“Paraja ndjek pacientin” drejt spitaleve private

/Arlind Qori/

Ndonëse fushata po acarohet prej grykësisë së partive për të mbajtur e fituar pushtet me çdo kusht, është tejet e rëndësishme të shohim përtej shfaqjes tragjikomike të këtyre ditëve për të kuptuar se çfarë “reformash” po gatuhen nën radarin e vëmendjes publike. Prej javësh Partia Demokratike – përmes Lulzim Bashës dhe ndonjë figure periferike – ka artikuluar vizionin e vet mbi ristrukturimin e sistemit shëndetësor, duke ndjekur parimin famëkeq “paraja ndjek pacientin”. Sipas kësaj logjike, çdo pacienti do t’i akordohej një kupon që përmban virtualisht hisen e tij nga kontributet e sigurimeve shoqërore, të cilën mund ta dërgonte në çdo spital publik ose privat, me pretendimin se kësisoj do të rritej cilësia e shërbimit dhe përgjegjshmëria e stafeve mjekësore.

Përpara se ta zbërthejmë këtë politikë që s’është e re as në qëllim e as në përmbajtje, do të duhej të bënim një analizë tërësore mbi ristrukturimin e vazhdueshëm neoliberal të ekonomisë dhe shoqërisë shqiptare. Procesi i akumulimit të kapitalit në Shqipëri ka nisur herët, me grabitizimin (shkurtesë e privatizimit grabitqar) e ndërmarrjeve shtetërore dhe burimeve kryesore ekonomike të vendit. Ky kapital i akumuluar, i përzier hera-herës me paranë mafioze, me kalimin e kohës është ngulfatur. Duke e pasur të pamundur investimin produktiv – ca prej parazitizmit sipërmarrës të oligarkëve e ca prej pabarazive strukturore me kapitalin e huaj, kapitali i akumuluar ka synuar ta tejkalojë ngulfatjen përmes uzurpimit të të mirave publike themelore (si p.sh. hapësirë publike për pallate gjigande) dhe tjetërsimit të shërbimeve publike bazike si arsimi dhe shëndetësia. Ligji i arsimit të lartë – i konceptuar nga qeveria e Sali Berishës që më 2010 dhe i miratuar nga qeveria e Edi Ramës më 2015, ishte tentativa e parë serioze e tjetërsimit tregtarizues të një të drejte shoqërore bazike si arsimi universitar. Nëpërmjet këtij ligji është ngritur infrastruktura juridike e kalimit të fondeve publike drejt universiteteve private.

Së bashku me arsimin, shëndetësia është një ndër terrenet më joshëse për akumulim kapitali nëpërmjet shpronësimit. Po edhe nga më të vështirat për çdo qeveri që të përligjë përpara popullit privatizimin e drejtpërdrejtë apo larjen e duarve sipas motos “arsimohuni ose kurohuni me paratë e xhepit!”. Çka ka nisur të ndodhë është zhvendosja e fondeve publike drejt operatorëve privatë.

Themelet ligjore të këtij tjetërsimi janë hedhur që në vitin 2011, ku ISKSH u shndërrua në Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor. Për herë të parë u mundësua kontraktimi nga FSDKSH i shërbimeve shëndetësore nga spitalet private. Pas ardhjes në pushtet të Edi Ramës nisi ofensiva e parë tregtarizuese e shërbimit shëndetësor. Përmes koncesioneve marramendëse (check-up, sterilizimi dhe dializa) që kanë shkuar deri në 100 milionë euro, qeveria e PS ka hapur një shteg të rrezikshëm të shëndoshjes me fonde publike të sipërmarrjeve shëndetësore private. Edhe më keq akoma, në vitet e ardhshme po e njëjta qeveri parashikon disafishimin e financimit të privatëve. Duke u fshehur pas “faktit” sipërfaqësor se pacienti nuk paguan gjë, kjo qeveri ka tjetërsuar miliona nga kontributet tona të përbashkëta në buxhetin e shtetit. Me të tilla fonde mund të përmirësohej ndjeshëm infrastruktura shëndetësore publike apo të rriteshin kapacitetet teknologjike e profesionale të spitaleve publike.

Me sa duket orvatjet koncesionare nuk janë më të mjaftueshme për kapitalin privat në shëndetësi. Tre koncesione janë ende pak krahasuar me oreksin e oligarkëve të spitaleve private. Diçka të tillë Edi Rama e pat kuptuar që më 2015, kur të nesërmen e miratimit të ligjit të arsimit të lartë u shpreh se modeli i financimit të universiteteve private me para publike do të zbatohej edhe në shëndetësi. Mirëpo rezistenca e fortë studentore, e udhëhequr nga Lëvizja Për Universitetin, e cila kulmoi me protestat historike të dhjetorit 2018, sikur e stepën. Të zhvatësh drejtpërdrejt studentët duket se luan me zjarrin. Kjo ndoshta shpjegon edhe faktin që deri më sot “reforma” tregtarizuese në shëndetësi ka mbetur në sirtarët e grupit të ngushtë të Ramës, me gjasë në pritje për t’u bërë ligj fill pas zgjedhjeve të 25 prillit.

