Çfarë mund të mësojmë nga murtaja e 1347-s

/Klodi Leka/

E bukur është mendja e njeriut dhe e pamposhtur është ajo.” – C. Milosz

Frika është mungesa e të arsyetuarit.” – B. Spinoza

Kush mësoi të vdesë mësoi të jetojë i lirë dhe jashtë çdo pushteti.” – Seneka

Qenia mund të mendohet vetëm në raport me vdekjen.” – M. Heidegger

Në mars të 1347 në Evropë ra murtaja, e cila u quajt edhe Vdekja e Zezë. Pothuajse 1/3 e popullsisë evropiane u shua, me qindra qytete dhe manastire u rrënuan, artizanati dhe tregtia ranë në kolaps, ndërsa regjimi social feudal mori një krisje të parikuperueshme. Jo më kot kjo murtajë konsiderohet nga historianët si “katastrofa demografike dhe humanitare më e tmerrshme e njohur gjer atë kohë.” Megjithatë, përveç peizazheve të vdekjes që mund t’i ndeshësh mjaft mirë te bashkëkohësit e murtajës, siç është poeti italian Petrarka ose pikturat e Josse Lieferinxe-s, interesante është të sodisësh kundërpërgjigjen e autoriteteve dhe popullatës civile ndaj epidemisë.

Lufta e shenjtë ndaj heretikëve fetarë që kish nisur në shekullin XIII – ose më thjesht ndaj mendimtarëve që sfidonin dogmat kishtare dhe grave ekstravagante që eksperimentonin paganizma në mjekësi e kulturë – mori një hov të jashtëzakonshëm. M 1350 Papa Inocenti VIII lëshoi një deklaratë urdhëruese për krijimin e gjykatave fetare që do të hetonin njerëzit e pushtuar nga e keqja, të cilët kishin bërë marrëveshje me djajtë dhe xhindet për të përhapur vdekjen e zezë. Nga kjo deklaratë e Inocentit VIII, priftërinjtë domenikanë hartuan manualet e torturave dhe djegiet në turrën e druve të shtrigave, që në shumicën e rasteve qenë njerëz me probleme psikike, epilepsi, melankoli ose të pandehur që nuk përballonin dhimbjet e torturave. Shfrenimi i fantazisë shkoi gjer atje sa priftërinjtë e dhomave të torturës zbuluan gjer në 7 milionë lloje xhindesh dhe se si përmes aktit seksual në varreza, djalli i shndërronte vejushkat në shërbëtore dhe sabotuese të gjinisë njerëzore. Pas murtajës, gjyqet e Inkuizocionit kryen një kërdi të pashembullt mbi trupat e evropianëve. Në Francë përllogariten të jenë gjykuar dhe dënuar mbi 300.000 shtriga, ndërsa në qytetet mesjetare italiane, të shquara për zhvillimin tregtar dhe kulturor, qentë dhe macet, të akuzuara si fajtore për epideminë, desh u zhdukën.

Po më 1350 Papa Inocenti shpalli “Vitin e Shenjtë”, ku çdo shpirt i krishterë që mbërrinte pelegrin në Romë do të shpërblehej menjëherë me parajsën, pelegrinazh që hamendësohet se i dha një përhapje të gjerë gjeografike murtajës. Shto këtu, policia kishtare nuk mjaftohej vetëm me imponimin e marrëzisë dogmatike dhe ndëshkimet ndaj “shtrigave”, por ndaloi rreptësisht edhe çdo eksperiment të atyre pak mjekëve të mbijetuar me trupat e të vdekurve, hapja e të cilëve për studime shkencore konsiderohej herezi dhe çshenjtërim, ngaqë këta shpirtra do të ngjalleshin në gjyqin e mbramë të Zotit në po atë trup që kishin pasur në vdekje dhe kësisoj eksperimentet mund t’i privonin prej jetës së amshueshme. Autoritetet shtetërore, mbretër ose dozhë të republikave qytetare, që deri më dje patën mbështetur artistë ose shkencëtarë kontroversë duke i marrë nën mbrojtje në oborret e tyre, iu nënshtruan vullnetit të Kishës. Kjo është pra pamja e përgjithshme e shoqërisë nën murtajë dhe ky është edhe interesi i këtij shkrimi: cili është rreziku social në situatën e një epidemie?

Rreziku është autoritarizmi i pushtetit dhe obskurantizimi i shoqërisë njerëzore. Që prej shpërthimit të Covid-19 dhe shpërhapjes së tij gjeografike, turlifarë teorie qarkulloi në opinionin tashmë të molepsur publik, ç’prej teorisë se shqiptarët janë racë e veçantë që nuk pyesin për epidemi te ngrënia e hudhrës me një teke raki apo mizantropia se prej kësaj epidemie vdesin veç pleqtë. Të tjerë, të trembur e mendjehumbur, janë turrur nëpër dyqane si në kinemanë apokaliptike, janë tërhequr në vetmi të thellë, i tremben si mortja atij që deri më dje ish miku apo familjari i tyre, i kthehen Zotit me përshpirtje patetike dhe mendimi i vdekjes nuk i lejon të racionalizojnë asgjë. Shtetit, nga ana e tij, i konvenon gjendja e jashtëzakonshme: katallani i korruptuar kthehet në baba që do të shpëtojë kombin dhe masat e ashpra policore, që në situata normale do të ngjallnin zemërim publik, tashmë normalizohen. Ky është fundja edhe vizioni i të ardhmes: një botë në gjendje të jashtëzakonshme të përhershme ku ratio-ja dhe politikja, thelbi i çdo shoqërie njerëzore, nuk ekzistojnë më. Për shembull, këto kohë në Shqipëri nuk ekzistojnë më shoqëria, jeta publike, por pushteti i fortë dhe individi i frikësuar.

Me këtë nuk dua të them se s’duhet të ndihemi të frikësuar dhe se duhet të livadhisim të shkujdesur nëpër qytet, por se shpëtimi nga epidemia është pikërisht shoqëria, arsyeja dhe jeta publike. Shpëtimin do të na e sjellë vënia e trurit në punë dhe jo pezullimi i tij: shpërndarja e informacioneve të vlefshme sensibilizuese, solidariteti me njëri-tjetrin, lufta ndaj sharlatanizmit, kuptimi i rëndësisë së të pasurit një trup të shëndetshëm dhe të besuarit te shkenca, mbajtja e ca shënimeve kritike ndaj autoriteteve qendrore për të ardhmen dhe reflektimi mbi misionin e ri që duhet t’i japim jetës individuale e kolektive pas normalizimit të situatës. Alternativa është arsyeja, jo frika. Jo më kot pas murtajës së 1347, në Evropë zu fill edhe flladi i Rilindjes Evropiane, si tranzicion i nevojshëm nga mesjeta në modernitet: me hovin në art e shkenca, mendim politik e shoqëror dhe zgjerim të tregtisë dhe urbanizimit. Pas çdo murtaje vdes një botë e vjetër dhe një e re duhet të çelë në horizont. Kësaj radhe është koha të lindë një sistem i ri social ku njerëzit nuk mbyllen dhunshëm nëpër fabrika, por janë të edukuar me arsye kritike e njohuri shkencore dhe gezojnë një jetë të lumtur, përplot shëndet e pa epidemi.

Imazhi: Josse Lieferinxe – Shën Sebastiani ndërhyn në emër të të prekurve nga murtaja, Wikimedia

This image has an empty alt attribute; its file name is direct

Ky artikull është botuar nën licensën CCA 4.0 (Creative Commons Attribution 4.0 International License).

Lexojmë dhe shpërndajmë!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.