matrica të ndryshme lanë gjurmë në rrjedhën e secilit regjim, ku raporti i forcës dhe pëlqimit ka qenë gjithnjë i ndryshëm. Pas luftës civile, gjatë sundimit të Stalinit, komunizmi sovjetik fitoi mbështetje popullore aktive dy herë: mes brezit të ri të punëtorëve, me origjinë nga fshati, të mobilizuar në industrializimin e gjithanshëm të planit të parë pesëvjeçar, në një atmosferë Sturm und Drang-u entuziazmi kolektiv, i vërtetë paçka se jo universal; si dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore, kur regjimi mundi të përdorte patriotizmin mjaft më të gjerë rus në një luftë për jetë a vdekje të të gjithë popullsisë kundër pushtimit nazist. Asnjëra prej këtyre ngjarjeve nuk e ndryshoi mosbesimin e sundimtarëve për masat poshtë vetes. Sistemi sovjetik i përdori episodet e popullaritetit, por vazhdoi të mbështetej te shtypja. Në kohën e diktaturës së Stalinit policia sekrete u bë një institucion më qendror dhe i fuqishëm sesa vetë Partia. Dhuna e pafre e ushtruar kundër armiqve realë e imagjinarë, madje edhe brenda radhëve të regjimit, ishte e kudogjendshme.

Në këtë sfond tensioni të vazhdueshëm dy paroksizmat e tij më të mëdha ishin kolektivizimi i fundit të viteve 1920 dhe spastrimet e viteve 1930. Në të parën regjimi i shpalli luftë totale fshatarësisë, gjatë së cilës dëbimet masive dhe uria shkaktuan humbjen e thuajse 6 milionë jetëve, duke e shndërruar fshatarësinë në një forcë të bindur e të thyer prej së cilës bujqësia ruse nuk do të rimëkëmbej kurrë. Në të dytën u shfarosën jo vetëm krejt garda e vjetër e bolshevikëve që kishin bërë Revolucionin e Tetorit, por thuajse krejt shtresa pasuese e kuadrove në pozicionet drejtuese në parti dhe shtet, si dhe një numër tejet i madh viktimash të tjera – së paku rreth 700,000 vetë. Në ato vite kampet e punës, ku u degdisën ata që nuk u ekzekutuan, u populluan nga 2 milionë vetë, duke përbërë një sektor të rëndësishëm të ekonomisë.[2] Terrori u pakësua pas fitores në Luftën e Dytë Botërore, gjatë së cilës BRSS pësoi një shkatërrim të pamasë. Po pavarësisht nderimeve si fitimtar në fushëbetejë, frika mbeti deri në fund tipari kryesor i pushtetit të Stalinit.  

4

Partia kineze trashëgoi modelin sovjetin që u brumos gjatë sundimit të Stalinit, duke u karakterizuar pak a shumë nga e njëjta disiplinë monolite, strukturë autoritariste dhe kulturë komandimi. Nga ana organizative dhe ideologjike shteti që krijoi në fillim të viteve 1950 i ngjante mjaft BRSS. Për më tepër, me kohë sundimi komunist shkaktoi dy konvulsione paralele në Kinë. Për shkak të rrënjëve që kishte hedhur në fshat, ku fshatarësia e ruajti besimin tek udhëheqja e saj, PKK ia doli të kryente një kolektivizim të shpejtë dhe tërësor brenda pak viteve nga rishpërndarja fillestare e tokës, pa sjellë pasoja katastrofike si në Rusi. Po më 1958, e vendosur që të përshpejtonte ritmin e zhvillimit, ajo nisi Hopin e Madh Përpara, duke krijuar komuna popullore që supozohej të prodhonin industri oborri dhe të siguronin kuota mjaft më të larta drithi. Puna e devijuar kah prodhimi i çelikut në kushte shtëpiake dhe dështimet e të korrave për shkak të motit të keq sollën urinë më të rëndë të shekullit, në të cilën vdiqën 15 deri në 30 milionë vetë. Tetë vjet më vonë Revolucioni Kulturor çau brenda për brenda Partisë, duke dhjetuar radhët e saj në një seri spastrimesh të cilat, ashtu si në Rusi, u shtrinë përtej saj. Në dukje, si të ishte e zënë në një dinamikë të përbashkët e të pandryshueshme, RPK kishte përsëritur dy kataklizmat më të këqija të BRSS.  

