Neoliberalizmi është një projekt politik

/David Harvey/

Intervistë

David Harvey shpjegon se ç’është neoliberalizmi dhe pse është me rëndësi ky koncept.

Njëmbëdhjetë vite më parë David Harvey botoi librin “A Brief History of Neoliberalism”, i cili tashmë është një prej librave më të cituar mbi këtë çështje. Në vitet e mëpasshme kemi pasur kriza të reja ekonomike dhe financiare, por edhe me valë të reja rezistence, të cilat shpesh shënjestrojnë “neoliberalizmin” në kritikën që i drejtojnë shoqërisë bashkëkohore.

Cornel West-i flet për lëvizjen Black Lives Matter si një “akuzë kundër pushtetit neoliberal”; i ndjeri Hugo Chavez e quajti neoliberalizmin “rrugë drejt ferrit”; udhëheqësit e punëtorëve janë duke e përdorur gjithnjë e më shpesh këtë term për të përshkruar mjedisin më të gjerë në të cilin ndodhin përpjekjet në lidhje me vendin e punës. Edhe mediat kryesore kanë filluar ta përdorin këtë term, ndonëse vetëm për të argumentuar se neoliberalizmi nuk ekziston.

Po ç’domethënie ka neoliberalizmi? A përbën një shënjestër e dobishme për socialistët? Si ka ndryshuar ai që nga gjeneza deri në fundin e shekullit XX.

Bjarke Skærlund Risager-i, doktorant në departamentin e filozofisë dhe të historisë së ideve në Universitetin Aarhus u ul me David Harvey-n për të diskutuar mbi natyrën politike të neoliberalizmit, se si i ka transformuar ai format e rezistencës dhe pse e majta duhet të vazhdojë të jetë serioze për t’i dhënë fund kapitalizmit.

***

Bjarke Skærlund Risager: Sot neoliberalizmi po përdoret gjerësisht. Megjithatë, domethënia e tij është shpesh e paqartë. Në mënyrë më sistematike mund t’i referohet një teorie, një grupi idesh, një strategjie politike ose një periudhe historike. Mund ta nisim bisedën duke shpjeguar se si e kuptoni ju neoliberalizmin?

David Harvey: Unë gjithmonë e kam trajtuar neoliberalizmin si një projekt politik të zbatuar nga klasa kapitaliste e korporatave, kur nisën të ndiheshin mjaft të kërcënuar politikisht dhe ekonomikisht midis fundit të viteve 1960 dhe fillimit të viteve 1970. Ata donin dëshpërimisht të nisnin një projekt politik i cili do të frenonte fuqinë e punëtorisë.  

Në shumë aspekte projekti ishte kundërrevolucionar. Ai do të parandalonte që në gjenezë lëvizjet revolucionare të asaj periudhe në shumicën e vendeve në zhvillim – Mozambik, Angola, Kinë etj. – por edhe baticën e ndikimit komunist në vende si Italia dhe Franca, si dhe, në një shkallë më të ulët, kërcënimin e rizgjimit të tij në Spanjë.

Edhe në Shtetet e Bashkuara sindikatat diktuan kontrollin e Kongresit nga Demokratët, që kishin qëllime vërtet radikale. Në fillim të viteve 1970, së bashku me lëvizje të tjera shoqërore, ata imponuan një sërë reformash dhe nismash reformiste të cilat ishin kundër korporatave: Agjencia e Mbrojtjes së Mjedisit, Administrata e Shëndetit dhe Sigurisë në Punë, mbrojtja e konsumatorit dhe një tërësi masash rreth fuqizimit të mëtejshëm të punëtorëve.

Në atë situatë ekzistonte vërtet një kërcënim global ndaj pushtetit të klasës kapitaliste të korporatave, e cila shtroi pyetjen: “Ç’të bëjmë?” Klasa sunduese nuk ishte e gjithëdijshme, por e kuptonte që duhej të luftonte në disa fronte: fronti ideologjik, fronti politik dhe, mbi të gjitha, i duhej të mbanin nën fre me çdo mjet të nevojshëm fuqinë e punëtorisë. Së këndejmi lindi një projekt politik që unë do ta quaja neoliberalizëm.  

Bjarke Skærlund Risager: Mund të flisni pak për frontet ideologjike dhe politike dhe sulmet ndaj punëtorisë?

