Pandemi dhe utopi

/Arlind Qori/

Përmes utopisë filozofia bëhet politike dhe e çon më lart pikën e kritikës ndaj epokës së saj. – Gilles Deleuze, Félix Guattari

Fantazia e funksionit utopik dallohet nga fantazimi i thjeshtë pikërisht sepse vetëm ajo mbart një ende-të-pa-qenë që mund të arrihet; d.m.th. nuk luan apo endet në një mundësi të zbrazët, por i paraprin psikikisht një mundësie reale. – Ernst Bloch

Tingëllima jorealiste e këtyre tezave nuk flet për karakterin e tyre utopik, po për fuqinë e forcave që pengojnë realizimin e tyre. – Herbert Marcuse

Hartës gjeografike që nuk shënon vendin e Utopisë nuk meriton t’i hedhësh sytë. – Oscar Wilde

***

Deri disa ditë më parë ishte krijuar përshtypja se emergjenca e përhapjes së koronavirusit do të mbyllej për çështje javësh. Jo më kot qeveria shqiptare u vuri afat dyjavor mbylljes së institucioneve arsimore. Mirëpo gjasat janë që në shumicën e vendeve kjo situatë të zgjasë me muaj, në mos një vit të tërë.  Katastrofik mund të jetë jo vetëm numri i lartë i të infektuarve, por edhe ngjeshja e tyre në kohë, çka do t’ua thyente shpinën përfundimisht kapaciteteve spitalore edhe të vendeve më të fuqishme. Qeveri si ato të Gjermanisë apo e Mbretërisë së Bashkuar po bëjnë llogaritë e situatës më të keqe të mundshme, që do të sillte infektimin e 70%-80% të qytetarëve; madje edhe vdekjen e rreth 1% të tyre, çka në rastin e Mbretërisë së Bashkuar do të nënkuptonte rreth 500.000 qytetarë, kryesisht të moshave të thyera.

Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar janë pararoja e sistemit shëndetësor botëror, jo rastësisht në pronësi dhe administrim publik. Prapëseprapë parashikojnë dhe marrin masa për gjëmën. Mendja shkon kollaj te pyetja: Ç’mund të bëhej në një vend si Shqipëria, me një sistem shëndetësor publik të rrëgjuar në dekada nga pamjaftueshmëria e investimeve, allishverishet e koncesioneve dhe një rrjet spitalor privat që të krip kokën po i hyre në derë?!

Në rastin më të mirë, për pak javë situata do t’i kthehet normalitetit. Emergjenca disajavore mund të kalohet duke tendosur litarin e tanishëm të marrëdhënieve ekonomiko-shoqërore. Po kjo do të ishte e pamjaftueshme nëse emergjenca kthehet në normalitet disamujor a më shumë. Çka kërkon që sot të mendojmë shpejt, por me arsye, rreth një ndryshimi radikal të organizimit të jetës ekonomike të vendit për t’u dhënë përgjigje pyetjeve si: Si do ta përballonim rritjen e shpejtë të numrit të të infektuarve? Si mund t’i rrisnim aq sa duhet kapacitetet spitalore, në infrastrukturë dhe burime njerëzore? A mund të shkohet te rekuizimi i infrastrukturës shëndetësore të spitaleve private (në rast kundërshtimi nga pronarët e tyre, shpronësimi)? Më tej, a do të mjaftonin kufizimet e tanishme apo masat e marra në lidhje me farmacitë, furrat e bukës dhe ushqimoret? Si do ta siguronim ushqimin dhe produktet jetike për përmbushjen e nevojave të të gjithëve në kushtet ku rrezikohet kriza ekonomike?

Këto pyetje kërkojnë një ndryshim radikal të përparësive, duke vendosur nevojat shoqërore përpara fitimit, dëshirave apo çfarëdo çapkënllëku tjetër. Që sot – duke kujtuar qindra mijëra të papunët, të nënpunësuarit e mjeranët e shoqërisë sonë – është imperative njohja me ligj e minimumit jetik, ku çdo njeriu do t’i siguroheshin të paktën 16.000 lekë në muaj, me të cilat do të siguronte ushqimin, pagesat e energjisë elektrike, ujit etj.

Sidoqoftë, kjo nuk mjafton. Është e vërtetë që një shoqëri ka nevojë më së pari për ushqim, veshmbathje, strehim, energji, rrjete transporti e telekomunikacioni etj.; të tjerat edhe mund të sakrifikohen përkohësisht. Po nëse emergjenca vazhdon gjatë, e gjithë ekonomia do të binte si një shtëpi letrash. Shoqëria duhet të prodhojë e të kryejë shërbime të gjera, përndryshe edhe nevojat bazike herët a vonë do të rrezikoheshin.  

Si mund të sigurohet prodhimi dhe forcat e mjaftueshme punëtore në gjendje pandemie dhe paniku? Në kushte normale kapitalizmi ofron anarkinë vetërregulluese të tregut. Po bursat janë në rënie, sa e sa sipërmarrje rrezikojnë të falimentojnë, paralajmërohen recesione të zgjatura, në mos më keq. Situata mund të bëhet e jashtëzakonshme në mënyrë gjysmëpermanente. Në këto kushte anarkia e tregut do të sillte veç kaos.

