Buxheti i (a)rritjeve

/Alfred Bushi/

Si në çdo fundivit, edhe këtë herë qeveria  shpalosi me jo pak spektakël mediatik buxhetin e saj për vitin e ardhshëm buxhetor. Ky buxhet, që në thelb përbën shumën e të ardhurave që qeveria planifikon të shpenzojë për administrimin e vendit, është gjithashtu treguesi i rëndësishëm i shpërndarjes që  qeveria u  bën të ardhurave të ekonomisë së një vendi, pasurisë që ajo ka mbledhur. Secili qytetar i republikës me anë të punën së tij, taksave apo tarifave të ndryshme që paguan  i jep shtetit, në mënyrë të drejtpërdrejt apo të tërthortë, një shumë të caktuar të parave që fiton nga aktiviteti i tij. Ndaj, janë pikërisht këta qytetarë, familjet e tyre, më së shumti familjet në nevojë, të cilëve do duhej t’u adresohej më së shumti projekti i shpërndarjes së të ardhurave të ekonomisë së një vendi. Thënë shkurt, buxheti i shtetit është  shprehja reale e shpërndarjes së pasurisë së një vendi, realizimi faktik i vizionit që ka një qeveri në ekonomi,arsim, shëndetësi, bujqësi, ushtri etj.

Mjaft e ngjashme është situata në qeverisjen vendore, por me disa ndryshime. Me reformën administrative të 2015-s, një reformë në tërësi decentralizuese që përkthehet në më  tepër kompetenca për njësitë vendore, buxheti i shtetit është rritur ndjeshëm; madje për Bashkinë e Tiranës, siç është shprehur kryebashkiaku Veliaj gjatë prezantimit të buxhetit, është trefishuar. Këtij buxheti të trefishuar, në rastin e Tiranës, duhet t’i shtojmë edhe të ardhurat që nxjerr vetë bashkia. Pra, buxheti i Bashkisë së  Tiranës përbëhet nga të ardhurat që vijnë nga dy burime kryesore. Burimi i parë është buxheti i shtetit i cili u akordon një shumë të caktuar qeverive vendore, shumë e cila është rritur konsiderueshëm pas reformës së re administrative. Tjetër burim  të ardhurash janë të ardhurat që bashkia merr në formë taksash, tarifash vendore ndaj bizneseve dhe qytetarëve për shërbimet që ofron, apo edhe të ardhura nga forma të tjera.

Pas zgjedhjeve vendore qeverisja e Tiranës i  kaloi kandidatit të koalicionit PS/LSI Erion Veliaj.  Për shumë qytetarë që i dhanë votën, zgjedhja e tij  kryebashkiak ishte si një sinjal shpresëdhënës për gjendjen e tyre dhe për Tiranën, kjo deri në mbledhjen e fundit të Këshillit Bashkiak kur u miratua buxheti i ri. Një buxhet shumë i diskutuar për sa i përket rritje së taksave e tarifave, mënyrës se si këto do të merren, dhënies me koncesion të hapësirave publike, shpërndarjen jo të drejtë të të ardhurat në sektorët apo shërbimet e ndryshme. Në këtë mbledhje u vendos të rritej  me 33 % çmimi i biletës së autobusëve urbanë, që i bie 10 lekë më shumë nga 30-lekëshi aktual. Në një vend ku rroga mesatare është e afërt me pagën minimale prej 19,000 lekë , rritja e biletës me 10 lekë është më tepër se vjedhje, është barrë dhe fundosje ekonomike e mëtejshme e familjeve në vështirësi dhe e të gjitha atyre familjeve që jetojnë në pragun e skajshëm të varfërisë . Për analogji, në Romë, ku paga mesatare është afërsisht 1.500 euro, bileta kushton 1 euro dhe zgjat 75 min. Llogaritë janë vërtet të lehta për t’u bërë, dhe sido që ta sjellësh kurrsesi nuk mund të justifikohet një rritje e tillë. Le të marrim shembull linjën e Kamzës, të cilën e administron Bashkia e Kamzës. Megjithëse gjatësia rrugore që përshkojnë autobusët e kësaj linje është pa ekzagjerim sa dyfishi i gjatësisë që bëjnë linjat e Institutit apo e Porcelanit, të administruara nga Bashkia e Tiranës, çmimi i biletës në të vazhdon të jetë 30 lekë. Po ashtu krahasuar me çmimin e abonesë së autobusëve të linjave të administruara nga Bashkia e Tiranës i cili do të shkojë 1800 lekë, abonetë e linjës së Kamzës vazhdojnë të jenë 900 lekë. Madje sipas një investigimi të BIRN, botuar me 11 janar 2016 në faqen e internet reporter.al, vendimi i Këshillit Bashkiak është në mungesë totale transparence dhe i pajustifikuar: ”Pretendimi i bashkisë që rritja e çmimit të biletës është thjesht ‘indeksim’ në bazë të inflacionit vjetor është gjithashtu i pabazë dhe nuk mbështet nga të dhënat zyrtare të publikuara nga INSTAT.”

