/Giorgio Agamben/
Nuk është e mundur të rroket synimi real i zgjatjes së gjendjes së jashtëzakonshme në Francë (gjendje e shtyrë deri në shkurt) nëse nuk vendoset në kontekstin e një transformimi radikal të modelit shtetëror që njohim deri më sot.
Nevojitet pikësëpari të përgënjeshtrohet ajo çka thonë politikanët e papërgjegjshëm, sipas të cilëve gjendja e jashtëzakonshme na qenka një instrument në mbrojtje të demokracisë. Historianët e dinë fort mirë që e kundërta është e vërtetë. Gjendja e jashtëzakonshme është në fakt dispozitiv me anë të të cilit erdhën në pushtet regjimet totalitare në Evropë. Në vitet që i paraprinë ngjitjes në pushtet të Hitlerit, për shembull, qeveritë socialdemokrate të Vajmarit i ishin drejtuar kaq shumë gjendjes së jashtëzakonshme (ose gjendje e përjashtuar, siç thonë gjermanët), saqë mund të thuhet se Gjermania kishte reshtur së qeni demokraci parlamentare përpara vitit 1933.
I pari akt politik i Hitlerit pas emërimit qe shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme, e cila që nga ajo kohë e tutje nuk u hoq më. Kur habitemi nga fakti që në Gjermani nazistët kanë bërë kaq shumë krime pa u dënuar, harrojmë se ato veprime ishin krejtësisht të ligjshme pasi vendi ishte vënë në gjendje të jashtëzakonshme dhe liritë e individit ishin pezulluar.
Për shumë arsye, një skenar i ngjashëm mund të përsëritet në Francë: nuk është e vështirë të imagjinohet një qeveri e ekstremit të djathë që përdor një gjendje të jashtëzakonshme me të cilën qytetarët janë mësuar tashmë, pasi është një gjendje e përdorur prej qeverive socialiste. Në një vend ku jetohet në gjendjen e jashtëzakonshme të vazhdueshme, ku operacionet e policisë zëvendësojnë progresivisht pushtetin gjyqësor, është e drejtë të pritet një zhbërje e shpejtë e institucioneve publike.
Të mbash frikën
E gjithë kjo përforcohet akoma me tepër po të merret në konsideratë fakti se gjendja e jashtëzakonshme është sot pjesë e pandashme e atij procesi që po transformon demokracitë perëndimore në diçka që duhet tashmë të quhet “shtet i sigurisë”(apo Security State, siç thonë politologët amerikanë). Fjala “siguri” ka hyrë aq thellë në leksikun politik saqë mund të themi, pa frikën e të gabuarit, se “arsyeja e sigurisë” ka zënë vendin e asaj që një herë e një kohë quhej “arsyeja e shtetit”(që ka të bëjë me interesat e shtetit, shënim i imi). Megjithatë një analizë e kësaj forme të re qeverisëse është aktualisht e vështirë të bëhet: shteti i sigurisë nuk i referohet as shtetit të së drejtës, as asaj çka Michel Foucault-ja e quante “disiplinim social”. Kështu, nëse duam të japim ndonjë përkufizim të mundshëm, duket e udhës të vendosim si fillim disa piketa.
Sipas modelit të filozofit anglez Thomas Hobbes, që e ka ndikuar jashtë mase filozofinë tonë politike, kontrata me anë të së cilës i ishin transferuar të drejtat sovranit supozonte frikën e ndërsjellë dhe luftën e të gjithëve kundër të gjithëve: shteti ishte pikërisht ai që i jepte fund frikës. Në shtetin e sigurisë ky model përmbyset me kokë poshtë: shteti themelohet mbi frikën dhe duhet vazhdimisht ta mbajë atë, ta ushqejë me çdo kusht pasi prej saj merr funksionin e tij thelbësor dhe legjitimitet. Foucault-ja ka shpjeguar se kur fjala “siguri”u fut në zhargonin politik francez me qeveritë fiziokratike përpara Revolucionit, nuk kërkohej që me anë të saj të parandaloheshin katastrofat apo zitë, por përpiqeshin që t’i linin të ndodhnin në mënyrë që më pas të mund t’i orientonin në drejtimin më të leverdishëm.
