Nga demokracia tek kakistokracia, ose qeverisja e më të këqijve

/Alfred Bushi/ Kur flitet për demokracinë dhe kushtet e ekzistencës së saj jemi të vënë efektivisht përballë një paradigme sociale dhe politike disi të ndërlikuar. Është shumë e lehtë të biem pre e përkufizimeve shpesh anakronike që rrjedhin nga kuptimi logjik i demokracisë si një “realitet social i mundshëm”. Nga ana tjetër, perceptimi dhe kuptimi kritik që krijojmë ndaj këtij regjimi qeverisës rrezikon që t’i japë një formë boshe pikërisht duke e ngjeshur me vlera dhe jovlera të tepërta, me supozime dhe interpretime personale sipas interesave të veçanta të atij që ka pushtetin për të marrë vendime, të atij që ka pushtetin për të influencuar opinioni publik apo të atij që ka në dorë pushtetin ekonomik. Analizat dhe përkufizimet mbi domethënien e demokracisë janë shumë të larmishme, duke filluar nga ai “normativ” i cili e quan demokracinë një regjim politik të karakterizuar nga kapaciteti reagues dhe përgjigjedhënës (responsiveness) që kanë ata që qeverisin kundrejt kërkesave dhe preferencave të qytetarëve të cilësuar si të barabartë deri tek përkufizimi “minimal” i cili përcakton si demokratike regjimet në të cilat: 1) Të gjithë kanë të drejtën për të votuar, si femrat dhe meshkujt. 2) Zgjedhjet janë të lira dhe konkurruese, periodike dhe të rregullta. 3) Ka pluralizëm partiak. 4) Ka shumëllojshmëri burimesh informacioni. Kemi dhe përkufizimin “procedurial” i cili përqendrohet mbi ata që kanë pushtetin për të marrë vendime dhe se si duhet t’i marrin ato, pra mbi Kush-in dhe Pse-në. Këto përkufizime mbi demokracinë (ideale apo reale), në dukje të larmishme për nga mënyra se si i përcaktojnë hapat që çojnë te qeverisja e drejtë, te vendimmarrja, ligjvënia apo gjykimi i drejtë, në thelb kanë vetëm një qëllim: një sistem demokratik duhet të krijojë kushtet e duhura që të prodhojë vendimmarrje sa më kolektive. Por që të vihen në funksion dhe të krijohet vendimmarrje kolektive ato norma kanë nevojë për disa kushte (principi i barazisë dhe lirisë politike) dhe parakushte liberale (parakushte kushtetuese siç është ndarja e pushteteve), të cilat bëjnë të mundur që demokracia të kryejë rolin e saj thelbësor: që procesi i vendimmarrjes të jetë sa më i gjerë (të ketë decision-making).   A po e kryen demokracia këtë rol? Le të ndalemi pak më gjerë te forma proceduriale e demokracisë ku ka rëndësi kush i merr vendimet politike dhe pse merren ato vendime. Në veçanti ndalemi tek analiza që një mendimtar i shquar italian, Norberto Bobbio, i ka bërë demokracisë në librin e tij “Teoria generale della politica”. Për Bobbio-n demokracia është si një lojë dhe si e tillë ajo ka rregullat e veta. Nëse duam të luajmë ato rregulla duhet të respektohen dhe në rast se ato rregulla nuk respektohen atëherë ne nuk po luajmë më të njëjtën lojë, por diçka tjetër që madje të largon edhe dëshirën për të luajtur përsëri. Kështu demokracia, si çdo lojë tjetër, ka nevojë për rregulla. Por si vendosen këto rregulla? Kush i vendos dhe mbi ç’vlera i vendos? Bëhet fjalë për rregulla proceduriale, norma, principe të Kush-it dhe Pse-së mbi të cilat të themelohet dhe të bazohet demokracia universale. Këto norma mbi të gjitha duhet të mbështeten në barazinë politike dhe lirinë politike. Pra që një demokraci të funksionojë dhe të quhet demokraci duhet që rregullat e lojës të krijojnë dhe të bëjnë të mundur që çdo qytetar të ketë “mundësi të pabarabarta” siç thotë Tocqueville-i. 1 – Rregulli i parë vë si kusht barazinë politike si gjithëpërfshirje. Qytetarët duhet të jenë aktivë. Që një demokraci të funksionojë duhet që secili të jetë pjesë organike, e gjallë, e sistemit. 