Më keq se talebanët

/Arlind Qori/

Disa muaj përpara sulmeve të 11 shtatorit 2001, talebanët arritën të fitojnë vëmendjen e publikut botëror duke hedhur në erë statujat gjigande 1500-vjeçare të Budës në një provincë të Afganistanit. Kreu i talebanëve – famëkeqi Mullah Omar – e përligjte shkatërrimin në fjalë me luftën kundër idhujtarisë. Sidoqoftë, shkatërrimi me antitankë, eksplozivë dhe armatime të tjera luftarake tregonte se talebanët ua kishin frikën veprave të mëdha të artit dhe kulturës. Dhe fundja, siç ndodh rëndom mes armiqsh, nën urrejtjen dhe dëshirën për ngadhënjim, ekziston një fije respekti për forcën e tjetrit.

Qeveria dhe Bashkia e Tiranës i janë qepur Teatrit Kombëtar po aq shkatërrimtarisht sa talebanët, por duke u munguar ai minimum respekti për këtë monument kulture që edhe talebanët do ta kishin. Edi Rama dhe Erion Veliaj nuk i konsiderojnë Teatrin Kombëtar, artin, jetën kulturore apo artistët aq të denjë sa për të merituar urrejtje. Atyre thjesht nuk iu interesojnë përderisa nga arti e kultura nuk mund të nxjerrin fitime dhe, për shkak të ndjekshmërisë së ulët publike, nuk preferohen as si instrumente propagande si dikur. Dalin e teprojnë televizionet dhe ahengjet e shesheve.

Ata janë indiferentë. Për ta nuk do të bënte dallim nëse aty do të gjendej një teatër, shkollë, treg fruta-perimesh apo varrezë makinash. E vetmja gjë që iu ngjall interes është se në atë zonë qendrore dhe ende të papushtuar krejtësisht të Tiranës mund të ngrihen disa kulla, nga shitja e mjediseve të brendshme të të cilave ndërtuesi do të fitojë aq apo kaq miliona euro, një përqindje e caktuar e të cilave do t’u kthehet pushtetarëve qendrorë dhe lokalë në trajtë ryshfeti dhe financimi për veprimtarinë e mëtejshme politike.

Që kjo të ndodhë, duhet të rrafshohet e gjithë sipërfaqja, duke u shkatërruar jo vetëm teatri si monument i gjallë kulture, por edhe peizazhi, edhe kështu i shpërfytyruar, i qendrës së qytetit. Me një fjalë: toka, ndërtesat, objektet, pemët, shatërvani, kujtimet, vlerat, arti etj. duhen shndërruar në truall ndërtimi. Jemi përpara një lloji të ri gardhimi, i ndryshëm nga ai i përpara disa shekujve. Sot nuk përzihen fshatarët nga toka për të futur bagëtinë (“delja ha njeriun” – thoshte Thomas More-i tek Utopia), por të gjitha të mësipërmet. Brenda gardhit të kantierit të ndërtimit do të futen betonieret – këta kuaj të motorizuar të zaptuesve – dhe praktikisht kullat do të hanë teatrin. Pastaj në to, pronarët e hoteleve luksoze, qendrave tregtare dhe zyrave të shtrenjta – me kuç e maçin e qehajajve të tyre – do të gëlltitin të ardhmen e vendit.

Sidoqoftë, qeveria nuk operon në një fushë të zbrazët shoqërore. Indiferencës së saj, siç ishte e pritshme, do t’i kundërvihej përkushtimi i qytetarëve dhe artistëve për të cilët Teatri Kombëtar nuk është thjesht një lodër formuese kalamajsh, që e prish dhe e rindërton sipas qejfit. Po ashtu shqetësimi i një opinioni më të gjerë shoqëror i cili, ndonëse nuk ka mundësitë dhe besimin e duhur për të rezistuar aktivisht, është i shqetësuar për fatet e qytetit dhe gjurmëve identitare të tij. Për pasojë, shkatërrimi i teatrit duhej të paraprihej nga një fushatë propagandistike që niste nga pabanueshmëria e tij fizike (që shkoi deri në përfytyrimin e tij si vatër kancerogjene) për të arritur te brengosja pushtetore për jetën kulturore të qytetit.

Fushata propagandistike nuk qe pa ndikim. Në një shoqëri të sfilitur ekonomikisht dhe të tëhuajtur sa më s’ka, ku ndjekja e aktiviteteve kulturore është bërë thuajse privilegj i të ngeshmëve, shkatërrimi i një teatri për të ndërtuar kulla mund të kumtohet në “new speak” si ndërtim i një teatri të ri e modern. Oborrtarë artistikë, gjysmartistikë ose thjesht sharlatanë për të duartrokitur nismat e pushtetarëve gjen sa të duash. Çudi si nuk janë më shumë! Çudi po ashtu që nuk kanë përdorur taktikat e paraardhësve të tyre politikë: ta orkestronin shkatërrimin si fushatë të iniciuar nga poshtë, ku qindra, në mos mijëra vetë, i luteshin qeverisë të ndërtonte një teatër të ri mbi gërmadhat e të vjetrit, me çdo kusht e mjet. Madje të zotoheshin se, nëse qeveria nuk ua plotësonte kërkesën, do t’i merrnin vetë kazmat në dorë.

Kanë ndryshuar kohët. E atëhershmja ishte tragjike dhe, si e tillë, kishte nevojë për të stisur sublimen. E sotmja është qesharake. Mjafton fejsbuku.

Nejse. As vëzhguesi më dashamirës ndaj qeverisë nuk mund të gjejë një gjurmë të interesit të pushtetarëve të sotëm për fuqizimin e jetës kulturore dhe artistike. Kështu që pretendimi se “duam të bëjmë teatër, por s’kemi lekë” është i kotë. Nuk është teatri i ri qëllimi dhe kullat mjeti për ta ndërtuar atë. Fitimi prej kullave është qëllimi dhe ndërtimi i një teatri të ri mjeti propagandistik për ta justifikuar. Sikur Teatri Kombëtar, për kushedi ç’kapriço të historisë, të gjendej në një zonë të palakmueshme për ndërtime, askush nuk do ta vinte ujin në zjarr… as për t’u ngrohur gjatë dimrit.

Nëse qeverisë do t’i digjej xhani për jetën kulturore, do të vendoste të ndërtonte një teatër të ri gjetiu. Për të kuptuar se sa do të kushtonte, do të ngrinte grupe arkitektësh, inxhinierësh dhe ekonomistësh që nuk do t’i hidhnin milionat e eurove si pështymë pijaneci, por do të hartonin alternativat me përgjegjësi publike. Pastaj do të ftonte të gjithë të interesuarit për të diskutuar se ku mund të gjendeshin fondet për një vepër të tillë: A mund të ndryshonin zërat në buxhetin e shtetit; a kishte vend për rritje taksash; nëse po, kë do të preknin; a mund të thitheshin fonde jashtëbuxhetore; a mund të nxitej një fushatë kontributesh nga artdashësit etj.?

Por diçka e tillë nuk ka si të ndodhë. Qeveritarët tanë nuk janë as talebanë. Janë më keq se talebanët. Janë indiferentë.

Imazhi: AFP

Ky artikull është botuar nën licensën CCA 4.0 (Creative Commons Attribution 4.0 International License).

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.