Pasuria apo të ardhurat?

/Michael Roberts/

Pjesa më e madhe e diskutimeve mbi pabarazinë, si midis kombeve ashtu edhe brenda tyre, sillet rreth të ardhurave. Ka shumë të dhëna dhe studime mbi pabarazinë në të ardhura, sidomos mbi shkaqet dhe rritjen e saj që prej viteve 1980…

Çështja e ‘varfërisë’ është e lidhur me debatin rreth pabarazisë në të ardhura është: si ta përkufizojmë dhe ta matim atë dhe nëse varfëria globale dhe brenda ekonomive kombëtare është rritur apo ulur? Një raport i kohëve të fundit i Forumit Ekonomik Botëror ka arritur në përfundimin se pabarazia në të ardhura është rritur ose ka mbetur në vend në 20 nga 29 ekonomitë e përparuara, ndërsa varfëria është rritur në 17 syresh. Sipas Raportit mbi Pabarazitë Botërore 2018, të hartuar nga Laboratori i Pabarazisë Botërore, një qendër kërkimore e Shkollës Ekonomike të Parisit, pabarazia në të ardhura është rritur më shpejt në Amerikën e Veriut, Kinë, Indi e Rusi. Përshtypje të veçantë bën dallimi midis Evropës Perëndimore dhe SHBA: “Ndërsa në vitin 1980 pjesa e të ardhurave e 1-përqindëshit më të pasur në të dy rajonet i afrohej 10%, në vitin 2016 kjo pjesë u rrit pak, në 12%, në Evropën Perëndimore, ndërkohë që rritja e saj ishte e ndjeshme, në 20%, në SHBA. Ndërkohë në SHBA pjesa e të ardhurave të 50-përqindëshit më të varfër të shoqërisë zbriti nga 20% në vitin 1980 në 13% në vitin 2016.”

Po diskutimi dhe analiza e pabarazisë në pasuri (pasuria personale) nuk tërheq shumë vëmendje. Sidoqoftë, dikush që ka një nivel të jashtëzakonshëm pasurie (i përkufizuar si zotërim prone, mjetesh prodhimi dhe asetesh financiare) ka për pasojë edhe një nivel të lartë të ardhurash – dhe, me sa duket, paguan taksa relativisht të ulëta.

Sigurisht që ka studime të shkëlqyera që matin nivelin e pasurisë personale dhe ndryshimet në shpërndarjen e kësaj pasurie me kalimin e kohës. Çdo vit unë postoj një raport mbi raportin e pasurisë globale të hartuar nga Credit Suisse-i, i cili tregon nivelin e pasurisë personale nëpër botë. Rezultati aktual tregon se 1-përqindëshi më i pasur zotëron pothuajse 50% të pasurisë botërore. Oxfam-i boton rregullisht të dhëna mbi faktin se si pak familje zotërojnë pjesë shumë të mëdha pasurie personale brenda vendeve dhe në rrafsh global. Ekonomistë si Thomas Piketty-ja, Emmanuel Saez-i dhe Gabriel Zucman-i kanë kryer studime të vyera vitet e fundit, të cilat tregojnë padrejtësitë e mëdha në zotërimin e mjeteve të prodhimit, tokës, aseteve financiare, madhe edhe patentave dhe produkteve të ‘dijes’.

Këtu gjendet thelbi i problemit. Si në ekonomitë e përparuara, ashtu edhe në ato në zhvillim pasuria është e shpërndarë në mënyrë mjaft më të pabarabartë se të ardhurat. Sipas raportit të Forumit Ekonomik Botëror, “ky problem është përmirësuar fare pak në vitet e fundit, ndërkohë që pabarazia në pasuri është rritur në 49 vende”.

Në vitin 1912 sociologu dhe statisticieni italian Corrado Gini përpunoi një mjet të matjes së shpërndarjes së pasurisë brenda shoqërive, i cili njihet si indeksi Gini apo koeficienti Gini: vlera e tij shkon nga 0 (ose 0%) në 1 (ose 100%), ku e para tregon barazinë e përsosur (pasuria shpërndahet barazisht) dhe e dyta pabarazinë e përsosur (pasuria është në pak duar).

Kur përdorim indeksin Gini si për të ardhurat ashtu edhe për pasurinë brenda një vendi, dallimi është tronditës. Marrim disa shembuj. Indeksi Gini për SHBA është 37.8 për sa i përket shpërndarjes së të ardhurave (goxha i lartë), por ky indeks për shpërndarjen e pasurisë arrin në 85.9! Ose marrim rastin e vendeve skandinave, që hamendësohen si barazimtare. Indeksi Gini për të ardhurat në Norvegji është vetëm 24.9, por për pasurinë arrin në 80.5! E njëjta gjë vlen edhe për vendet e tjera nordike. Vendet nordike mund te kenë pabarazi në të ardhura më të ulëta se mesatarja, por në pasuri pabarazitë janë më të larta se mesatarja.

Në cilat vende pabarazinë në pasurinë personale janë më të larta? Ja dhjetë shoqëritë më të pabarabarta në botë.