David Harvey: Fronti ideologjik u themelua duke ndjekur këshillën e Lewis Powell-it. Ai shkroi një memorandum ku shprehej se gjërat kishin shkuar shumë larg, se kapitali kishte nevojë për një projekt kolektiv. Memorandumi ndihmoi në mobilizimin e Dhomës së Tregtisë dhe Tryezës së Biznesit.

Idetë ishin të rëndësishme për frontin ideologjik. Asokohe gjykohej se ishte e pamundur që universitetet të organizoheshin prej klasës sunduese pasi lëvizjet studentore ishin tepër të forta dhe trupa pedagogjike me një mendësi shumë liberale, kështu që ata ngritën shumë qendra mendimi (think tanks) si Manhattan Institute, Heritage Foundation, Ohlin Foundation. Këto qendra mendimi hodhën në qarkullim idetë e Freidrich Hayek-ut dhe Milton Friedman-it, si dhe teorinë ekonomike të bazuar mbi ofertën mbi teorinë ekonomike të lehtësimit të masave ndaj bizneseve.[1]

Synimi ishte që këto qendra mendimi të kryenin kërkime serioze dhe disa prej tyre i bënë – për shembull, Byroja Kombëtare e Kërkimeve Ekonomike ishte një institucion i financuar privatisht i cili realizoi një kërkim tepër mirë. Ky kërkim më vonë do të publikohej në mënyrë të pavarur dhe do të influenconte median dhe pak nga pak do të rrethonte dhe infiltrohej në universitete.

Ky proces zgjati shumë. Unë mendoj se tashmë kemi arritur në një pikë ku nuk kemi  më nevojë për institucione si Heritage Foundation. Universitetet pothuajse u janë dorëzuar projekteve neoliberale që i rrethojnë.

Lidhur me punën, sfida ishte ta bënin forcën punëtore kombëtare konkurrente globalisht. Njëra mënyrë ishte të hapnin dyert për emigracionin. Në vitet 1960 për shembull, gjermanët po importonin forcë punëtore turke, francezët atë nga vendet e Magrebit, britanikët atë koloniale. Po kjo krijoi shumë pakënaqësi dhe trazira.

Prandaj ata zgjodhën një rrugë tjetër – ta çonin kapitalin aty ku ndodheshin forcat punëtore të nënpaguara. Po në mënyrë që globalizimi të funksionojë duhet të ulen taksat dhe të fuqizohet kapitali financiar, sepse kapitali financiar është forma më e lëvizshme e kapitalit. Kësisoj kapitali financiar dhe valutat rrjedhëse u bënë faktorë vendimtarë në frenimin e punëtorisë.

Në të njëjtën kohë, projektet ideologjike për privatizimin dhe derregullimin krijuan papunësi. Pra tashmë kemi papunësi kombëtare dhe zhvendosje të vendeve të punës jashtë vendit, si dhe një komponent të tretë: ndryshimet teknologjike, çindustrializim nëpërmjet automatizimit dhe robotizimit. Kjo ishte strategjia për të shtypur punëtorinë.

Ishte një sulm ideologjik dhe ekonomik. Për mua ky ishte thelbi i neoliberalizmit: ai ishte një projekt politik, dhe unë mendoj se borgjezia dhe klasa kapitaliste e korporatave e zbatuan pak e nga pak.

Nuk mendoj se u nxitën nga leximi i Hayek-ut, por menduan intuitivisht: “Na duhet të shtypim forcën punëtore. Si t’ia bëjmë?” Dhe zbuluan se ekzistonte një teori legjitimuese e këtij qëllimi.

Bjarke Skærlund Risager: Që pas publikimit të “A Brief History of Neoliberalism” në vitin 2005 është shkruar shumë mbi këtë koncept. Duket se janë formuar dy kampe kryesore: akademikët të cilët janë më së shumti të interesuar në historinë intelektuale të neoliberalizmit dhe të tjerët shqetësimi i të cilëve qëndron në “neoliberalizmin ekzistues”. Ku e gjeni veten?

David Harvey: Ekziston një tendencë në mesin e shkencave sociale, së cilës tentoj t’i bëj ballë, për të kërkuar një teori definitive të diçkaje. Kësisoj kemi një grup që thonë se neoliberalizmi është ideologji dhe kështu shkruajnë një histori idealiste të tij.

