Trashëgimia revolucionare e Rosa Luxemburg-ut

/Lea Ypi/

– intervistuar nga Daniel Finn-i

Rosa Luxemburg-u është një ikonë e lëvizjes socialiste, e cila humbi jetën si martire më 1919. Por njëkohësisht ajo ishte një mendimtare politike e shkëlqyer dhe origjinale, idetë e së cilës mbi kapitalizmin dhe qëndresën ndaj tij janë tejet aktuale në botën e sotme.

Ka kaluar tashmë një shekull e gjysmë që prej lindjes së Rosa Luxemburg-ut – 150-vjetori i lindjes u përkujtua më 5 mars të këtij viti. Revolucionarja e madhe e lindur në Poloni ka qenë një pikë orientimi dhe një figurë frymëzuese për breza të tërë socialistësh. Por dikush mund të pyesë veten nëse idetë e saj kryesore politike, të zhvilluara që në vitet e para të shek. XX, i kanë rezistuar kohës.

Përgjigjja e Lea Ypit ndaj kësaj pyetjeje është një “po” e vendosur. Lea është profesoreshë e teorisë politike në London School of Economics. Libri i saj Free: Coming of Age at the End of History, mbi eksperiencën e të rriturit në Shqipërinë komuniste, do të botohet në vjeshtë bashkë me studimin e saj mbi Immanuel Kant-in.

Ky është një transkript i podcast-it të Jacobin Long Reads, të cilin mund ta ndiqni këtu.

***

Daniel Finn: Si do ta përkufizonit kontributin e Rosa Luxemburg-ut në marksizëm dhe në teorinë politike?

Lea Ypi: Një prej kolegëve të saj e ka përshkruar Rosa Luxemburg-un si intelekti më brilant nga të gjithë trashëgimtarët shkencorë të Karl Marksit dhe Fridrih Engelsit. Ajo padyshim që ishte një ndër mendimtaret më origjinale dhe me ndikimin më të madh në historinë e marksizmit, si dhe një prej figurave kryesore të lëvizjes socialiste të shek. XX. Çka e dallon atë është kombinimi i seriozitetit shkencor me integritetin politik, si dhe aftësia, e rrallë mes marksistësh, për të ndërthurur qasjet teorike me një vizion politik. Ajo ishte e përkushtuar ndaj dijes dhe së vërtetës, por njëkohësisht edhe ndaj aktivizmit militant dhe kauzës punëtore.

Shkrimet e saj janë ndër më origjinalet në shumë sfera të mendimit marksist, që nga debatet mbi çështjet ekonomike dhe akumulimin e kapitalit, deri te kritika e globalizmit në raport me kolonializmin dhe imperializmin. Disa nga teoritë në të cilat ajo është thelluar kanë të bëjnë me vetëvendosjen kombëtare, marrëdhënien midis demokracisë dhe revolucionit, sfidat e parlamentarizmit dhe reformës parlamentare, grevat dhe sindikatat, partitë politike e plot të tjera.

Luxemburg-u ishte një marksiste interesante dhe origjinale, fati i së cilës ka ndjekur, në njëfarë mënyre, fatet intelektuale dhe politike të socializmit të shek. XX. Ajo u konsiderua si një prej heroinave të lëvizjes së klasës punëtore në Republikën Demokratike Gjermane dhe në mbarë Evropën Lindore gjatë periudhës komuniste, por u mënjanua dhe u harrua në vitet “e errëta” ’90, kur njerëzit kujtuan se historia kishte arritur fundin.

Në atë periudhë nuk kishte interes në diskutime serioze mbi socializmin apo mbi çështjen e transformimeve revolucionare. Në të shkuarën ajo është përvetësuar dhe përçudnuar si nga marksistët perëndimorë në përpjekjen për të rrëmuar rrugë alternative ndaj socializmit shtetëror, ashtu edhe nga vendet socialiste që i tërhiqte teoria e saj mbi krizat kapitaliste dhe kritika e saj  socialdemokracisë.

Kohët e fundit idetë e Luxemburg-ut janë rizbuluar dhe kanë spikatur sërish. Në kontekstin që pasoi krizën financiare dhe atë të koronavirusit, si dhe duke parë rënien e vazhdueshme elektorale të partive tradicionale socialdemokrate, vepra e saj ka pësuar një ringjallje të rëndësishme si një burim i kritikës së ekonomisë politike globale. Gjithashtu ka tërhequr interesin si një prej përpjekjeve marksiste më të rëndësishme për të analizuar marrëdhënien mes demokracisë dhe revolucionit, si dhe çështjen e emancipimi socialist përtej kufijve kombëtarë dhe demokracisë brenda një vendi.

DF: Roli më i rëndësishëm i Luxemburg-ut si aktiviste politike erdhi në kuadër të lëvizjes socialiste gjermane në vitet para 1914 e në vazhdim. Por ajo lindi në një kontekst shumë të ndryshëm – në atë të territoreve polake nën sundimin e perandorisë cariste. Sa e rëndësishme mendon se ishte kjo për zhvillimin e saj politik të mëvonshëm? A e ka veçuar atë nga figurat kryesore të lëvizjes socialdemokrate në Gjermani?

LY: Sigurisht që e ka veçuar. Luxemburg-u vinte nga një kontekst shumë i ndryshëm. Ajo lindi, siç thoni edhe ju, në Poloninë e pushtuar nga Rusia, në një familje hebrenjsh. Iu bashkua një shkolle të mesme për vajza në Varshavë, një prej shkollave kryesore elitare, ku u radikalizua dhe politizua. Në këtë shkollë, ku mbizotëronin fëmijët e zyrtarëve rusë, përdorimi i gjuhës polake ishte jashtëzakonisht i kufizuar. Vendet për fëmijë nga familje hebreje ishin edhe më të kufizuara.

Pjekja e saj politike duhet parë në kuadrin e zhvillimit të aktivitetit të saj rinor. Hapat e para në aktivizëm u hodhën në lëvizjen punëtore polake, kur ajo iu bashkua grupimeve ilegale revolucionare që po agjitonin si kundër shtypjes kapitaliste, ashtu edhe kundër despotizmit të pushtetit rus. Kjo situatë ishte thelbësore në kohën kur Luxemburg-u përfundoi arsimin e mesëm. Sjellja e saj kundrejt autoriteteve përmendej në disa raporte zyrtare të shkollës.

Kur Luxemburg-u iu bashkua lëvizjes socialiste polake, kjo e fundit po përjetonte një krizë të thellë pasi shumë prej udhëheqësve të saj ishin burgosur dhe ekzekutuar si pasojë e masave shtypëse të marra nga autoritetet ruse pas vrasjes së carit Aleksandër II më 1881. Ky ishte konteksti ku ajo nisi të formohej nga ana politike dhe nga i cili u arratis për t’i shpëtuar arrestimit. Ajo emigroi në Cyrih, Zvicër, ku ndoqi studimet e larta dhe përfundoi doktoratën me një diplomë mbi zhvillimin industrial të Polonisë. Udhëheqësi i saj i doktoratës, i cili nuk ishte marksist, do të thoshte më vonë se Luxemburg-u kishte ardhur nga Polonia me një formim të plotë marksist. Në Zvicër puna e saj u karakterizua nga një sërë angazhimesh akademike nga njëra anë dhe politike nga ana tjetër.

