Ç’po ndodh në Bjellorusi?

/Redi Muçi/

“Dashi: mos u tremb nga sfidat e vështira; shanset e suksesit janë të larta. Demi: Mos ki frikë nëse kundërshtari duket më i fortë; aparenca mashtron.” Ky ishte parashikimi i horoskopit për secilën prej shenjave të zodiakut ditën e hënë, 17 gusht në Bjellorusi, çka linte përshtypjen se edhe yjet po thurnin komplot për revolucion.

Parashikimi, të paktën, erdhi përpara se pjesa dërrmuese e stafit prej 1500 gazetarësh, kameramanësh e operatorësh të televizionit shtetëror t’i bashkoheshin grevës së përgjithshme të thirrur prej njëzet organizatave punëtore në mbarë vendin, duke i lënë kamerat të xhironin në një studio televizive të zbrazët me muzikë në sfond.

Në kërkesat e tyre përfshihej dhënia fund e censurës mediatike në televizionin i cili pak ditë përpara transmetoi fytyrat e nxira të pesë të rinjve në pranga, me zërin metalik prapa kuintave që pyeste: “A do të vazhdoni të bëni revolucion?!” teksa rebelët e disiplinuar nga druri policor përgjigjeshin: “Kurrë më!”

Gjatë javës që vijoi shpalljen e rezultateve të zgjedhjeve në vend ku Lukashenkoja doli fitues me 80% të votave në zgjedhjet e 9 gushtit, me qindra mijëra protestues në rrugët e qyteteve kërkuan largimin e tij duke e akuzuar për manipulim votash. 

Ditën e hënë Lukashenkoja iu drejtua turmës së punëtorëve të Fabrikës së Traktorëve në Minsk, duke thënë: “Zgjedhjet u mbajtën. Derisa të më vrisni, nuk ka më zgjedhje.” Kjo ngjalli reagimin e punëtorëve që e zbuan me thirrjet “Largohu! Largohu!”

Pas protestave masive që sollën arrestimin e rreth 6700 protestuesve, punëtorët e fabrikave të prodhimit të kamionëve, traktorëve, automjeteve, minatorët dhe punëtorët e transportit të metrosë shpallën grevën e përgjithshme.

Bjellorusia është një vend ndryshe nga të tjerët. Teksa shumë prej vendeve të ish-Bllokut të Lindjes, si Gjermania Lindore, Polonia, Hungaria etj., me rënin e Murit të Berlinit kaluan nën sferën e influencës perëndimore, Bjellorusia – nga ana tjetër – zgjodhi të qëndrojë nën ndikimin e Moskës.

Vendet në fjalë iu nënshtruan asaj që sociologia Naomi Klein e quan “doktrina e shokut” – një vale masive privatizimesh të ish-uzinave, fabrikave e në përgjithësi të industrisë së rëndë. Kjo solli rritjen e menjëhershme të papunësisë, shkatërrimin e sindikatave dhe zhbërjen e çdo të drejte në vendin e punës, duke ia lehtësuar çdo “investitori” marrjen dhe heqjen nga puna përmes “fleksibilitetit” të krahut të punës, çka u shoqërua me emigracion masiv drejt vendeve të Perëndimit.

Edhe pse presioni i BE ndaj këtyre vendeve bëri që për një kohë ato të prireshin drejt një modeli qeverisjeje liberal parlamentar, në dekadat e fundit është vënë re dominimi i rrymave ultrakonservatore dhe autoritare që tentojnë përvetësimin e të gjitha pushteteve.

Që prej ardhjes në pushtet në vitin 1994, Lukashenkoja ka ndjekur një model autoritarist qeverisjeje duke u prirë kah forcimi i pozitave e tij përmes mbajtjes nën kontroll të ekonomisë dhe fuqizimit të sektorit publik, çka bën që Bjellorusia sot të konsiderohet si një ndër vendet me numrin më të madh të të punësuarve në sektorin publik në botë.

Legjitimiteti i pushtetit të Lukashenkos është mbështetur në një rritje të vazhdueshme të ekonomisë dhe të zhvillimit teknologjik të vendit nën krahun e Putinit, por edhe subvencioneve të BE dhe investimeve nga Kina. Ndërtimi i High-Tech Park-ut në vitin 2016 e ka kthyer Bjellorusinë në vendin e trembëdhjetë në botë për thithjen e kompanive shumëkombëshe të Teknologjisë së Informacionit.

Megjithatë të drejtat e punëtorëve dhe shteti social kanë ardhur duke u venitur. Në vitin 2004 qeveria prezantoi kontratat individuale me punëtorët në vend të kontratave kolektive, ndërkohë që në 2017 hyri në fuqi “taksa ndaj papunësisë”. Në vitet e fundit janë ulur investimet në sektorin publik dhe është rritur mosha e pensionit. Sidoqoftë, duket se problemi kryesor është mungesa e demokracisë.

Ndërsa në vitet e mëparshme kandidatët rivalë të Lukashenkos janë arrestuar pasi janë mbajtur zgjedhjet (në vitet 2006 dhe 2010), kësaj here Agro-fyhreri – siç e thërrasin përçmueshëm protestuesit për shkak të profesionit të tij të mëparshëm si shef i një ferme kolektive – vendosi ta burgosë opozitën partiake para zgjedhjeve.

