/Stefano Petrucciani/
Çdo arsyetim mbi shëndetin e demokracisë sot duhet të nisë nga një e dhënë e pamohueshme: shkalla e besueshmërisë ose besimi që qytetarët kanë në institucionet tradicionale të demokracisë përfaqësuese bie gjithnjë e më shumë nga viti në vit. Në pesëmbëdhjetë vitet e fundit kësaj çështjeje i janë kushtuar shumë studime politologjike dhe empirike, dhe mund të thuhet që ajo tashmë ka shpërthyer me tërë forcën dhe dramatizmin e saj. Mosbesimi, pakënaqësia dhe parehatia janë vënë në dukje nga politologët më të vëmendshëm ( Rosanvallon-i, Mastropaolo-ja, Galli), megjithëse një fenomen i tillë tashmë rezulton të jetë tërësisht i dukshëm dhe i qartë. Duhet saktësuar se këtu nuk bëhet fjalë vetëm për rastin e Italisë: ndonëse kriza në Itali është më e thellë se gjetiu, ajo prej shumë kohësh është objekt studimi i një spektri të gjerë që hulumton mbi çështjet ndërkombëtare.
E rëndësishme është të orvatemi të kuptojmë motivet e kësaj krize më shumë sesa të konstatojmë: nëse njerëzit kanë gjithnjë e më pak interes për partitë dhe zgjedhjet, nëse kanë gjithnjë e më pak besim te përfaqësuesit e tyre, atëherë duhet të ketë disa arsye, të cilat në këtë mënyrë duhet përpiqemi t’i kuptojmë. Unë besoj se kriza e besimit është mjaft e motivuar: ajo i përgjigjet gjendjes kritike efektive të demokracisë bashkëkohore, së paku në Itali dhe Evropë. Në këndvështrimin tim bëhet fjalë të kuptojmë se cilat ndryshime apo procese evolutive gjenden në origjinë të padurimit dhe kundërshtisë që shfaqin qytetarët ndaj institucioneve apo praktikave të demokracisë përfaqësuese.
Regresi oligarkik
Në këndvështrimin tim, nëse duam të deshifrojmë dhe të rendisim dimensionet e shumta kaotike të ndryshimeve politike bashkëkohore përgjatë aksit të kuptueshmërisë, aspekti i parë që duhet nënvizuar (dhe që përbën sigurisht një prej dimensioneve më të thella të pakënaqësisë) është ai që mund ta përkufizojmë si procesi i regresit oligarkik të demokracisë: me këtë kuptoj (pasi është e nevojshme që mbi këtë pikë të jemi të qartë dhe të mos përgjithësojmë) procesin sipas të cilit kemi një zhvendosje lart të qendrave të rëndësishme vendimmarrëse, ku vendimet politike nuk merren më në hapësira të gjera dhe ku ka pjesëmarrje, por në hapësira më pak të aksesueshme dhe të rezervuara për një grup të ngushtë oligarkësh. Ky proces i mirëfilltë zhdemokratizimi i shoqërive tona përbën, sipas gjykimit tim, një interpretim që përfshin shumë aspekte, pasi dinamikat e tij hasen në shumë sfera dhe nyjëtime të jetës politiko-shoqërore.
Po të vërejmë ndryshimet e sistemit politik, duke pasur parasysh kryesisht Italinë, bie menjëherë në sy se sa të kudogjendshme janë tendencat që shkojnë në këtë drejtim. Thënë në mënyrë skematike, këto janë aspektet kryesore:
Zbrazja e rolit të Parlamentit në favor të pushtetit ekzekutiv (tendencë e nisur prej kohësh, por që është theksuar shumë së fundmi), e çiftuar me centralizimin e pushtetit qeverisës (i shoqëruar me përhapjen e ideologjive presidencialiste) në duart e liderit dhe interesave të tij personale.
Zgjidhja dhe mosmbajtja e përgjegjësisë së të zgjedhurve ndaj zgjedhësve, që në Itali arrin deri aty sa të kemi kandidatë të paravendosur nga lart, çka prodhon një “kastë” të veçantë përfaqësuesish politikë, ku, siç na mëson vizioni realist i politikës, interesat e përbashkëta të kastës dhe ato individuale të pushtetit do të priren gjithnjë të mbizotërojnë mbi zotimin për të përfaqësuar vullnetin e zgjedhësve.