Ajo ishte shumë e re – pak më shumë se njëzet vjeç – kur u përfshi në një debat të ashpër me partinë kryesore socialiste në Poloni, e cila në atë periudhë ndërthurte nga ana teorike nacionalizmin progresist dhe marksizmin. Luxemburg-u mbështeste njohjen e një tjetër partie, Social Demokracia e Mbretërisë së Polonisë (SDPK), në Internacionalen e Dytë – kjo e fundit një parti revolucionare, por jo nacionaliste. Prejardhja polake ishte vendimtare në zhvillimin dhe pjekjen e pikëpamjeve të saj politike.

DF: Ti e preke faktin se Rosa Luxemburg-u ishte shumë skeptike ndaj nacionalizmit polak dhe idesë se një shtet polak mund të rishfaqej në hartën evropiane. Cili ishte arsyetimi teorik pas këtij qëndrimi dhe si rezultoi në ngjarjet e mëvonshme?

LY: Ky është një ndër aspektet më interesante dhe më të vështira për t’u kuptuar të veprës së Luxemburg-ut. Pozicioni i saj kundrejt nacionalizmit në Poloni flet për qëndrimin e saj ndaj vetëvendosjes kombëtare më në përgjithësi, që u bë shumë i rëndësishëm më vonë, në kohën e shkëputjes së saj nga socialdemokracia gjermane (SPD) me nisjen e Luftës së Parë Botërore.

Pozicioni fillestar i Luxemburg-ut ishte kundër pavarësisë kombëtare për Poloninë bazuar në një qasje që ajo e konsideronte marksiste, duke ngulur këmbë posaçërisht në internacionalizmin proletar. Kjo është shumë interesante pasi arsyet e saj kundër vetëvendosjes kombëtare në Poloni nuk reflektonin qasjet mbizotëruese mes marksistëve të kohës, duke përfshirë vetë Marksin. Marksistët ishin tradicionalisht të hapur ndaj argumenteve progresiste për pavarësinë në përgjithësi dhe për vetëvendosjen në Poloni në veçanti. Ata mendonin se kur përpjekjet për vetëvendosje i shërbenin një qëllimi emancipues, ato duhej të mbështeteshin.

Luxemburg-u i qëndronte idesë se përpjekjet për vetëvendosje kombëtare nuk mund t’i shërbenin qëllimeve emancipuese nëse ato ishin të ndara nga çështja e revolucionit proletar në përgjithësi. Kjo dëshmon qasjen e saj ndaj revolucionit proletar dhe lëvizjeve punëtore, që ajo besonte se duhej të merrnin përmasa të gjera ndërkombëtare. Ajo mendonte se ekzistonte një lloj varësie e dykahshme mes pushtetit politik dhe atij ekonomik, që në praninë e globalizimit dhe shfrytëzimit të zonave të shtypura – përfshi këtu Poloninë brenda Perandorisë Ruse, për shembull – e bënin atë skeptike ndaj teorive të emancipimit politik përmes vetëvendosjes.

Shumica e studiuesve kanë prirje të mendojnë se Luxemburg-u ishte kundër vetëvendosjes kombëtare polake për shkak se ajo nuk ishte nacionaliste. Por për të, çështja qëndronte diku tjetër. Ajo besonte se sikur Polonia të kishte fuqinë e duhur për të vetëvendosur, pra për t’u bërë e pavarur nga Rusia, atëherë me siguri kishte edhe fuqinë që të shtrinte dhe zgjeronte përpjekjen proletare duke përfshirë vetë Rusinë. Prandaj dilema kryesore ishte çështja e suksesit të përpjekjes punëtore, në një qasje sa më të gjerë të mundur. A kishte rrezik që përpjekja kombëtare ta paralizonte apo ta kufizonte përpjekjen proletare apo do të mund ta zgjeronte atë?

Luxemburg-u mendonte se në rastin e Polonisë problemi i vetëvendosjes ishte një shpërqendrim nga një kërkesë tjetër më e rëndësishme, ajo që kishte të bënte me nevojën për ta kthyer mbarë Perandorinë Ruse në një bashkësi socialiste. Të përqendroheshe vetëm te Polonia, u shërbente vetëm interesave të borgjezisë dhe të elitave politike, interesa të cilat mund të lidheshin fare mirë me çështjen e vetëvendosjes kombëtare, por pa zhvilluar emancipimin e klasës punëtore në përgjithësi.

A do ishte vetëvendosja kombëtare në shërbim të punëtorëve polakë? Luxemburg-u mendonte se punëtori polak thjesht do të kalonte nga shfrytëzimi i kapitalit rus në shfrytëzimin e kapitalit polak që kishte filluar të zhvillohej. Çështja për të ishte se lëvizjet për çlirimin kombëtar përfundonin në duart e elitave liberale dhe e dobësonin lëvizjen punëtore ndërkombëtare.

Këtë pozicion kundër vetëvendosjes kombëtare ajo e ruajti gjatë gjithë jetës së saj. Nisi me Poloninë pasi ky ishte vendi ku lindën idetë e saj dhe ku u mbrujtën interesat e saj teorike. Ai shënjoi vitet e aktivizmit të saj rinor në lëvizjen revolucionare polake, por edhe u zgjerua kur ajo u vu në kontakt me socialdemokracinë gjermane. Ajo e kritikoi socialdemokracinë gjermane për shkak se kjo e fundit nuk i kundërshtonte projektet imperialiste në Marok, për shembull, pasi trembej nga humbja e mbështetjes së publikut vendas.

E gjithë karriera e saj ishte, në njëfarë mënyre, e shënuar nga kjo qasje origjinale ndaj çështjes së vetëvendosjes kombëtare. Më 1915 ajo shkroi në Junius Pamphlet se për aq kohë sa do të ekzistonin shtetet kapitaliste dhe globalizimi e politikat botërore të përcaktonin të ardhmen e vendeve të vogla, nuk do të kishte kurrë vetëvendosje kombëtare, as në kohë paqeje e as në kohë lufte.

DF: Kur Eduard Bernstein-i parashtroi idetë e tij që u njohën si “revizionizëm”, Luxemburg-u u kthye në kritiken e tij më të ashpër në lëvizjen socialdemokrate gjermane. Cilat ishin idetë kryesore të Bernstein-it dhe mbi ç’baza i kundërshtonte Luxemburg-u ato?

