Në mbrojtje të trashëgimisë socialdemokrate të Musine Kokalarit

Refugjatë dhe ksenofobë, cinizëm dhe ironi

/Klodi Leka/

Beteja e fundit elektorale në shtetet e BE mbi përfaqësimin politik në ulëset e Parlamentit Evropian nuk do të dëshmonte asgjë të re nga fronti i Perëndimit sikur në një nga karriget e PE të mos zgjidhej Alba Kokalari, politikane e re me origjinë shqiptare, e emigruar në moshë të hershme familjarisht dhe e edukuar me ëndrrën nordike në shtetin suedez. Festa e gëzueshme e masave në rrjetin social mbi arritjet e bashkëkombësve të cilët, në saje të punës dhe meritës, mbërrijnë larg – çka nuk para ndodh këtu ku ashensori social nuk funksionon – është e drejtë dhe logjike, paçka se e cekët dhe ironike.

E cekët sepse masat e dehura nga politikanizmi dhe patriotizmi televiziv e festuan fitoren e Kokalarit pa e gjykuar fare se ç’forcë dhe ç’parime politike përfaqësonte ajo. I njëjti entuziazëm masiv shoqëroi edhe mjaft kandidatë shqiptarë në betejat bashkiake në Itali, të cilët u ngritën në qiell veç pse ishin shqiptarë, pa e çarë kokën fare për logot që llamburitnin pas fytyrave të buzëqeshura. E pra, shumë prej tyre konkurronin për parti si Lega ose Fratelli d’Italia të cilat janë qartazi ultra të djathta dhe antirefugjate.

Ironike ngaqë nën mbiemrin e parlamentares konservatore Kokalari u lajmëruan jo vetëm rrënjët e saj aristokrate, por edhe tragjikja motër e babait te saj, shkrimtarja feministe dhe politikania socialdemokrate Musine Kokalari. Ky rikujtim, kjo dalje në skenën e aktualitetit e Musine Kokalarit e zhvendosi interpretimin publik nga suksesi individual tek emri i familjes, nga demokracia tek eskatologjia, a thua se historia e hallës po shpaguhej përmes mbesës treçerek shekulli më vonë.

Kontradikta midis Kokalareve

Sigurisht, ka diçka të përbashkët midis Musine Kokalarit dhe mbesës së saj: të qenit pjesë e një familjeje të madhe të persekutuar prej regjimit stalinist në Shqipëri. Po kjo pikë e përbashkët zbehet kur kemi parasysh se Musineja ishte e majtë dhe objekt i dhunës majtiste, ndërkohë e mbesa është e djathtë konservatore paçka se qytetare e një shteti pionier në politikat sociale majtiste. Pjesa tjetër është kontradiktë, madje konfliktuale.

Kontradikta nr. 1

Mospërkimi midis dy përfaqësueseve të familjes Kokalari është se pari ideologjike. Musineja ishte e majtë dhe feministe, e cila besonte te principet humaniste dhe politikat e forta në mbrojtje të klasës punëtore ose, më saktë, te vënia e ekonomisë në shërbim të shoqërisë, siç e citon në tri pikat programore:

1. Një objektivë e rëndësishme e Partisë Socialdemokrate është të sigurojë drejtësinë sociale dhe lirinë politike.
2. Partia Socialdemokrate ndërmerr një qëndrim evolucionist përsa i përket kolektivizmit ekonomik.
3. Objektiva të tjera kryesore të Partisë janë të sigurojë mjaftueshëm tokë për bujqit që të punojnë dhe të eleminojmë shfrytëzimin, spekulimin dhe parazitizmin. Ka për qëllim, gjithashtu, të mundësojë ushqim, strehë dhe nevoja të tjera për klasën punëtore, për t’i bërë jetët e tyre të jetueshme.

E mbesa, në anën tjetër, është përfaqësuese e asaj rryme ideologjike për të cilën tregu i lirë dhe jo ekonomia e kolektivizuar, tradita dhe jo progresi, hierarkia dhe jo barazia, kisha dhe jo gruaja, afaristët dhe jo punëtorët janë parime përcaktuese. Pra janë dy vizione thellësisht antagoniste.

Kontradikta nr. 2

E reja Kokalari është pjesë e një partie neoliberale dhe antirefugjate, e cila ka në qendër të retorikës politike kthimin te madhështia e shtetit komb të krishterë dhe refuzimin e hapjes së mëtejshme të BE-së për vendet e Ballkanit, ku jetojnë bashkëkombësit e saj. Musine Kokalari ishte si patriote, ashtu edhe përkrahëse e idesë heretike të Konfederatës Ballkanike, pikë e përcaktuar në programin e partisë, ide kjo e teorizuar nga Lenini në kritikën e tij mbi çështjet kombëtare:

Në lidhje me marrëdhëniet me kombet e tjera, Partia nuk do të drejtohet nga një nacionalizëm i ngushtë e egocentrice, por nga patriotë të thjeshtë, që përshtaten me ndjenjat e respektit dhe afeksionit me kombet e tjera, dhe do të mbrojmë idenë e krijimit të një konfederate Ballkanike sa më shpejt të jetë e mundur – Pika 5.

Kontradikta nr. 3

Edhe nëse i zhvendosnim në bashkëkohësi Alba dhe Musine Kokalarin, paçka se pinjollë të të njëjtit trung familjar, ato do të vendoseshin në dy llogore të ndryshme ideo-politike – sidomos tani kur lufta politike mbi Evropën është më konfliktuale se kurrë. Musineja, me shumë gjasë, bazuar në kulturën e saj dhe në deklarimet politike, nëse jo pjesë e radikalëve të majtë, me siguri do te ishte krahu i majtë brenda partive të moderuara socialdemokrate. Po mbesa e saj, pjesëtare e një partie ksenofobe, në rastin e dhënë, interesin e kujt do të mbronte: atë të partisë apo të Shqipërisë?