Po pavarësisht përbashkësive të çuditshme, matrica e ndryshme e Revolucionit Kinez kishte mbijetuar. Nëse shkalla e të vdekurve në fshat ishte, krahasuar me popullsinë e secilit vend, me gjasë e krahasueshme, mekanizmat dhe pasojat ishin të ndryshme. Kolektivizimi sovjetik u konceptua si një operacion për të shkatërruar fshatarët “e pasur” – në mënyrë karakteristike ata që kishin ca bagëti – si shtresë dhe u ekzekutua me një shkallë ushtarake dhune. Mbi 2 milionë kulakë u dëbuan në toka të shkreta me kërcënimin e pushkëve të OGPU. Ndonëse u shkaktua pjesërisht si rezultat i motit të keq, uria pasuese e viteve 1932-33 në thelb erdhi si pasojë e shkatërrimit të shoqërisë rurale që shkaktoi kjo luftë e dytë civile. Ndonëse egërsisht voluntarist, Hopi i Madh Përpara nuk pati kurrë për synim të sulmonte fshatarësinë ose ndonjë pjesë të saj. Nuk pati as dëbime, as trupa të Ministrisë së Brendshme që gruponin të pabindurit. Shkak i drejtpërdrejtë i katastrofës nuk ishte egërsia policore, por verbëria burokratike për shkak të mungesës (afërmendsh të vetëshkaktuar) së raportimeve të vërteta nga poshtë për të korrat e drithit. Në të njëjtën logjikë, fshatarësia nuk u tjetërsua në mënyrë të krahasueshme. Fshati nuk u demoralizua për një kohë të gjatë nga Hopi i Madh Përpara, ndërkohë që jeta në fshat u rimëkëmb çuditërisht shpejt edhe në rajonet më të goditura.

Kontrastet e motivimit dhe pasojave ishin edhe më të dukshme në Revolucionin Kulturor. Në gjysmën e dytë të viteve 1930 Stalini mbolli terror nga maja në bazë të partisë dhe shtetit sovjetik, duke shënjestruar më së shumti zyrtarët që i kishin dhënë atij pushtetin suprem në Partinë Komuniste të Bashkimit Sovjetik (PKBS), të pushkatuar gjatë jezhovçinës si spiunë, tradhtarë dhe kundërrevolucionarë. Ndonëse arsyet e plota të kësaj çmendurie mbeten të papërcaktuara, është e qartë se Stalini, legjitimiteti i të cilit si diktator personal nuk kishte qenë kurrë i sigurt – ai nuk pati luajtur ndonjë rol të rëndësishëm në Revolucionin e Tetorit dhe Lenini e kishte paralajmëruar haptazi Partinë kundër tij – ishte mbërthyer nga një dyshim i tmerrshëm për të gjithë ata që e rrethonin dhe besonte se e vetmja mënyrë për t’u marrë me skeptikët dhe kundërshtarët potencialë ishte plumbi.

Me Revolucionin Kulturor edhe Maoja synonte të godiste kolegët e tij të afërt pjesërisht për shkak se e kishin detyruar të njihte dështimin e Hopit të Madh Përpara dhe të pranonte prapësimin e politikës bujqësore tani që nuk mund të mohohej më. Po motivi i tij më i gjerë ishte të parandalonte riprodhimin në Kinë të kastës burokratike së ngrirë që, sipas tij, po e çonte BRSS pas Stalinit drejt një shoqërie klasore të padallueshme nga kapitalizmi. Për bllokimin e këtij zhvillimi ai nuk iu drejtua organeve të sigurimit, të cilat në Kinë nuk fituan kurrë atë rëndësi që kishin në Rusi, por rinisë studentore. Duke mos prerë koka nga lart, por duke mbjellë trazira nga poshtë kundër atyre që druhej se po ndiqnin shtegun sovjetik, Maoja e zhyti vendin në një dekadë kaosi të kontrolluar.

Mizoritë pasuese ishin të panumërta. Dhuna e pakoordinuar – persekutimet dhe përçarjet; turpërimet, rrahjet, të shtënat; lufta e fraksioneve – u përhap nga qyteti në qytet; në fshatra pati ekzekutime të organizuara. Numri i viktimave, ende i pallogaritur mirë, arrti mbi 1 milion vetë.[3] Sidoqoftë vdekjet, në përpjesëtim mjaft më të pakta se në vorbullën sovjetike, nuk erdhën si rezultat i instruksioneve nga qendra, por si iniciativa hakmarrëse lokale, të shoqëruara nga përmbysja e autoriteteve dhe larja e hesapeve anembanë vendit. Në krye të punëve nuk kishte ndonjë Jezhov ose Beria. Po ndryshe nga Terrori i Madh, Revolucioni Kulturor nuk ishte vetëm një shtypje gjigande, por edhe një përpjekje e gjithanshme për të shkundur strukturat burokratike duke mobilizuar brezin e ri kundër tyre dhe u përjetua si çlirim mendor – qoftë edhe vetëm për shkak të kolapsit të përkohshëm të një pjese kaq të madhe të autoritetit institucional – nga shumë prej atyre që më vonë do të zhgënjeheshin me pasojat e tij, madje edhe nga kundërshtarët plot pasion të komunizmit. Qëllimi i vetëshpallur i tij ishte transformimi barazimtar i botëkuptimeve që nuk mund t’i pranonin më “tri dallimet e mëdha”: midis qytetit dhe fshatit, midis bujqësisë dhe industrisë dhe – mbi të gjitha – midis punës fizike dhe intelektuale.