LY: Berstein-i ishte një ndër marksistët më të rëndësishëm. Ai e kishte njohur personalisht Marksin dhe ishte bashkëpunëtor i Engelsit, si dhe botues i veprave të tij pas vdekjes. Ai ishte edhe një ndër figurat kryesore brenda Partisë Socialdemokrate Gjermane. Pozicioni i tij teorik mbi revizionizmin nisi të marrë jetë në periudhën kur qeveria prusiane filloi të zbusë ligjet kundër socialistëve që ishin shpallur nga Bismarck-u. Meqenëse lëvizja socialdemokrate vazhdonte të rritej, ajo shumë shpejt u përball me çështjen se si mund të ndërthureshin kërkesa për përfaqësim ligjor dhe përfshirje politike me përpjekjen revolucionare që kishte si qëllim përmbysjen e rendit ekzistues.

Bernstein-i e analizonte këtë kontradiktë në librin e tij Parakushtet e socializmit të 1899-ës dhe më pas me artikuj të ndryshëm. Ai besonte se po argumentonte për reformizëm bazuar mbi parime marksiste dhe nënvizonte se marksizmi s’ishte gjë tjetër veçse një teori dialektike e cila duhej t’ia përshtaste analizën teorike ndryshimeve të rrethanave politike.

Kritika e tij i kundërvihej njërës prej shtyllave kryesore të ekonomisë marksiste, siç e kishte parashtruar vetë Marksi: teorisë së prirjes së rënies së normës së fitimit si pasojë e modernizimit të teknologjisë, nga njëra anë, dhe rritjes së shfrytëzimit të fuqisë punëtore, nga ana tjetër. Marksi kishte shkruar se këto dy dukuri e bënin të pashmangshme krizën fatale të sistemit. Bernstein-i mendonte se kjo nuk ishte më e vërtetë – se sistemi shfaqte një aftësi mbresëlënëse për t’u përshtatur, të cilën socialdemokratët tashmë duhet ta pranonin.

Bernstein-i besonte se kjo nënkuptonte që socialdemokratët duhej të hiqnin dorë nga objektivat revolucionarë për t’u dhënë përparësi legjislacionit progresist dhe përpjekjes për përfaqësimin e punëtorëve përmes rrugës parlamentare. Ai ngulte këmbë se ky nuk ishte një devijim nga mësimet e etërve themelues, por një përpjekje për ta çliruar marksizmin nga ajo që ai mendonte se ishte një morsë e materializmit dialektik.

Luxemburg-u nuk ishte e vetme në kritikën kundër interpretimit të marksizmit nga ana e Bernstein-it. Argumentet e tij ishin diskutuar dhe hedhur poshtë në Kongresin e Shtutgartit të Partisë Socialdemokrate Gjermane. Por Luxemburg-u, që në moshë të re, i dha kësaj kritike një formë të sofistikuar teorike, gjë që socialdemokratët gjermanë nuk kishin arritur ta bënin deri në atë pikë. Ajo u ngrit në radhët e lëvizjes socialdemokrate gjermane si një nga kritiket më të spikatura të Bernstein-it, pavarësisht statusit të saj si një aktiviste e re relativisht e panjohur që sapo i ishte bashkuar lëvizjes.

Ajo që e bënte argumentin e saj veçanërisht interesant ishte mënyra si e analizonte dilemën mes reformës dhe revolucionit. Bernstein-i e kishte paraqitur zgjedhjen mes të dyjave si një çështje taktike që shtronte pyetjen nëse duhej ndjekur ky apo ai drejtim në lëvizjen socialiste. Për Luxemburg-un, nga ana tjetër, kjo dilemë kishte të bënte me thelbin e socialdemokracisë si një forcë e veçantë në përpjekjen kundër kapitalizmit dhe në marrëdhënien me liberalët apo progresistët demokratë (të cilët gjithashtu e pranonin nevojën e kufizimit të kapitalit).

Çështja kishte të bënte në thelb me pyetjen nëse demokracia dhe kapitalizmi mund të harmonizoheshin me njëra tjetrën. Bernstein-i sugjeronte se kjo marrëdhënie harmonike mundësohej nga mënyra se si kapitalizmi dhe demokracia ishin transformuar gjatë viteve kur po zhvillohej ky debat. Për Bernstein-in, kapitalizmi kishte shfaqur një aftësi mahnitëse për t’u përshtatur. Kjo ndodhte për shkak të një sërë zhvillimesh me të cilat marksizmi duhej matej në fushat e tregtisë, marrëdhënieve bankare, sektorit financiar, sistemit të kredive, rritjes së numrit të pronarëve, lindjes së karteleve e me radhë.

Nga një pikëpamje politike, Bernstein-i besonte gjithashtu se demokracia përfaqësuese kishte ndryshuar dhe se këto ndryshime në njëfarë mënyre sillnin fundin e luftës së klasave dhe shtypjes me natyrë klasore.  Ai mendonte se me zbutjen e ligjeve kundër socialistëve, me zgjerimin e SPD-së pas fitimit të së drejtës së votës, si dhe me fuqizimin e sindikatave të punëtorëve dhe kooperativave, të gjitha partitë socialdemokrate në mbarë Evropën Perëndimore po ktheheshin gjithnjë e më shumë në faktorë politikë të rëndësishëm. Bernstein-i argumentonte gjithashtu se lëvizja socialdemokrate mund të vazhdonte të zhvillohej pavarësisht nga qëllimi përfundimtar.

Kur Luxemburg-u iu kthye dilemës së Bernstein-it mbi reformën apo revolucionin, ajo nënvizoi se po, ishte e mundur që reforma dhe revolucioni të përputheshin si metoda të luftës për socializëm, por Bernstein-i po harronte faktin se demokracia nga njëra anë dhe kapitalizmi nga tjetra nuk do të përputheshin dot kurrë. Arsyet që ajo parashtroi kishin të bënin me mënyrën e funksionimit të strukturës së globalizmit dhe rolit të shteteve në sistemin ekonomik të financiarizuar.

Për shembull, vërejtjet e Bernstein-it mbi zhvillimin e sistemit të kredive dhe të borxhit nënvizonin faktin se tashmë kishte më shumë para në qarkullim për zhvillimin e projekteve sociale. Përgjigjja e Luxemburg-ut ishte se kreditë, në vend të përbënin një valvul shkarkimi për sistemin kapitalist, shpejtonin shkatërrimin e tij. Ajo shtjellonte gjithashtu se kapitalizmi financiar dhe mundësia për hua e thellonin krizën dhe nuk i jepnin zgjidhje pasi ato nxitnin spekulimet financiare dhe rrisnin asimetritë mes ekonomisë reale dhe ekonomisë fiktive.

Teksa kreditë bankare fillimisht stimulonin zhvillimin e forcave të prodhimit, ato nuk mund të përbënin zgjidhje kur ktheheshin në simptomë të stanjacionit. Kjo ishte përgjigjja në terma ekonomikë e Luxemburg-ut ndaj argumentit të Bernstein-it se kapitalizmi ishte zhvilluar për shkak të ekzistencës së karteleve dhe kredive, gjë që sipas tij e bënte të pamundur prirjen drejt krizave. Ajo argumentonte se ideja e Bernstein-it mbi kreditë dhe atë çfarë ato i mundësonin ekonomisë së financiarizuar ishte tepër e cekët.

