Botën mbi supe

/Albina Ruko/

Sot takova një grua; punonte në furrë buke. Më tha se kishte dy fëmijë, njërin 6 dhe tjetrin 11 vjeç. Ishte e ndarë nga burri, i cili as për fëmijët nuk mendonte më. E kishte dhunuar dhe e kishte lënë për një tjetër. “Pasi më dhunoi, duhet të shkoja në punë dhe turnin e mbaroja në 4 të mëngjesit. Fiks në atë orë shkova për të bërë denoncimin në polici.”

“Epo ju gratë nuk mund të lëvizni natën.” – tha një polic. “E çuditshme që vjen këtu në këtë orë!” – ia pret tjetri, kurse bosi sigurisht i futi numrin nën rrogoz dhe një shkelje syri nga mbrapa si për t’i thënë që ora 4 e mëngjesit nuk është për raportime dhune.

“Mu desh të bërtisja, por të gjithë filluan të qeshnin me mua. Ndaj u largova. Burri u largua vetë. Unë dhe dy fëmijët e mi ngelëm në rrugë, ndaj me ato pak lekë që kisha mbledhur nga të trija punët që bëja, mora një shtëpi me qira. Është e lirë, por me rrogën që kam unë vështirë të jetosh. Jam sorollatur gjykatave për t’i kërkuar asistencë ish-bashkëshortit për fëmijët, por s’kam mundur ta vazhdoj se të gjithë janë të korruptuar dhe unë s’kam lekë për t’i paguar.”

Vazhdoi t’më fliste për vendin e punën. E pyeta nëse kishte kontratë. “Jo!” – më tha, por i paguheshin sigurimet. Rroga 280 mijë lekë (të vjetra) në muaj. Një kontratë e firmosur nga vetë pronari pa dijeninë e punëtorëve është një mënyrë si t’i ketë nën kontroll punëtorët.

E pashë shpirtin e saj luftarak teksa më fliste për fqinjët e saj. Dy djem të vegjël që jetonin vetëm me gjyshen pasi prindërit u kishin vdekur. Varfëria kishte bërë të vetën aq shumë, sa shteti ua kishte prerë edhe dritat. Më vinin ndërmend 6 muajt e dimrit në Fier, kur familjes time i prenë dritat po për të njëjtën arsye. Ç’mund të thosha më tepër?! Isha gati të shpërtheja në lot, por zonja para meje po më thoshte që s’duhet të dorëzohemi. Prandaj e mbajta veten.

Rrëfimi ishte aq i gjatë, po aq sa edhe kalvari i vuajtjeve të saj. “I them vetes se jam mirë për t’u dhënë guxim, por nuk e di nëse do t’ia dal t’i rris dhe t’i edukoj fëmijët e mi ashtu si duhet. Shqipëria do të ndryshojë veç nëse e bëni ju të rinjtë.” Doja t’i përgjigjesha se ndryshimin e ka nisur tashmë ajo me gjithë guximin që po tregonte, por s’mund të flisja më tej. Veç këto vargje më vinin ndër mend:

Po më vrasin këto mendime

Më kanë mbushur trurin

Tej të rëndë e kam

S’po di të shprehem

S’po di si të flas

Kur ti aty në cepin e rrugës lyp

Kur ti në fasoneri prodhon dhe s’do e kesh kurrë atë xhaketë të bukur, atë këpucë të lëmuar

Kur duart i ke gjithë ngjitësa dhe mushkëritë plot helm

Kur rroga s’të del dhe fundin e muajit e shtyn me bukë të thatë.

O ju njerëz që kapardiseni makinave luksoze

Që karriget i keni më të rehatshme se dysheku ku ne flemë

Që prodhoni veç skllavëri:

A keni parë përtej?

A keni parë si vdesin minatorët nën tokë?

A keni parë fëmijët malit me krom?

A keni parë lypësit në rrugë?

A keni parë gratë në torturën e makinave prodhuese?

A keni parë studentin që merr kredi për të jetuar?

A keni parë emigrantin oqeanit pa kufij?

A keni parë e dëgjuar klithmat e të pangrënit?

Të qarat e nënave e baballarëve?

Hej ju, a dëgjoni?!

Hej ju, a kuptoni?!

Imazhi: Maquiladoras

Ky artikull është botuar nën licensën CCA 4.0 (Creative Commons Attribution 4.0 International License).

Lexojmë dhe shpërndajmë!
error

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.