Mbi teorinë e “tre bandave” dhe politikën aktive

/Redi Muçi/

Teoria e “tre bandave” e artikuluar nga Fatos Lubonja ka qenë një moment i rëndësishëm në analizën politike të situatës në Shqipëri pasi evidentoi emëruesin e përbashkët të krejt partive politike. Si një moment kthjellimi kolektiv, edhe vetë partitë hoqën dorë (apo kjo kishte ndodhur prej kohësh?) nga pretendimi se mes tyre kishte ndonjë dallim ideologjik apo programor, duke e pranuar identitetin e bandës dhe i mëshuar më tepër eficiencës së tyre dhe mangësive të kundërshtarit nëpër fushata elektorale.  

E çuar në ekstremin e vet, megjithatë, kjo teori shpërfaq kufizimet e asaj që potenacialisht mund të jetë një ndryshim rrënjësor i shoqërisë shqiptare. Nëpër dalje të ndryshme publike gjatë fushatës së fundit elektorale, Lubonja është shprehur se edhe pse tre banda, PD-PS-LSI e drejtojnë shoqërinë shqiptare si timonierët e një anijeje. Kur njëra bandë e anon anijen nga njëra anë duke rrezikuar ta përmbysë, atëherë dy të tjerat – së bashku me gjithë elektoratin jomilitant të lodhur nga politika e tyre – duhet të bëhen bashkë nga cepi tjetër i anijes për ta balancuar atë. Kjo qasje nuk lë vend për asnjë alternativë tjetër e cila duke mbledhur vota – sipas kësaj teorie – vetëm sa do ta dobësonte efektin balancues.  

Me fjalë të tjera, teoria në fjalë mund të quhej edhe logjika e zgjedhjes “së të keqes më të vogël”, e cila ka influencuar ndarjen e votës që prej fillimeve të pluralizmit në Shqipëri. Në gjithë këto vite ajo ka përbërë një spirale të orientuar drejt batakut, ku në fundin e mandatit të dytë të çdo pushtetari sytë janë kthyer me nostalgji nga i mëparshmi, kundër të cilit u votua tetë vjet të shkuara pikërisht sepse ishte “e keqja më e madhe”. A është balancimi i anijes ajo që i nevojitet shoqërisë, duke supozuar se do ta shpëtojë nga mbytja apo mos ndoshta “balanca” në vetvete është problemi? Për ç’lloj balance jemi duke folur? Mos ndoshta përmbytja nga e cila supozohet se do na shpëtojnë dy bandat opozitare s’është më shumë se një iluzion që ruan ekuilibrin në interes të të treja bandave?

Përgjigjen e pyetjeve që po ngremë e jep po vetë Lubonja, me një tjetër teori që shtron lidhur me strukturën socio-politike të ngritur në këto 30 vite. Lubonja e krahason sistemin e ngritur me një godinë trekatëshe, në bodrumin e së cilës qëndron krimi i organizuar, në katin e parë oligarkia, në të dytin media dhe në të tretin partitë politike. Lubonja thotë se: “E vetmja gjë që ndryshon janë zyrat lart të kryetarit të opozitës që bëhet Kryeministër, ndërsa pushteti i këtyre poshtë (mediat, oligarkët dhe krimi i organizuar) është gjithnjë i pandryshueshëm.” Ndoshta furtuna e anijes që duhet balancuar po ndodh në fakt brenda gotës me ujë në katin e tretë. Ajo që i mungon analizës së godinës trekatëshe është pikërisht roli i elektoratit.  

I vendosur përpara ekranit të televizorit, elektoratit i lirohet kolltuku i konsumatorit të cilit i ofrohet zgjedhja përmes ofertës elektorale. Nga tre banda, partitë politike transformohen në tre pije freskuese, secila me ngjyra dhe shije të ndryshme: njëra me shije pjeshke, një tjetër luleshtrydheje dhe e treta ekzotike. Ajo për të cilën nuk flitet, megjithatë, është sasia e sheqerit dhe e gazit (oligarkia dhe media), e pranishme në masë të njëjtë në secilën prej tyre, që shkakton diabet e gastroenterit tash’ e 30 vjet.

