Nga “drama familjare” te “feminicidi”

/Acrimed/

(Aksion kritik ndaj mediave)

Prej vitesh shoqëria shqiptare vuan një problem tepër serioz siç është feminicidi. Mu duk interesant të përktheja shkrimin e një reviste franceze i cili kritikon mënyrën se si mediat vendase e kanë trajtuar këtë problem. Shkrimi vë në dukje se si titujt e gazetave nxjerrin në pah më tepër anën personale apo emocionale të ngjarjeve duke anashkaluar thelbin e çështjes – thelb që lidhet ngushtë me problemin se si shoqëria është e ndërtuar në mënyrë të tillë që ta lejojë dhe të mbyllë sytë përballë vrasjes së grave nga bashkëshortët apo ish-bashkëshortët e tyre. I ndërgjegjshëm se nga Perëndimi ne shpesh kemi marrë mënyra kultivimi të padobishme për shoqërinë tonë, mendova se do të ishte e udhës të përktheja diçka që mund të jetë një antidot kundra këtyre fenomeneve.

– Shënim i përkthyesit

***

“Krimi i pasionit”, “drama bashkëshortore”, “drama e ndarjes”, “drama familjare” – për dekada të tëra këto shprehje gazetareske kanë kontribuar në emërtimin e gabuar të asaj që pretendojnë të tregojnë: feminicidin, në pjesën dërrmuese të rasteve, ose vrasjen e një gruaje sepse është grua. Siç specifikon platforma “Të njohim feminicidin”:

“Në Francë ne e dimë që një grua vritet nga bashkëshorti, partneri ose ish-i i saj mesatarisht çdo dy ditë e gjysmë. […] Një vrasje brenda familjes ndodh gjithmonë pas një serie të gjatë dhune maçiste: ngacmime psikologjike, dhunë fizike, kërcënime me vdekje. Një burrë e vret gruan e tij për dy arsye kryesore: tradhti bashkëshortore ose dyshim për tradhti dhe për ndarje. Ai humbet kontrollin mbi trupin e saj, ajo i tregon atij se nuk është ‘gjëja e tij’, i largohet dhe ai e vret.

Në mediat kryesore, zgjedhja e shprehjeve të papërshtatshme, narracioni dhe përpunimi i këtij informacioni në formën e “rubrikës së zezë”, shpesh kanë kontribuar në shpërfilljen e feminicideve (si format e tjera të dhunës seksiste dhe seksuale). Larg të qenit feminizëm tendencioz, lufta për fjalorin e duhur është thelbësore: njëlloj si në vektorët e tjerë (filma, romane, këngë etj.), mediat artikulojnë paraqitjen e fenomeneve shoqërore dhe formojnë imagjinatën kolektive.

Kështu, për gratë ekzistojnë pafund histori që përcjellin idenë se dhuna që pësojnë nuk ka asgjë specifike apo sistemike, dhunimet duken të pashmangshme (“dramë”) ose mund të jenë subjekt humori (“Ajo ka vështirësi në zgjidhjen e fjalëkryqit, ai i fut korrentin ”, Le Télégramme, 05.24.19), madje se viktimat janë pjesërisht përgjegjëse për të.[1] Mediat kanë përgjegjësi për paaftësinë e tyre për ta emërtuar (dhe luftuar) këtë fenomen. Ky është një funksion (social dhe politik) i kategorizimit të dhunës me bazë gjinore si kronikë e zezë – nga agresioni verbal deri në vrasje – e cila s’mund të perceptohet veçse si ngjarje përtej të zakonshmes dhe jo e kufizuar në intimitetin e jetës private.[2]

“Dramat familjare” dhe “krimet e tjera të pasionit” janë rrënjosur në shkrimet gazetareske deri në atë pikë sa të bëhen standarde, duke mbartur plot stereotipa gjinorë dhe paraqitje të njëanshme sociale, të cilat asgjë nuk duket t’i vërë në dyshim. Përdorimi i tyre aktual në rajonet e policisë apo në hetimet policore – nga ku e merr burimin një pjesë e madhe e informacionit të “kronikës së zezë” – konsiderata e dobët ndaj luftërave feministe në shoqëri, si dhe logjika profesionale e dëmshme mbi informimin (mungesa e kohës dhe burimeve për të hulumtuar, përmbledhjet e shkurtra të Agjencisë Franceze të Shtypit, tërheqja e lexuesit etj.) duhen llogaritur si fenomene që shpjegojnë keqinformimin që vjen nga ana e mediave kryesore, pavarësisht ndarjes së tyre nga cilësimet juridike: asnjë nga këto shprehje nuk haset në fakt në Kodin Penal.