Rivali i tij kryesor Sergei Tikanovski – një bloger i cili përmes kanalit të tij në Youtube ka pasqyruar rregullisht vështirësitë e jetës në Bjellorusi në kontradiktë me montazhet propagandistike të kanalit televiziv shtetëror – u arrestua në maj të këtij viti. Viktor Babarikoja, një ish-drejtor banke, u arrestua në qershor, ndërsa Valeri Cepkalos iu mohua garimi me pretendimin se nuk kishte numrin e mjaftueshëm të firmave për të marrë pjesë në zgjedhje.

Opozitarja që u lejua të merrte pjesë në këto zgjedhje ishte gruaja e Sergejit, 37-vjeçarja Svetlana Tikanovskaja; ndoshta për shkak se Lukashenko nuk u ndje i kërcënuar nga një grua; siç u shpreh këtë vit: “Kushtetuta jonë nuk është për gratë. Shoqëria jonë nuk është pjekur sa duhet për të votuar një grua. Kjo sepse, sipas kushtetutës, presidenti ka në dorë shumë pushtet.”

Nga situata që është zhvilluar është e qartë se pika nevralgjike që realisht kërcënon pushtetin e Lkashenkos është greva e përgjithshme e punëtorëve në mbarë vendin, çka mungonte që prej vitit 1991. Paralizimi i prodhimit i ndërmarrjeve shtetërore të industrisë së rëndë dhe minierave, si dhe paralizimi i transportit të metrosë në qytetin e Minskut duket se po shkaktojnë atë presion ekonomik që Lukashenkoja u përpoq të mënjanonte duke mos vendosur masa kufizuese për parandalimin e pandemisë, duke i nxitur bjellorusët “të pinë vodka dhe të ngasin traktorë”.

Edhe pse sindikatat zyrtare në Bjellorusi u nënshtrohen interesave të autoriteteve, në vend ekziston edhe një lëvizje sindikaliste e pavarur, e përfaqësuar nga Kongresi Bjellorus Demokratik i Sindikatave (BKDP). Kërkesat e punëtorëve janë të natyrës politike, duke kërkuar lirimin e menjëhershëm të të arrestuarve dhe burgosurve politikë si dhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja.

Pas deklaratave fillestare të Lukashenkos se zhurmën po e shkaktonin vetëm 20 punëtorë të pakënaqur, përgjigja e punëtorëve të fabrikës së traktorëve në Minsk ishte: “Ne nuk jemi dele, ne nuk jemi plehra, ne nuk jemi njerëz të trashë. Ne jemi punëtorët e MTZ (fabrika e traktorëve) dhe jemi 16,000, jo 20”.

Megjithatë, përmbysja e mundshme e Lukashenkos mund të kthehet në bumerang për punëtorët. Programi qeverisës i Svetlana Tikanovskajës nënkupton një sërë masash liberale të fshehura nën petkun e gjuhës teknike. “Për krijimin e vendeve të reja të punës nevojitet një qasje e re makroekonomike; që do të thotë inflacion i ulët, politika buxhetore të disiplinuara, fushë e gjerë për iniciativa private dhe përgjegjësi në vendimet e investimeve.”

Siç vë në dukje Oleg Bulaevi:

‘Inflacioni i ulët’ nënkupton ndryshimin e politikave të raportit mes sasisë së parave të lëshuara nga Banka Qendrore dhe sasisë së mallrave në vend për të rritur çmimin e parasë duke stabilizuar kështu kursin e këmbimit. Kjo është një politikë fiskale e shkurtimit të konsumit dhe krijimit të qëllimshëm të varfërisë në masë.[…] “Politika buxhetore të disiplinuara”, për ata që nuk e dinë, në gjuhën neoliberale do të thotë “ndërprerje e shpenzimeve publike për shërbimet sociale”: shëndetësi, arsim, institucione buxhetore, etj. […] Sa i përket punësimit: “e drejta për të punësuar lirisht”, e përkthyer në gjuhë që kuptohet, do të thotë “lejim i punëdhënësit të punësojë dhe të pushojë nga puna pa marrë asnjë përgjegjësi.” Po flasim për rritjen e konkurrencës mes punëtorëve, e mbështetur nga shteti. Mund të merret me mend se si kjo do ndikojë në pozitën e punëtorëve karshi “politikave buxhetore të disiplinuara”, te të cilat ndihma ekonomike për të papunët nuk do të përbëjë prioritet. Dhe, sigurisht, këto aspekte shoqërohen me privatizime, duke hapur tregun e pronave të paluajtshme, liberalizimin e çmimeve, liberalizimin e llogarive, krijimin e zonave të tregtisë së lirë me BE dhe Rusinë dhe tërheqjen e kapitalit të huaj.

Mungesa e një partie e cila në thelb përfaqëson siç duhet interesat e punëtorëve krijon një vakum që rrezikon të përsërisë një skenar të ngjashëm me organizimin punëtor rreth sindikatës Solidarnosc në Poloninë e fundviteve 1980. Përshkallëzimi i dhunshëm i situatës, nga ana tjetër, sjell ndërmend ngjarjet që ndodhën në Ukrainë në vitin 2014 dhe instalimin e një qeverie në të cilën marrin pjesë edhe nga grupime qartazi neofashiste. Premtimi i Putin-it se do ta mbështesë Lukashenkon përmes një ndërhyrjeje ushtarake, padyshim që është një ogur i keq.

Shpresa, sidoqoftë, gjendet te punëtorët.

Imazhi: Euronews

This image has an empty alt attribute; its file name is direct

Ky artikull është botuar nën licensën CC BY-SA 4.0.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.