Zbrazja e diskutimit brenda partive dhe karakterizimi i tyre gjithnjë e më shumë si parti e liderit (e mbështetur edhe nga mediatizimi i politikës, temë tek e cila do të rikthehemi).
Në thelb tendenca duket sikur është ajo e shpronësimit të qytetarëve në krahasim me të zgjedhurit, i bazës në krahasim me liderin, i parlamentarëve në krahasim me ekzekutivin, i ekzekutivit në krahasim me kryeministrin. Institucionet ku vendimmarrja është më e gjerë boshatisen progresivisht në favor të vendimmarrjes gjithnjë e më vertikale. Duke vijuar në të njëjtën linjë, por ky mbase në instancë të fundit është procesi më i rëndësishëm, është heqja e sferave të gjera të vendimmarrjes ekzekutivit në favor të organizmave mbikombëtarë të karakterizuar nga një natyrë e theksuar “teknike” apo të vetëquajtur të tillë. Nuk dua të vazhdoj më gjatë me këtë aspekt specifik, të cilit do t’i kthehem më poshtë. Mjafton të vëmë në dukje se, në vija të përgjithshme, kjo zhvendosje drejt pushtetit tjetër vendimmarrës i dobëson gjithnjë e më shumë zinxhirët e përgjegjësisë së të zgjedhurve ndaj qytetarëve, si dhe dobëson mundësinë e ushtrimit të ndonjë kushtëzimi real mbi vendimet politike: nëse një parlamentar nuk është zgjedhur nga unë, i cili sidoqoftë nuk ka asnjë hapësirë për të ndërhyrë në ndryshimin e vendimeve qeveritare, atëherë me kë duhet të merrem? Duket pra sikur me transformimet që po ndodhin kemi arritur qëllimin e një procesi i të gjatë të reduktimit të përfaqësueshmërisë demokratike, fillesat e të cilit mund të gjenden në raportin mbi “Crisis of Democracy” të vitit 1975 të redaktuar nga Crozier-i, Huntington-i dhe Watanuki për Komisionin Trepalësh. Ngarkesës së tepërt me kërkesa nga qytetarët, që sipas këtyre autorëve rëndonte jetën e demokracisë, i është përgjigjur, me anë të një procesi që zgjat prej dekadash, pikërisht me mënyrën e dëshiruar prej tyre: vertikalizim i vendimeve, forcim i ekzekutivëve, vendosje e asaj që redaktorët e raportit e përkufizojnë si “raport më i barabartë mes autoritetit shtetëror dhe kontrollit popullor”, përqendrim i pushteteve vendimmarrëse në duart e një elite të ngushtë. […].
Megjithatë ekziston një faktor tjetër i rëndësishëm mbi të cilin sipas meje është e nevojshme të ndalemi nëse duam të kuptojmë krizën e besimit që prek shumë demokraci bashkëkohore: problem është që nuk ka më përputhje ndërmjet forcave politike që luftojnë demokratikisht sipas ndarjes e djathtë/e majtë dhe klasave e grupeve shoqërore. Kjo përputhjeje ka qenë një prej nyjeve themelore nëpërmes së cilës kalonte përfaqësimi i interesave, mbi të gjitha i grupeve të nënrenditura për të cilët e majta ka qenë gjithnjë bashkëbiseduesi “i natyrshëm”. Dhe fakti që kjo lidhje tashmë po zbehet gjithnjë e më shumë i lë pa përfaqësim politik disa sektorë të shoqërisë ku e majta ka korrur më parë konsensusin e saj (nga punëtorët e industrisë te banorët e periferisë urbane).
I njëjti problem mund të vërehet edhe nga një perspektivë tjetër. Në gjykimin tim, kriza e demokracisë dhe kriza e të majtës politike nuk mund të veçohen nga njëra-tjetra. Dhe arsyeja është shumë e thjeshtë: e majta nuk është vetëm një element politik i lojës demokratike të cilit i kundërvihet simetrikisht një tjetër, domethënë e djathta. E majta është elementi politik që beson në rolin vendimtar dhe pozitiv të politikës; ndërsa e djathta liberale apo konservatore e sheh politikën si e keqe e domosdoshme që duhet zvogëluar në minimumin e mundshëm. Gjeja më e mirë për të djathtën do të ishte nëse shoqëria do të mund të organizohej pa politikën; nëse ajo është e nevojshme, të paktën të zvogëlohet sa më shumë roli i saj. Kriza e politikës demokratike dhe kriza e të majtës shkojnë së bashku; dhe kjo e fundit konsiston në faktin që e majta nuk ka qenë më në gjendje të luajë rolin e saj historik, që do të thotë të përfaqësojë protestën dhe pakënaqësinë e shtresave të nënrenditura të shoqërisë, duke e bashkëlidhur atë me sektorët më të hapur dhe në ngritje të elitës intelektuale e më tej.