Nga ana tjetër, Luxemburg-u ngulte këmbë se ishte e pamundur ajo që Bernstein-i e shihte si përfshirje politike dhe mundësi për t’iu përgjigjur trysnisë së një ekonomie kapitaliste përmes përfaqësimit të punëtorëve. Ajo besonte se në një sistem kapitalist sistemi i përfaqësimit në vetvete ishte në mëshirë të trysnive kapitaliste.

Kjo nuk u jepte punëtorëve aftësinë për t’u vetemancipuar apo për të shprehur vullnetin e tyre në sistemin politik. Përkundrazi, e kthente projektin në diçka që bëhej gjithnjë e më e huaj, duke e humbur nga sytë qëllimin e transformimit socialist dhe duke i detyruar ata të përshtaten me kërkesat e demokracisë parlamentare liberale.

DF: Në kohën e Luxemburg-ut socialistët i referoheshin çështjes së barazisë gjinore si “çështja e gruas”, që në ditët e sotme tingëllon çuditshëm. Drejtuesi socialist gjerman, August Bebel, e përdorte këtë term në një libër me shumë ndikim të titulluar Gruaja dhe socializmi. Megjithatë Luxemburg-u duket se e ka kundërshtuar idenë e të qenit e stereotipizuar apo e etiketuar si një autoritet mbi të ashtuquajturën çështje të gruas. Ajo shkruante mbi të njëjtat çështje politike dhe ekonomike si figura të  kalibrit të Karl Kautsky-t, Rudolf Hilferding-ut apo Nikolai Buharinit. A do thoshe se kjo është një përmbledhje e saktë e qëndrimit të saj?

LY: Kjo është një tjetër pyetje interesante që i ka shqetësuar studiuesit e Luxemburg-ut për një kohë të gjatë, pasi është një tjetër dimension, si ai i vetëvendosjes kombëtare, ku pozicioni i saj është i pleksur dhe rrezikon të shtrembërohet. Është e vërtetë se Luxemburg-u ishte skeptike ndaj asaj që ajo e quante feminizmi borgjez, dhe nuk ka dyshim se ajo i refuzonte ftesat e kolegëve të saj socialdemokratë për t’u përfshirë vetëm me “çështjen e gruas”, siç bënte, për shembull, bashkëpunëtorja e afërt dhe shoqja e saj Clara Zetkin.

Nga ana tjetër, kohët e fundit studiuese të ndryshme me prirje feministe u janë kthyer veprave të saj duke ekzagjeruar një këndvështrim tjetër, i cili e redukton gjithë punën teorike dhe politike të Luxemburg-ut në përkatësinë e saj gjinore, shpesh duke rilexuar edhe marrëdhëniet e saj personale – sidomos me partnerin e dikurshëm Leo Jogiches – si thelbësore në zhvillimin e ideve të saj.

Luxemburg-u ishte interesante pikërisht sepse nuk besonte te feminizmi si identitet i pastër politik kur ky ishte i ndarë nga çështje të tjera që kishin të bënin me klasën, racën dhe imperializmin. Nga ana tjetër, ajo me siguri që jo vetëm nuk i mënjanonte çështjet që kishin të bënin me emancipimin e grave, por merrte pjesë aktive në to. Një shembull i mirë është përgjigjja e saj kur udhëheqësi socialist belg Emile Vandervelde lidhi një pakt elektoral me liberalët. Aleanca mbështeste votën e lirë për të gjithë meshkujt, por duke braktisur thirrjen e hershme socialdemokrate për t’u dhënë grave të drejtën e votës. Luxemburg-u u përgjigj se ky ishte një akt i turpshëm. Ajo jo vetëm që kritikoi ashpër braktisjen e këtij parimi themelor socialist nga Vandervelde-ja, por edhe shkroi gjerësisht mbi faktin se emancipimi i grave ishte i domosdoshëm në përpjekjen kundër kapitalizmit. Ajo besonte se çështja e emancipimit të grave nuk mund të ndahej nga lufta antikapitaliste pasi shumica e vuajtjeve të grave kishin të bënin pikërisht me shfrytëzimin dhe shtypjen e tyre jo vetëm në vendin e punës, por edhe brenda familjes. Kohët e fundit vepra e saj është rilexuar dhe, me të drejtë, analizuar nga këndvështrimi i një tradite të tërë shkrimesh feministe që i kushtohen pikërisht kësaj çështjeje.

Një tjetër aspekt mjaft interesant i përgjigjes së saj është një artikull relativisht i panjohur nga studiuesit që ajo botoi më 1914 dhe i cili titullohet “Gruaja proletare”. Aty Luxemburg-u shkruan për rezistencën e grave jo vetëm në Evropë, por edhe në Afrikë dhe në Amerikën Latine. Ajo përshkruan me fjalë tepër prekëse mundimet e grave Herero, kockat e të cilave, shkruan ajo, po zbardheshin nën diell pas persekutimeve në duart e ushtarëve gjermanë në Namibi. Ajo përshkruan gjithashtu “klithmën e vdekjes të grave martire indiane”, të cilat ishin shpërfillur jo vetëm nga kapitalistët ndërkombëtarë, por deri diku edhe nga ata që e kufizonin kërkesën për emancipim të grave te një kategori shumë specifike grash dhe në një kontekst shumë të ngushtë si ai evropian.

DF: Në vepra si Akumulimi i kapitalit, Luxemburg-u shtjellon një argument shumë të veçantë mbi evolucionin e kapitalizmit, i cili mbështetet tek ideja se ky sistem e kishte të nevojshme që të shtrihej në vende jokapitaliste, të cilat eventualisht do të mbaronin. Cila ishte rëndësia e këtij argumenti?

LY: Ky libër, i shkruar më1913, shpaloste kritikën e saj ndaj revizionizmit dhe e ndërthurte atë me një ndërhyrje në debatin marksist lidhur me strukturën dinamike të akumulimit të kapitalit. Akumulimi i kapitalit nuk ishte gjë tjetër veçse një studim kritik i vëllimit të dytë të Kapitalit të Marksit, si dhe një përpjekje teorike për të shpjeguar se si kapitalizmi mbijeton përmes përhapjes së tij në sisteme dhe ekonomi jokapitaliste.

Libri nis me një kritikë ndaj Marksit, i cili Luxemburg-u mendonte se e kishte bazuar analizën e akumulimit dhe riprodhimit të kapitalit, në vëllimin e dytë të Kapitalit, te një sistem akumulimi i mbyllur – pra te një treg ku kishte vetëm kapitalistë dhe punëtore. Luxemburg-u e kritikonte këtë argument si një pasaktësi teorike që nuk merrte parasysh karakteristikat specifike të ekonomive në pjesë të tjera të botës, të cilat nuk e kishin arritur fazën e zhvillimit kapitalist.