Ndonëse praktikat e këqija gazetareske nuk janë zhdukur[3], një pikë kthese kryesore ndodhi në shoqëri… dhe në media pas lëvizjes #MeToo në fund të 2017. Për shembull, përdorimi i termit “feminicid” në shtypin e përditshëm kombëtar (përfshirë faqet e internetit dhe agjencitë e shtypit) ka shkuar nga 4 referenca në vitin 2003 në 256 më 2018 dhe më pas 2151 në vitin 2019! Megjithatë, ky është një hap sasior që nuk garanton shumë për sa i përket cilësisë. Prapëseprapë, lufta e zhvilluar për vite me radhë nga kolektivët feministë[4], raportimi dhe përdorimi i pyetje-përgjigjeve në rrjetet sociale[5] janë dy shembuj të faktorëve që kanë kontribuar në vendosjen e çështjes së feminicidit dhe dhunës me bazë gjinore në skenën mediatike: faktorë ndikimi i të cilëve u dhjetëfishua nga lëvizjet #Balancetonporc dhe #MeToo, por edhe nga “aferat” e brendshme në gjirin mediatik, siç është ajo e “Liga du lol”[6], e cila bëri të mundur zbardhjen e praktikave seksiste në botën brenda redaksive.

Kjo zhvendosje e raportit të forcës u dëshmua më 25 nëntor 2019, Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave, kur më shumë se 150,000 njerëz marshuan në rrugët e Francës – hapi i radhës në një luftë të përbashkët për të cilën interneti e kishte përgatitur terrenin gjatë dy viteve të kaluara. Në të njëjtën ditë “feminicidet” zaptuan agjendat e mediave. Aq shumë, saqë nga mungesa e plotë në media e përdorimit të një fjalori juridik, sot duket se po ndodh e kundërta. I munguar në Kodin Penal, termi ‘feminicid’ tani po vë në mendime ekspertët juridikë: nëse disa syresh argumentojnë se përfshirja e tij do të ishte e kotë përderisa nuk do t’i shtonte rrethanat agravuese aktuale të vrasjes së bashkëshortes/it ose ish-bashkëshortes/it (shumica syresh janë feminicide), të tjerët e shohin atë si një mjet thelbësor simbolik, por edhe si një levë të mundshme për politika konkrete publike nëse do të pajiseshin me mjete të mjaftueshme…

Prandaj është e kuptueshme që një debat i tillë, me një përmbajtje të fortë politike, nuk mund të mbetet vetëm objekt i profesionistëve. Për shkak të rolit demokratik që duhet të luajnë mediat, prej tyre pritet ekspozimi dhe popullarizimi i kësaj çështjeje thelbësore. Kjo po ndodh gradualisht: më 22 nëntor Le Monde-i iu përqas çështjes në një artikull të titulluar “Feminicid: fjala mashkullore që vret”. Disa javë më parë France Culture-a titulloi një anketë“Feminicidi, ‘termi’ që heton ligjin”. Kontribute të nevojshme, të cilat sidoqoftë mbeten margjinale, pavarësisht dëshirës sonë për t’i shumëfishuar. Fatkeqësisht, në mediat kryesore debatet shpesh monopolizohen nga “ekspertë”, editorialistë, “gryka të mëdha” dhe “klientë të mirë”, për të cilët më e pakta që mund të thuhet është se ata nuk marrin pjesë në zhvillimin të kësaj mendësie.

E përktheu Glen Llaçi

Artikull i marrë nga revista në internet Acrimed

Imazhi: REUTERS/Imelda Medina


[1] Shihni punën e kryer nga Acrimed-i rreth trajtimit mediatik të dhunës me bazë gjinore dhe të “çështjes DSK”: https://www.acrimed.org/+-Sexisme-+

[2] Çka vënë në dukje statistikat: në vitin 2019 shoqatat feministe numëruan 149 feminicide (kundrejt 121 më 2018), si dhe 213,000 viktima të dhunës fizike ose seksuale ndaj femrave, të kryera nga bashkëshorti ose ish-bashkëshorti.

[3] Më 17 nëntor 2019 në faqen e Sputnik-ut mund të lexohej shprehja “krimi i pasionit” në titullin e një artikulli i cili filloi me prezantimin e “burrit të kapur nga xhelozia e ekzagjeruar”. Më 7 tetor gazeta “La Provence” fliste për një “dramë familjare” për një feminicid të dyfishtë (grua dhe vajzë) të kryer nga burri/babai.

[4] Për shembull, për të zhvilluar trajnime të gazetarëve, ose për të shkruar një marrëveshje ku renditen një seri mjetesh për trajtimin mediatik rreth dhunës ndaj grave, siç është ajo e kolektivit “Prenons la une!”.

[5] Mendojmë, për shembull, për punën e Sophie Gourion-it përmes ‘tumblr-it’ të saj në internet “Fjalët vrasin”.

[6] “Liga e Lol” përbehej nga disa gazetarë të cilët përdornin rrjetet sociale për të denigruar persona të ndryshëm të rrjeteve sociale. Jo rastësisht personat e denigruar ishin kryesisht femra.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.