2- Rregulli i dytë vë si kusht barazinë si baraspeshë. Askush nuk duhet të vlejë më pak se të tjerët. 3- Rregulli i tretë vë si kusht lirinë subjektive. Opinioni dhe bindja politike e secilit duhet të formohet lirisht, pa ndërhyrje shtrembëruese nga jashtë, i bazuar mbi njohjen e saktë të fakteve dhe shkaqeve. Që kjo të realizohet kërkohet që të paktën të garantohet pluralizmi i informacionit. 4- Rregulli i katërt vë si kusht lirinë objektive, thelbësore për demokracinë. Qytetarët duhet të kenë mundësinë të zgjedhin mes programeve politike efektivisht të ndryshme mes tyre, aq sa mjafton që një qytetar ta gjejë veten në njërin prej tyre. Kjo gjë sigurisht vë një kusht tjetër, atë të garantimit të pluralizmit politik. 5- Rregulli i pestë na vë përballë efikasitetit të vendimeve për sa i përket sistemit në tërësi. Siç mund të jenë vendimet e qeverisë të bazuara në principin e shumicës që s’është tjetër veçse një rregull teknik i vlefshëm për të kapërcyer heterogjenitetin e mendimeve dhe për të qeverisur në mënyre sa më efikase. 6- Ky rregull vë si kusht mbrojtjen dhe ruajtjen e demokracisë. Për këtë rregull e rëndësishme është përmbajtja dhe thelbi i vendimeve politike të cilat nuk mund të jenë në kundërshtim me principet demokratike të barazisë dhe lirisë politike që vendosëm si kusht që në fillim. Asnjë vendim i marrë në bazë të rregullave të demokracisë nuk duhet të pengojë dhe të çnatyrojë vetë lojën. Bobbio e artikulon rregullin e fundit në pesë elementë, urdhra, të tjerë tepër të domosdoshëm për sistemin. I pari ndalon çdo vendim që ka për qëllim shfuqizimin e njërës prej rregullave të lartpërmendura. I dyti ndalon që rregullat e tjera të bëhen të panevojshme për shkak të heqjes të së drejtës themelore të lirive individuale si liria e mendimit, liria e organizimit apo e manifestimit, parakushte themelore të një rendi të shëndoshë demokratik. Urdhri i tretë vë si kusht realizimin efektiv dhe gëzimin real të këtyre lirive individuale duke garantuar të tjera liri themelore që përfaqësojnë parakushtet sociale të parakushteve liberale të demokracisë. E drejta për të manifestuar mendimin e lirë do ishte e kotë po të mos ishte e garantuar e drejta sociale për ndihmë (kushte materiale që i japin njeriut mundësinë për të qenë i lirë), sepse përndryshe çdo individ do ishte i gatshëm t’ia tjetërsonte lirinë tij të parit që do i premtonte ndihmë. E katërta ndalon të shkelen parakushtet kushtetuese të demokracisë. Përkatësisht ndalon shkeljen e principit të ndarjes dhe ekuilibrit të pushteteve themelore të shtetit të cilat janë teknika juridike të vlefshme për të ndaluar despotizmin politik. Tirania e shumicës që vjen për shkak të degjenerimit të demokracisë së shumicës ishte frika kryesore e Tocqueville-it dhe e J.S. Mill-it ndaj dhe ato bënin thirrje për një edukim të vazhdueshme të vlerave dhe rregullave themelore të demokracisë në mënyrë që të ruhet ekuilibri themelor. Urdhri i