Një version i kësaj qasjeje është argumenti i Foucault-së, i cili i shikon tendencat neoliberaliste të pranishme që në shekullin e tetëmbëdhjetë. Por në qoftë se e trajton neoliberalizmin thjesht si një ide apo një set praktikash të kufizuara të qeverishmërisë, do të hasësh në shumë pararendës.

Çka mungon këtu është mënyra me anë të së cilës klasa kapitaliste orkestroi përpjekjet e veta përgjatë viteve 1970 dhe në fillim të viteve 1980. Mendoj se do të ishte e drejtë të themi se në atë kohë – të paktën në botën anglishtfolëse – klasa kapitaliste e korporatave u unifikua së tepërmi.

Ata binin dakord për shumëçka, si për shembull për nevojën e një forcë politike e cila vërtet do t’i përfaqësonte. Kështu mund të kuptojmë tërheqjen drejt Partisë Republikane dhe përpjekjen për të dobësuar, në një farë mase, Partinë Demokratike.

Që nga vitet 1970 Gjykata Supreme mori një sërë vendimesh të cilat i mundësonin klasës kapitaliste të korporatave të blinte zgjedhjet më lehtë se në të kaluarën.

Mund të marrim shembullin e reformave të fushatave financiare të cilat i trajtonin kontributet për fushatat elektorale si shprehje e fjalës së lirë. Në SHBA ekziston një traditë e hershme e blerjes së zgjedhjeve nga klasa kapitaliste e korporatave, por diçka e tillë u legalizua në vend se të luhej prapa skenave si korrupsion.

Në përgjithësi mendoj se kjo periudhë u shënjua nga një lëvizje e gjerë përmes shumë fronteve, ideologjike dhe politike. Dhe e vetmja mënyrë për ta shpjeguar këtë lëvizje të gjerë është të kuptosh praninë e një solidariteti relativisht të fortë brenda klasës kapitaliste të korporatave. Kapitali i rimblodhi fuqitë në një përpjekje të dëshpëruar për të rikuperuar pasurinë dhe influencën e tij, të cilat ishin shkatërruar shumë nga fundi i viteve 1960 deri në vitet 1970.

Bjarke Skærlund Risager: Prej vitit 2007 ka pasur kriza të shumta. Si na vjen në ndihmë historia dhe koncepti i neoliberalizmit për t’i kuptuar ato?

David Harvey: Midis viteve 1945 dhe 1973 ka pasur shumë pak kriza; ka pasur disa momente serioze, por jo ndonjë krizë të madhe. Kthimi drejt politikave neoliberale ngjau në mesin e një krize në vitet 1970, dhe prej atëherë sistemi ka qenë një seri krizash. Afërmendsh krizat prodhojnë kushtet për kriza në të ardhmen.

Midis viteve 1982-1985 ndodhi një krizë borxhi në Meksikë, Brazil, Ekuador dhe praktikisht në të gjitha vendet në zhvillim, përfshirë Poloninë. Në vitet 1987-1988 ndodhi një krizë e madhe me kursimet dhe institucionet huadhënëse në Shtetet e Bashkuara. Po ashtu pati një krizë të madhe në Suedi më 1990 dhe u desh të shtetëzoheshin të gjitha bankat.

Më pas kemi Indonezinë dhe Azinë Juglindore më 1997-1998, më vonë kriza zhvendoset në Rusi, në Brazil dhe godet Argjentinën më 2001-2002.

Më pas pati probleme në Shtetet e Bashkuara në vitin 2001 të cilat u kapërcyen duke marrë para nga bursa dhe i hedhur në tregun e pasurive të paluajtshme. Në vitet 2007-2008 tregu i pasurive të paluajtshme në Shtetet e Bashkuara u shemb plotësisht dhe ja ku jemi në një tjetër krizë.

Mund të shikosh hartën e botës dhe të vësh re prirjen e kalimit të krizës në vende të tjera. Kuptimi i neoliberalizmit ndihmon në të kuptuarin e këtyre prirjeve.

Një lëvizje e fuqishme e neoliberalizmit ishte dëbimi i të gjithë kejnsianistëve nga Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar në vitin 1982 – një spastrim total i të gjithë këshilltarëve ekonomikë të cilët mbronin pikëpamje kejnsiane.

Ata u zëvendësuan nga teoricienë neoklasikë që mbronin politikat e ekonomisë derregulluese[2]. E para gjë që bënë ishte vendimi që Fondi Monetar Ndërkombëtar të ndiqte një politikë të rregullimit strukturor sa herë që do të ndodhte ndonjë krizë.

