Perandori nuk ka rroba

/Chris Harman/

Krizat ekonomike të viteve të fundit janë shoqëruar me ringjalljen e interesit drejt mendimit marksist. Brezi i ri po u qaset gjithnjë e më shumë ideve të cilat deri pak kohë më parë konsideroheshin të destinuara për t’u harruar njëherë e përgjithmonë. Historikisht, konceptet nuk formohen pa huazuar nga idetë ekzistuese paraardhëse. Prandaj disa prej emrave më të shquar të mendimit marksist gjenden sot  përsëri në qendër të debateve të brezit të ri. Një prej emrave të rishfaqur në sipërfaqe është ai i filozofit komunist Louis Althusser.

Punimet më influencuese të Althusser-it, “Për Marksin” dhe “Të lexosh Kapitalin”, ishin produkte të periudhës në të cilën sistemi kapitalist po përjetonte bumin ekonomik më të madh në historinë e tij, ndërkohë që shtetet e bllokut “komunist” dukej të kishin rifituar stabilitetin e vënë në dyshim nga traumat e vitit 1956: revolucioni në Hungari dhe denoncimi i Stalinit nga Hrushovi. Gjatë Luftës së Ftohtë  sistemet e ideve rivale bashkoheshin në një pikë: mohonin mundësinë e masave për të ndryshuar shoqërinë. Në Perëndim u zhvillua ideologjia e “konsensusit”, ndërsa në Lindje karikatura staliniste e marksizmit e zëvendësoi vetë emancipim e klasës punëtore me akumulimin e mjeteve të prodhimit, duke luftuar rolin aktiv të masave. Tradita marksiste në Perëndim vuante jo vetëm pasojat e margjinalizmit prej retorikës antikomuniste, por akoma më shumë nga shtypja e impulseve kreative dhe origjinalitetit nga Moska zyrtare, duke filluar nga problematikat e filozofisë e përfunduar te gjenetika.

Krisja e parë e këtij muri konservator intelektual erdhi së bashku me ngjarjet e 56’. Një numër i konsiderueshëm punëtorësh dhe intelektualësh komunistë u shkëputën nga stalinizmi, duke u rreshtuar në radhët e kampit perëndimor. Kjo ishte pikënisja e së majtës së re (The New Left). E majta e re nuk arriti t’i forconte pozitat e saj si një lëvizje  për një kohë të gjatë për shkak të periudhës dhe kushteve historike gjatë së cilave u krijua – periudhë kur kapitalizmi po zgjerohej dhe i lejonte vetes mundësinë e reformave në të mirë të klasës punëtore. Gjithashtu kësaj lëvizjeje i mungonte dhe homogjeniteti mbi konceptimin e ndryshimit social, me figurat e saj kryesore të angazhuara në debate të paqarta dhe të pazgjidhshme mbi kontradiktën midis reformës dhe revolucionit. Megjithatë kjo ishte pikënisja e një tradite dhe interpretimi të ri të marksizmit, i cili sfidonte ortodoksitë e Lindjes dhe Perëndimit, duke e vënë theksin pikërisht mbi rolin e masave në procesin e zhvillimit historik. Në të tillë formë merr kuptim dhe kundërshtimi kurajoz i Sartre-it ndaj luftës në Algjeri e njëkohësisht përpjekja e tij për të gjetur baza teorike në marksizëm për rëndësinë që u atribuonte zgjedhjeve dhe vendimeve personale të individit.

