Një botë e re po lind gërmadhash
/Klodi Leka/
Sot, pas një fitoreje historike me distancë plebishitare vote, kryeministër i Greqisë u shpall radikali majtist grek Aleksis Tsipras. Ky lajm shkaktoi dallgë të mëdha dridhmash gëzimi dhe tmerri. Evropa u zgjua dyshuese mbi veten e saj. Pa se në brendësi të komunitetit evropian, Gadishullit Ballkanik dhe gjithë popujve të kontinentit ekziston një çarje, kontradiktë dhe antagonizëm. Se në kohën e sodit ekzistojnë dy botë, më se të papajtueshme me njëra tjetrën. Bota e njerëzve të thjeshtë të nëntokës e rrafshtokës që kërkon drejtësi shoqërore dhe bota e burrave të kapitalit që imponon falimentin e saj. Kokëpalarë dhe kapitalistë. Një fantazmë po sillet Evropës, fantazma e…
Nesër, në qendër të Prishtinës mbahet demonstrata e ultimatumit njëzetekatërorësh drejtuar qeverisë për shkarkimin e ministrit Jabllanoviç për deklaratat fashistëzisht nënçmuese dhe kalimin parlamentar të ligjit për riorganizimin e ndërmarrjes industriale të Trepçës. Dy ditë më parë, në një nga demonstratat më të mëdha që pas luftës, dhjetëra mijëra qytetarë vërshuan bulevardit kryesor të Prishtinës për të shpalosur pakënaqësitë dhe kërkesat e tyre karshi pushtetit qendror. Por pushteti, pak orë para demonstratës tjetër, as e ka shkarkuar ministrin dhe as e ka kaluar ligjin për shtetëzimin e Trepçës. Mizerja ekonomike e pjesës dërmuese të popullit të Kosovës dhe mizoria politike e pushtetarëve të saj duket se po çon drejt një përplasjeje të pashmangshme politike dhe shoqërore, drejt pranverës kosovare. Fjalimi i kryeaktivistit Kurti në demonstratën e të shtunës artikulon më së miri kushtet në të cilat ndodhet populli i Kosovës dhe reagimi radikal që rrjedh prej tij.
Po ashtu, në aktualitetin ditor të Tiranës zyrtare ngjanë dy ndodhi domethënëse me të folurën dhe heshtjen e tyre. Ndryshe nga zgjedhjet e kaluara parlamentare në shtetin grek ku s’i durohej të bënte pasokistin e entuziazmuar, këtë herë kryeministri dhe kryesocialisti Rama nuk mbajti asnjë qëndrim ndaj rezultatit zgjedhor. Meqenëse i dashuri Pasok pritej të dilte për faqe të zezë, siç edhe doli,sivjet nuk pati as thirrje dhe as delegacione pranë emigracionit dhe partisë “motër”. Zogu llafazan i kryeministrit ka dy ditë që nuk cicëron rreth kësaj çështjeje, edhe pse zogjtë e të gjitha vendeve tuitërojnë këngë të reja internacionale.
Ndërkohë, kryeopozitari bukurosh, çegevaristi i rruar e i qethur, protestoi sot kundër rritjes së çmimit të naftës duke ndaluar makinat për disa minuta në bulevardin e Tiranës. Ai akuzoi sërish oligarkët në pushtet dhe premtoi pranverizim të zemëratës popullore. Qytetarët e takuar prej tij në trafikun e rënduar kryeqytetas shprehën pakënaqësitë për rritjen e çmimit të naftës, energjisë, shportës së konsumit dhe shërbimeve të tjera të domosdoshme, e ky, kthimin e vendimmarrjes tek ta. Qindra bori buçitëse brohoritën profetin e tyre të parfumosur tek i printe turmës së veturave luksoze.
Të dy, bashkë me aparatet e tyre propagandistike të gazetave dhe gazetarëve, piarit informativ dhe faqeve të facebook-ut, heshtën jo vetëm ndaj të dramës greke, por edhe ndaj tragjedisë kosovare. As edhe një çerek fjale. Jo domosdoshmërisht fjalët qëndrimbajtëse dhe solidarizuese, por as pallavrat e zakonshme me “stabilitet” dhe “paqe evro-atlantike”. Rreth ngjarjeve të Kosovës shtypi informativ vazhdon të japë lajme të pakta dy trifrazëshe dhe pa një peizazh shpjegues të çështjes, ndërsa rreth ndodhisë greke interpretime spekulative pa tagrin dhe intelektin për ta artikuluar problemin e krizës. Ndërkaq, rubrikat përndizen nga cicat e Kim Kardashian-it.