Në mbrojtje të trashëgimisë socialdemokrate

Musine Kokalari nuk mund të kufizohet, siç është kthyer në zakon këto anë, në viktimë të regjimit represiv hoxhist ose, më idiotisht, në viktimë të flirtit të shkuar keq midis saj dhe bashkëqytetarit e me vonë stalinistit homoerotik Hoxha. Musineja më tepër se dhimbje disfatiste është mendim i guximshëm, është trashëgimi. Dy librat e saj, vëllimi me tregime “Seç më tha nënua plakë” dhe romani “Ç’u tund jeta” janë dëshmi, akoma kontekstuale, të rolit historik të gruas së edukuar në betejën kundër shtypjes gjinore dhe politike.

Mendohej dhe ay, ishte baba. Kërkonte t’i gjente një burrë pas shkallës, t’urtë me mall e gjë. (..) Ajo i dëgjonte. Nuk fliste se asnjeri nuk e quante se mund të mendonte. Heshte se ishte skllavja e tyre. Vetvetiu koka iu ul; sytë humbën shkëlqimin e tyre dhe prindërit gëzoheshin për këtë gjë, për sjelljet e mira q’i kishin dhënë. Ata njerëz nuk mendonin kurrë se ç’ mund të kishte ajo në mende. Harronin se pak nga pak venitej në atë shtëpi pa parë diell me sy. Harronin se prej një burgu do t’a dërgonin në një tjetër, më t’errët, ku do të varrosej më thellë. Kështu duhej të skllavërohej se zakoni ësht sundonjës – “Skllavëri”

Nasihatet e mëmës ishin të paprera dhe detyronjëse. “Kokën e ulur, jo në penxhere gjithnjë, turp nga dynjaja kush të sheh. Nuk je më e vogël, hith një herë sytë sa e ke shtatin, u bëre sa unë… lëri gjezdisjet, mblidhe menden në kokë. Hë, hë, merre këtë fshesë dhe fshi avllinë, dhe eja shpejt brenda, mbaro xhurapen që ke nisur. Të mbeti në duar. Shiko motrat që qindisin për pajë, ashtu do të bësh edhe ti, janë punët e tua, po turpi është i imi, kur të vesh në derën e botës. Mua në fillim më dukej një gjë e vështirë, por më vonë u mësova – “Në shtëpi”

Jo vetëm letrarisht, por edhe politikisht, Musine Kokalari ka lënë shenja të pashlyeshme në kujtesën tonë kolektive të shekullit XX. Paçka se jo pjesë ose drejtuese e ndonjë organizate të fuqishme, parimet e parashtruara në manifestin e Partisë Socialdemokrate, qëndrimi në gjyq dhe jetëshkrimi i saj në burg e në internim, ku spikat ruajtja e koherencës dhe jetës intelektuale në rrethana jashtëzakonisht të vështira, e bëjnë atë një trashëgimi për t’u ruajtur e ndjerë më se krenar.

Por pika më interesante në mendimin dhe qëndrimet e Musine Kokalarit, ku edhe mund të ndërtohet njëfarë mendimi autentik majtist, është kritika e saj ndaj regjimit stalinist në Shqipëri. Musineja është e ngjashme me Roza Luksemburg kur thekson se reforma dhe liritë politike, përkundër pretendimit stalinist mbi dhunën homogjene, janë mjete drejt arritjes së shoqërisë socialiste. Ajo është e ngjashme me Leon Trockin mbi kritikën ndaj stalinizmit si burokraci dhe shtet i degjeneruar punëtor. Ja ç’thotë ajo në ditaret e saj në 1972:

Sa i fortë është një brigadier dhe sa abuzime bën! Sa e vërtit punëtorin e shkretë, kur ky merr guximin ta kundërshtojë. Sa lekë ha ai duke mos punuar, sa ditë shkruan jo për vete, por edhe për atë që e mbron dhe ka leverdi. Ai është një qehaja që vjedh punëtorët dhe shtetin, një tiran i vogël, që ia helmon jetën përditë punëtorit, një nga diktatorët e vegjël të këtij shteti që e krijoi.

Punëtori është i pandihmuar dhe varet nga një brigadier dhe nga një teknik, që e paguan si dhe sa t’i pëlqeje. Punon me orë të zgjatura dhe kur kthehet ne shtëpi, nuk ka fuqi të rrijë në këmbë. Në socializëm, thonë se klasa punëtore është në fuqi, po punëtori mbetet gjithmonë në fund, si në dituri, ashtu dhe në pagesë. Kultura, shtypi punëtor, nuk është një armë që të udhëheqë punëtorët, t’i frymëzojë ata të shprehin mendimet jashtë mureve të ndërmarrjes. Punëtori i krahut vuan për një moskuptim nga inteligjenca e shtëpive të kulturës.

Në fund, rikujtimi i vazhdueshëm i Musine Kokalarit ka një rëndësi të veçante për të majtën e re në Shqipëri – e cila izolohet midis historisë dhe aktualitetit, stalinizmit dhe devijacionit djathtas, Edit dhe Enverit –  për të kuptuar se ekzistojnë mundësitë për rindërtimin e një të majte tjetër dhe autentike, e cila rizbulon referencat e saj në personazhe si Migjeni, Mitrush Kuteli, Musine Kokalari, Petro Marko etj.

Imazhi: musinekokalari.org

Ky artikull është botuar nën licensën CCA 4.0 (Creative Commons Attribution 4.0 International License).

Lexojmë dhe shpërndajmë!
error

One comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.