Kjo ishte një kontradiktë interesante pasi në kohën kur shkruante Luxemburg-u, shkrimet e Marksit mbi botën joevropiane – mbi kolonializmin dhe imperializmin – nuk ishin zbuluar ende. Analiza të mëvonshme kanë dëshmuar se në fakt Marksi i kishte kushtuar rëndësi këtij tregu botëror ku kishte zona të tëra jokapitaliste që duhej të kapnin zhvillimin kapitalist.  

Megjithatë, asokohe këto shkrime të Marksit nuk ishin në dispozicion të Luxemburg-ut. Ajo nënvizonte se analiza e sistemit të mbyllur bazuar mbi vëllimin e dytë të Kapitalit e bënte të pamundur të shpjegoje se pse dhe si kapitali mund të riprodhohet dhe të rivlerësohet kur ka vazhdimisht ulje pagash dhe rritje të pabarazisë në të ardhura.

Sipas Luxemburg-ut, supozimi i një sistemi kapitalist të mbyllur ku kishte vetëm punëtorë dhe kapitalistë e bënte shumë të vështirë shpjegimin e kontradiktës kryesore të kapitalizmit: konfliktin mes kapacitetit të pakufizuar për zgjerimin e forcave të prodhimit, në njërën anë, dhe kufijve të konsumit social, në anën tjetër. Ajo ishte një ndër marksistet e para që e ktheu vëmendjen te pjesa e konsumit në procesin e akumulimit të kapitalit duke bërë një analizë që merrte parasysh zgjerimin e kapitalit në pjesë të tjera të botës.

Teoria e saj shpjegon stimulimin e zhvillimit ekonomik kapitalist duke u kthyer tek ajo që ekonomistët e mëvonshëm e kanë quajtur marrëdhënia mes normës së kursimeve dhe normës së investimeve. Puna e saj teorike u paraprin figurave të rëndësishme që erdhën më vonë si John Maynard Keynes-i dhe Michal Kalecki.

Marksi e kishte shpjeguar riprodhimin e kapitalit duke iu referuar vetëm zhvillimit teknologjik dhe konkurrencës mes kapitalistëve. Luxemburg-u mendonte se kjo nuk e shpjegonte si duhej kontradiktën kryesore të kapitalizmit dhe prirjen drejt krizave pasi ky argument nuk merrte parasysh domosdoshmërinë e kapitalistëve për t’u shtrirë në tregje të reja për të shitur mallrat e konsumit të cilat punëtorët vendas nuk arrinin t’i blinin dot.

Ideja ishte se punëtorët brenda vendeve kryesore kapitaliste ishin kaq të shfrytëzuar, saqë nuk mund të përballonin blerjen e mallrave të shitura nga kapitalistët në tregjet e tyre. Në kontekstin e një ekonomie vazhdimisht në rënie dhe me kriza të njëpasnjëshme, kur mungonte kërkesa e mjaftueshme për këto mallra, mungonin burimet për të investuar kapitalin e akumuluar. Për këtë ishte e domosdoshme shtrirja në tregjet jashtë Evropës.

Pikërisht nga kjo qasje vjen edhe kritika e Luxemburg-ut ndaj imperializmit. Ideja e saj kryesore ishte se zgjerimi i kapitalit në vendet jokapitaliste të botës – përmes pushtimit, tregtisë, dhunës – dhe në botën bashkëkohore përmes huave dhe kontratave që shpesh nënshkruhen në kushte të pabarabarta mes palëve – u jepte kapitalistëve rrugëdalje dhe mundësinë e prodhimit në masë të mallrave të lira që nuk mund të shiteshin në tregjet e vendeve të zhvilluara kapitaliste për shkak të niveleve të ulëta të konsumit. Sigurisht që, duke bërë këtë, sipërmarrjet kapitaliste krijonin mundësi investimi që i përmbysnin mënyrat tradicionale të jetesës dhe shkatërronin, për shembull, prodhimin bujqësor ose sistemet jokapitaliste të prodhimit.

Ekzistonte një dinamikë e dyfishtë: nga njëra anë zgjerimi i kapitalit sillte risi teknologjike dhe modernizonte marrëdhëniet e autoritetit në këto vende, por nga ana tjetër pushtimi imperialist ia nënshtronte pjesë të tëra të botës kontrollit politik të vendeve më të zhvilluara kapitaliste. Këto vrojtime kanë rëndësi të veçantë sot po të analizojmë sistemin e huave ndërkombëtare apo dinamikat e varësisë ekonomike e politike që i vendosin politikat e jashtme dhe ekonomike të shteteve më të dobëta nën ndikimin e institucioneve kapitaliste të një natyre neokoloniale (në atë kohë koloniale).

Analiza e zhvillimit të vendeve jokapitaliste të botës e bën këndvështrimin e Luxemburg-ut tepër origjinal. Vepra e saj na mëson se si kontradiktat e kapitalit nuk duhen studiuar vetëm në kuadrin e shtrirjes së tij në një shtet apo grup shtetesh të caktuara, por duhet të ketë përmasa globale. Njëkohësisht kjo analizë i jep veprës së Luxemburg-ut një ndjeshmëri të veçantë ndaj çështjeve racore, etnike dhe të drejtave të indigjenëve, gjë që nuk ishte tipike për marksizmin e kohës.

Marksistët ortodoksë mbështesnin pak a shumë narrativën e iluminizmit se historia e zhvillimit njerëzor kapërcen stade të ndryshme: me modernizimin progresiv dhe zhvillimin e marrëdhënieve sociale shoqëritë primitive çojnë në zhvillimin e bujqësisë, më pas të shoqërive tregtare e deri te shoqëritë kapitaliste të cilat shënojnë edhe kulmin e modernizimit. Por Luxemburg-u besonte, për shembull, se modelet e pronësisë së përbashkët në shumë aspekte kishin epërsi ndaj atyre të shoqërive tregtare. Kjo histori e progresit historik me faza të ndryshme, që e gjejmë në mendimin iluminist, prej Rousseau-it te Kant-i e Hegel-i, e që kishte frymëzuar edhe Marksin, u kishte dhënë formë shumë debateve në Internacionalen e Dytë. Luxemburg-u u distancua thellësisht prej tyre dhe e zhvilloi mendimin e saj në një drejtim krejt tjetër.

DF: Si e kuptonte Luxemburg-u marrëdhënien mes kapitalizmit dhe demokracisë në aspektin afatgjatë? A parashikonte ajo ndonjë të ardhme për sistemin që marksistët i referohen si “demokraci borgjeze”?