Prania e disa vendeve në këtë listë është e pritshme: për shembull vendet tejet të varfra apo të sunduara nga diktatorë ose ushtria. Po mes të dhjetave janë edhe SHBA e Suedia; pra edhe një ekonomi e përparuar ‘neoliberale’, edhe një ekonomi ‘socialdemokrate’: kapitalizmi nuk ia pyet kur vjen puna te pasuria.

Megjithatë, SHBA është në majë të ekonomive të përparuara të G7 në pabarazitë në pasuri dhe të ardhura.

Po a ka lidhje të ngushtë midis pabarazisë në pasuri dhe pabarazisë në të ardhura? Duke përdorur indeksin e FEB-it, arrita në përfundimin se ka një korrelacion pozitiv prej 0.38 midis të dhënave: pra sa më e lartë pabarazia në pasuri në një ekonomi, aq më të mëdha janë gjasat që pabarazia në të ardhura të jetë më e lartë.

Çështja është se cila e shkakton tjetrën. Përgjigjja është e thjeshtë. Pasuria pjell pasurinë dhe pasuria më e madhe pjell të ardhura më të larta. Një elitë tejet e vogël ka në pronësi mjetet e prodhimit dhe financën dhe kësisoj ajo merr pjesën e luanit në pasuri dhe të ardhura.

Studimi i dy ekonomistëve të Bankës së Italisë arriti në përfundimin se familjet më të pasura të Firences së sotme vijnë prej familjeve më të pasura të Firences së përpara 600 viteve. Pra të njëjtat familje janë ende në majë të piramidës që prej kohës së kapitalizmit tregtar të qytet-shteteve italiane, duke kaluar përmes ekspansionit të kapitalizmit industrial deri më sot në botën e kapitalit financiar.

Nëse e hedhim shikimin te pabarazia tronditëse në pasuri e Suedisë ‘barazimtare’, studimet e reja tregojnë se suksesi nuk shpjegohet me faktorë gjenetikë, por nga pasuria e familjes, ose të martuarit me të tillë njerëz. Një njeri nuk është i pasur për shkak se është më i zgjuar apo më i arsimuar, por sepse është ‘fatlum’ dhe/ose e ka trashëguar pasurinë nga prindërit apo të afërmit (si p.sh. Donald Trump-i).

Studiuesit kanë zbuluar se “ka një korrelacion të fortë midis pasurisë së prindërve dhe fëmijëve” dhe “po të krahasohet pasuria neto e prindërve adoptues ose biologjikë dhe ajo e fëmijës së adoptuar, arrijmë në përfundimin se, edhe përpara çfarëdolloj trashëgimie, mjedisi luan një rol substancial, kurse faktorët përpara lindjes luajnë një rol mjaft më të vogël.” Ata dalin në përfundimin se “tejçimi i pasurisë nuk vjen ngaqë fëmijët e familjeve më të pasura janë më të talentuar apo më të aftë, porse, edhe në Suedinë barazimtare, pasuria pjell pasurinë.”

Kësisoj parashikimi 150-vjeçar i Marksit se kapitalizmi do të sillte një përqendrim dhe centralizim më të madh të pasurisë, veçanërisht për sa u përket mjeteve të prodhimit dhe financës, vlen ende. Përkundër optimizmit dhe apologjisë së ekonomistëve zyrtarë, varfëria (në pasuri dhe të ardhura) mbetet realiteti i përditshëm i miliarda njerëzve anekënd botës, pa ndonjë shenjë përmirësimi, ndërkohë që pabarazitë në pasuri dhe të ardhura brenda ekonomive kryesore kapitaliste rriten me akumulimin dhe përqendrimin e kapitalit në grupe gjithnjë e më të ngushta. Studimi i Emmanuel Saez-it dhe Gabriel Zucman-it ka treguar gjithashtu se në SHBA pasuria është përqendruar edhe më shumë në duart e të tejpasurve.

Për më tepër, pabarazia në pasuri është rritur, kryesisht për shkak të përqendrimit dhe centralizimit në rritje të aseteve produktive në sektorin kapitalist. Përqendrimi real i pasurisë shprehet në faktin se kapitali i madh (financa dhe bizneset) kontrollon investimet, punësimin dhe vendimmarrjen financiare botërore. Sipas Institutit Zviceran të Teknologjisë, bërthama mbisunduese prej 147 firmash, në mënyrë të kombinuar, kontrollon 40% të pasurisë në rrjetin global. 737 kompani kontrollojnë 80% të pasurisë. Pabarazia që ka rëndësi për funksionimin e kapitalizmit është pushteti i përqendruar i kapitalit.

Kjo do të thotë se politikat që synojnë uljen e pabarazive në të ardhura përmes taksimit dhe rregullimit, edhe duke rritur pagat e punëtorëve, nuk do të kenë shumë ndikim ndërkohë që vazhdon ky nivel kaq i lartë pabarazish në pasuri. Dhe se pabarazia në pasuri lind nga përqendrimi i mjeteve të prodhimit dhe financës në duart e pak vetëve. Nëse nuk preket struktura e pronësisë, taksimi i pasurisë do të jetë i pamjaftueshëm.

E përktheu Arlind Qori

Marrë nga blogu i autorit

Imazhi: Megan Wilson

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.