Nga ana tjetër, çdo punëtor do të ndihej përditë e më i mëdyshur midis domosdoshmërisë për të siguruar të ardhura përmes punës dhe frikës së infektimit. Kontradikta midis nevojës së tij për siguri dhe dëshirës për fitim të pronarit do të ashpërsohej aq shumë, saqë nuk do të ishte çudi që prodhimi, edhe në sektorët jetikë, të bllokohej si rezultat i masave disiplinore ekstreme, grevave spontane apo braktisjes masive të vendit të punës.

Historia na tregon se në kohë lufte institucionet publike marrin në kontroll sektorët kyçë të ekonomisë prodhuese – jo vetëm të industrisë së armatimeve, por edhe të prodhimit të lëndëve të para dhe shërbimeve bazike. Sot armiku nuk ka topa e aviacion, por mund të depërtojë mes nesh duke na gjunjëzuar pa e kuptuar. As punëtorët nuk mund të kamxhikohen në punë apo thjesht të miklohen me rritje page apo sigurim në bunkerë prodhues. Virusi nuk bombardon nga qielli, por depërton nga prekja dhe afria. Vërtet që në Itali patronati dhe sindikatat kanë arritur një ujdi për organizimin e punës, por ajo zor se mund të mbajë në një emergjencë që, pasi të kalojë muajin, do të krijojë ndjesinë e pambarimësisë.  

Për ta shmangur këtë kaos të mundshëm, do të duhej të guxonim të preknim jo vetëm strukturën ekonomike (çfarë prodhohet, kush prodhon dhe si e prodhon?), por edhe marrëdhëniet pushtetore brenda qendrave të prodhimit dhe shërbimit (kush vendos se çfarë dhe sa do të prodhohet, si do të organizohet puna etj?)

Pavarësisht se dashnorët e vetërregullimit të tregut do të rrudhnin buzët edhe nga shtrati në korridor të spitalit, do të nevojitej një planifikim i pjesshëm ekonomisë, së paku sa për të garantuar të mirat bazike për çdo qytetar dhe mbajtur ekonominë në këmbë. Kësisoj duheshin parashikuar – edhe përmes kontributit virtual të qytetarëve – nevojat e popullsisë. Së këndejmi, duheshin përcaktuar sektorët ku, për shembull, për asnjë arsye nuk do të mund të ndërpritej puna. Jo vetëm kaq, por për hir të lidhjeve të pasme (backward linkages) midis sektorëve, duheshin siguruar edhe sektorët apo ndërmarrjet mbështetëse të tyre.

Pastaj do të lindin pyetje edhe më të vështira: Si do të financoheshin ato në kushte krize? Çfarë dhe në ç’sasi duhej të prodhonin? Për shembull, si do të nxiteshin ose (në rast ekstrem detyroheshin) industritë e drurit të prodhonin më shumë shtretër spitalesh se divane shtëpiake? Me ç’masa duhej të bindeshin pronarët e tyre që të ndiqnin logjikën e prodhimit për hir të nevojave shoqërore përpara asaj të fitimit personal? A mund të vendoseshin të dërguar fuqiplotë të institucioneve publike që do të kishin fuqi vetoje apo urdhri në rast nevoje?

Një i tillë planifikim nuk do të realizohej dot kurrë me policë e ushtarë, as vetëm me nëpunës të shtetit. Mungesa e përvojës dhe anatemimi disadekadësh i çdo planifikimi publik, për të mos folur për kapacitetet e ulëta administrative, më shumë do të sillnin kaos. Kjo kërkon që faktor vendimtar në bashkëdrejtimin e ndërmarrjeve të ishin vetë punëtorët, ata që njohin procesin e punës dhe përbëjnë forcën lëvizëse të çdo prodhimtarie. Rregulloret e masave të ruajtjes e të punës mund të hartoheshin nga institucionet qendrore, por zbatimi i tyre kërkon bashkëpunimin e vullnetshëm të qindra mijëra punëtorëve e prodhuesve të vendit tonë. Ata duhet të kishin zërin më të fortë në negocimin e shpërblimit të punës, intensitetit dhe orareve të saj. Që t’u kërkosh në situatë ekstreme punëtorëve që të shkojnë në punë dhe të vazhdojnë të prodhojnë për shoqërinë, nevojitet që ata ta ndjejnë veten zot në qendrën e tyre të punës. Ata do të ruajnë veten dhe shokët/shoqet, si edhe do t’i merrnin parasysh rreziqet. Fundja kur ndërthur idenë e të punuarit për veten (në kuadrin e shpërblimit) me atë të kontributit për shoqërinë (jo thjesht për fitimin e atij që deri dje ta ka nxirë jetën), mund të arrihet shumëçka.

