Ligji i më të fortit

/Redi Muçi/

“Ka dy lloje korrupsioni,” thotë Monteskjeja, “njëri kur populli nuk ndjek më ligjet; tjetri kur ligjet korruptojnë popullin; një sëmundje e pashërueshme pasi ndodhet brenda ilaçit.” Nuk keni për t’ia dalë kurrë të na bëni të besojmë se ekziston një krim aty ku nuk ka krim, do ia dilni vetëm të ktheni vetë krimin në një akt të ligjshëm. Ju e keni zhdukur kufirin ndarës mes të dyjave, por gaboheni nëse mendoni se këtë e bëni vetëm për përfitimin tuaj. Populli e sheh ndëshkimin, por nuk e sheh krimin, dhe për shkak se sheh ndëshkimin aty ku nuk ka krim, nuk ka për të parë krim aty ku ka ndëshkim. Duke aplikuar kategorinë e vjedhjes aty ku nuk i takon, ju e keni zhdukur atë edhe nga aty ku duhet të aplikohet. – “Debate mbi ligjet e vjedhjes së drurëve”, Karl Marks, 25 tetor 1842, Rheinische Zeitung, nr. 298.

Ishte viti 2014 kur – i gjendur në Novi Sad për një projekt bilateral mbi çështjet ambientale mes universiteteve të dy vendeve – u hasa për herë të parë me konceptin e “vjedhjes së mbeturinave”. Një koleg serb, i cili na shoqëronte me makinë për te impianti i përpunimit të mbetjeve urbane, filloi të ankohej se si romët “vidhnin” mbeturinat nga kazanët e plehrave. Ideja e vjedhjes së diçkaje që shoqëria me vullnet të plotë e konsideron “mbetje” apo “rudiment” të konsumit të përditshëm m’u duk një kundërthënie logjike, por kolegu nuk vonoi të më sqaronte se vjedhja nuk u bëhej qytetarëve që i prodhonin mbeturinat, por pronarit legjitim të tyre që nga momenti që ato depozitoheshin në kazanë: bashkisë së qytetit. Mes bashkisë dhe investitorit të impiantit të përpunimit  të mbetjeve ekzistonte një marrëveshje për ekskluzitivetin e plehrave, kështu që romët lokalë gjëmoheshin këmba-këmbës nga policia me kanoçet në kurriz. Çdo argument i tipit “romët po konkurrojnë privatin” m’u duk qesharak pasi vizituam impiantin me përmasa gjigande, tek i cili disa prej romëve kishin hequr dorë nga “pirateria” dhe ishin “zbutur” duke punuar kokulur në seleksionimin e pafundësisë së mbetjeve që kalonin pa pushim para duarve të tyre mbi një platformë lëvizëse. 

Ligji në këtë rast shpallte pronësinë mbi çdo mbetje urbane që përfundonte në kazanë, por njëkohësisht detyronte qytetarin që mbeturinën ta hidhte pikërisht aty. Kështu sigurohej furnizimi me lëndë të parë për impiantin e përpunimit dhe u ndërpritej burimi i mbijetesës rudimenteve të shoqërisë së konsumit: romëve.

Për shumëkënd që jeton në Tiranë, skena të ngjashme të policisë bashkiake që përndjek kanoçembledhësit janë kthyer në shfaqje të përditshme revoltuese të një mekanizmi dhune që në pamje të parë ngjan absurd. Sado të përpiqet Erion Veliaj që përmes skërmitjeve idiosinkratike ta paraqesë këtë si shërbim ndaj qytetarëve, nuk ka logjikë që mund ta pranojë diçka të tillë – përveçse nga prizmi i pazarit të kryebashkiakut me sipërmarrësin e landfillit në Sharrë, aty ku adoleshenti Ardit Gjoklaj mori frymën e fundit duke gërmuar nën mbeturina. Por perversiteti në kësi rastesh nuk qëndron vetëm te karakteri i të sipërpërmendurit kryetar, por tek ideologjia që ai përfaqëson dhe që përpiqet të vërë në jetë nën petkun e modernizimit të qytetit.