Mënyrat se si bashkia mund ta kundërshtonte ose ta përmbante rritjen e çmimit janë të shumta: vendimi për rritjen e çmimit është vendim për rritjen e barrës së taksave qytetarëve, është vendim që shkon në interes të kompanive private të linjave të autobusëve. Me sa duket takimet e zv.kryetarit të bashkisë Mazniku me qytetarët për t’iu shpjeguar projektbuxhetin dhe rritjen e çmimit të biletës kanë rezultuar të suksesshme.

Një pikë e buxhetit mbi të ardhurat që do të mbledhë bashkia, që bëri shumë bujë në opinionin publik, ishte vendimi  për të dhënë me koncesion hapësirat e fundit publike, me saktë dhënien me koncesion të parkut Rinia; të vetmin vend të gjelbëruar, vendhije, vendpushim, ku familje e qytetarëve të thjeshtë  mund të kalojnë kohën, dhe që ndodhet në qendër të kryeqytetit, e japin për ndërtimin e një parkingu, për më tepër me një fitim qesharak për bashkinë.

Taksat dhe tarifat e bashkisë janë të shumta, për të mos thënë absurde. Janë rreth 20 lloje taksash (shih buxhetin në faqen internet të Bashkisë së Tiranës!) e tarifash që qytetarët dhe bizneset i paguajnë Bashkisë së Tiranës. Pavarësisht kësaj, kryetari i ri ka shtuar edhe disa taksa të reja. Njëra është taksë që ka të bëjë me rikonstruktimin e shkollave, detyrim që rendon xhepat e qytetarëve të thjeshtë dhe jo të  bizneseve. Taksë e shtuar në listën e gjatë të shtrëngimeve të kryebashkiakut të ri është ajo mbi truallin, taksë që me të drejtë është kundërshtuar dhe cilësuar si e jashtëligjshme, meqenëse ligji në lidhje me këtë taksë akoma nuk është dekretuar nga Presidenti i Republikës.

Në kushtet kur kemi rritje taksash të llojllojshme, që përkthehen në rritje të presionit fiskal mbi familjet me të ardhura normale dhe ato në vështirësi ekonomike, lindin pyetjet legjitime se për çfarë është trefishuar buxheti i Bashkisë së Tiranës; për çfarë jepen me koncesion hapësirat  publike të mbetura nëse hyrjet në arkën e bashkisë nga këto koncesione janë qesharake dhe të papërfillshme; e për çfarë arsyeje rritet buxheti kur për rikonstruktimin e shkollave duhet të paguajë qytetari? Rrjedhojë e gjithë kësaj, meqë kemi nga njëra anë taksim prej pushtetit qendror e në anën tjetër  prej atij vendor,është pamundësia e ekonomisë familjare për t’u mundësuar fëmijëve, rinisë, një jetë më të mirë, një shkollim të mirë etj. Të gjitha këto pyetje, që nuk marrin asnjë përgjigje nga bashkia dhe buxheti i saj, janë vetëm shenjë e paheqshme e korruptimit të një klase të re politike në moshë por jo në mendësi e zakone, shenjë e shitjes së publikes dhe zhdukjes së dimensionit publik në politikëbërje.

Ky artikull është botuar nën licensën CCA 4.0 (Creative Commons Attribution 4.0 International License).

 

Lexojmë dhe shpërndajmë!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.