pestë ndalon çdo formë përqendrimi në duart e një personi apo grupi personash të tre pushteteve sociale: atë politik, ekonomik dhe ideologjik(massmedia). Në ditët e sotme ekziston një situatë kritike për sa i përket aplikimit të këtyre rregullave. Asnjë demokraci nuk ka arritur t’i aplikojë këto norma të gjitha së bashku, ndaj është e nevojshme dhe e arsyeshme të flitet për sisteme pak a shumë demokratike. Për më tepër procesi i demokratizimit e vështirëson më tepër realizimin e këtyre rregullave dhe vënien në praktikë të këtyre procedurave. Sistemet demokratike duhet të ndjekin standarde dhe norma shumë të larta për të funksionuar rregullisht. Duke qenë i pamundur aplikimi i këtyre principeve të marra në tërësi, shumë prej të ashtuquajturave “demokraci” të vjetra dhe shumë prej të rejave që akoma janë në proces demokratizimi janë zhytur në një proces tjetërsimi apo ndryshimi të kushteve dhe parakushteve të realizimit të demokracisë, çka e ka degjeneruar këtë të fundit në një autokraci të zgjedhur prej popullit. Rrjedhimisht kemi të bëjmë me lindjen e një regjimi tjetër. Demokracia nuk funksionon më si duhet, nuk është në gjendje të kryejë rolin e saj themelor që të prodhojë vendimmarrje kolektive, sepse kemi të bëjmë me një regjim që kërkon shumë. Rruga drejtë Kakistokracisë Si pasojë e mangësive të mësipëme është menduar që shumë prej kushteve të ndryshohen ose të bëhen më të realizueshme. – Sistem më pak gjithëpërfshirës. Problemi i imigrantëve dhe grupeve të reja që kërkojnë të drejtat dhe liritë tyre (për shembull: LGBT) nuk është më problem për t’u zgjidhur, por për t’u shtyrë në kohë. – Ndryshimi i peshës dhe rëndësisë së votave nëpërmjet ndryshimit të sistemit zgjedhor në emër të qeverisjes së lehtë. – Monopoli i Massmedia-ve. – Reduktimi i pluralizmit politik: Parimi “sa më pak parti aq më lehtë qeveriset” shkakton mosrespektim dhe urrejtje ndaj demokracisë prej të gjithë atyre që nuk e gjejnë vetën në partitë që janë në sistem. – Konceptimi i lojës politike si lojë ku fituesi është vetëm një dhe gjithçka i shkon atij. Kjo e fundit është në kundërshtim të plotë me principin e shumicës, gjë që tregon për një degjenerim serioz të rregullave bazë. Një tjetër anomali shikohet te fakti që ekzekutivi po largohet gjithnjë e më tepër nga kontrolli i institucioneve të garancisë dhe kushtetutshmërisë, si dhe nga fakti që po merr gjithnjë e më tepër rolin e ligjvënësit. Demokracitë maxhoritare, ato të alternancës, ndodhen tashmë në kufirin përtej të cilit nis autokracia. Procesi i zgjedhjeve konceptohet si një emërim personal, dhe i gjithë procesi i vendimmarrjes konceptohet si pushtet ku ka vetëm një kryetar që vendos për gjithçka. Pra ai iu imponohet anëtarëve të tjerë dhe nuk propozon, duke përmbysur kështu paradigmën e demokracisë reale dhe ekuilibrin e pushteteve themelore të shtetit. Përqendrimi i pushteteve  në duart e një personi, si ai ekonomik, politik dhe ideologjik, përbën tanimë një fenomen universal. Nxitje universale e asaj forme pushteti herë të maskuar e herë jo, qe etiketohet si neoliberalizëm, apo logjikë gjithëpërfshirëse e tregut që mund të ofrojë gjithçka në një paketë të vetme. Shumë demokraci me traditë po anojnë drejt kësaj forme. Mjafton të përmendim që Senati amerikan, dhe jo vetëm, i ngjan një klubi