/Redi Muçi/
Para pak ditësh pata rastin të vizitoj Bathoren e të takoj tri vajza adoleshente të cilat e kishin lënë gjimnazin dhe punonin në një fasoneri italiane që prodhon këpucë të markave më të mira. Biseda me to ishte si një udhëtim pas në kohë rreth dy shekuj – shfrytëzimi në punë, realiteti zakonor, sakrifica për hir të familjes… e megjithatë ato ngjanin si çdo moshatare e tyre nëpër gjimnazet e metropolit. Vetëm pak kilometra larg tij, por sa qindra vjet mbrapa? Rreshtat e mëposhtëm janë një sintetizim i bisedës me to, ku faktet përshkruhen tamam ashtu siç u rrëfyen nga gojët e tyre.
Një vajzë e re sot në Bathore është e lirë të vazhdojë shkollën e mesme, është e lirë. Por ajo zgjedh të punojë në fabrikë sepse familja nuk mbahet dot vetëm me rrogën e nënës. Ndërtimet janë rralluar, hashashi nuk mbillet më, kështu që babai është i papunë. Vëllai ka emigruar në Angli me kamionët e transportit të mallrave. Prandaj liria për shkollë asaj nuk i jep bukë, puna po.
Një vajzë e re sot në Bathore është e lirë të punojë tetë orë në ditë nga e hëna në të premte, është e lirë. Por është e lirë edhe ta humbasë vendin e punës nëse nuk punon jashtë orarit për shtatë ditë në javë, të paktën gjatë atyre javëve kur kamioni me këpucë niset për Itali, kur italianët mund të ngelen këmbëzbathur nëse duart e saj nuk punojnë edhe të dielën.
Një vajzë e re sot në Bathore është e lirë të dashurojë, është e lirë. Por martesa dhe burri janë dy gjëra që s’varen prej saj. Dashuria është për shokun; martesa është për të siguruar nderin dhe të ardhmen e familjes. Burrin e zgjedh babai dhe shkëmbimi ndodh nga burri në burrë. Pronari i ri – burri – edhe po i dha një dru të mirë, është burrë.
Një vajzë e re sot në Bathore është e lirë të bëjë pushim gjysmë ore gjatë orarit të punës, sa për të ngrënë e për të kryer nevojat personale, është e lirë. Por ajo gjysmë ore do t’i shtohet në fund të ditës nëse ajo do që pagën minimale ta marrë të plotë për atë ditë pune. Për të ngrënë e për të pshurrur nuk të paguan kush. Po makina që s’ha, pse s’ankohet?
Një vajzë e re sot në Bathore është e lirë të dalë në rrugë, është e lirë. Asaj i kanë thënë të dalë dhe të admirohet nga gjahtarët e rrugës, por sytë duhet t’i mbajë në tokë. Shikimi sy më sy është provokim për gjahtarët dhe ç’ndodh më pas është vetëm faji i saj. Ajo do të kthehet në shtëpi para se të erret sepse në terr atë nuk e sheh (dhe kontrollon) kush.
Një vajzë e re sot në Bathore është e lirë të punojë sa t’i mpihen duart dhe shpina, është e lirë. Puna kryhet në seri dhe intensitetin e përcakton makina. Nëse dikush ngelet mbrapa, puna ndalon për të gjithë dhe menaxheri bellpaesan nuk është i lumtur, por ulërin. Ulërin njësoj siç bën të dielave kur kthehet në atdhe dhe shkon në stadium për të bërë tifo për skuadrën e zemrës.
Një vajzë e re sot në Bathore është e lirë të ëndërrojë, është e lirë. Ajo do të donte të shkollohej për mësuesi sepse i adhuron fëmijët, dhe jetën do donte ta kalonte duke u mësuar atyre poema. Por kjo ëndërr u këput herët, e pas dhjetë vjetësh kyçet e duarve të saj do të jenë shkatërruar nga fëndyelli që shpon lëkurën, sepse studimi në këtë vend është privilegji i pasanikëve.
Një vajzë e re sot në Bathore është e lirë sepse kështu thotë ligji i botës sonë të emancipuar e demokratike. Por çmimi i lirisë është tepër i lartë për t’u blerë me paratë e punëtores që qep këpucë.
Imazhi: Frank Espada – Two Girls Smiling
Ky artikull është botuar nën licensën CCA 4.0 (Creative Commons Attribution 4.0 International License).