Papërshtatshmëria e politikës së brendshme
Ky proces nuk mund të kuptohet pa tjetrën prirje të madhe, e cila ka shënjuar dekadat e fundit, pra papërshtatshmërinë gjithnjë e më të madhe të hapësirës demokratike kombëtare për t’u bërë ballë problemeve që i kapërcejnë në shumë drejtime aftësitë ndikuese të shteteve të veçanta. Mbi këtë pikë është e mjaftueshme të ndalojmë shkurtimisht meqenëse në dekadat e fundit çështja e pasojave politike të globalizmit ekonomik ka qenë në fokus të debateve të panumërta. Për ta sintetizuar mund të themi, duke risjellë gjykimet e kthjellta të David Held-it, një prej autorëve të parë që është marrë posaçërisht me këto tema, që bashkësitë politike nuk janë më (nëse kanë qenë ndonjëherë) “botë të mjaftueshme”; përkundrazi ato përshkohen nga një sasi e madhe dinamikash të cilat i kapërcejnë kufijtë e tyre dhe që, për pasojë, kanë prirjen të margjinalizojnë ose të shfuqizojnë aftësitë kontrolluese të pushteteve demokratike “të brendshme”.
Qeverisjen e dinamikave globale e kanë marrë përsipër, si përpara krizës dhe akoma më shumë pas saj, instanca dhe agjenci mbikombëtare, të cilat u diktojnë shteteve rregullat e sjelljes “së virtytshme”, nga ndjekja e të cilave varet financimi i borxhit të tyre publik nga ana e atyre që kontrollojnë flukset financiare globale. Mbi shumë tema kyçe dialektika demokratike duket pra e “pezulluar”, pasi palët e ndryshme të majta e të djathta qofshin kanë vetëm mundësinë të aplikojnë me ndryshime të vogla recetat që u vijnë nga lart. Dhe kjo natyrisht është një nga arsyet e mëdha të mosbesimit ose çinteresit që qytetarët ushqejnë ndaj politikës. Mirëpo demokracitë kombëtare, edhe aty ku nuk e kanë humbur qartas autoritetin, përballen me probleme që i tejkalojnë aftësitë e tyre kontrolluese dhe menaxhuese: nga lëvizjet migruese te komunikimi global, nga problemet e furnizimit me energji te lëvizjet e kapitalit në kohë reale, sa për të dhënë disa shembuj. Përpos këtyre, ajo që mbase është edhe më e rëndë, proceset e mëdha që mund të kërcënojnë vetë mbijetesën e llojit tonë nuk mund të përballohen me anë të një politike “të brendshme”: nga impakti i veprimtarisë njerëzore mbi ambientin dhe mbi klimën te pasojat e paparashikuara dhe potencialisht shkatërrimtare që mund të shpërthejnë nga zhvillimet shkencoro-teknologjik, të cilat për nga vetë natyra janë globale dhe nuk mund t’i përkasin një hapësire kombëtare.