LY: Luxemburg-u nuk e kundërshtonte përfaqësimin në parlament apo luftën për reforma sindikale dhe demokratike. Ajo kundërshtonte izolimin e këtyre përpjekjeve për reformim nga lufta kundër kapitalizmit si sistem. Për shembull, kur shkruante mbi të drejtën e votës për gratë, ajo ishte shumë e përfshirë në këtë fushatë dhe në rritjen e përfaqësimit të tyre përmes reformave parlamentare.

Por ajo besonte gjithashtu se ky proces emancipimi duhej të integrohej brenda një kritike më rrënjësore të kapitalizmit. Ajo që duhej mbajtur parasysh gjithmonë ishte kërkesa për t’i dhënë klasës punëtore pushtet politik. Ajo besonte se nëse klasa punëtore nuk do të kishte pushtet politik, apo nëse përfaqësimi i saj kthehej në çështje kompromisesh mes elitave politike – siç ka ndodhur në fakt historikisht, në një mënyrë që kishte filluar të kuptohej që në kohën kur ajo shkruante – këto përpjekje do të arrinin vetëm rezultate sipërfaqësore.

Luxemburg-u nuk besonte se reformat duhet të refuzoheshin, pasi ajo ishte shumë e interesuar në mësimet që të shtypurit mund të nxirrnin nga përvojat e tyre vendimmarrëse dhe përgatitjen e tyre për marrjen e pushtetit politik. Por ajo ngulte këmbë gjithmonë se këto reforma ishin, siç shkruante vetë, thjesht prova lirie – nuk ishin liria e vërtetë. Këto reforma nuk duhej të zëvendësonin metodat e revolucionit, por vetëm t’i plotësonin ato.

Luxemburg-u mendonte se, historikisht, qëllimi i reformave ligjore është fuqizimi i një klase të re shoqërore të dalë nga një revolucion i caktuar. Ky ekuilibër midis forcave mbahej deri në një pikë të caktuar dhe kur konfliktet shoqërore nxirrnin në pah grupe të tjera politike dhe ekuilibri prishej, atëherë i gjithë sistemi ligjor mund të zhbëhej në favor të një sistemi të ri. Për Luxemburg-un kjo ishte domethënia e termave “reformë” dhe “revolucion”. Ato nuk ishin mënyra të ndryshme veprimi. Ato përcaktonin transformime të ndryshme juridike.

Çështja nuk ishte që të shtrohej pyetja “më pëlqen reforma, apo më pëlqen revolucioni?”, a thua se njëri ishte më i mirë se tjetri – njëri më paqësor dhe tjetri më i dhunshëm. Çështja ishte të kuptohej se revolucioni sillte një mënyrë ndryshe të qasjes ndaj pushtetit politik. Luxemburg-u besonte se qasja ndaj pushtetit politik ishte thelbësore. Reforma ligjore dhe revolucioni duhej të ecnin përkrah njëri-tjetrit në mënyrë që të mund të sillnin këtë transformim juridik rrënjësor të marrëdhënieve politike, marrëdhënieve të pronësisë e me radhë.

Kërkesat për reformë nuk mund të ndaleshin te përmirësimet e vogla aty-këtu të kapitalizmit: si për shembull rritja e taksave apo ndryshimi i shpërndarjes së të ardhurave për të përmirësuar kushtet e jetës së klasës punëtore në një shtet të caktuar, qytet të caktuar apo në një kompani të caktuar. Socializmi, nga ana tjetër, ishte përkushtimi ndaj idesë së një shoqërie kryekëput tjetër, mbi baza teorike të tjera. Ai ishte një projekt emancipimi ekonomik dhe politik me përmasa globale, jo vetëm kombëtare. 

Kur Luxemburg-u kritikonte Bernstein-in, pika kryesore e mosdakordësisë me të ishte se teoritë e Bernstein-it rrezikonin të zhbënin thelbin e socializmit si qasje ndaj pushtetit politik. Kjo i bënte idetë e saj rreth reformës dhe revolucionit që të dallonin nga të tjerët. Nuk është çështja të nënvizohet se Luxemburg-u ishte revolucionare dhe jo reformiste. Çështja është të dallojmë se ç’qëllim ka reforma. Kur e analizojmë kapitalizmin nga ana globale, është e rëndësishme të kuptohet se reformat janë të kufizuara për aq kohë sa sistemi nuk u jep të shfrytëzuarve pushtetin politik dhe nuk i lejon ata të ndryshojnë marrëdhëniet juridike në mënyrë të pakthyeshme.

DF: Si iu përgjigj Luxemburg-u borive të luftës që po binin në politikën evropiane dhe, më pas, fillimit të luftës më 1914?

LY: Viti 1914 ishte viti në të cilin Luxemburg-u u nda përfundimisht nga socialdemokracia gjermane. Çarja kishte nisur që më parë. Ajo kishte nisur të njihej me nofkën “Roza gjakatare” në shtypin liberal që në vitet 1907-1914. Qëndrimi i saj politik kishte marrë një drejtim të kundërt nga udhëheqja e socialdemokracisë gjermane që kur socialdemokratët ngurruan të dënonin projektet imperialiste të kajzerit Wilhelm-it II në Marok.

Këtë stepje të SPD për të kundërshtuar haptazi imperializmin, Luxemburg-u e shihte si të shkaktuar nga frika e humbjes së votave në zgjedhje. Pikërisht kjo e bënte të ndërgjegjshme për rreziqet që i kanoste nacionalizmi lëvizjes punëtore, e cila për të duhej të ishte një lëvizje ndërkombëtare. Luxemburg-u kishte vënë re se, nga njëra anë, në shoqëri po rritej retorika ushtarake dhe militarizimi, ndërsa nga ana tjetër kolegët e saj socialdemokratë po prireshin gjithnjë e më pak për t’iu kundërvënë asaj retorike.

Teksa pjesa parlamentare e SPD-së kufizohej vazhdimisht te debatet që kishin të bënin me taksimin dhe të drejtën e votës, Luxemburg-u bënte thirrje për lëvizjen e masave dhe agjitonte për një republikë në të cilën punëtorët të mund të merrnin frerët e pushtetit politik. Propozimet e saj për të zhvilluar këtë lloj përpjekjeje revolucionare u panë me armiqësi pak para nisjes së luftës. Me nisjen e luftës më 1914, SPD-ja votoi në mbështetje të financimit të luftës. Për të, kjo nënkuptonte kapitullimin përballë militarizimit në rritje, konservatorizmit dhe përqafimin e nacionalizmit më të ulët në kurriz të premtimeve internacionaliste se proletarët do të bashkëpunonin pavarësisht kufijve kombëtarë.

Luxemburg-u u nda përfundimisht nga socialdemokracia gjermane dhe themeloi Ligën Spartakiste, një grup që agjitonte për t’i dhënë fund luftës dhe për të organizuar betejën proletare kundër kapitalizmit mbi baza internacionale. Ajo u burgos dhe shkroi një pamflet të titulluar Kriza e socialdemokracisë, e njohur edhe si Junius Pamphlet, që ishte një sintezë e kritikës së saj të parlamentarizmit liberal dhe kompromisit si qëllim në vetvete.