Pra, në kundërshti me karikaturën e dehumanizuar të marksizmit stalinist, e majta e re ngriti flamurin e marksizmit humanist. Pikënisje teorike për të majtën e re ishin punimet e hershme të Marksit, të cilat sapo kishin filluar të përktheheshin në gjuhë të ndryshme të botës. Revolucioni rus dhe praktika revolucionare e tij ishin çështje të rëndësishme studimi. Për disa kjo do të nënkuptonte zbulimin e shkrimeve të Trockit, të cilat ishin ushqim shpirtëror pas vitesh të tëra ngurtësie nën stalinizëm. Për të tjerë, figura e Rosa Luxemburg-ut ishte tepër e rëndësishme. Duhej pritur ende të zbuloheshin metodat filozofike të Karl Kosch-it, Antonio Gramsci-t dhe mbi të gjitha të György Lukács-it. Lukács-i filloi të punonte mbi veprën e tij kryesore “Historia dhe ndërgjegjja klasore” gjatë kohës kur ishte anëtar i këshillit të punëtorëve në qeverinë hungareze të vitit 1919. Kjo vepër jo vetëm që i jepte shprehi të plotë shpresave revolucionare të atyre kohëve, por ngjasonte ndjeshëm me përshkrimin e Marksit mbi shoqërinë në shkrimet e tij ende të pabotuara. Koncept qendror për Lukács-in ishte “sendëzimi”.  Sipas tij, në kapitalizëm veprimtaria njerëzore merrte formën e një sistemi sendesh të cilat shtypnin vetë qeniet njerëzore. Lukács-i punoi mbi një paraqitje të historisë së filozofisë, e cila arrinte kulmin e saj në shkrimet hegeliane të pas periudhës së Revolucionit Francez, si pasqyrim i përpjekjeve filozofike për të deshifruar realitetin ekzistues. Sipas tij, kjo përpjekje mund të ishte e suksesshme vetëm nëpërmjet identifikimit me klasën puna e kristalizuar e së cilës përbën bazën e gjithë strukturës kapitaliste, pikërisht me klasën punëtore. Veprimtaria revolucionare e kësaj klase mund ta tejkalonte sendëzimin si në teori ashtu dhe në praktikë. Megjithatë punimi i Lukács-it ishte tepër abstrakt dhe nuk i kushtonte rëndësinë e duhur mënyrës se si lufta klasore zhvillohet në të vërtetë dhe si punëtorët e prekin konkretisht  ndërgjegjen klasore. Prandaj mbi këto çështje puna e tij ishte më pak interesante krahasuar me pasazhet e Gramsci-t në fletoret e tij dhe me shkrimet e Trotsky-t mbi taktikën dhe strategjinë. Sidoqoftë,  kjo punë ishte e rëndësisë së veçantë në ringjalljen e një teze qendrore të marksizmit: klasa punëtore e ardhur në jetë nga kapitalizmi mund të ishte varrmihësi i tij. Humanistët, së bashku me të majtën e re pjesë e së cilës ishin, mund të lëviznin në dy drejtime. Mund të rrëshqisnin në pozita reformizmi të vagullt nëpërmjet retorikës humaniste, ose mund të hidhnin hapa cilësorë drejt socializmit revolucionar.

I tillë ishte konteksti historik kur Louis Althusser-i u dha zë ideve të tij. “Për Marksin dhe “Të Lexosh Kapitalin” këmbëngulnin se:

  1. Marksizmi nuk është humanizëm, në kuptimin e një teorie se si qeniet njerëzore mund të fitonin kontroll mbi jetët e tyre.
  2. Marksizmi nuk është një teori e zhvilluar nga lëvizja punëtore, ndërsa ndërgjegjësohej mbi shoqërinë dhe kontradiktat e saj, por një “shkencë” e cila evoluon në të njëjtën mënyrë siç Althusseri shihte shfaqjen e karakteristikave të shkencave fizike – si preokupimin e një grupi shkencëtarësh specialistë të udhëhequr vetëm nga shqetësimi për dijen. Masa e njerëzve nuk mund të arratiset kurrë nga zinxhirët e ideologjisë, nocionet parashkencore dhe besëtytnitë, edhe kur këto të fundit janë pjesëmarrëse aktive në ngjarje që tronditin themelet e shoqërisë. Elita shkencore e kupton që ideologjia është e nevojshme për masat, ndërkohë që ata vetë mund të shohin përtej dhe nëpërmjet nocioneve të tilla primitive.
  3. E vërteta e teorisë nuk testohet nga praktika e masave, por nga shkalla e përshtatjes me kriteret e ngritura mbi të vërtetën nga vetë shkenca.
  4. Uniteti i teorisë dhe praktikës nënkupton një formë partikulare të praktikës (praktikën teorike), e cila mbart në vetvete mjetet dhe mënyrat e saj të prodhimit.
  5. Fjalët e Engelsit mbi kthimin me kokë sipër te Hegelit janë të gabuara. Dialektika marksiste është krejtësisht e kundërt me dialektikën hegeliane. Çelësi për të kuptuar historinë nuk qëndron në vështrimin e saj si një e tërë, në totalitetin e saj të bashkuar nga një forcë e vetme unitare, por duke e vështruar atë si artikulimin e strukturave të ndryshme ideologjike, ekonomike, poetike etj., struktura që zhvillohen me shpejtësi dhe ritëm të ndryshëm.
  6. Materializmi historik është studimi i mënyrës se si struktura të ndryshme kombinohen në çdo formacion social partikular, në çdo kohë të caktuar të zhvillimit historik. Dialektika materialiste është thjesht emërtimi i metodës shkencore, e cila shtrihet në fusha të larmishme si p.sh. nga fizika e deri tek psikanaliza. Pas kësaj, e gjithë terminologjia hegeliane mbi dialektikën, uniteti i të kundërtave, kalimi nga sasia në cilësi, mohimi i mohimit, liria dhe domosdoshmëria duhen mohuar tërësisht. Më i dobishëm është dallimi i Maos midis kontradiktave parësore dhe dytësore, secila prej tyre me aspektet parësore dhe dytësore të tyre.
  7. Metodat e prodhimit janë kombinime të strukturave, secila me një element të ndryshëm përcaktues për çdo mënyrë të veçantë prodhimi. Zhvillimi i forcave të prodhimit dhe ndërveprimi i njerëzve me natyrën për të siguruar mbijetesën nuk luan rol përcaktues në kalimin nga njëra metodë prodhimi  në tjetrën; janë marrëdhëniet e prodhimit ato që përcaktojnë forcat e prodhimit.
  8. “Krizat revolucionare” nuk janë shprehje e një kontradikte të vetme themelore në shoqëri me rrënjë në marrëdhëniet ekonomike, por shprehje e një koniunkture ku krizat në njërën strukturë përcaktohen dhe ndikohen nga krizat paralele në strukturat e tjera.
  9. Ekziston një pikë e qartë thyerjeje gjatë zhvillimit të mendimit të Marksit, i cili zbulohet nëpërmjet një “leximi simptomatik” të teksteve te tij. Në rininë e tij, i influencuar nga Hegeli dhe Fojerbahu, Marksi shkruante mbi “tëhuajsimin njerëzor”, mbi historinë si mbisundim i njeriut nga produktet e vetë aktivitetit të tij. Duke u pjekur, Marksi e kuptoi që këto ishin të gjitha gjepura. Historia nuk ishte shprehje e “një subjekti njerëzor të tëhuajtur”, por historia ishte një “proces pa subjekt”. “Veprat e pikës së thyerjes” në vitet 1840 dhe pasueset përfaqësojnë një ndryshim total në qasjen e Marksit dhe problematikat e ngritura nga ai.


Marksi i Althusser-it dhe Marksi i vërtetë

 Qasja e Althusser-it nuk ishte thjesht e ndryshme nga qasjet e frymëzuara prej ngjarjeve revolucionare të 1956-s. Në shumë aspekte ishte komplet e kundërta, meqë marksizmi nuk shihej më si një teori e lidhur ngushtë me betejën e njeriut për emancipim nga strukturat e tëhuajtura të kapitalizmit, në të cilat aktiviteti i ndërgjegjshëm i punëtorëve luan rolin kryesor. Althusser-i në momente të caktuara pranonte që versioni stalinist i marksizmit kishte disa gabime. Megjithatë ai ndante me karikaturën staliniste mohimin e nocionit se punëtorët nga objekte të historisë mund të shndërroheshin në subjekte të saj – që ata mund të tejkalonin tëhuajsimin e tyre ose, në terma hegelianë, “të mohojnë mohimin”. Polemikat e tij më të ashpra ishin pikërisht mbi këtë çështje. Përjashtimi i “mohimit të mohimit” nga “mbretëria e dialektikës marksiste” – shkruante ai, “mund të jetë provë e mendjemprehtësisë teorike”. Siç vinte në dukje Gregory Elliot-i, “teksa shprehej se dogmatizmi stalinist ende nuk ishte varrosur nga historia” për Althusser-in çështje kritike ishte kthimi te Hegeli i filozofëve si Korsch, Gramsci dhe mbi të gjithë Lukács. Leximi “simptomatik” i Althusser-it e injoronte kontekstin aktual të shkrimeve të Marksit. Vepra kryesore e Marksit mbi të cilën Althusser-i ngriti teorinë e tij ishte “Hyrja” e të pabotuarës “Rreth kritikës së ekonomisë politike”. Kjo vepër u shkrua në të njëjtën kohë me dorëshkrimet e Grundrisse-s. Grundisse-ja është “baltosur” nga shumë nocione hegeliane të cilat, sipas Althusser-it, Marksi i kishte braktisur.