Afërmendsh, në vitin 1982 ndodhi një krizë borxhi në Meksikë. Fondi Monetar Ndërkombëtar tha: “Ne do t’ju shpëtojmë.” Në të vërtetë, ajo çfarë bënë qe shpëtimi i bankave investuese në Nju Jork dhe implementimi i politikave të shtrëngimit.

Popullsia e Meksikës pësoi një rënie të nivelit të jetesës prej 25 për qind në katër vitet që pasuan politikat e rregullimit strukturor të Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Që atëherë Meksika ka përjetuar rreth katër rregullime strukturore. Shumë vende të tjera kanë pasur më shumë se një. Kjo u bë praktikë standarde.

Çfarë po i bëjnë Greqisë tani? Është pothuajse kopje e asaj që i bënë Meksikës në vitin 1982, vetëm se më e kujdesshme. Kjo është po ashtu ajo që u ndodhi Shteteve të Bashkuara në 2007-2008. Ata shpëtuan bankat dhe i detyruan njerëzit të paguanin nëpërmjet politikave të shtrëngimit[3].

Bjarke Skærlund Risager: Ka ndodhur gjësendi gjatë krizave të fundit dhe mënyrave si janë menaxhuar nga klasa sunduese që ju ka bërë të rimendoni teorinë tuaj mbi neoliberalizmin?

David Harvey: Unë nuk mendoj se sot solidariteti i klasës kapitaliste është ashtu siç ka qenë më parë. Gjeopolitikisht, Shtetet e Bashkuara nuk janë më në pozitën për të vendosur mbi gjithçka, si në vitet 1970.  

Mendoj se kemi të bëjmë me një rajonalizim të strukturave të pushtetit global përbrenda sistemit shtetëror – hegjemoni rajonale si e Gjermanisë në Evropë, Brazilit në Amerikën Latine, Kinës në Azinë Lindore.

Qartësisht, Shtetet e Bashkuara sërish kanë një influencë globale, por kohërat kanë ndryshuar. Obama mund të shkojë në G20 dhe të thotë “Duhet ta bëjmë kështu.”, Angela Merkel mund të thotë “Jo!”. Kjo nuk do të kishte ndodhur në vitet 1970.

Kësisoj situata gjeopolitike është rajonalizuar më shumë dhe ka më shumë autonomi. Unë mendoj se në një farë mase kjo ka të bëjë me përfundimin e Luftës së Ftohtë. Vende si Gjermania nuk mbështeten më te Shtetet e Bashkuara për mbrojtjen.

Veç kësaj, ajo që po quhet “klasa e re kapitaliste” e Bill Gates-it, Amazon-it dhe Silicon Valley-t, ka një politikë të ndryshme nga klasa kapitaliste tradicionale e mbështetur te nafta dhe burimet e energjisë.

Për rrjedhojë këta tentojnë të ndjekin një rrugë të veçantë, ku ka shumë rivalitet sektorial midis burimeve të energjisë dhe financave, si dhe burimeve të energjisë dhe Silicon Valley-t e kështu me radhë. Midis tyre gjenden ndasi serioze të cilat janë të dukshme në tema si ndryshimet klimatike.

Tjetërçka me rëndësi është fakti se shtysa neoliberale e viteve 1970 nuk kaloi pa një rezistencë të fortë. Pati rezistencë të gjerë nga punëtoria, nga partitë komuniste në Evropë etj.

Por do të thosha që rreth fundit të viteve 1980 beteja u humb. U humb në atë shkallë sa rezistenca u zhduk, punëtoria nuk e ka më fuqinë e dikurshme, kësisoj solidariteti në radhët e klasës sunduese nuk është më i nevojshëm.

Klasa sunduese nuk e ka më të nevojshme të mblidhet dhe të reagojë ndaj përpjekjeve të një lëvizjeje nga poshtë pasi nuk ka më një të tillë. Klasa sunduese po ia del më së miri, prandaj nuk ka më nevojë të ndryshojë ndonjë gjë.

Ndërkohë, teksa klasa sunduese po ia hedh paq, nuk mund të thuhet e njëjta gjë për kapitalizmin. Normat e fitimit janë rikuperuar, por normat e riinvestimeve janë tmerrësisht të ulëta. Kështu që paratë  nuk janë duke qarkulluar drejt prodhimit, por po shkojnë drejt kapjes së tokave dhe aseteve.