Nuk ka asnjë kuptim juridik
Në të njëjtën mënyrë, siguria për të cilën flitet sot nuk synon aspak që të parandalojë aktet e terrorizmit (ndër të tjera gjë shumë e vështirë, për të mos thënë e pamundur, meqenëse masat e sigurisë janë efikase vetëm pasi është kryer sulmi dhe terrorizmi për nga vetë përkufizimi është sulm pa paralajmërim), por synon të vendosë një marrëdhënie të re mes personave të bazuar në një kontroll të përgjithësuar dhe të pakufizuar: nga këtu rrjedh edhe vëmendja e veçantë për dispozitivët që mundësojnë kontrollin e përgjithshëm e të dhënave informatike dhe të komunikimit të qytetarëve, përshirë dhe mundësinë e të futurit në kompjuterët e tyre personalë.
Rreziku i parë është krijimi i një marrëdhënieje sistemike mes terrorizmit dhe shtetit të sigurisë: nëse shteti ka nevojë për frikën për t’u legjitimuar, atëherë është e nevojshme të provokohet terror ose, në rastin më të mirë, të bëhet e mundur që të mos pengohet. Kështu, shihen vende që ndjekin një politikë të jashtme e cila ushqen atë terrorizëm të cilin më pas pretendojnë të luftojnë nga brenda, që mbajnë marrëdhënie të mira ose, për më tepër, u shesin armë shteteve që njihen si financues të organizatave terroriste.
Një aspekt i dytë i rëndësishëm për t’u mbajtur në mëndje është ndryshimi në statutin politik të qytetarëve dhe të popullit, i cili mbahej si mbartësi i sovranitetit. Në shtetin e sigurisë vihet re një prirje e pandalshme kah depolitizimi progresiv i qytetarëve, pjesëmarrja politike e të cilëve reduktohet në sondazhe zgjedhore. Kjo tendencë bëhet akoma më shqetësuese po të marrim në konsideratë faktin se diçka e tillë ka qenë teorizuar nga nazistët, që e cilësonin popullin thelbësisht si të papolitikë (që nuk është në gjendje të bëjë politikë, të organizohet), të cilit shteti duhet t’i garantojë mbrojtje dhe rritje. Tani, sipas këtyre teoricienëve kishte vetëm një mënyrë për të politizuar këtë element të papolitikë: nëpërmjet bashkësisë së lindjes dhe të racës, që do ta dallonte popullin nga populli i huaj dhe nga armiku. Në këtë pikë nuk duhen ngatërruar shteti nazist me shtetin bashkëkohor të sigurisë. Ajo çka duhet kuptuar është fakti se kur depolitizohen qytetarët, e vetmja mënyrë për t’i nxjerrë nga pasiviteti është t’i mobilizosh me anë të frikës së një armiku të huaj, por jo tërësisht të panjohur: hebrenjtë në Gjermaninë naziste, myslimanët në Francën e sotshme.
Në këtë kontekst duhet të mendohet rreth projektit shqetësues të heqjes së shtetësisë për qytetarët me shtetësi të dyfishtë, çka sjell ndërmend ligjin fashist të 1926-s mbi çnacionalizimin e “qytetarëve të padenjë të shtetësisë italiane” dhe ligjet naziste mbi çnacionalizimin e hebrenjve.