Vakumi teorik

Fakti që Althusser-i u largua nga teoria e vetë Marksit sigurisht që nuk provon se pozicionet e Althusser-it janë të gabuara. Problemi qëndron në gabimet e pazgjidhshme teorike, të cilave Althusser-i vetë nuk mund t’u përgjigjej. Së pari, ishte çështja se si vlerësohen të drejta apo të gabuara pohimet mbi të vërtetën, që do të thotë mënyra se si ne i testojmë mendimet dhe besimet tona në përputhje me realitetin e botës përreth nesh. Althusser-i pretendon se bota e jashtme mund të njihet vetëm nëpërmjet konceptimeve tona mbi të. Sado të përpiqemi, ne nuk mund të arratisemi nga “burgu konceptual”. Pavarësisht se e sulmonte Hegelin, mbi këtë çështje Althusser-i përsërit të njëjtat argumente të shprehura nga vetë Hegeli në “Fenomenologjinë e mendjes”: idenë se pa përdorur konceptet ne nuk mund t’i fiksojmë përshtypjet e luhatshme të botës. Nga ky pohim, ngrihet pyetja  nëse konceptet tona janë të sakta apo jo.

Hegeli përgjigjej në dy mënyra. Së pari, arsyeja mund të arrijë eventualisht këndvështrimin total mbi botën, çka provon vërtetësinë e koncepteve që përcaktojnë mënyrën si i perceptojmë gjërat. Kjo përgjigje ishte e pamjaftueshme sepse parasupozonte që mendimi nëpërmjet vetes mund të provonte objektivitetin e tij dhe njëkohësisht vërtetësinë e koncepteve që përdorim. Përgjigja e dytë e Hegelit, e cila nuk u shtjellua më tej, ishte që vërtetësia e koncepteve provohet jo thjesht nga “arsyeja soditëse”, por nga arsyeja praktike (veprimi), e cila duke u përpjekur t’i japë formë botës rreth saj tregon ose jo vërtetësinë e ideve dhe koncepteve tona. Ne mund ta njohim realitetin sepse e krijojmë dhe e ndryshojmë atë. Pikërisht këtë nocion të rolit të praktikës njerëzore Marksi e përdor për të tejkaluar qasjen hegeliane. Sipas tij: “Çështja nëse mendimi njerëzor mund të arrijë të vërtetën objektive, – nuk është aspak një çështje e teorisë, por një çështje praktike. Në praktikë njeriu duhet të provojë të vërtetën, d.m.th. realitetin dhe fuqinë e mendimit të tij, të provojë se mendimi i tij ka të bëjë me këtë botë. Diskutimi mbi realitetin ose jorealitetin e një mendimi, që izolohet nga praktika, është një çështje thjesht skolastike.”

