Pazarosja e universiteteve
/Arlind Qori/
Ardhmëria e përbashkët kërcënohet kur jo vetëm qeveria, por krejt spektri politik, e jo vetëm këta, por edhe oligarkët ekonomikë dhe ideologjiko-mediatikë hidhen në të njëjtin kamp, kanë të njëjtat interesa dhe përkrahin haptazi a heshtazi të njëjtën gjë: në këtë rast, projektreformën në arsimin e lartë. E sponsorizuar prej vitesh nga diplomoret kryesore private dhe e tentuar disa herë nga qeveria Berisha, reformimi i arsimit të lartë, që bazohet në kalimin e fondeve shtetërore prej universiteteve publike drejt atyre private, po sendërtohet përfundimisht nga qeveria Rama.
Projektreforma shpërfaq krejt arrogancën e pushteteve politiko-ekonomike ndaj jetës dhe problemeve të mirëfillta universitare. E hartuar prej një komisioni, të emëruar nga kryeministri, që këto kohë më shumë ka folur me vete sesa me publikun universitar, projektreforma niset nga premisa vetëreferuese, të cilat në njërën anë i interesojnë qeverisë sepse pohojnë paargumentueshëm se financimet shtetërore për universitetet nuk kanë gjasë të rriten, e në anën tjetër oligarkëve të diplomoreve private pasi edhe ato fonde që akordohen deri më tash për universitetet publike do të jenë të hapura edhe privatët. Jo vetëm kaq, por që universitetet publike të mbijetojnë në pazarin e ri universitar duhet të ristrukturohen së brendshmi si agjenci tregtare që synim kryesor kanë kërkimin e fondeve. Këto të fundit thuhet se mund të sigurohen nga bashkëveprimi me biznesin dhe nga rritja e tarifave studentore. Meqenëse alternativa e parë në kushtet tona nënkupton vetëm dhënie me qira e mjediseve universitare për reklama ose party promovuese biznesore (organizimi i ulët i kapitalit shqiptar as kërkon, as pritet të kërkojë shpikje shkencore të integrueshme në kushedi çfarë industrie prodhuese konkurruese), mbetet që rënien e pritshme të fondeve shtetërore ta kompensojë rritja e tarifave studentore. Sikur komisionerët ta kishin banuar universitetin, dhe jo thjesht vizituar atë, do të mendoheshin dy herë përpara se të kërkonin rritjen e tarifave studentore, të cilat pritet të disafishohen. Do të kishin kuptuar po ashtu se të jesh student sot në Shqipërinë e të papunëve, të keqpunësuarve e të nënpaguarve, është mikroheroizëm më vete. Edhe sot universitetet po kthehen në aparate riprodhimi klasor, çka projektreforma pritet ta përfundojë duke i përjashtuar përfundimisht të pangeshmit ekonomikisht nga shkolla.
Po ashtu një komision i krijuar me ferman pamundësinë e dhënies së zgjidhjeve për problemet reale e mbulon duke shpikur probleme imagjinare dhe zgjidhje të botës së çudirave për to. Bie fjala, sot universitetet publike kanë probleme të fondeve të pamjaftueshme shtetërore, por komisionerët në vend që ta përdornin inteligjencën e tyre akademike për të kërkuar modele alternative zhvillimore që i mundësojnë shtetit të financojë më shumë universitetet, shpikin problemin e shpërndarjes së fondeve aktuale. Njëlloj sikur një të varfri t’i thuhej se problem nuk janë paratë e pakta që ke, por fakti se prej tyre nuk u jep ca edhe të pasurve. Dhe të mendosh se këto para mund të vijnë prej trupës studentore është po aq absurde sa t’i kërkosh të varfrit të mësipërm që për të pasur më shumë para duhet ta paguajë veten më shumë(!) Se universiteti dhe studentët nuk janë dy trupa të huaj, ku njëri shet e tjetri blen, por bashkëpërcaktuese e bashkëformuese. Njëkohësisht hartuesit e projektreformës problemit të burokratizimit aktual të universiteteve publike i japin zgjidhjen gjeniale të shtimit të strukturave burokratike, duke futur në jetën universitare mekanizma vendimmarrës realisht të pakontrollueshëm nga trupa pedagogjike dhe studentore (për këta të fundit thuhet neokolonialisht se janë të papjekur për të qenë zgjedhës), dhe gjithnjë e më të kontrollueshëm nga qeveria dhe oligarkët ekonomikë, që kushedi për ç’arsye sublime do të gjejnë frymëzim për të shpenzuar para për universitetet.
Argumenti më i përdorur nga mbrojtësit e projektreformës, që kur nuk janë vetë hartuesit, i gjen rëndom në fondin e pagave të diplomoreve private, është se shteti nuk ka pse të mbajë me hatër universitetet publike duke ua akorduar atyre të gjitha fondet, por duhet t’i shpërndajë ato në bazë “merite” edhe për privatët duke jetësuar kësisoj një “parim të vërtetë barazie”. Ky konceptim i barazisë fqinjëron me privilegjin, çka sjell ndër mend Rendet e Përgjithshme para Revolucionit Francez, ku të privilegjuarit e dy rendeve të para kishin po aq pushtet e të drejta sa shumica dërrmuese e popullsisë së përfaqësuar në Rendin e Tretë. Barazi do të thotë që shteti të ofrojë shërbime të barabarta për të gjithë qytetarët, dhe në rastin e universiteteve publike kjo nënkupton se askush nuk duhet përjashtuar prej tyre përveçse duke respektuar kriteret e barabarta të meritës studimore. Ajo nuk është ndarje e barabartë përkujdesjeje financiare shtetërore për të gjithë ata që u teket të mos shfrytëzojnë institucionet publike si universitetet, as të përpiqen t’i transformojnë ato nga brenda, dhe zgjedhin të hapin biznese të quajtura universitete apo të arsimohen brenda tyre. Përndryshe shtetit do t’i duhej të financonte si studentët që studiojnë jashtë Shqipërisë, ashtu edhe, në fusha të tjera, policitë private apo televizionet private. Në u realizoftë reforma në fjalë, s’është për t’u çuditur që nesër të paguajmë edhe për badigardët e diskove dhe telenovelat e fundit.
Ky artikull është botuar nën licensën CC BY-SA 4.0.