Bjarke Skærlund Risager: Flasim pak më shumë mbi rezistencën. Në punimin tuaj e vini theksin mbi paradoksin e dukshëm që sulmi i furishëm i neoliberalizmit u shoqërua nga një rënie në luftën e klasave – të paktën në Veriun Global – në favor të “lëvizjeve të reja sociale” për liri individuale.

A mund ta shtjelloni mendimin tuaj se si neoliberalizmi ndihmon në ngritjen e formave të caktuara të rezistencës?

David Harvey: Ja një propozim rreth të cilit mund të mendohet. Po sikur çdo mënyrë mbisunduese prodhimi, me konfigurimin e saj përkatës politik, të krijojë një model kundërshtie si një imazh pasqyrues të vetvetes?

Gjatë periudhës së organizimit fordist të procesit të prodhimit, imazhi pasqyrues ishte një lëvizje e gjerë sindikaliste e centralizuar dhe parti politike të centralizuara demokratikisht.

Riorganizimi i procesit të prodhimit dhe kthesa drejt një akumulimi më fleksibël gjatë neoliberalizmit ka prodhuar një të majtë e cila është gjithashtu, në shumë mënyra, pasqyra e kësaj të fundit: e rrjetëzuar, decentralizuar, johierarkike. Mendoj që kjo është shumë interesante.

Në një farë mase imazhi pasqyrues konfirmon atë që përpiqet të shkatërrojë. Në fund mendoj se lëvizja sindikaliste ishte bazë mbështetëse e fordizmit.

Mendoj që pjesa më e madhe e të majtës sot, duke qenë tepër autonome dhe anarkike, po e fuqizon neoliberalizmin. Shumë majtistëve nuk u pëlqen ballafaqimi me këtë të vërtetë.

Po lind pyetja: A ka ndonjë mënyrë organizimi që nuk i përket logjikës së imazhit të pasqyruar? A mund ta thyejmë pasqyrën dhe të gjejmë diçka tjetër, e cila nuk luan lojën e neoliberalizmit?

Rezistenca ndaj neoliberalizmit mund të ndodhë në shumë mënyra. Në punimin tim unë theksoj faktin që pika ku realizohet vlera është gjithashtu një pikë tensioni.

Vlera prodhohet në procesin e punës dhe ky është një aspekt shumë i rëndësishëm i luftës së klasave. Por vlera realizohet në treg nëpërmjet shitjeve dhe këtu ka vend për mjaft politikë.

Një pjesë e mirë e rezistencës ndaj akumulimit të kapitalit ndodh jo vetëm në pikën e prodhimit, por edhe nëpërmjet konsumimit dhe realizimit të vlerës.

Marrim për shembull një fabrikë makinash: më parë fabrikat e mëdha punësonin rreth njëzet e pesë mijë vetë; tani ato punësojnë pesë mijë vetë sepse teknologjia ka reduktuar nevojën për punëtorë. Kështu gjithmonë e më tepër vende pune po shpërngulen nga sfera e prodhimit dhe po shkojnë gjithnjë e më shumë drejt jetës urbane.

Qendra kryesore e pakënaqësive përbrenda dinamikës kapitaliste po zhvendoset gjithnjë e më shumë drejt problemeve të realizimit të vlerës – rreth politikave të jetës së përditshme në qytet.

Dukshëm punëtorët kanë rëndësi dhe ka shumë çështje punëtorësh që janë të një rëndësie madhore. Në qoftë se do të ndodheshim në Shenzen të Kinës, janë mbisunduese përpjekjet rreth procesit të punës. Edhe në Shtetet e Bashkuara duhet të kishim mbështetur grevën e Verizon-it.  

Por në shumë vende të botës, mbisunduese janë problemet rreth cilësisë së jetesës së përditshme. Thjesht hidhni një sy mbi problemet në dhjetë apo pesëmbëdhjetë vitet e fundit: një ngjarje si ajo e parkut Gezi në Stamboll nuk ishte një problem lidhur me punëtorinë, por një pakënaqësi prej politikave të jetës së përditshme dhe mungesës së demokracisë dhe proceseve të vendimmarrjes; kryengritjet në qytetet braziliane në vitin 2013 kishin të bënin me pakënaqësi ndaj politikave të jetës së përditshme: transporti, mundësitë dhe shpenzimet e shumta në stadiume të mëdha kur nuk është shpenzuar aspak në ndërtimin e shkollave, spitaleve dhe banesave me çmime të arsyeshme. Kryengritjet që shohim në Londër, Paris dhe Stokholm nuk kanë të bëjnë me procesin e prodhimit: ato po ndodhin për shkak të politikave të jetës së përditshme.