Kjo është ideologjia ku jo vetëm çdo shërbim – nga ujësjellësi te pastrimi i mbetjeve – por njëkohësisht edhe çdo hapësirë publike e qytetit vihet në funksion të akumulimit të kapitalit, në terma të fitimit direkt po aq sa në terma të imazhit që përcillet te publiku. Si mund të kuptohet ndryshe përndjekja që i bëhet një librashitësi ndanë trotuarit?! Në këtë rast nuk kemi të bëjmë as me konkurrencën e milingonës me elefantin si në rastin e romëve me privatin, por mbi të gjitha me imazhin – shembullin – që përçohet te të tjerët. Asgjë nuk mund të lejohet të dalë jashtë mekanizmit të akumulimit. Rrugët duhet të jenë të spastruara nga këto forma arkaike të marrëdhënieve të tregut për t’u lënë vendin vitrinave vezulluese që shesin guna leopardato. Ai shitësi i njohurive të fshehura brenda faqesh të zverdhura nuk mund të dalë jashtë skemës së taksimit, pavarësisht se Albchrome-i i Samir Manes në Bulqizë – kontribuuesi kryesor i të ardhurave të Balfin Group-it – do ta ketë rentën minerare zero për tre vitet e ardhshme.

Sado që të flitet sot për lirinë e tregut, më afër se kurdoherë pranë një koncepti të tillë Shqipëria ka qenë në vitet e trazuara të dekadës së 1990. Me konsolidimin e mëpasshëm të kapitalizmit, vendin e zuri rendi i marrëveshjes së shtetit me monopolistët, që rëndom sot quhen oligarkë. Është kjo kornizë tashmë që duhet të përmbledhë brenda saj të gjitha shkëmbimet mes konsumatorësh dhe operatorësh tregu. Nga një logjikë kryekëput tregu, gratë e ardhura nga fshati që shesin prodhime bujqësore nëpër cepat e pallateve, ofrojnë produkte shumë herë më cilësore dhe me një çmim shumë herë më të lirë sesa mollët e importuara nga Argjentina në supermarketet e Spar-it. Megjithatë shqetësimi i kësaj kaste politikanësh – larg prej lirisë – është në fakt disiplinimi i  tregut përmes kanalizimit të gjithë kësaj “rrëmuje” tregtarësh ambulantë drejt Mega-Super-Big marketeve.

Logjika e homo economus-it, që neoliberalët e sotëm e kanë nxjerrë nga idetë eksperimentale të John Stuart Mill-it, e përkufizon individin në shoqëri si një egoist në ndjekje të interesave personale për maksimizimin e përfitimeve. Një individ i tillë mund të ndërveprojë në mënyrë eficiente në shoqëri vetëm me kusht që çdo ndjenjë empatie njerëzore apo ideali ta mbajë të kyçur larg aktivitetit të tij kryesor që ka të bëjë me punën, shkëmbimin në treg dhe konkurrencën me të tjerët. Paul Mason-i, autor i librit E ardhmja e qartë vezulluese, përmend rastin e hapjes për herë të parë të një dyqani McDonald’s-i në qytezën e vet në veri të Anglisë. Marrëdhënia e zakonshme e familjaritetit mes dyqanxhinjve dhe blerësve – njerëz të rritur bashkë në të njëjtin komunitet – në sportelet e McDonald’s-it ia linte vendin një rutine të re e të sikletshme. Shitësit, edhe pse vendas, ishin të detyruar t’i përmbaheshin një skenari të shkruar kur flisnin me klientët. Edhe pse në fillim kishte rebelë nga të dyja anët e banakut, eventualisht frika nga pushimi nga puna dhe shpejtësia me të cilën shërbehej hamburgeri bënë që komunikimi t’i përmbahej rutinës jopersonale dhe mekanike që impononte korporata.

Sa herë që shkëmbej formalisht dy-tri fjalë me punonjësen e arkës te supermarketi i lagjes, teksa ajo kalon nga kasa një karton qumështi me mbishkrimin Latte, nuk ka sesi të mos më kujtohet familjariteti i përzemërt i gjyshes time në Gjirokastër kur i hapte derën çdo ditë në orën 7 zonjës që na sillte qumështin e freskët nga fshati.

Imazhi: Diary of Tirana

This image has an empty alt attribute; its file name is direct

Ky artikull është botuar nën licensën CC BY-SA 4.0.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.