 Duke refuzuar praktikën si testuese të teorisë, Althusser-i del në të njëjtat përfundime konservatore të Hegelit, pra te e vërteta që arrihet nëpërmjet zbatimit të arsyes mbi konceptet – siç e pagëzonte Althusser-i, praktikës teorike. Bashkëngjitur qasjes së tij statike filozofike gjendej interpretimi i tij statik mbi shoqërinë. Analiza e mënyrave të prodhimit në veprat e tij nuk lejonte mundësinë për kalimin nga njëra mënyrë prodhimi në tjetrën, meqenëse çdo shoqëri mbisundohet nga një strukturë e vetme dhe e pandryshueshme strukturash. Siç analizon Gregory Elliot-i, “metoda e tij i atribuon formacionit shoqëror një konsistencë absolute, meqenëse metodat e prodhimit i sigurojnë vetë kushtet për ekzistencën e tyre, prandaj riprodhimi i tyre është i sigurt, ndërsa ndryshimi është teorikisht i pamundur.” Më vonë bashkëpunëtori i tij Jacques Rancière do të pranonte se kjo metodë impononte një formë sociologjike të stilit komtian ose dyrkemian, metodë që merret me mbivendosjen e  rregullit social mbi materializmin historik. Përpjekjet e tij për të tejkaluar vulgaritetin stalinist u shndërruan në shkrirje të këtij të fundit me nocionet strukturaliste të antropologut Lévi-Strauss, sipas së cilit sjellja njerëzore në të gjitha shoqëritë përcaktohet nga struktura të pandryshueshme e të plotfuqishme.

Mangësi teorike në këtë qasje është pikërisht ideja qendrore që gjendet te Marksi dhe Engelsi: proceset ndërvepruese nëpërmjet të cilave njerëzit sigurojnë jetesën në natyrë. Tek “Ideologjia gjermane”, “Mjerimi i filozofisë”, “Mbi kritikën e ekonomisë politike” dhe “Roli i punës në shndërrimin e  majmunit në njeri” këto procese përmenden gjithnjë si faktorë që ndryshojnë dhe mohojnë rendin ekzistues social dhe ideologjitë sunduese. Për Althusser-in, forcat e prodhimit ishin të zhveshura nga statusi i ndryshores së pavarur dhe perceptoheshin si një nënkategori e marrëdhënieve të prodhimit. Altyserianët e denonconin vetë Marksin dhe shkrimet e tij për determinizëm teknologjik. Kritika e tyre  ishte krejtësisht e gabuar sepse e parasupozonte zhvillimin teknologjik si një proces tërësisht objektiv dhe jo si një aspekt të punës së ndërgjegjshme njerëzore në veprim.

Nëse mënyrat e sigurimit të mbijetesës shihen si faktorë që sjellin marrëdhënie të reja shoqërore të cilat automatikisht zëvendësojnë marrëdhëniet e vjetra, kemi të bëjmë me një vështrim mekanik të historisë. Në të vërtetë, një qasje e tillë u zhvillua gjatë periudhës të njohur si “marksizmi i Internacionales së Dytë” dhe u propagandua veçanërisht nga versioni karikaturor stalinist i marksizmit. Ndërkohë Marksi dhe Engelsi kishin qasje krejt tjetër. Për ta, përplasja mes forcave të reja të prodhimit dhe marrëdhënieve shoqërore në fuqi ishte pikënisje e periudhës revolucionare, përfundimi i së cilës varet nga fuqia dhe organizimi i klasave të ndryshme, e gjithashtu nga faktorë subjektivë si p.sh. vendosmëria e  udhëheqësve të forcave revolucionare dhe reaksionare. Siç shpreheshin në “Manifestin e Partisë Komuniste”, përfundimi mund të ishte një riorganizim revolucionar i shoqërisë, ose shkatërrimi i përbashkët i të gjitha klasave pretenduese.

Duke e mohuar këtë aspekt të marksizmit, Althusser-i nuk mund t’i jepte përgjigje pyetjes se si një mënyrë prodhimi i lë vendin një tjetre. Kjo vështirësi e detyroi atë të rishikonte disa nga pozitat e shprehura në “Për Marksin” dhe “Të Lexosh Kapitalin”. Siç vë në dukje Gregory Elliot-i, nga 1967-1974 Althusser-i e tërhoqi teorinë mbi praktikën teorike, duke u vetëshpallur fajtor për një dozë teoricizmi dhe pranuar dështimin për të kuptuar marrëdhënien organike midis filozofisë dhe politikës. Risia e dialektikës materialiste nuk qëndronte më në shkencitetin e saj si një teori shkencore, por në praktikën e saj “partizane” të filozofisë materialiste. Tanimë dialektika ishte vazhdimësia e politikave revolucionare nëpërmjet teorisë, nga këndvështrimi i proletariatit. Në këtë mënyrë Althusser-i po i kthente shpinën interpretimit të tij mbi marksizmin.

