/Isaac Deutscher/
Biografia e Stalinit është shkruar prej historianit Isaac Deutscher më 1949-n, në të gjallë të subjektit biografik. Asokohe, kur kulti ndërkombëtar i Stalinit si liberator ndaj nazizmit ishte në majat e veta – pavarësisht se Lufta e Ftohtë sapo kish nisu – Deutscher-i prodhonte një biografi kritike në kuptimin e mirëfilltë të fjalës: e vendoste Stalinin dhe stalinizmin në kushtet historike të Rusisë dhe Evropës së epokës së Revolucionit Bolshevik, duke sintetizuar brenda të njëjtës figurë revolucionarin dhe tiranin, emancipuesin dhe barbarizuesin. Veçoria e veprës së Deutscher-it është se del nga duart e një armiku të stalinizmit në gjirin e marksizmit revolucionar. Deutscher-i i përket traditës trockiste, por bash si Trocki i konceptimit teorik të stalinizmit, ai nuk bie pre e pasioneve mjegulluese të arsyes kritike. Pjesa e përkthyer më poshtë është mbyllja e botimit të parë të biografisë së Stalinit, ku Deutscher-i kërkon të përmbledhë karakterin gjakatar dhe emancipues të sundimit të tij. Në kohëra kaq teorikisht obskurantiste si jona – ku ideologjia, në mos propaganda e përciptë, ka zënë vendin e studimeve që marrin në konsideratë totalitetin kontradiktor të epokave historike (kujtojmë këtu se Universiteti i Tiranës ka gjetur vend në tabelën e tij të nderit edhe për biografin bashkëkohor telenovelist të Stalinit, S. Montefiore-n), ku tragjizmi revolucionar stalinist barazohet lehtësisht me tmerrin nazist, apo ku hiqen paralele foshnjarake midis osmanizmit, komunizmit dhe ISIS-it – leximi i Deutscher-it mund të prodhojë efekt zgjues për mendjet e topitura. (Shën. përkth.)
…Stalini hyn në atë skotë despotësh të mëdhenj revolucionarë si Kromuelli, Robespjeri dhe Napoloni. Theksi duhet vënë njëtrajtësisht në secilën pjesë të këtij përshkrimi. Ai ishte i madh nëse shtati i tij matet me fushën e përpjekjeve, sferën e veprimeve të tij dhe gjerësinë e skenës në të cilën mbizotëroi. Ai ishte revolucionar jo në kuptimin e qëndrimit besnik ndaj ideve origjinale të revolucionit, por sepse arriti të vinte në jetë një parim rrënjësisht të ri organizimi shoqëror, i cili, pavarësisht se ç’do t’i ndodhë atij personalisht apo regjimit që shoqërohet me emrin e tij, me siguri do të mbijetojë, do të pasurojë përvojën njerëzore dhe mund të marrë drejtime nga më të ndryshmet. Një prej triumfeve të Stalinit ka dalë në pah që kur sa e sa qeveri të tjera janë përpjekur t’ia përvetësojnë idetë, duke pretenduar se edhe ato kanë zbatuar metodat e planifikimit ekonomik. Mbramësisht, despotizmi i tij çnjerëzor nuk ka dëmtuar vetëm një pjesë të mirë të arritjeve – por mund të provokojë një reagim të dhunshëm kundër tij, aq sa njerëzit mund të harrojnë, për një farë kohe, se kundër kujt po reagojnë: kundër tiranisë së stalinizmit apo performancës shoqërore progresive të tij.
Kompleksiteti i karakterit dhe rolit të Stalinit bie në sy më mirë kur e krahasojmë me Hitlerin. Ngjashmëritë mes tyre janë të shumta dhe mbresëlënëse. Secili syresh shtypi pa mëshirë dhe skrupuj opozitën. Secili ndërtoi makinën e një shteti totalitar dhe i vuri njerëzit nën presion të pandalshëm. Secili u orvat të rindërtonte mendjen e popullit të tij sipas të njëjtit model, nga i cili do të përjashtoheshin të gjitha impulset ose ndikimet “e padëshiruara”. Secili u bë udhëheqës i padiskutueshëm i vendit nëpërmjet një Führerprinzip-i të ashpër.