miliarderësh. Procesi i përzgjedhjes së përfaqësuesve të popullit bazohet pikërisht tek ata që kanë një pushtet të madh ekonomik apo mediatik, të cilët pasi zgjidhen kanë në dorë pushtetin legjislativ dhe në një moment të dytë influencojnë edhe atë politik. Me 1984 Bobbio flet për premtimet e pambajtura të demokracisë, dhe ndër problemet e përfaqësimit ai vë mungesën e edukatës së qytetarëve, të popullit më saktë. Ndërsa një nga nxënësit e tij, Michelangelo Bovero, filozof i politikës, flet për edukimin e keq të popullit. Mospasja e një edukate është element pasiv, një boshllëk, ndërsa të pasurit e një edukatë të keqe përbën një element aktiv mosditës dhe vetëshkatërrues. Thelbësor është fakti se ekzistenca e të keqedukuarve vjen për shkak të ekzistencës së edukatorëve të këqij të cilët krijojnë apati politike dhe klientelizëm në gjirin e demokracisë. Krijojnë skllevër të lumtur të cilëve u pëlqen të duken, skllevër fanatikë të cilëve u pëlqen të torturojnë  njerëzit me lloj-lloj peripecish bashkëkohore. Këta individë, subjekte reale të jetës sonë, copëtojnë jetën e komuniteti politik, shkatërrojnë administratën e shtetit, drejtësinë, ligjvënien dhe vlerat e shëndosha shoqërore. Janë pikërisht këta njerëz të keqedukuar dhe jo të paedukuar ( të cilët janë shkak po aq sa pasojë), të cilët janë zgjedhësit e klasës udhëheqëse, të cilët zgjedhin më të këqijtë, dhe këta të fundit formojnë një klasë tjetër zgjedhësish që rizgjedhin të njëjtit persona me po të njëjtat atribute. Të keqedukuarit janë gjahu i lehtë i demagogjisë, janë ata që zgjedhin Barabën në vend të Jezuit. Kjo na bën të mendojmë për një sistem krejt të ri që është formuar në gjirin e rregullave demokratike, për të përdorur një neologjizëm të futur nga Bovero: jemi në një kohë ku sundon Kakistokracia, pushteti i më të këqijve, të zgjedhur nga të keqedukuarit e popullit, nga gjahu i lehtë i propagandës dhe fjalëve boshe. Një sistem ku indiferenca e të edukuarve mbulohet nga aktivizmi i të keqedukuarve. Të gjitha rregullat e lartpërmendura, kushtet që supozohen dhe parakushtet që duhet të ekzistojnë me doemos që një demokraci të jetë funksionale dhe të prodhojë vendimmarrje kolektive, shkatërrohen nga kjo formë e re që po lind nga shtrembërimi i vlerave dhe principeve demokratike. Të keqedukuarit mund të prodhojnë vetëm qeverisje që ndjell keqedukim. Mendohet që një sistem qeverisës nuk është asnjëherë i gabuar apo i padrejtë, por është populli apo qeveritarët ata që e bëjnë të tillë me indiferencën apo aktivizmin e tyre. Shpesh është anakronizmi i një forme të caktuar qeverisëse që është jashtë vendit të tij. Nuk është ky rasti i demokracisë. Demokracia, siç thoshte Tocqueville-i, nuk është një paketë e gatshme vlerash dhe rregullash e cila mund t’i aplikohet popujve, por një proces i pandalshëm edukimi në çdo aspekt të jetës shoqërore, politike dhe ekonomike. Kësisoj duket sikur  e vetmja rrugë për të mos pasur një qeverisje të t’këqijve është edukimi me vlerat e duhura, ose vlerat e raja, apo mosbindja civile, te cilat bëjnë të mundur funksionimin e drejtë të demokracisë mbi baza të shëndosha të drejtësisë shoqërore.
This image has an empty alt attribute; its file name is direct
Ky artikull është botuar nën licensën CC BY-SA 4.0.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.