Megjithatë, kjo kthesë drejt “politikës” la të pandryshuara dy pohime të tij.

  1. Marksizmi mund të jetë filozofia e proletarit, por punëtorët ende nuk ishin në gjendje ta tejkalonin ideologjinë. Prandaj ishte e gabuar, sipas tij, t’i informoje punëtorët se njerëzit e bëjnë historinë sepse historia mbetej një proces pa subjekt.
  2. Vlefshmëria e “këndvështrimit proletar” nuk ishte pasojë e praktikës së përftuar nga punëtorët në beteja, por fryt i përpjekjeve të atyre që luftën klasore e zhvendosin në rrafshin teorik. Mbi të gjitha, klasa nuk përcaktohej vetëm nga marrëdhëniet me mjetet e prodhimit, por nga pozicioni i secilit në marrëdhëniet politike dhe ideologjike.

Siç vë në dukje Elliot-i, në emër të antiekonomizmit dhe antievolucionizmit, Althusser-i braktisi parimet qendrore të materializmit historik, duke i zëvendësuar këto teza me sundimin e “niveleve ideologjike”. Historia ishte një proces pa subjekt, por përsëri, në njëfarë mënyre, ata që ishin në krye të luftës ideologjike (elita shkencore e sipërpërmendur) mund ta çonin historinë përpara, ndërkohë që përvetësonin të drejtën mbi vendimet se cilët ishin në të vërtetë punëtorët dhe lufta klasore. Voluntarizmi ishte i lidhur në mënyrë reciproke me teoritë idealiste mbi njohjen.

Kthesa e Althusser-it kishte rrënjë politike dhe mirëfilli intelektuale. Formulimet e tij origjinale ishin frymëzuar pjesërisht edhe nga kritika e hapur nga regjimi maoist në drejtim të Hrushovit. Megjithatë regjimi në Kinë ishte po aq stalinist sa ai në Rusi, prandaj kritika drejt Hrushovit vinte nga brenda kornizave të ortodoksisë lindore, duke e vështruar historinë si vepër të elitës partiake dhe partinë si nënën e historisë. Struktura e mendimit altyserian në ato vite reflektonte ndikimin nga kjo qasje elitiste.

Qëndrimet e Althusser-it shfaqeshin  në rrethet e komunisteve të rinj, të shqetësuar dhe të lodhur nga praktika reformiste e Partisë Komuniste franceze. Për ta, shkrimet e Althusser-it paraqisnin një kritikë nga e majta kundrejt revizionizmit të partisë, edhe pse vetë Althusser-i u tregua i kujdesshëm në marrëdhëniet e tij me partinë. Pas botimit të veprave “Për Marksin” dhe “Të lexosh Kapitalin”, Althusser-i gëzonte ndikim të jashtëzakonshëm mbi intelektualët e rinj majtistë në Francë. Megjithatë, ndërkohë që influenca e tij vazhdonte të shpërndahej kudo në botë, dy ngjarje ndikuan në tronditjen teorike të sistemit altyserian.

  1. Ngjarja e  parë ishte Revolucioni Kulturor në Kinë (1966-1969), revolucion i përdorur nga një pjesë e udhëheqjes kinezë, me në krye Maon dhe gjeneralin Lin Biao, për të mposhtur një grupim rival nëpërmjet mobilizimit të kujdesshëm të “gardistëve të kuq”, shumica syresh adoleshentë komunistë. Megjithatë, për të majtën radikale në Perëndim, të lodhur nga vërtetësia shkencore e partisë elitiste, Revolucioni Kulturor u kuptua si shembull i lëvizjes nga poshtë.
  2. Ngjarja e dytë ishte Maji i 68-s në Francë. Althusser-i nuk arriti të përmbushte pritshmëritë studentëve dhe të majtës për të dhe vazhdoi të ishte pjesë e partisë që kishte tradhtuar punëtorët dhe studentët, me justifikimin se po përpiqej të rikthente normalitetin në Francë. Kriticizmi i dyanshëm, si nga e majta ashtu dhe nga elita burokratike e PK-së, bënë që Althusser-i të përfshinte agjencinë dhe ndryshimin në teorinë e tij.