Pamfleti ishte gjithashtu një analizë e dështimit të socialdemokracisë si projekt revolucionar dhe e pasojave të kufizimit të veprimtarisë së asaj organizate politike vetëm brenda kufijve të një shteti. Rrjedhimisht kjo sillte rritjen e patriotizmit të cekët, pjesëmarrjen në luftë dhe braktisjen e plotë të përpjekjes proletare.

DF: Kritika e Luxemburg-ut ndaj Vladimir Leninit dhe bolshevikëve është mjaft e njohur, por ndoshta më tepër si një seri fragmentesh sesa si një argument i plotë e i qartë. Cilat ishin pikat kryesore që shtroi ajo?

LY: Mendoj se është e rëndësishme të mos krijojmë përshtypjen se kemi të bëjmë me një kritikë të izoluar të Leninit dhe të projektit bolshevik si të tillë. Na duhet të hedhim vështrimin në kritikën që Rosa Luxemburg-u i ka bërë këtij projekti – si dhe mbështetjes që ajo i dha – duke parë se si ajo iu përgjigj jo vetëm Revolucionit Bolshevik të 1917, por edhe revolucionit të parë rus të 1905, të cilin Lenini e ka cilësuar si prova e përgjithshme e revolucionit të dytë.

Për të kuptuar dilemat që i sollën këto revolucione lëvizjes internacionale të punëtorëve, është e nevojshme të shohim lëvizjen socialiste në tërësi  në vitet 1905 dhe 1917. Pikëpamjet e Luxemburg-ut rreth projektit bolshevik gjenden në shkrime nga të dyja këto periudha, prandaj mund të rindërtohen në mënyrë më koherente nëse i analizojmë ato së bashku.

Le t’ia nisim me revolucionin e 1905: ai e gjeti lëvizjen punëtore të përçarë. Në Evropën Perëndimore kishte parti socialiste që po arrinin fitore elektorale dhe ishin të bashkuara në njohjen e autoritetit të Internacionales, edhe pse njëkohësisht ishin thellësisht të ndara mbi çështje parimore dhe çështje taktike. Në Rusi situata ndryshonte. Nuk kishte debate mbi reformën kundrejt revolucionit pasi të gjithë socialistët duhej të punonin në klandestinitet dhe të kërcënuar nga rreziqe të mëdha. Ata ishin të ndarë mbi çështje që kishin të bënin me anëtarësinë dhe organizimin e partisë.

Në vitin 1905 në Rusi nuk bëhej fjalë fare për njohjen ligjore të lëvizjes punëtore, përpjekjen parlamentare apo për kompromise me elitën sunduese. Të gjitha këto ishin një luks i socialdemokratëve gjermanë, që rusët nuk e kishin. Revolucion i 1905, që shpërtheu pas dekadash shfrytëzimi, varfërimi dhe dhune autoritare, nuk ishte një revolucion i vetëm, por një përmbledhje e disa ngjarjeve: greva masive, trazira në kufij, demonstrata e me radhë.

Në këtë periudhë Luxemburg-u i ndiqte me shumë vëmendje ngjarjet e revolucionit rus. Ajo botoi një sërë artikujsh në të cilët debatonte me Leninin mbi rolin e masave dhe të partisë në rrethana revolucionare. Si rezultat i këtyre debateve, ajo u përpoq njëkohësisht t’i bindte kolegët e saj në SPD për të përdorur grevën si një armë politike të dobishme për të çuar përpara kauzën punëtore në Gjermani.

Ajo hyri ilegalisht në pjesën ruse të Polonisë dhe u përpoq të arrinte në Varshavë. U arrestua përsëri dhe u burgos pas një udhëtimi personal gjatë të cilit u përpoq të ndërlidhte përpjekjet e punëtorëve polakë, gjermanë dhe rusë. Një ndër pamfletet e saj më të njohur, Greva e masave, partia politike dhe sindikatat, paraqiste një analizë të hollësishme të këtyre ngjarjeve. Pasi u kthye në Gjermani, Luxemburg-u mbajti një fjalim në kongresin e partisë të vitit 1905 për të bindur kolegët e saj mbi arritjet e rusëve dhe mësimeve që mund të nxirreshin nga socialdemokracia e atij vendi. August Bebel-i, një prej themeluesve të partisë, teksa dëgjonte fjalimin e saj, bëri shaka se ajo po fliste aq shumë për gjak dhe revolucion, saqë ai herë pas herë kthente sytë nga këpucët e tij për të parë se mos i kishte mbuluar gjaku që tani. Ky ishte reputacioni që fitoi për përkushtimin e saj ndaj revolucionit të 1905 dhe për reflektimet mbi mësimet që mund të nxirreshin prej kësaj lëvizjeje revolucionare ilegale që ishte zhvilluar në kushte shumë të ndryshme nga ato të socialdemokracisë gjermane. Në njëfarë mënyre, pozita e saj si person me prejardhje nga Polonia shpjegon edhe qëndrimin e saj ndaj këtyre çështjeve: ajo e kuptonte më mirë se kushdo se si rrethanat në Rusi ishin shumë të ndryshme nga ato në Gjermani dhe kërkonin një qasje tjetër.

Luxemburg-u analizoi revolucionin e 1917 në një tjetër ese të titulluar “Revolucioni rus”, që shpesh konsiderohet si sinteza e mendimeve të saj kritike mbi këtë çështje, por që në fakt ishte shkruar nga burgu në mbrojtje të Revolucionit të Tetorit. Në këtë shkrim Luxemburg-u e trajton Revolucionin Bolshevik si simbol të suksesit të një përpjekjeje revolucionare proletare, edhe në rrethana tejet shtypëse. Por ndërsa nga njëra anë Luxemburg-u thur lavde për bolshevikët, nga ana tjetër ajo ndalet te vështirësitë e lëvizjes dhe mënyrën si ato reflektoheshin në marrëdhënien mes elitave të partisë dhe masave të shtypura.

Në këtë ese Luxemburg-u kritikon shumë prej politikave që kishin zbatuar bolshevikët kur erdhën në pushtet: shpërndarja e tokës fshatarësisë, për shembull, apo këmbëngulja e tyre e vazhdueshme mbi të drejtën e kombeve për vetëvendosje. Ajo kritikon gjithashtu shtypjen e asaj që e quante demokraci revolucionare duke nënvizuar burokratizimin e partisë dhe dënuar disa nga masat që ishin marrë për të kufizuar lirinë e të shprehurit, lirinë e shtypit dhe lirinë e protestimit. Ajo besonte se bolshevikët kishin nisur ta ndanin socializmin nga demokracia dhe kjo ishte tejet e rrezikshme pasi bënte që pushteti të përqendrohej në duart e pak anëtarëve të elitës partiake.

