Ç’pjesë e elitës e solli Trump-in në pushtet?

/Paul Mason/

Në ditët pas rezultateve zgjedhore në SHBA janë të shumtë zërat që thonë se me ikjen e Trump-it nuk mund të thuhet se është zhdukur edhe trampizmi. Detyrimisht që largimi i një figure prej despoti sharlatan nuk do të vazhdojë të rezonojë si më parë te të djathtët në mbarë botën, por rritja e votës popullore me rreth 8 milionë krahasuar me vitin 2016 i jep të drejtë shqetësimit të mësipërm. Megjithëqë në elektoratin e Trump-it bëhen bashkë grupime nga më të larmishmet – nga ultranacionalistët fashistë deri te fundamentalistët evangjelistë – është interesante të zbulohen idetë e atij grupimi që Trump-i përfaqësoi përnjëmend në 4-vjeçarin kur qeverisi: elitës ekonomike. Kjo shërben jo thjesht si një dëshmi historike, por edhe për të kuptuar idetë themelore dhe motivacionet që e sollën Trump-in në pushtet dhe që herët ose vonë do ngrenë krye përsëri gjatë qeverisjes liberale të Biden-it.

Redi Muçi

***

Si ndodhi që një pjesë e elitës rrezikoi [stabilitetin e mëparshëm] për hir të nacionalizmit ekonomik? […] Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje, na duhet të hedhim sytë nga koalicioni i interesave të përfaqësuara nga tre mbështetës të Trump-it,shumë të ndryshëm nga njëri-tjetri: Robert Mercer-i, vëllezërit Koch dhe Stephen Bannon-i.

Mercer-i nuk ka mbajtur kurrë një fjalim në publik. Por falë padive të ngritura dhe dëshmive të ish-punonjësve të tij ne mund të aludojmë se çfarë mendon ai: rreziku i armëve bërthamore është i tejfryrë artificialisht; rrezatimi i bëri të mbijetuarit e Hiroshimës më të shëndetshëm; zezakët ishin më mirë para Ligjit për të Drejtat Civile; ndryshimi klimatik do ta përmirësojë jetën mbi Tokë. Aludohet gjithashtu se Mercer-i u ka thënë kolegëve se shteti “i bën njerëzit e fuqishëm të dobët duke ua marrë paratë përmes taksimit”.  

Mercer-i është një linguist kompjuterik i cili e ka përdorur ekspertizën e tij në analizimin e të dhënave për të ngritur një fond mbrojtës (hedge fund) që ka gjeneruar 55 miliardë dollarë në fitime. Nuk ka investitorë të tjerë përveç atyre që punojnë aty – disa qindra analistë sasiorë. Nuk paguajnë taksa pasi fitimet investohen në një fond pensioni. Fitimet gjenerohen nga matematika e avancuar – por askush nuk e di se si, pasi Renaissance Technologies-i (RenTec) përflitet në qarqet e financierëve si një “kuti e zezë”. Është një makinë që punon pa dhënë shpjegime.

RenTec-u nxjerr fitime duke shfrytëzuar aftësinë që ka për të dalluar tendencat në numrat e gjeneruar nga tregjet financiare, që më pas gjenerohen nga triliona shkëmbime në botën reale. Analistët e saj zbuluan, për shembull, se tregjet globale performojnë më mirë në ditët me diell. Kështu që ata ndërtuan një model për ta shfrytëzuar këtë. Fitimet e parave të investuara në një vit të mirë si 2008 ishin 98% dhe gjatë gjithë viteve të krizës fondi i Mercer-it nuk ka fituar më pak se 28%.

[…] Për aq kohë sa ka një treg dhe paparashikueshmëri dhe ca kapital për t’u investuar, faktorëte botës reale si taksat, politikat tregtare të SHBA apo cilësia e shëndetësisë publike thjesht nuk i interesojnë një kompanie të tillë. Ajo nuk ka detyrime sociale apo interesa. Interesi material i RenTec-ut qëndron te të diturit më shumë se gjithë të tjerët dhe tek ekzistenca e një paparashikueshmërie të mjaftueshme sa për ta bërë këtë dituri të dobishme. Rrjedhimisht ambienti ideal për të është kaosi.

