/Slavoj Žižek/
Në ditët përpara zgjedhjeve fushata kundër SYRIZA-s po bëhet gjithnjë e më e ndyrë – meqenëse kontrollojnë mediat e fuqishme, armiqtë tanë mund t’i lejojnë vetes gënjeshtra të drejtpërdrejta, duke e ditur se përgjigjja jonë s’mund të kapë audiencë po aq të gjerë. Ata i japin lirinë vetes të projektojnë tek ne të gjitha ëndrrat dhe dëshirat e tyre të fshehta e të paturpshme, deri edhe kërcënimin e terrorit policor.
Mirëpo ne duhet të ruajmë qetësinë. Kritikët tanë na urrejnë sepse, fshehtas, e dinë se ne kemi kurajën për të vepruar si njerëz të lirë. Kur gjendemi në sytë e publikut, ata që na vëzhgojnë dhe kuptojnë, në një shkreptimë çasti, se po u ofrojmë liri, dinjitet dhe solidaritet. Në atë çast, kritikët tanë janë të lirë, bëhen njësh me ne, por vetëm për një çast ama; frika rikthehet dhe na urrejnë sërish sepse brenda shpirtit janë skllevër që i frigohen lirisë së tyre.
Ekziston një anekdotë (sigurisht apokrife) rreth këmbimit të telegrameve midis shtabeve gjermane dhe austriake në mes të Luftës së Parë Botërore: gjermanët dërguan këtë mesazh: (Këtu, në frontin tonë, situata është serioze, por jo katastrofike,”, së cilit austriakët iu përgjigjën: “Këtu, situata është katastrofike, por jo serioze.” Ky është dallimi i vërtetë midis SYRIZA-s dhe të tjerëve: për të tjerët, situata është katastrofike, por jo serioze – ata duan që gjërat të vazhdojnë në të njëjtën rrjedhë, ndërkohë që për SYRIZA-n, situata është serioze, por jo katastrofike përderisa kuraja dhe shpresa duhet t’i zënë vendin frikës.
SYRIZA nuk është ndonjë grup “ekstremistësh” të rrezikshëm. SYRIZA synon kthimin kah arsyeja e shëndoshë pragmatike, zgjidhjen e lëmshit të bërë nga të tjerët. Ëndërrimtarë të rrezikshëm janë ata që imponojnë masat e shtrëngesave – ne nuk jemi ëndërrimtarë; ne jemi zgjimi nga ëndrra që po kthehet në zhgjëndërr.
E përktheu Arlind Qori
Imazhi: 4Liberty