Ku do t’i çonte pronarët e sipërmarrjeve të mëdha kjo situatë? Nëse nuk do të karantinoheshin në shtëpi nga frika e koronavirusit, mbase mund të ushtronin përvojën e tyre si bashkadministratorë të sipërmarrjeve. Zgjatja në kohë e këtij organizimi gjysmëdemokratik të vendit të punës do të ngrinte medoemos çështjen e ardhmërisë. Kush do ta propozonte realisht kthimin pas te kamxhiku i pronarit, ku punëtorët trajtohen si mos më keq?! Sidomos pas një ndërhyrjeje publike dhe pjesëmarrjeje punëtore të cilat do të ishin faktorët kryesorë të shpëtimit të ndërmarrjeve nga falimentimi.

Emergjenca e vazhdueshme do të krijonte nevojë për akumulim publik të kapitalit dhe investime publike të fuqishme. Në pamundësi për të marrë hua nga institucionet financiare të huaja, sytë duhej të ktheheshin nga bankat vendase. Deri në ç’pikë do të detyroheshin ato të financonin investimet e nevojshme pa rrezikuar kolapsin? Pastaj, të mos harrojmë malin e krimbur të kapitaleve të akumuluara ndër dekada nga oligarkët dhe krimi i organizuar. Ca prej tyre mund t’i kenë një pjesë të aseteve në bankat zvicerane, por edhe qendrat tregtare, komplekset turistike apo paratë e tyre në bankat vendase nuk do të ishin pak. Nëse nuk duam ta quajmë shpronësim, le ta konsiderojmë si huamarrje e sforcuar, me datë të pacaktuar kthimi dhe me kushtin që nuk do të kthehet gjithçka.

Problemi më i madh i masave të mësipërme është se ato kërkojnë institucione publike me kapacitete të forta dhe që gëzojnë besimin e qytetarëve. Në Shqipëri nuk ndodh as e para, as e dyta. Paniku shoqëror, nga ana tjetër, do të pamundësonte mbledhjet e mëdha të qytetarëve në sheshe apo përpara parlamentit e kryeministrisë, që do të përmbysnin sistemin politik oligarkik aktual për ta zëvendësuar me një demokraci të re.

Po ende kemi mundësitë e komunikimit virtual. Partitë, përveçse hajdute, janë edhe oportuniste. Nëse u vjen litari rreth qafës nga angazhimi virtual i qytetarëve, ato do të bëjnë plane për të ardhmen e tyre dhe nga frika se mos vdesin politikisht – apo më keq akoma nga shpërthimi i apokalipsit shoqëror në kushte ekstreme – do të detyroheshin ta ndryshonin seriozisht qasjen.

Gjithsesi ekonomitë e sotme janë shumë më pak të vetëmjaftueshme – edhe për të mirat bazike – nga ç’ndodhte dekada më parë. Në këto kushte, shumë pak mund të bëjmë vetëm. Pa një ndërgjegjësim global, pa forma të planifikimit ekonomik – ndarjes dhe përdorimit të burimeve, disa kuotave të prodhimit dhe rregullimit të shpërndarjes, për të mos përmendur lehtësimin e transaksioneve financiare drejt vendeve me më shumë nevoja – nuk do të arrihej asgjë. Sot bota është një më shumë se shumë herë të tjera. Nëse pandemia vazhdon e thellohet, ajo duhet të bëhet njësh si kurrë më parë.

Alternativa nuk mund të gjendet tek izolimi, lufta apo masat proteksioniste – të cilat virusi korona dhe virusi i kaosit i depërton kollaj. Ajo kërkon arsye publike botërore, integrim të planifikimeve kombëtare, përparim të shkencës dhe mënyra të reja të organizimit të prodhimit, shërbimeve, shpërndarjes, madje edhe konsumit.

Sa më sipër ka pak mundësi të ndodhë. Me shumë gjasë, virusit dhe panikut do t’i vihet fre përpara se ta shkatërrojë pakthyeshëm kapitalizmin global. Edhe në qoftë kështu, kaq shpejt e harruam se në kohë “normale” ky kapitalizëm po na e bën të pajetueshëm planetin, kredh miliarda njerëz në geto e mjerim, thellon frikshëm pabarazitë, hollon përditë të drejtat shoqërore dhe atë pak demokraci që gjendet aty-këtu, si dhe kërcënon me luftëra botërore e shpërngulje të popullsive të tëra?! Javët e fundit duhen parë si kondensim një gjendjeje të jashtëzakonshme gjysmëpermanente, dalja nga e cila kërkon masa radikale. Hiç më pak se eksperimentimin me arsye, seriozitet dhe pjesëmarrje demokratike.

Utopike? Jo shumë kohë më parë utopike konsideroheshin heqja e skllavërisë, e drejta universale e votës, barazia gjinore etj. Utopia nuk është vendi i pamundur, por pamundësia për të qëndruar në të njëjtin vend. 

Imazhi: Kostantin Yuon – Planeti i ri (WikiArt)

This image has an empty alt attribute; its file name is direct

Ky artikull është botuar nën licensën CCA 4.0 (Creative Commons Attribution 4.0 International License).

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.