Këtu ngjashmëritë ndalen dhe nisin dallimet. Hitleri nuk arriti ta përparonte kombin gjerman në asnjë fushë krahasuar me kohën përpara se të merrte pushtetin. Në të shumtën e fushave ai e çoi atë shumë mbrapa, tmerrësisht shumë mbrapa. Gjermania që mori në dorëzim në 1933-shin ishte, pavarësisht depresionit dhe tensionit shoqëror, një vend i pasur dhe i lulëzuar. Industria e saj ishte më efiçentja në kontinent. Shërbimet sociale ishin më moderne se ato të çdo vendi tjetër evropian. Universitetet ishin qendra të mëdha mësimi, të cilat krenoheshin me shkencëtarët e tyre. Pjesa më e mirë e rinisë gjermane ishte serioze, vigjilente dhe idealiste. Teatri gjerman admirohej dhe imitohej masivisht. Gazetat më të mira gjermane ishin më inteligjentet dhe më mirinformueset në kontinent.
Gjermania që la pas Hitleri u varfërua dhe u reduktua në kafshëri. Nuk po flasim për efektet e humbjes së luftës, por mbi gjendjen e kombit, pavarësisht humbjes. Gjatë qeverisjes së Hitlerit aparati material i prodhimit – përveç plantacioneve speciale të armatimit – nuk ishte qenësisht më i madh nga më parë. Shërbimet sociale ishin përgjysmuar. Universitetet u bënë tokë pjellore shtazësh të tmerrshme. Shkencëtarët e famshëm u shtrënguan që ose të emigronin, ose të pranonin udhëheqjen e SS-ve dhe të jepnin mësim budallallëqe raciste. Mjekët u kthyen në specialistë të pastërtisë racore të gjakut dhe në vrasës të atyre gjaku i të cilëve konsiderohej i papastër. Në tempullin e filozofisë kombëtare Alfred Rosenbergu zuri vendin e Immanuel Kantit. Dymbëdhjetë vjet “edukim” nga shtypi, radioja, kinemaja dhe teatri i nazistëzuar e trullosi dhe katandisi si mos më keq mendjen e Gjermanisë. Këto humbje të tmerrshme nuk u zëvendësuan me ndonjë fitore a ide të re, po qe se nuk do të quajmë të re idenë se një komb a racë ka të drejtën të sundojë dhe zhdukë të tjerët. Kur fasada naziste u thërrmua, doli në pah që struktura ishte e njëjtë me ç’kish qenë përpara Hitlerit: me industrialistët e mëdhenj, Krupps-ët dhe Thyssen-nët, junkerët, klasën e mesme, Grossbauers-sat, fermerët dhe punëtorët e saj industrialë. Në mos politikisht, sociologjikisht Gjermania e 1945-s ishte ende Gjermania e Hohencollernëve, veçse e kredhur në kaos të tmerrshëm nga një luftë tragjikisht e pakuptimtë.
Çfarë kontrasti bën me të Rusia staliniste! Populli që nisi të qeveriste Stalini, përveç disa grupeve të vogla njerëzish të arsimuar dhe punëtorësh të përparuar, mund të quhej me plot gojën popull shtazësh. Kjo nuk ka të bëjë me karakterin kombëtar të rusëve – prapambetja e Rusisë apo kushtet e saj aziatike ishin tragjedia dhe jo faji i saj. Nëse citojmë një shprehje të famshme, Stalini u mundua ta nxirrte Rusinë nga barbaria me mjete barbare. Për shkak të mjeteve që përdori, mjaft prej barbarisë që hodhi tutje u kthye sërish në jetën ruse. Megjithatë populli përparoi në mjaft fusha të ekzistencës së tij. Aparati material i prodhimit, i cili në vitin 1930 ishte ende inferior krahasuar me vendet mesatare evropiane, u rrit aq shumë dhe shpejt saqë sot Rusia është fuqia e parë industriale në Evropë dhe e dyta në botë. Në pak më shumë se një dekadë numri i qyteteve dhe qytezave të saj u dyfishua; popullsia urbane u rrit me tridhjetë milionë banorë. Numri i shkollave të të gjitha niveleve u shumëfishua në mënyrë mbresëlënëse. I gjithë populli u çua në shkollë. Mendja e tij u zgjua aq shumë, saqë vështirë se mund të rivihet në gjumë. Etja e tij për dije, për shkencë dhe art u stimulua aq fort prej qeverisë