Gregory Elliot-i mendon se teoria e Althusser-it ka pësuar një tjetër rishikim nga vetë Althusseri-i. Ata që ishin afruar me Althusseri-n para një dekade nga premisa maoiste tani po largoheshin për shkak të radikalizmit të tejskajshëm të prodhuar nga ngjarjet e 68-s dhe nga zbulimi se Kina në të vërtetë nuk ishte aspak një shtet revolucionar, pas pritjes zyrtare të Nixon-it  nga vetë Maoja. Disa prej ish-ndjekësve të tij si Poulantzas u shndërruan në ideologë të një forme të përparuar të eurokomunizmit. Të tjerë si Paul Hirst e braktisën marksizmin për empirizmin dhe socialdemokracinë. Të tjerë, si André Glucksmann-i, u shndërruan në mbështetës të zjarrtë të imperializmit amerikan.

Teoria e Althusser-it mbi shoqërinë si kombinim i strukturave të ndryshme u interpretua më pas nga poststrukturalistët si kombinim i strukturave krejtësisht të pavarura nga njëra-tjetra, secila me një rrugëtim të pavarur historik. Kështu racizmi, homofobia, seksizmi, ndotja mjedisore etj. kishin shkaqe të pavarura. Prandaj zgjidhja duhet të vinte në mënyrë specifike për secilën strukturë. Postmodernistët shtuan përfundimin se çdo përpjekje për t’i trajtuar ato si pjesë të një tonaliteti do të çonte në totalitarizëm.

I përballur me kolapsin jo vetëm të metodës së tij filozofike, por dhe të aspiratave politike të 30 viteve, Althusser-i u ndje i detyruar të bënte një përpjekje të fundit teorike, duke shpallur kështu “krizën ë marksizmit” dhe duke u munduar ta shpjegonte atë. Fillimisht Althusser-i për herë të parë kritikoi haptazi teorinë dhe praktikën staliniste. Ai denoncoi masakrat dhe dëbimin e fshatarëve të denoncuar si kulakë, arkipelagun Gulag, shtypjen që “vazhdonte 25 vite pas vdekjes së Stalinit dhe mënyrën se si ideologjia borgjeze triumfoi e plotfuqishme nëpërmjet unitetit monstruoz të partisë-shtet”, ndërkohë që masat duhej vetëm të nënshtroheshin në emër të lirisë së tyre. Teoricieni i dikurshëm i marksizëm-leninizmit tanimë e ndante marksizmin prej tij dhe hodhi poshtë premisën bazike të altyserizmit origjinal, duke pohuar se teoria marksiste rritet prej terrenit të luftës klasore. Sidoqoftë, mbeti nocioni i vjetër se stalinizmi ishte trashëgimtar i marksizmit, ndonëse tani në një kuptim negativ: ai pohoi se të metat e stalinizmit i kishin rrënjët në boshllëqet e shkrimeve të Marksit.