Sigurisht këto transformime, të lidhura ngushtë me proceset e oligarkizimit për të cilat folëm më lart, nuk mund të interpretohen sipas një çelësi shpjegues të njëkuptimtë: nga një anë ato janë rezultat i një rritjeje të paqëllimtë të ndërlidhjes dhe mobilitetit që priret ta kthejë tokën në një ambient të mbushur plot e përplot me lidhje që i tejkalojnë kufijtë e shteteve kombëtare dhe që u shmangen sundimit të tyre; nga ana tjetër ato janë edhe rezultat i veprimit të vetëdijshëm të aktorëve politikë dhe shoqërorë që, nëpërmjet këtyre proceseve, riformulojnë pushtetin e tyre dhe e zhvendosin atë në hapësira më pak të sulmueshme nga rezistenca popullore. […]
Ndërthurja e këtyre proceseve e ka çuar politikën demokratike në një cul de sac (rrugë qorre). Ajo në fakt rrezikon që të shtypet nga dy alternativa plotësuese të njëra-tjetrës. Nga njëra anë përgjigjja ndaj një të majte pa popull, e kësisoj një populli pa përfaqësim, ka qenë rilindja e një fantazme të vjetër të populizmit, i cili duhet përkufizuar siç duhet – sikundër e dinte Gino Germani, një prej studiuesve më të shquar të tij – si aftësi për të përpunuar një përgjigje politike në gjendje që të tejkalojë dialektikën demokratike e djathtë/e majtë. Bëhet fjalë për një alternativë që mund të marrë një larmi të madhe formash: partia e të ndershmëve kundër të korruptuarve, e qytetarëve të zakonshëm kundër politikanëve, e atyre që punojnë dhe prodhojnë kundër parazitëve, e rëndësishme është që të gjendet një pikë dallimi që të jetë në gjendje të ngjizë pakënaqësinë, urrejtjen dhe mllefin e shtresave të gjera të popullit. Shumë e rëndësishme është të kuptohet që stigmatizimi i populizmit nuk mjafton; përkundrazi, ai është një operacion vetëshfajësues dhe në instancë të fundit i dëmshëm: duhet kuptuar që mllefi të cilit populizmi i jep zë nuk është gjë tjetër veçse produkti i paaftësisë për të përfaqësuar dhe për t’i dhënë përgjigje parehatisë shoqërore që, lënë në mëshirë të fatit nga forcat politike “racionale”, gjen strehë vetëm te profetët e mllefit.
Populistëve që kërkojnë me çdo kusht konsensusin (dhe që hipotezojnë pseudozgjidhje si dëbimi i imigrantëve, dalja nga euroja apo mospagimi i borxhit publik) u bën konkurrencë alternativa e kundërt dhe e ngjashme e teknokracisë: edhe kjo e tejkalon dialektikën demokratike mes të djathtës dhe të majtës, dhe këtë e bën nën sloganin “Nuk ka alternativë!”, pra duke i mistifikuar si zgjidhje teknike të pashmangshme ato që janë linja politike të mirëfillta (dhe të vendosura nga jashtë kufijve shtetërorë).
Kështu zhduken si legjitimiteti i inputit, ashtu edhe legjitimiteti i autputit (sa për të risjellë një dikotomi të suksesshme) të demokracisë: shumë vendime politike nuk janë të legjitimuara as ex ante nga vota popullore, as të legjitimuara ex post nga rezultatet e mira që prodhojnë (në kohë krize, legjitimiteti i dytë nuk është në fakt lehtësisht i arritshëm). […]
Nëse kjo panoramë, jo pozitive, është mjaftueshëm e vërtetë, përfundimi që duhet nxjerrë sipas meje është mjaft i thjeshtë: është e pashmangshme të ngremë pyetjen se mbi ç’strategji, cilat rregullime mund të rezultojnë të dobishme për të zgjidhur, ose të paktën për t’i bërë më të menaxhueshëm, problemet e ngritura këtu. Le të provojmë pra të rendisim, ndonëse në mënyrë krejtësisht skematike, një sërë pikash rreth të cilave duhet të arsyetojmë duke pasur parasysh perspektivën e asaj që mund ta quajmë dinamikë të demokratizimit të demokracisë ose konstucionalizëm të ri demokratik. […]
Demokraci dhe ekonomi
Një prej nyjëzimeve më të ndërlikuara për t’u zgjidhur mbetet sigurisht ai që ka të bëjë me ndërthurjen mes politikës demokratike, pushtetit ekonomik dhe (i lidhur me këtë) pushtetit mediatik. Nga një këndvështrim normativ dhe parimor mund të thuhet, duke rimarrë një ide të Michael Walzer-it, se objektivi për t’u ndjekur duhet të jetë pakonvertueshmëria e burimeve që disponojnë aktorët në sfera të ndryshme shoqërore. Në thelb, duhet t’i vihen caqe konvertueshmërisë së pushtetit ekonomik dhe atij mediatik në pushtet politik. Mund të bëhen shumë gjëra në këtë drejtim. Para së gjithash, duhet të studiohet dhe ndërtohet, siç propozon Luigi Ferrajoli, një sistem i fortë që përcakton papërputhshmërinë dhe parandalimin e konfliktit të interesit, që të shmangë situata si ato që kanë ndodhur në Itali (e në masë më të vogël në vendet e tjera), ku janë përqendruar në duart e një personi të vetëm roli i liderit politik, ai i sipërmarrësit të madh dhe ai i pronarit të një perandorie mediatike. Papërputhshmëria dhe pazgjedhshmëria që parashikohen nga shumë legjislacione duhet të rishikohen dhe rimendohen sistematikisht, e mbi të gjitha, siç nënvizon Ferrajoli, duhet të përcaktohet që këto papërputhshmëri të kontrollohen nga një pushtet i paanshëm i natyrës gjyqësore dhe jo, siç ndodh në Itali, nga organizma të brendshëm të institucioneve përfaqësuese.