Industria e vëllezërve Koch është një perandori antisociale biznesi më tradicionale. Pasuria e pronarëve të saj, Charles dhe David Koch, u ngrit mbi naftën dhe përpunimin e saj dhe mbahet në këmbë me mënyrat e zakonshme: mënjanimin e taksave. Interesi i tyre i ngushtë material është më tradicional: heqja e pengesave drejt rritjes së fitimit – si paga minimale, taksimi i korporatave, trualli në pronësi publike, ligjet në mbrojtje të ambientit dhe kufizimet ndaj çlirimit të karbonit, mbrojtja përmes shëndetësisë publike dhe sistemi i pensioneve të financuar nga taksat. Ata duan t’i heqin qafe të gjitha këto.

Megjithatë do të ishte gabim t’i shihnim Koch-ët veçse si flamurtarët e tendencës për çrregullim të shtyrë nga korporatat amerikane. Qëllimi i tyre efektivisht është një lloj kapitalizmi pa qeveri. Kur në vitin 1980 David Koch-u doli si kandidat për zëvendës president nga Partia Libertariane, ai bëri thirrje për heqjen e autoriteteve federale nga rregullimi i trafikut ajror, heqjen e ligjit elektoral, heqjen e mbrojtjes së ambientit, e standardeve për cilësinë e ushqimit dhe e rrjetit energjitik, së bashku me të gjitha mënyrat e shërbimit shtetëror të arsimit, shëndetësisë bazike dhe pensioneve.

Ky nuk është projekti i një konservatori tradicional që kërkon “shtetin e vogël”: është kapitalizëm pa shtet, në të cilin më të pushtetshmit lihen të lirë të akumulojnë pasuri dhe pushtet represiv, të blejnë vota, helmojnë ujësjellësit dhe shfrytëzojnë më të vjetrit, të sëmurët dhe të varfrit, për të cilët nuk do të ekzistonte asnjë rrjetë sigurie. Kritikët konservatorë të Koch-ëve në atë kohë e quajtën këtë “anarko-totalitarizëm”. Një fjalë më e shkurtër për këtë projekt mund të gjendet përsëri: kaosi.

Nëse po pyesni veten se si libertarianizmi i Koch-ëve lidhet me tekno-misticizmin e Mercer-it dhe me egon e pangopur të Donald Trump-it, hallka që mungon është Steve Bannon-i. Një ish-menaxher i Goldman Sachs-it që u kthye në drejtor të lajmeve te Braitbart-i, Bannon-i është një nacionalist ekonomik. Duke synuar nacionalizmin amerikan, përmes Breitbart-it ai ia ka dalë të promovojë një aradhe qëndrimesh raciste, islamofobike dhe të supremacistëve të bardhë, duke e titulluar një seksion të tërë të Breitbart-it si “Krimi i zi”.

Megjithatë çka e përcakton projektin e Bannon-it përtej këtyre paragjykimeve të zakonshme është një teori e historisë e njohur si Përmbysja e Katërt. Sipas autorëve të saj, Neil Howe dhe William Strauss, sistemet politike ngrihen dhe rrëzohen tipikisht në katër faza: në fazën e parë ka entuziazëm dhe një identifikim të fortë me shtetin; më pas vjen një “zgjim” gjatë të cilit njerëzit lidhen pas parimeve më të forta; më pas vjen rrëmuja, ku shkatërrohet besnikëria ndaj institucioneve. Përfundimisht, në “përmbysjen e katërt” vjen një krizë sistemike – një revolucion – i nxitur nga një kërcënim për mbijetesë. Nëse shihet ngritja ekonomike e pas 1945 si faza e parë, 1968 si zgjimi dhe trazirat pas largimit të Nixon-it si rrëmuja, mund të dilet në konkluzionin se është pritur përnjëmend shumë gjatë për fazën e katërt. Por në fjalët e Howe-s: “Nëse historia nuk e prodhon një kërcënim urgjent të tillë, udhëheqësit e Përmbysjes së Katërt duhet ta gjejnë atë – dhe madje edhe mund ta sajojnë – për të mobilizuar kolektivin në veprim.