Kritika më influencuese ndaj Althusser-it është përgatitur nga Edward Thompson-i, i cili shkruante se “ndihej i detyruar të mbronte agjendën e vitit ‘56” në veprën “Mjerimi i teorisë”. Ky punim ishte një kryevepër polemizuese, i jashtëzakonshëm në aftësinë për të kuptuar dhe paraqitur mangësitë dhe pakonsistencën teorike në veprat e Althusser-it. Si shprehje e një prej ironive të shumta të vetë historisë, kritika e Thompson-it u botua në të njëjtën kohë kur në Francë altyserizmi filloi të fragmentohej. Gjatë asaj kohe pozicionet politike të Thompson-it dhe Althusser-it nuk ndryshonin shumë nga njëri-tjetri. Të dy ishin për reformizmin radikal dhe jo ndryshimin revolucionar. Të dy gjithashtu refuzonin pohimin marksist se ndryshimet në mënyrën se si njerëzit sigurojnë mbijetesën e tyre (forcat e prodhimit) krijojnë një tension dinamik me marrëdhëniet ekzistuese shoqërore. Thompson-i shkruante se Marksi, duke shkruar “Kapitalin” kishte rënë në kurthin e mbishtjellimit të pjesës formale së kapitalizmit si një sistem ekonomik. Prandaj ishte e nevojshme të shihej se ekzistonin “qarqe të tjera” si ai i pushtetit, i ideologjisë, i riprodhimit etj. Althusser-i, ndërkohë, shprehej se strukturat bashkekzistonin pa u ndikuar nga roli vendimtar i ekonomisë. Të dy lanë të pazgjidhur problemin e “agjencisë” – çfarë i shtyn njerëzit të kundërshtojnë strukturat që kishin pranuar më parë. Voluntarismi optimist i Thompson-it dhe Althusseri i viteve 1967-1974 ndikuan në botëkuptimin pesimist të ndjekësve të tyre dhe në tërheqjen “postmarksiste” nga politika.

Sipas meje, të rinjtë që i afrohen politikës kanë mê shumë për të mësuar nga Thompson-i se nga Althusser-i, dhe akoma më shumë nga tradita revolucionare e 1917-s, e cila sulmohet kaq ashpër nga ndjekësit e Althusser-it. Nga ana tjetër, libri i Elliot-it vërteton pikëpamjet e mia. Ky libër përmban një përpjekje për të gjurmuar zhvillimin e sistemit altyserian nga dikush që e mendon si të vlefshëm e ndërkaq pa kuptuar vë në dukje sa problematik ishte në të vërtetë. Perandori nuk ka rroba, por autori nuk guxon ta pranojë këtë gjë!

E përktheu Frenklin Elini

Referencat

  1. Althusser, Louis, 1969, For Marx (Allen Lane, Penguin Press).
  2. Althusser, Louis,1965 Pour Marx (Maspero).
  3. Althusser, Louis, 1970, Reading Capital (New Left Books).
  4. Althusser, Louis, 1965, Lire le Capital(Maspero).
  5. Barker, Colin, 1979, A ‘New’ Reformism? – A Critique of the Political Theory of Nicos Poulantzas, International Socialism 4 (spring 1979), www.isj.org.uk/?id=294.
  6. Blackledge, Paul, 2006, The New Left’s Renewal of Marxism, International Socialism 112(autumn 2006), www.isj.org.uk/?id=251.
  7. Bradbury, Richard, 1988, What is Post-structuralism?, International Socialism 41(winter 1988).
  8. Cliff, Tony 1959, Rosa Luxemburg(International Socialism), www.marxists.org/archive/cliff/works/1959/rosalux/index.htm.
  9. Elliott, Gregory, 1987, Althusser: the Detour of Theory (Verso).
  10. Harman, Chris, 1979, The crisis of the European revolutionary left, International Socialism 4(Spring 1979), http://chrisharman.blogspot.com/2009/11/crisis-of-european-revolutionary-left.html.
  11. Harman, 1983 Philosophy and Revolution, International Socialism 21 (Autumn 1983), http://chrisharman.blogspot.com/2009/10/philosophy-and-revolution.html.
  12. Hegel, GËF, 1964 [1807], The Phenomenology of Mind (Allen and Unëin), www.marxists.org/reference/archive/hegel/phindex.htm.
  13. Lukács, Georg, 1971 [1924], History and Class Consciousness (Merlin), www.marxists.org/archive/Lukács/ëorks/history/index.htm.
  14. Lukács, Georg, 1978, Ontology of Social Being: Hegel (Merlin).
  15. Marx, Karl, 1976 [1845], Theses on Feuerbach in Marx and Engels, Collected Ëorks, vol.5 (Laërence and wishart), www.marxists.org/archive/marx/ëorks/1845/theses/index.htm.
  16. Stace, W.T., 1955, The Philosophy of Hegel(Dover).
  17. Thompson, E.P., 1978, The Poverty of Theory and Other Essays (Merlin).

Imazhi: The New York Review of Books

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.