Një tjetër nyjëzim i rëndësishëm është ai që ka të bëjë me financimin e politikës: do të duhej të racionalizoheshin në mënyrë precize financimet që institucionet private dhe sipërmarrjet u bëjnë partive dhe fushatave zgjedhore (duke nxitur mbështetjen e qytetarëve dhe kufizuar financimet e të pushtetshëmve të mëdhenj). Do të duhej të parashikoheshin, siç ndodh në sistemin britanik, kufizime ndaj shumave që mund të shpenzojë çdo forcë politike jo vetëm në një fushatë elektorale në tërësi, por edhe në një zonë zgjedhore.
Me një rregullim të mirë dhe rigoroz ligjor është e mundur që lidhjet dhe ndërthurjet pak a shumë të errëta mes pushtetit ekonomik dhe pushtetit politik të margjinalizohen, por sidoqoftë në një masë të kufizuar.
Normat dhe rregullat kanë padyshim një vlerë të pazëvendësueshme dhe duhet të ripërpunohen gjithmonë në mënyrë inteligjente dhe me fantazi institucionale, por sigurisht ato nuk mjaftojnë që të sigurojnë paanshmërinë e procedurave demokratike kur këto të fundit ndodhin brenda një tërësie shoqërore të karakterizuar fort nga asimetri pushtetore dhe nga pabarazi në pasuri dhe kulturë.
Institucionet e demokracisë i referohen, si parim legjitimues, parimit të barazisë politike, që në kushtetutat moderne formulohet si parim i sovranitetit popullor. Thënë me fjalët ë Iris Marion Young-ut, “si ideal normativ, demokraci do të thotë barazi politike”. Por ky referim i pashmangshëm sjell pasoja komplekse; nga njëra anë ai vepron si faktor i fuqishëm legjitimimi i procedurave vendimmarrëse që veprojnë në demokracitë pluraliste: vendimet janë të ligjshme për sa kohë janë marrë nga të gjithë qytetarët që janë barazisht titullarë të sovranitetit politik.
Nga ana tjetër ai mbart një tension të fortë: nga njëra anë në fakt vendimet vlejnë sikur të ishin marrë nga të gjithë si të barabartë mes tyre; por nga ana tjetër është e qartë se, në të gjitha demokracitë ekzistuese, ato që Dahl-i i quan “burime politike”, domethënë instrumentet e vlefshme për të influencuar procesin demokratik (për shembull paratë, informacioni, kultura, koha, inteligjenca, marrëdhëniet shoqërore), janë të shpërndara në mënyrë shumë të pabarabartë. Pra pabarazia politike, e kuptuar si mundësi e barabartë për të influencuar vendimet politike, rezulton të jetë një objektiv jashtëzakonisht i vështirë, për të mos thënë i pamundur, për t’u arritur dhe vështirësisht i pajtueshëm me ekzistencën e aseteve ekonomike të bazuara në kapitalizmin e tregut. Përsëri Dahl-i pohon se “duke prodhuar pabarazi të mëdha burimesh, kapitalizmi i tregut favorizon në mënyrë fatale edhe pabarazitë politike mes qytetarëve të një vendi demokratik”, megjithëse ai në të njëjtën kohë pohon se “në një vend demokratik modern nuk ka një alternativë reale ndaj ekonomisë së tregut kapitalist”. Të njëjtat çështje janë trajtuar edhe nga David Held-i, i cili thekson se si shoqëritë tona janë të përshkuara nga “përqendrimet e pushtetit të cilat prodhojnë pabarazi mundësish jetësore që, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, gërryejnë mundësitë e autonomisë demokratike”. […].
Mund të thuhet pra që, në njëfarë mënyre, demokracia politike pluraliste moderne jeton në një paradoks: nga njëra anë ajo i referohet idealit të barazisë së sovranitetit mes qytetarëve, nga ana tjetër ajo ndërthuret në mënyra të shumta me sisteme shoqërore dhe ekonomike që e minojnë fuqimisht këtë barazi.
E përktheu Alfred Bushi
Marrë nga libri i autorit “Democrazia”
Imazhi: Lain Singh Bangdel – Lufta për demokraci”