Gjetja e këtyre kërcënimeve urgjente ka qenë, në fakt, misioni kryesor i Bannon-it që prej mesit të viteve 2000. Kërcënimet të cilave ai iu është referuar përfshijnë terrorizmin xhihadist, Kinën (me të cilën Bannon-i ka parashikuar luftë), emigracionin nga Meksika, “krimin e zezakëve” dhe borxhin kombëtar të SHBA. Por meqënëse asnjëri prej tyre nuk ka mobilizuar masat e gjera të amerikanëve për të bërë revolucion, ngelet gjithmonë opsioni final – siç sugjeron Howe-i – për ta sajuar një të tillë. Ajo që Bannon-i sajoi ishte presidenca e Trump-it. Sapo mori për mbarë, nuk kishte më nevojë për dorën e tij drejtuese: Bannon-i e nxori veten vetë jashtë nga Shtëpia e Bardhë dhe iu përkushtua amplifikimit të efekteve të strategjisë së kaosit të Trump-it në mbarë botën perëndimore, duke u përpjekur të ngrejë një aleancë me etno-nacionalistët e përkushtuar në shkatërrimin e Bashkimit Evropian.

Për Bannon-in dhe ndjekësit e tij alt-right, jemi nisur drejt një ngjarjeje të ngjashme me atë që çoi në Luftën Civile amerikane të vitit 1861 – veçse kësaj here, me pasoja globale. Në këtë skenar, lufta kulturore që po vlon prej kohësh në Amerikë kthehet në një konflikt të armatosur grupimesh të vogla që të kujton krizën e “Kansas-it të Përgjakur” të viteve 1850; ndërkohë, u bëhet jehonë rreziqeve nga jashtë për të justifikuar pezullimin e disa aspekteve të mbizotërimit të ligjit; si përfundim, Trump-i apo ai që e zëvendëson atë nis një konflikt të mirëfilltë të armatosur. Shkatërrimi i rendit botëror të pas 1945 që vjen si rezultat e transformon psikologjinë e masave në SHBA, duke i dhënë legjitimitet një elite të re qeverisëse, autoritare dhe nacionaliste.

Kështu, nga tre burime të ndryshme – një strateg i një fondi mbrojtës, dy ultralibertarianë dhe një teori e historisë e nxjerrë nga librat që shiten nëpër aeroporte – mbështetësit e Trump-it u bënë bashkë rreth kësaj strategjie të kaosit.

Mercer-i, Bannon-i dhe Koch-ët – secili dha kontributin e vet në pjesët e makinerisë që do ta sillte Trump-in në pushtet. Makina e Koch-ëve ishte një parti alternative – një rrjet i errët think-tank-ësh, propaganduesish elektoralë, operatorësh telefonikë, ndërmarrësish të peticioneve dhe projektesh për pengesën e procesit të votimit. Makina e Bannon-it – Breitbart-i – fabrikonte lajme të rreme ose të dyshimta, shpesh të bazuara në burimet e faqeve të internetit të neonazistëve apo supremacistëve të bardhë – për t’u marrë më pas si “pika debati” nga Fox News-i, të cilave u bënte jehonë presidenti dhe kapërdiheshin nga ndjekësit e tij.

Makina e Mercer-it ishte Cambridge Analytica (CA), një kompani analizimi të dhënash që kishte nxjerrë nga të dhënat digjitale të çdo amerikani rreth 5000 copa informacioni që, sipas saj, mund të parashikonin më mirë se çdo model tjetër mënyrën si do të votonin amerikanët. Cambridge Analytica i bashkëngjiti fushatës së Trump-it një staf prej 13 vetësh për të ndihmuar me reklamat në radio, televizion dhe internet, shënjestra e të cilave nuk ishin thjesht shtetet, lagjet apo grupe të caktuara demografike, por individët. Bazuar në të dhënat e grumbulluara në kohë reale nga CA, nëse rrjetet sociale tregonin një rritje të diskutimeve mbi emigracionin në një shtet të pavendosur, Trump-i mund të mbante menjëherë një fjalim lidhur me këtë çështje.

Së bashku, të treja këto makineri formonin një linjë prodhimi efikase për gënjeshtra të shënjestruara në mënyrë specifike.

E përktheu Redi Muçi

Pjesë nga libri Clear bright future i autorit Paul Mason

Imazhi: Euronews

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.