së Stalinit, saqë u bë e pangopshme dhe e sikletshme. Duhet vënë re se megjithëse e mbajti Rusinë të izoluar nga ndikimet bashkëkohore perëndimore, Stalini inkurajoi dhe përforcoi interesin për atë që e quante “trashëgimia kulturore” e Perëndimit. Ndoshta askund tjetër të rinjtë nuk janë mbushur me respekt dhe dashuri aq të madhe për letërsinë dhe artin klasik sa në Rusi. Këtu gjendet një nga dallimet e rëndësishme midis metodave naziste dhe staliniste të edukimit. Një tjetër ka të bëjë me faktin se Stalini, ndryshe nga Hitleri, nuk i ndaloi brezit të ri të lexonte dhe studionte klasikët e letërsisë së vet, botëkuptimi ideologjik i të cilëve nuk përputhej me të tijin. Ndërsa tiranizonte poetët, shkrimtarët, historianët, piktorët dhe kompozitorët e gjallë, ai dëshmonte, në tërësi, një pietizëm të çuditshëm ndaj të vdekurve. Veprat e Pushkinit, Gogolit, Tolstoit, Çehovit, Belinskit e shumë të tjerëve, satira dhe kritika e të cilëve ndaj tiranisë së shkuar jehonte shpesh në të tashmen, zunë vend në duart e rinisë në miliona kopje. Asnjë Lessing apo Heine rus nuk u dogj në auto-da-fé. As nuk mund të injorohet fakti se ideali i brendshëm i stalinizmit, të cilit Stalini i kishte dhënë një shprehje shumë të shtrembëruar, nuk është sundimi i njeriut mbi njeriun, i kombit mbi kombin apo i racës mbi racën, por barazia themelore mes tyre. Edhe diktatura e proletariatit paraqitet vetëm si periudhë tranzitore për në shoqërinë pa klasa; dhe burim frymëzimi mbeti bashkësia e lirë dhe e barabartë dhe jo diktatura…
Në fund, krejt struktura shoqërore ruse u përshkua nga një ndryshim aq i madh dhe shumëpërmasor, saqë nuk mund të prapësohet. Mund të përfytyrohet një reagim i dhunshëm i popullit rus kundër gjendjes së shtetrrethimit në të cilën ka jetuar prej kohësh. Mund të imagjinohet edhe ndonjë restaurim politik. Mirëpo është e sigurt se edhe një restaurim i tillë do të prekë vetëm sipërfaqen e shoqërisë ruse dhe do të dëshmojë impotencën e vet vis-à-vis punës së bërë nga revolucioni, madje edhe krahasuar me restaurimet e Stjuartëve dhe Burbonëve. Për Rusinë e Stalinit shprehja “njëzet vjet kanë bërë punën e njëzet brezave” është edhe më e vërtetë se për vende të tjera revolucionare.
Për të gjitha këto arsye Stalini nuk mund të renditet bashkë me Hitlerin në tiranët trashëgimia e të cilëve është tërësisht e kotë. Hitleri ishte udhëheqësi i një kundërrevolucioni steril, ndërsa Stalini ka qenë edhe udhëheqësi, edhe shfrytëzuesi i një revolucioni tragjik, vetëkontradiktor, por prapëseprapë krijues. Si Kromuelli, Robespjeri dhe Napoloni, ai e nisi rrugën si shërbyes i një populli kryengritës për të përfunduar si zot i tij. Si Kromuelli, ai trupëzon vazhdimësinë e revolucionit në të gjitha fazat dhe metamorfozat e tij, megjithëse roli i tij në fazën e parë ishte më pak i shquar. Si Robespjeri, ai e mbyti në gjak partinë e vet; dhe si Napoloni ai ka ndërtuar një perandori gjysmëkonservatore dhe gjysmërevolucionare dhe e ka shtrirë revolucionin jashtë kufijve të vendit të tij. Pjesa më e mirë e Stalinit do të mbijetojë edhe pas Stalinit, ashtu si në rastin e Kromuellit dhe Napolonit. Mirëpo për ta ruajtur për të ardhmen dhe për t’i dhënë të gjithë vlerën që meriton, historisë mund t’i duhet ende ta pastrojë dhe riformojë veprën e Stalinit po aq ashpërisht sa çka pastruar dhe riformuar dikur veprën e Revolucionit anglez pas Kromuellit dhe atij Francez pas Napolonit.
Përkthyer nga: Arlind Qori
Marrë nga: Isaac Deutscher – Stalin. A Political Biography