Ky banalitet nuk është dhe aq i rastësishëm. Heshtja ndaj fundjavës kosovare dhe leximi i Ciprasit me gjuhën gagaçe të fjalorthit zyrtar shprehin më së miri rreshtimin e klasës tonë politike me pushtetin shtypës të Prishtinës dhe padëshirën e saj për t’iu referuar iniciativave të mëdha rimëkëmbëse në punët e brendshme. Në të dyja rastet politika shqiptare shfaqet servile ndaj shtypësve ndërkombëtarë dhe shtypëse ndaj bashkëkombësve të saj. Ajo është bajraktare lokalisht dhe kapitulluese rajonalisht e evropianisht. Ajo nuk ka vullnet për ndryshime dhe fuqizim. Ajo lutet që zjarri dhe zierja ballkanike të mos zbarkojë në shtëpinë e saj, sakaq jo vetëm mban ndezur vatrat e zjarrit, por edhe i spërkat me benzinën e politikave privatizuese ato.
Fitorja e Syriza-s ne Greqi nuk është vetëm fitore ndaj klasës së konservuar, por edhe distancim ndaj klasës së re politike, këmishëbardhëve soc-liberalë, socialistë me fjalë dhe neoliberalë me vepra. Ky brez politik gjer më dje krenohej për zbimin nga skena politike të pensionistëve të korruptuar e burokratë që me demodenë e tyre mundësuan kaplimin e krizës. Por sot është ndryshe. Politikat e ndjekura kanë dëshmuar se këmishëbardhët e rinj jo vetëm që nuk dallojnë nga pararendësit, por janë vazhduesit e drejtpërdrejtë të direktivave privatizuese, madje thelluesit e mëtejshëm të tyre. Dallimi është thjesht estetik: fytyra simpatike dhe pa pardesy.
Sot brezi i ri i politikës europiane ka pësuar thyerje! Në njërën anë qëndron Ciprasi dhe Kurti, në tjetrën Rama dhe Vuçiçi (në mos më keq, Renci). Të gjithë rrezatojnë shpresa të mëdha popullore, por të dytët i kanë rrëzuar ato. Në formë duken të njëjtë, por në përmbajtje janë radikalisht të ndryshëm. Kjo dëftohet nga vizioni që kanë për botën dhe vendin e tyre. Jo nga fjalët e përdorura, të cilat retorikisht mund të ngjajnë disi, por nga veprimet dhe qëndrimet e mbajtura si në punët e brendshme, ashtu edhe në të jashtmet.
Dy të parët i kundërshtojnë me forcë kushtëzimet e imponuara ndërkombëtare mbi shtetet dhe shoqëritë e tyre, ndërsa të dy të dytët ose i suportojnë në pozitat e pararojës, ose iu binden pa kushte atyre. Dy të parëve legjitimiteti iu buron nga poshtë, nga nevojat dhe kërkesat e masave popullore, ndërsa të dytëve nga lart, nga interesat financiare të strukturave eprore mbikombëtare. Dy të parët sigurinë e politikave të rrezikshme e gjejnë tek solidarizimi i çdo kolektiviteti dhe qytetari evropian, ndersa të dytët te kapitali i huaj dhe shtypja e kolektiviteteve qytetare. Dy të parët kthejnë monopolet private në pasuri publike, ndërsa të dytët privatizojnë edhe atë pak ç’ka mbetur nga publikja. Dy të parët duan të rrisin shpenzimet publike me bjerrjen e kapitalit te madh privat; ndërsa të dytët kompensojnë privatët me para të mëdha publike. Dy të parët janë për punëtorët, të dytët për pronarët. Këto dallime vazhdojnë pafundësisht sepse i përkasin një kontradikte themelore, prej nga rrjedhin kontradiktat e tjera pasuese.
Bash për këtë arsye nesër lind një ditë e re. Ajo e përballjes së punës me kapitalin. E popullit me pronarët dhe pushtetarët. E demokracisë direkte me burokracinë formale. E të vegjëlve me të mëdhenjtë. E ideve të reja me realitetin ekzistent dhe komponentët konservatorë të tij. Qysh nesër, Aleksis Tsipras do të përballet me shantazhin ndërkombëtar, krizën ekonomike dhe poshtërimin e popullit të tij. Si edhe Kurti. Por mbi të gjitha do të ballafaqohen me veten, me besimin në idetë dhe realizimin praktik të tyre. Për ne, shikuesit pasive të piarit dhe reklamave hegjemonike të pushtetit qeveritar, këto kohë ngjajnë interesante. Mbase spikeret do nisin të thonë fjalë të tjera, pamje të tjera, sa të çuditshme aq edhe trazuese. Fjalë dhe pamje që mbase do të yshtin ikjen tonë nga makthet historike dhe aktuale në të cilat kemi ngecur! Fjalë dhe pamje që në mos na shtyjnë drejt veprimit, të paktën na japin guxim të mendojmë se një rrugë tjetër është e mundur. Ajo e internacionalizmit, që nuk e përjashton, por e kushteton të drejtën për vetëvendosje. Se internacionalizmi është e vetmja rrugë për të ikur nga kriza dhe melankolia kombëtare, jo përmes arratisjes por ballafaqimit. Përmes propagandimit të idesë se një botë tjetër është e mundur.
Ky artikull është botuar nën licensën CC BY-SA 4.0.