I paduruar për pushtet dhe nevojtar për mbështetjen e oligarkëve, edhe të spitaleve private, Lulzim Basha e ka përshpejtuar procesin. Ka dalë të thotë me zë të lartë atë që Rama prej vitesh e thotë me nëntekste. Ai ka ngritur me kapadaillëk prej gjysmëteveqeli flamurin e politikës më grabitqare neoliberale “paraja ndjek pacientin”, me shpresën se në konfuzion e sipër do të shesë për djathë sapunin që tentoi Rama me “reformën në arsim”. Ky model financimi i shërbimeve spitalore jo vetëm do t’u sigurojë pronareve të spitaleve private fitime edhe më marramendëse e të sigurta, por do ta përshpejtojë procesin e degradimit të spitaleve publike. Në konkurrencë të pabarabartë me privatin – në infrastrukturë, paga mjekësh dhe njohuri komerciale – është e pritshme që spitalet publike të kenë një rënie të ndjeshme të fondeve. Çka do të përkthehej në më pak shërbime mjekësore, më pak mjekë e infermierë, këta të fundit edhe më të keqpaguar. Fakti që pavarësisht këtyre Lulzim Basha premton rritje të pagave të mjekëve e infermierëve në 1200 dhe 700 euro veç sa i shton pak piper tallës gjellës së pështirë që po gatuan në sinkron me Edi Ramën.

Për t’i mbijetuar logjikës së dhunshme të tregut privat, spitalet publike do të orvateshin të mbijetonin duke rritur tarifat për shërbime mjekësore bazike, reduktuar stafin mjekësor dhe përjashtuar nga kujdesi shëndetësor pacientët shërbimi ndaj të cilëve nuk justifikohet nga të ardhurat që ata do të sillnin përmes “kartës së pacientit”. Eficienca ekonomike – ky zot që s’do t’ia dijë për jetën e shëndetin e njeriut – do t’i rrudhte e tjetërsonte spitalet publike, për të mos menduar skenarin më të keq të falimentimit dhe mbylljes së tyre.

Nga ana tjetër, zmbrapsja e gjithanshme e spitaleve publike do t’i trimëronte edhe më oligarkët e spitaleve private. Ata nuk do të ndjenin konkurrencën e një sektori publik ku shërbimi merret falas (dhe mund të bëhej cilësor me reformat e duhura), por të një sivëllai të tij thuajse privat që do të rriste vazhdimisht çmimet e shërbimeve mjekësore (nga vizitat, ndërhyrjet kirurgjikale te qëndrimi në shtrat dhe ilaçet).

Përballë kësaj situate shteti do të ishte përballë dy alternativave. Më ogurzeza do të ishte të dënonte tërthorazi me vdekje një pjesë në rritje të të sëmurëve, kontributet e të cilëve në sigurimet shëndetësore do të ishin gjithnjë e më të pamjaftueshme për të përballuar çmimet në rritje të shërbimeve mjekësore në sektorin “publik” dhe privat. E dyta do të ishte rritja gjithnjë e më e madhe e fondeve të drejtpërdrejta shtetërore për spitalet publike e private jo për të siguruar shërbim më të mirë e më përfshirës, por për të ruajtur me çmim më të lartë të njëjtat shërbime. Me gjasë e ardhmja do të jetë një kombinim i të dyjave: me më shumë të vdekur e të sëmurë dhe me më shumë shpenzime publike për shëndetësinë.

Shëndetësia është një sektor edhe më i rëndësishëm se arsimi. Aty luhet me jetën dhe vdekjen, kusht i çdo përpjekjeje emancipuese. Dëmi ndaj popullsisë do të jetë shumë herë më i gjerë dhe i thellë. Po ndryshe nga sfera universitare, në shëndetësi mungon një subjekt kompakt, lehtësisht i ndërgjegjësueshëm, organizueshëm dhe mobilizueshëm. Pacientët nuk i bashkon asgjë përpos hallit kur përplasen në dyert e spitalit dhe aty janë tejet të drobitur e frikësuar për të rezistuar kolektivisht. Jashtë spitalit mbetet vetëm organizimi i popullit, si bashkësi viktimash potenciale të kasaphanës shëndetësore. Mes popullit, subjektet që kanë potencialin më të madh organizativ mbeten punëtorët dhe studentët – me strukturat e tyre organizative. Me ta, studentë e punëtorë, por edhe çdo qytetar që do t’i bashkohet përpjekjes së përbashkët, ne, aktivistët e Organizatës Politike, do të jemi sërish në zemër të rezistencës popullore ndaj grabitizimit të kujdesit shëndetësor.

Nuk ka alternativë ndaj jetës dhe shëndetit!

Imazhi: Organizata Politike

This image has an empty alt attribute; its file name is direct

Ky artikull është botuar nën licensën CC BY-SA 4.0.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.