Paqartësi dhe terror
Një aspekt i tretë, rëndësia e të cilit nuk duhen nënvlerësuar, është ndryshimi radikal i kritereve që vendosin të vërtetën dhe të sigurtën në hapësirën publike. Ajo që i bie më shumë në sy vëzhguesit të kujdesshëm në leximin e komunikatave zyrtare mbi aktet e terrorizmit, është heqja dorë tërësisht e kërkimit të një të vërtetë gjyqësore. Ndërkohë që në shtetin e së drejtës merret si një e dhënë themelore që një krim duhet të përcaktohet si i tillë nga një hetim gjyqësor, në paradigmën e sigurisë duhet të mjaftohemi me çka thotë policia ose mediat duke u bazuar te policia: dy burime që gjithnjë janë quajtur shumë të dobëta. Ja tek del në pah vala e pabesueshme dhe e dukshme e mospërputhjeve në ndërtimin zyrtar të të dhënave, që dredhojnë me zgjuarsi çdo mundësi verifikimi apo falsifikimi e që ngjajnë më tepër me muhabete baresh sesa me hetime të vërteta. Kjo do të thotë se shtetit të sigurisë i intereson që qytetarët – të cilëve duhet t’u garantojë mbrojtjen – të gjendet në paqartësi në lidhje me atë çka i kërcënon sepse paqartësia e terrori shkojnë shumë bashkë.
Kjo paqartësi gjendet në tekstin e ligjit mbi gjendjen e jashtëzakonshme të datës 20 nëntor, që i referohet “çdo personi ndaj të cilit ka arsye serioze për të menduar që sjellja e tij përbën kërcënim për rendin publik dhe sigurinë”. Është e dukshme që kjo formulë (“arsye serioze për të menduar”), e cila nuk ka asnjë kuptim juridik sepse bazohet në arbitraritetin e atij që “mendon”, mundet në fakt të aplikohet në çdo rast dhe ndaj cilitdo person. Tani në shtetin e sigurisë këto formula të papërcaktuara, që juristët gjithnjë i kanë cilësuar në kundërshtim me parimin e qartësisë të së drejtës, bëhen normë.
Depolitizimi i qytetarëve
E njëjta papërpikshmëri dhe të njëjtat ekuivoke vërehen në deklaratat e njerëzve të politikës të cilët mendojnë se Franca është në luftë kundër terrorizmit. Lufta kundër terrorizmit është kontradiktë termash sepse një gjendje lufte mund të quhet i tillë vetëm nëse ekziston mundësia e identifikimit me saktësi të armikut që kërkohet të luftohet. Në perspektivën e shtetit të sigurisë, përkundrazi, identiteti i armikut duhet të qëndrojë në paqartësi deri sa cilido – si brenda, ashtu edhe jashtë – të mund të identifikohet si i tillë.
Mbajtja e një gjendjeje frike të shtrirë, depolitizimi i qytetarëve, heqja dorë nga çfarëdo qartësie juridike: ja tre karakteristikat e shtetit të sigurisë që kanë të gjitha të dhënat për të na frikësuar. Nga njëra anë shteti i sigurisë drejt të cilit po shkojmë faktikisht bën të kundërtën e asaj që premton sepse nëse siguri do të thotë mungesë shqetësimesh (sine cura) (nga lat: pa u bërë merak), ai përkundrazi mbron frikën dhe terrorin. Nga ana tjetër shteti i sigurisë është një shtet policor pasi me anë të eklipsimit të pushtetit gjyqësor përgjithëson, shtrin më tutje, ata kufij që kishte policia. Kufij që, në një gjendje të jashtëzakonshme të bërë normë, rregull, janë përherë e më shumë përcaktues.
Nëpërmjet depolitizimit të qytetarëve, të shndërruar në një farë mënyre terroristë potencialë, shteti i sigurisë del nga fusha tradicionale e politikës për t’u drejtuar kah një zonë gri në të cilën publike e private ngatërrohen dhe është e vështirë të ravijëzohet një kufi i dukshëm.
E përktheu Alfred Bushi
Ky artikull është botuar nën licensën CCA 4.0 (Creative Commons Attribution 4.0 International License).