/Hunter S. Thompson/
Ka trazira në jetët e korsisë së shpejtësisë. As të pasurit nuk ndihen më të sigurt dhe njerëzit po kërkojnë të zbulojnë arsyet. Të mençurit thonë se s’mund ta kuptojnë dhe budallenjtë thithin kokainë në diskotekat e të pasurve e kërcejnë sipas një ritmi të ethshëm. I cili dëgjohet në mbarë vendin, ose të paktën ndihet. Kërcimi i të pasurve nuk është një zhurmë që mund të injorohet në kohë të trazuara. Zakonisht do të thotë se ata ndihen të shqetësuar ose të hutuar nga diçka. Dhe kur të pasurit ndihen të shqetësuar dhe të hutuar, ata veprojnë si kafshë të egra. Kjo është situata në Palm Beach këto ditë dhe vendasve nuk po u shkon për shtat. Ka rrëmujë në të gjitha frontet. Fitimet janë ulur, koncepti i privacisë personale është në të katër rrugët dhe ka gjasa që presidenti të jetë kaqol. Këto nuk janë lajmet që duan të dëgjojnë të tillë njerëz, madje as t’i çojnë nëpër mend. Obligacionet komunale dhe çeqet e dividentëve janë gjaku në venat e këtij qyteti dhe qarkullimi nuk do të ndërpritet për asnjë arsye. As privacia nuk do të shkelet.
***
Ja dërrasa e kalbur, problemi mizor e pa shërim që pasanikët nuk kanë zgjidhur dot kurrë: Si të jetojnë të qetë me shërbëtorët? Herët ose vonë, shërbyesja do duhet të hyjë në dhomën e gjumit dhe, nëse e paguan vetëm $150 në javë, ajo do të hyjë e uritur ose, të paktën, kureshtare. Kanë kaluar shumë vite nga koha kur ishte e ligjshme t’u prisje gjuhët që të mos flisnin.
Problemi me shërbëtorët është thembra e Akilit për të pasurit. E vetmja zgjidhje janë robotët, por jemi ende një brez larg tyre; ndërkohë që është thuajse e pamundur të punësosh një shërbyese që është aq e zgjuar sa të rregullojë krevatin, por aq budallaqe sa të mos e vrasë mendjen pse mbushet salloni me rob lakuriq çdo mëngjes. Kopshtari nuk do të jetë i qetë kur të shohë shkallët prej litari që varen nga dritaret e dhomës së gjumit të pronarit sa herë kosit barin mbasdreke dhe çdo shofer me aq tru sa të kryejë turnin me një Rolls do ta kuptojë gjithashtu se çfarë po ndodh kur e zgjon në mes të natës dhe e dërgon përtej urës në një fermë dhish në Loxahatchee për një çift meshkujsh të rritur dhe një kile stimulant për kafshët.
Lakuriqësia është mënyrë jetese në Palm Beach dhe dallimi mes një pikniku dhe një orgjie nuk kuptohet kollaj. Nëse një grua që vlen 40’000’000 dollarë do të notojë lakuriq në pishinë me cjapin e saj në katër të mëngjesit, nuk ka pse t’i hyjë në punë askujt tjetër veç asaj. Në Florida ka ligje kundër marrëdhënies seksuale me bishat, por jo të gjithë mendojnë se është gabim.
“Shoqja ime pallohet me qenë nëpër parti.” – tha një bionde truphollë në të njëzetat që shet kashmir dhe xhingla prej floriri në një butik plot stil në Worth Avenue. “E çfarë pastaj?! Kujt i bën keq?!”
Mblodha supet dhe vazhdova të trazoja produktet në raftin e këmishave. Koncepti i krimit pa viktima kuptohet fare mirë në Palm Beach dhe vështirë se mund ta kundërshtosh këtë logjikë. Pa dëm nuk ka krim. Nëse një gocë e lezetshme mund të flejë deri vonë në mëngjes, të hajë drekë në Everglades Club dhe të fitojë 50’000 dollarë në vit të pataksuara duke u palluar me qenë fundjavave nëpër dhomat e gjumit të pasanikëve, pse duhet të ketë frikë nga policia?! Cili është ndryshimi mes shtazërisë dhe sodomisë së zakonshme? A është mirë të pallosh derra në Holiday Inn apo gomarë në një penthouse në Tarpon Island?! Dhe ç’të keqe ka me incestin, meqë ra fjala?! Ka marrë dyqind vjet mbarështimi të kujdesshëm për të prodhuar një linjë bijash të bukura dhe vetëm një i marrë do t’ua linte në dorë të huajve. Ushqeji me kokainë dhe mesoju të duan motrat – ose edhe vëllezërit dhe baballarët, nëse kjo është e nevojshme për të mbajtur shëmtinë jashtë familjes!
