Patriarkalizmi dhunon edhe burrat

/Klodi Leka/

Nga nji djalë, burrë e babë, patriarkalizmi kërkon të jemi të fortë, të ashpër dhe brutalë, t’i qëndrojmë fjalës dhe fytyrës gjer në vdekje, se jeta është e randë dhe nuk çahet tjetërqysh.

Patriarkalizmi i jep tagrin burrit ta sjellë bukën në shtëpi. Si sjellës i bukës, ai duhet të bëhet skllav jashtë dhomës së gjumit, por do të jetë mbret, despot, paçka se rreckaman, në koliben e tij.

Patriarkalizmi na ndalon me e dashtë gruan në sytë e të tjerëve se kjo është dobësi, llaskucëri, të ban pidhmashkull. Burri duhet të rrijë drejt, i zymtë, indiferent ndaj gruas, ndërsa gruaja e ndrydhur dhe e vogël nën hijen e tij.

Patriarkalizmi na i censuron dëshirat dhe drejtimet e jetës. Nji burrë zamani s’ban me qenë tepër elegant, me u vesh fort bukur, me folë gjuhë letrare dhe me u marrë me letërsi ngaqë sentimenti dhe artifica janë cilësi të femnës e, në mos më keq, pederastllëk.

Patriarkalizmi e ndalon djalin dhe burrin ta ndihmojë gruan, të lajë enët, të hekurosë, të shkundë tapetet, të ndihmojë fëmijën në detyrat e shkollës se këto janë detyra të gruas dhe për kësi punësh jemi martue. Apo jo?!

Patriarkalizmi na ndalon me këmby dy llafe, në dy metra distancë dhe më tepër se dy minuta me gruan e kojshisë, me ish-shoqen e klasës, me të fejuarën e nji miku, madje edhe të qeshim me shpirt me kushërirat. Puthjet me gocën e filanit janë të ndaluara: “Mos na shtij në sherr, se bahet kiameti!” Kështu që rrallë mësuam të puthnim dhe të bënim dashuri dhe kur deshtëm a dëshiruam s’ditëm ta manifestonim ndryshe atë që kishim në shpirt përpos dramës dhe bishës.

Paradoksalisht, në vendet tona patriarkalizmi është shok i ngushtë me kapitalizmin. Sistemi që supozohet ta shembë mesjetën, ka lidhë krushqi me të. Nji djalë a burrë është i suksesshëm në varësi të parave që ka, makinave me të cilat lëviz dhe të pidhave që qi e që i ka vendosë në pronësi. Nëse nuk i përmbush këto kritere, e nëse kapital të vetëm ke të qenit njeri i kulturuar a qytetar i mirë, atëherë je rob koti.

Patriarkalizmi nuk është veç dhunë e burrit mbi gruan, por edhe e burrit mbi burrin. S’ban me ia kthy llafin babës, axhës, vëllait më të madh, edhe kur s’kanë të drejtë, edhe kur je dyzet vjeç. Nji djalë, që të martohet, duhet të pyesë babën, mamën, rrethin familjar e madje, në ca raste, fisin dhe mejhanen e lagjes. A thu se do të bëjnë dashni ata, e jo ai me të.

Megjithatë, patriarkati nuk do të ekzistonte me këto përmasa kaq të dhunshme nëse nuk do të jetonim në “cronny capitalism” ku janë shembur të gjitha kolektivet emancipues si shkolla, sindikata e komuniteti, për ta flakur njeriun në strehët obskurantiste si feja, familja, fisi. Në një shoqëri të zhvilluar ekonomikisht, me punë të sigurt, të qëndrueshme dhe pagë dinjitoze, me arsim falas dhe emancipues, me të drejtën për strehë dhe shërbime sociale, si dhe me pjesëmarrje aktive në jetën publike, njerëzit do të bëheshin më të lirë dhe nuk do të përpëliteshin kështu, në egërsi dhe krizë ekzistenciale.

Imazhi: Carlos Latuff

Ky artikull është botuar nën licensën CCA 4.0 (Creative Commons Attribution 4.0 International License).

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.