Ky ishte konteksti në të cilin dolën në pah shumica e qëndrimeve të saj kritike mbi Revolucionin Rus, si dhe denoncimi që ajo i bëri shtypjes së disidencës dhe censurës të sjellë nga revolucionarët rusë. Ajo foli për pasojat që këto masa do të kishin për lëvizjen revolucionare në tërësi dhe shtroi pyetjen e të ardhmes së revolucionit kur ndiqej kjo rrugë antidemokratike. Ajo paralajmëroi se këto metoda rrezikonin të përqendronin pushtetin në një klasë burokratësh partiakë që nuk do të ishin më të lidhur me masat, por do të shihnin interesat e tyre e do të shtrëngonin pushtetin në mënyra tejet problematike. Ky është konteksti në të cilin duhet të kuptohet edhe një prej shprehjeve të saj më të njohura: “Liria është gjithmonë liria e atyre që mendojnë ndryshe.”

Ajo që e bënte këtë kritikë veçanërisht interesante ishte se Luxemburg-u u tregua jashtëzakonisht e vëmendshme në të kuptuarin e asaj që ndodh me një revolucion kur udhëheqësit e tij, pararoja, bëhen gjithnjë e më të huaj dhe të izoluar nga kërkesat e masave. Për të. përpjekja revolucionare ishte një proces gjatë të cilit masat duhet të mësonin si të qeverisnin vetëm duke marrë pjesë aktive në të dhe duke krijuar institucione përfaqësuese ku udhëheqësit të mos ishin të ndarë nga populli.

Megjithatë, Luxemburg-u ishte njëkohësisht katërçipërisht kundër përpjekjeve të socialdemokratëve gjermanë për të treguar se Revolucioni Bolshevik nuk duhej të kishte ndodhur kurrë dhe se proletariati nuk duhej të kishte ardhur kurrë në pushtet me mjete revolucionare sepse metoda e SPD ishte ajo e duhura. Ajo ishte skeptike ndaj argumenteve të përdorura nga politikanë si Karl Kautsky e të tjerë, që thoshin se Rusia nuk ishte ende gati për revolucion.

Ajo nënvizonte se e mbështeste këtë përpjekje revolucionare dhe procesin e përfshirjes së masave në të. Duke shpjeguar përse Luxemburg-u këmbëngulte se ishte e rëndësishme për revolucionarët në Rusi që të ushtronin një “diktaturë”. Megjithatë, siç thoshte ajo, kjo nuk do të ishte diktatura e një partie apo e një klike të vogël, por diktatura e mbarë klasës punëtore që do të mundësohej nga pjesëmarrja aktive e tyre në procese demokratike.

Edhe kjo është një prej atyre qëndrimeve që në fillim mund të ngjajë kontradiktore – si mundet që një diktaturë të jetë edhe demokratike?! Ky qëndrim shpjegohet thjesht po të kemi parasysh se si Luxemburg-u e konceptonte rolin e masave dhe pjesëmarrjen e tyre në procesin e emancipimit politik. Për të, diktatura duhej kuptuar si një institucion, i njohur që nga Roma e lashtë, që ka të bëjë me masat e përdorura në situata emergjence dhe në kontekstin e një tranzicioni juridik, por që duhet të mbetet përfaqësuese e masave të shtypura dhe jo e kontrolluar nga një parti e vetme.

DF: Çfarë mendon se mund të na ofrojë ende Luxemburg-u si mendimtare, kur vihet në raport me idetë që mbizotërojnë sot në teorinë politike dhe filozofinë politike?

LY: Mendoj se Luxemburg-u është një mendimtare jashtëzakonisht e rëndësishme, idetë e së cilës duhet të merren seriozisht sidomos për kontributin ndaj një tradite marksiste që thellon sidomos debatet rreth çështje së lirisë. Çka e gjallëron mbarë produktin e punës së saj është pyetja: në ç’kushte mund të arrihet liria e vërtetë? Si duhet të konceptohet liria jo vetëm në kushte normale, por edhe në kushte krize, tranzicioni dhe revolucioni, kur disa prirje rrezikojnë të dëmtojnë qëllimet fillestare emancipuese të klasës së të shtypurve?

Mendimi i saj bashkon shumë elementë të ndryshëm. Shkrimet e saj janë të shpërhapura, prandaj nuk kemi një trup organik: kemi libra, pamflete, artikuj dhe letërkëmbim. Por në qendër të veprimtarisë të saj ka katër dimensione. Së pari është çështja e shfrytëzimit ekonomik nga një kapital me natyrë ndërkombëtare dhe që duhet të merret me trysnitë e globalizimit, me kufijtë e zgjerimit të tij dhe me çështjen e mjeteve të disponueshme për t’iu kundërvënë prirjeve të tij shfrytëzuese.

Dimensioni i dytë është çështja e organizimit politik: si të bashkojmë reformën dhe revolucionin si metoda që duhet t’u përshtaten rrethanave, por pa hequr dorë nga qëllimi përfundimtar, siç kanë bërë socialdemokratët tradicionalë. Në këtë rast, mendimi i saj është i vlefshëm sepse na nxit të mos mendojmë në termat e një dualizmi abstrakt, por të farkëtojmë metodën e përpjekjes në varësi të kontekstit në të cilin ndodhemi. Çka do të thotë se duhet ta analizojmë demokracinë jo si një realitet institucional që ekziston tashmë, por si një ideal që duhet të realizohet.

Dimensioni i tretë është ai i organizimit: si duhet konceptuar marrëdhënia mes partisë dhe lëvizjeve sociale jo vetëm në momentin e tranzicionit revolucionar, por edhe kur partia që udhëheq këto ndryshime arrin të marrë pushtetin. Këtu duhet kuptuar qartë se veprimtaria e një grupimi politik gjatë fazës revolucionare përcakton se ç’lloj udhëheqjeje do të krijojë ai. Është e domosdoshme që spontaniteti dhe dinamizmi që dalin në pah gjatë revolucionit të ruhen dhe të mund të shërbejnë për të korrigjuar vetveten me metoda demokratike edhe kur revolucionarët janë në pushtet.

Dhe si përfundim, në qendër të mendimit të saj është nevoja për të analizuar dinamikat e shtypjes në mënyrë vërtet ndërsektoriale, siç do thoshim sot, duke përbashkuar padrejtësitë me bazë gjinore, me bazë racore dhe me bazë klasore në një kritikë të sistemit kapitalist si të tërë. Këto dinamika janë globale dhe përpjekjet e ndryshme në pjesë të ndryshme të globit duhet të jenë të integruara me njëra-tjetrën. Luxemburg-u na jep një shembull të shkëlqyer të një qasjeje ndaj këtyre çështjeve që nuk i vendos ato në kundërshti me njëra-tjetrën, por na ndihmon të zhvillojmë një alternativë koherente ndaj status-quo-së.

E përktheu Redi Muçi

Marrë nga revista Jacobin

Imazhi: Briarpatch 

Leave a Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.