Hidhi sytë nga shërbëtorët! Janë të mbushur me lytha dhe me kyçe të trashur. Fëmijët e tyre janë tepër të trashë për të mësuar dhe tepër të ligj për të jetuar. Vazhdimësia e familjes së tyre nuk ka logjikë. Mbarështim do të thotë shumë më tepër sesa t’u mësosh fëmijëve si të sillen në tryezën e ngrënies dhe të qenit pasanik, shumë më tepër sesa të shpenzosh para dhe të veshësh këmisha krokodili. Dallimi thelbësor mes Pasanikëve dhe të Tjerëve nuk është thjesht se “ata kanë më shumë para” – siç thoshte Heminguej, por se paraja nuk përbën një motiv kryesor në jetët e tyre, siç ndodh me njerëzit që punojnë për të jetuar. Ata që janë pasanikë prej vërteti kanë lindur të lirë, si delfinët; nuk do të ndihen kurrë të uritur dhe bijtë e tyre do të shkojnë në shkolla private. Nëse kushërinjtë e tyre janë drogaxhinj apo lezbike, e çfarë pastaj?! Mbarështimi i njerëzve është ende një art i papërsosur, me gjithë përparësitë që ka.
Ku janë arianët e mbarështuar me kaq përpikmëri nga Hitleri në ditët e hershme të Rajhut të Tretë? Ku janë fëmijët më të mirë e më të zgjuar të Bel Air-it dhe Palm Beach-it?
Këto janë pyetje të sikletshme në disa qarqe dhe përgjigjet mund të jenë shqetësuese. Përse lulet më të bukura të Ëndrrës Amerikane përfundojnë kaq shpesh nëpër qendra rehabilitimi, salla gjyqesh për divorce dhe në korridoret e errët të të gjallëve të paudhë? Çfarë i bën njerëzit e lindur të lirë dhe pasanikë kaq të marrë?
***
Vajzat këlthasin me të madhe dhe e lagin njëra-tjetrën me shampanjë, ndërsa në radio luhet “Balada e Claus von Bulow-it”, kënga që shkrova para një viti me Jimmy Buffett-in dhe James Brown-in e që më bën nëntë qindarka më të pasur sa herë që luhet në radio, në Palm Beach a kudoqoftë.
Kur fillon t’i mbledhësh janë shumë para. Vetëm në Palm Beach fitoj 99 qindarka në ditë dhe dhjetë herë më shumë në Miami. Thela që marr nga New York-u dhe Los Angeles-i është kaq e madhe saqë llogaritari im as që i diskuton shifrat me mua, ndërsa menaxherit tim i vjen rëndë nga pasuria ime.
Por mua jo, Jack-ut. Mua aspak. Më pëlqen të jem i pasur dhe i çmendur në Palm Beach në një mëngjes të diele ngjyrë rozë, në një Chrysler kabrio teksa jam nisur për në një orgji me një arkë shampanje franceze dhe dy kukulla lezbike të mbuluara në ar që ekspozojnë veten në trafik, ndërsa kënga ime buçet nga radioja dhe gjethet e palmave valëviten nga era mëngjesore dhe policët më thërrasin “doktor” e më pyesin si jam me shëndet kur i flasim sho-shoqit nëpër semaforët e bulevardit…
Policia nuk është problem në Palm Beach. I kemi në dorë dhe ata e dinë mirë. Ata punojnë për ne, si çdo shërbëtor tjetër, dhe shumica syresh duket se e dinë këtë gjë. Kur na mbaron karburanti në këtë qytet, marrim në telefon policinë dhe na e sjellin sepse është e mërzitshme të të mbarojë karburanti.
Pasanikët kanë probleme të veçanta dhe të të mbarojë karburanti në Ocean Boulevard, tek je nisur për një orgji në orën gjashtë të një mëngjesi të diele, është njëri prej tyre. Askush s’do që t’i ndodhë diçka e tillë. Jo kur je me gra të zhveshura dhe me çanta plot me kokainë në makinë. Ne pasanikët e adhurojmë muzikën dhe nuk duam që të na ndërpritet.
Një oficer policie u arrestua rishtaz në Miami pasi u përpoq të pallonte një grua të dehur në autostradë, në këmbim të fshirjes së të gjitha akuzave. Por diçka e tillë s’do të ndodhte kurrë në Palm Beach. Gra të dehura vërdallisen të lira në këtë qytet dhe shkaktojnë plot telashe – por një gjë për të cilën s’duhet të shqetësohen, falë Zotit, është rreziku se mund të ndalohen dhe të kontrollohen nga pabuksa të armatosur me uniformë. Nuk i paguajmë shumë këta rob, por i paguajmë çdo javë dhe, nëse me raste e harrojnë se kush ua paguan përnjëmend rrogat, ka mënyra se si t’ua kujtojmë.
I gjithë bregu perëndimor i Florida-s është i mbushur me laca që janë pushuar nga punë me përgjegjësi në Palm Beach vetëm sepse nuk arritën të kuptonin natyrën e Kontratës Sociale.
E përktheu Redi Muçi
Imazhi: Persiakids
Ky artikull është botuar nën licensën CCA 4.0 (Creative Commons Attribution 4.0 International License).