Sa më sipër nuk është ndonjë fenomen posaçërisht shqiptar, por një tendencë në perceptimin e politikës si zgjedhje konsumatorësh e shtrirë në mbarë botën Perëndimore që prej Fundit të Historisë së Fukuyama-s. Nocioni neoliberal i tregut si rregullatori suprem i çdo marrëdhënieje njerëzore e ka shtrirë logjikën e kërkesës dhe ofertës në sfera që më parë konsideroheshin si publike. Kështu, edhe universiteti është një treg i madh ku studenti është një konsumator me detyrën për t’u mirinformuar lidhur me ofertën që i përshtatet, që më pas të bëjë zgjedhjen e duhur. Investimi (tarifa studentore) mbart me vete edhe riskun e falimentit përmes borxhit (studentor). Po njësoj, edhe vendi i punës është një zgjedhje – edhe pse thellë brenda minierës; edhe shtëpia ku banon, edhe mjerimi ku je zhytur. Siç thoshte Anatol France-i, “ligji, në barazinë e tij madhështore, i ndalon njësoj si të pasurit edhe të varfrit të flenë nën ura, të lypin rrugëve dhe të vjedhin bukë.” Gjithçka është zgjedhje, është veç çështje prioritetesh…

Askush nuk shtron më pyetjen e dikurshme, atë se vullnetin e cilit grupim shoqëror – cilës klasë – përfaqësojnë partitë politike që kërkojnë votën për të sunduar sot në Shqipëri. Ndoshata atëherë e vetmja përgjigje e vërtetë do ishte ajo që të çon te banorët e katit të parë – tek oligarkët. E ca më tutje, cili do të duhej të ishte roli i masave popullore në procesin politik? Nga letargjia e konsumatorit që politikën e pëson, do të duhej të shkohej drejt rolit të shumësisë aktive dhe vepruese, e cila përfaqësimin e konsideron si një ndër format e të bërit politikë, por assesi të vetmen. Çka duhet të përfaqësohet në parlament është zëri buçitës i një shumësie që vlon, jo i qaravitjeve të konsumatorëve që vuajnë nga diabeti.

Rruga është ajo e shenjuar nga Elton Debreshi në këto zgjedhje: punëtori që politikën nuk e pëson, por e krijon përmes vullnetit të kolektivit që e rrethon, nga periferia e harruar, larg qendrës mondane e të pështirë. Ai organizohet sindikalisht, përplaset dhe humbet sepse përballë ka njeriun më të pasur e më të pushtetshëm – personifikimin e sistemit oligarkik – Samir Manen. Po përplasja e bën më të fortë e më të vendosur, e bën që të gjejë guximin të sfidojë mbarë establishmentin politik, mbarë llumin që ka mbuluar shoqërinë.

Ata, vijnë me kollare e ju ushqejnë me premtime. Por ata, ofiqin ia kanë për nder atij që i ka vënë në listë, atij që i ka sjellë te ju – Kryetarit të Partisë. Mua te ju më ka sjellë vetëm halli im, që është edhe halli juaj. Unë nuk ia di për nder asnjë kryetari sepse besën ua kërkoj vetëm juve. E nëse juve ju kam në krah pasi të shkoj në Parlament, nuk ka oligark e pushtetar që të heshtojë protestën tuaj për jetë me dinjitet.” – thotë Elton Debreshi në takimet me banorët e Dibrës.

Nëse vazhdojmë të diskutojmë se kujt po ia merr votat Elton Debreshi, nëse vazhdojmë të aludojmë se ai është faktor zhbalancues i anijes, nuk jemi duke folur për rolin e popullit në politikën aktive, nuk jemi duke folur për oligarkinë që sundon pavarësisht gjemive që pluskojnë në ujëra të trazuara. Nëse analiza politike kufizohet në teorinë e tre bandave, atëherë nuk ka nevojë për një subjekt të ri sepse a priori e reja do të zhbalancojë të vjetrën. Çdo të riu i thuhet që të “angazhohet” në politikë, duke u mjaftuar ama te njëra prej bandave. Madje do të jetë i nderuar ai që kërcen sa nga njëra bandë te tjetra sepse kështu po balancon anijen. Çdo i ri ngelet i vjetër, në mendësi, në interesa meskine, në politikëbërje. Çdo i ri ngelet i zhytur në moçalin ekzistues, pa u kthyer kurrë në subjekt me potencial transformues.

Në këto zgjedhje do të buçasë Dibra që të hapë veshët Tirana. 

Imazhi: Camilla de Maffei

This image has an empty alt attribute; its file name is direct

Ky artikull është botuar nën licensën CC BY-SA 4.0.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.