Këto ideale ishin utopike për çdo shoqëri të asokohshme, lere më për një vend ende të prapambetur si Kina. Po ato nuk ishin thjesht sipërfaqësore. Pezullimi i universiteteve dhe shkollave të mesme për të dërguar 17 milionë të rinj nga qytetet drejt punës bujqësore në fshat, krah për krah me fshatarët, ishte një proces më karakteristik dhe afatgjatë se persekutimet e asaj periudhe. I kryer pa dhunë dhe shpesh me entuziazëm, ky proces u përgjigjej të tjera objektivave. Nga ana e tyre ato lanë gjurmë në mënyrën se si Revolucioni Kulturor kreu spastrimet e mëvonshme brenda Partisë. Nuk pati masakra dërrmuese. Forma kryesore të dënimit nuk ishte likuidimi, por turpërimi, ulja në pozitë dhe internimet në fshat. Metoda e zakonshme e goditjes së të dyshuarve se kishin marrë udhën e kapitalizmit konsistonte, teorikisht dhe praktikisht (pavarësisht brutalitetit), në ritualet e reformimit të mendimit, “kurimit të sëmundjes, jo vrasjes së pacientit”, sipas frazës së kohës së Jananit. Kur Revolucionit Kulturor i erdhi fundi, nga partia ishin dëbuar pa kthim vetëm 1 për qind e anëtarëve dhe – me përjashtim të Li Shao Çisë – mbijetoi krejt udhëheqja qendrore e Partisë kundër të cilës ishte kthyer Maoja më 1966-69. Ndryshe nga Stalini, ai e kishte udhëhequr Revolucionin Kinez drejt fitores dhe nuk pati masakrim të gardës së vjetër që kishte luftuar bashkë me të.

Ndryshorët kulturorë dhe politikë u ndërthurën në një përfundim të ndryshëm. Majoa ishte bërë një perandor i vonë, me pushtet personal absolut. Po tradita perandorake në Kinë e vendoste theksin më shumë te indoktrinimi sesa shtrëngimi si instrument sundimi, pavarësisht ushtrimit mizor të dhunës kur lindte nevoja: ideja e Revolucionit Kulturor – ndryshim mendjesh për të ndryshuar gjërat, a thua se konceptimet intelektuale përcaktonin marrëdhëniet shoqërore – kishte më shumë të bënte me Konfucin sesa me nocionet marksiste të ndryshimit historik. Prapëseprapë bëhej fjalë për një regjim të lindur nga një revolucion shoqëror në të cilin pushteti – ndryshe nga thënia e asokohshme e Maos – nuk kishte lindur vetëm nga gryka e pushkës, por edhe nga besimi moral i miliona anëtarëve të Partisë. Ndonëse Revolucioni Kulturor desh e shkatërroi këtë traditë politike, çuditërisht ai u formua dhe në fund u kufizua prej tij. 

(Vijon)

Hyrja dhe përkthimi: Arlind Qori

Marrë nga revista New Left Review, nr. 61, janar-shkurt 2010

Imazhi: Boris Mikailovich Kustodiev, “Bolsheviku”, 1920.


[1] Eseja e shquar e Isaac Deutscher-it “Maoizmi, origjinat dhe botëkuptimi i tij” (1964) mbetet pika nistore e çdo trajtimi të marrëdhënies midis revolucioneve. Ironies of History, Oxford 1966, ff. 88–120.

[2] Për llogaritjet e këtyre shifrave, shih: R. W. Davies, “Forced Labour under Stalin: The Archive Revelations”, NLR I/224, nëntor-dhjetor 1995, ff. 62-80; J. Arch Getty dhe Oleg Naumov, The Road to Terror, New Haven, CT 1999, ff. 587-94.

[3] Shih: Andrew Walder dhe Yang Su, “The Cultural Revolution in the Countryside: Scope, Timing and Human Impact”, China Quarterly, mars 2003, ff. 82-107.

One comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.