Këto politika janë disi të ndryshme nga politikat e pikës së prodhimit. Në pikën e prodhimit kemi të bëjmë me kapitalin kundër punës. Problemet e lidhura me cilësinë e jetës urbane janë më pak të qarta në terma të konfigurimit të tyre klasor.

Politikat e qarta klasore, të cilat zakonisht rrjedhin nga kuptimi i prodhimit, bëhen teorikisht të mjegullta me bërjen e tyre më realiste. Është çështje klasore, por jo çështje klasore në kuptimin klasik të saj.

Bjarke Skærlund Risager: A mendoni se flasim shumë për neoliberalizmin dhe shumë pak për kapitalizmin? Kur duhet përdorur njëri apo tjetri term dhe cilat janë rreziqet që mbart kombinimi i të dyjave?

David Harvey: Shumë liberalë thonë se neoliberalizmi ka shkuar në ekstrem në lidhje me pabarazinë në të ardhura, privatizime, se ka shumë të mira të përbashkëta, si mjedisi, për të cilat duhet të kujdesemi.

Ka gjithashtu një variacion mënyrash si mund të flitet mbi kapitalizmin, siç janë format e ekonomisë së bashkëndarjes[4], të cilat rezultojnë të jenë së tepërmi kapitalizuese dhe shfrytëzuese.

Ekziston nocioni i kapitalizmit etik, i cili është thjesht të qenit pak a shumë i ndershëm në vend se të vjedhësh. Kështu disa mendojnë se ekziston mundësia e një farë reforme të rendit neoliberal duke sjellë një formë tjetër kapitalizmi.

Mendoj se është e mundur të krijohet një kapitalizëm më i mirë se ekzistuese. Por jo shumë më i mirë.

Problemet themelore janë në të vërtetë kaq të thella, saqë nuk ka asnjë mënyrë përparimi pa një lëvizje shumë të fortë antikapitaliste. Kësisoj do të doja t’i shihja gjërat në terma antikapitalistë dhe jo antineoliberalë.

Po ashtu mendoj se, kur ndesh njerëz që flasin për antineoliberalizmin, rreziku qëndron në qasjen se kapitalizmi, pavarësisht nga forma, nuk është në vetvete problem.

Shumica e diskursit të antineoliberalizmit dështon në përballjen me problemet madhore ekologjike, politike, ekonomike. Kështu që parapëlqej të flas për antikapitalizëm dhe jo për antineoliberalizëm.

Përkthimi dhe shënimet: Klejda Rrapaj

Marrë nga revista Jacobin në vitin 2016


[1] Është një teori ekonomike e bazuar në konceptin se rritja e furnizimit me mallrave çon në rritje ekonomike. E përkufizuar gjithashtu si politikë fiskale nga ana e ofertës, koncepti është përdorur nga disa presidentë amerikanë në stimulimin e politikave fiskale. Në tërësi, kjo qasje e vë theksin te ndryshoret që forcojnë aftësinë e një ekonomie për të furnizuar më shumë mallra duke ulur taksat dhe duke derregulluar ekonominë.

[2] Derregullimi është zvogëlimi ose eliminimi i ndikimit qeveritar në një industri të caktuar, zakonisht i miratuar për të krijuar më shumë konkurrencë brenda industrisë. Me kalimin e viteve, lufta midis mbështetësve të rregullimit dhe përkrahësve të mosndërhyrjes qeveritare ka zhvendosur kushtet e tregut.

[3] Janë një tërësi politikash ekonomike që synojnë të zvogëlojnë deficitet e buxhetit të qeverisë përmes uljes së shpenzimeve, rritjes së taksave ose një kombinimi të të dyjave. Në shumicën e modeleve makroekonomike, politikat shtrënguese që zvogëlojnë shpenzimet qeveritare çojnë në rritjen e papunësisë në afatshkurtër.

[4] Kjo formë ekonomie njihet gjithashtu si ekonomi bashkëpunuese. Ajo mbështetet fuqimisht në vlerat sociale dhe ekologjike dhe bazohet në besimin se përdorimi i sendeve është më i rëndësishëm sesa pronësia e tyre.

Imazhi: Ashley Hans Scheirl

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.