/Klodi Leka/
Klodi Leka është aktivist i majtë në Tiranë, Shqipëri dhe ishte një nga aktivistët së bashku me student të tjerë aktivistë që u futën në Inspektoratin e Punës në Shqipërinë fqinje. Klodi ka studiuar në Fakultetin Juridik dhe në tetë vitet e fundit është angazhuar si aktivist në Organizatën Politike për çështjen punëtore dhe studentore, si dhe kauza të tjera në mbrojtje të hapësirës publike, mjedisore, barazisë gjinore etj.
Sot do të diskutojmë problemet e jetës universitare në Shqipëri dhe se si studentët nga Tirana, Shkupi, Prishtina dhe Selaniku duhet të ndërtojnë së bashku një të ardhme.
Nikola Shindre: “Klodi, universiteti në thelb duhet të jetë vendi ku zhvillohen arritjet më të larta shkencore, arsimore dhe kulturore dhe për këtë medoemos duhen parakushte. Cilat janë ato dhe si t’i themelojmë?”
Klodi Leka: “Universiteti bashkëkohor është rrjedhojë e një revolucioni, e Revolucionit të madh Francez, i cili ia theu Kishës monopolin e dijes dhe e laicizoi atë. Mirëpo universiteti rrezikohet përsëri prej dogmës dhe shtresëzimit klasor. Ai rrezikon të bëhet privilegj i të pasurve dhe kishë për fabrikimin e dogmave të tregut: arkitektura po reduktohet në arredim, shkencat sociale në administrim, artet në kitch televiziv, ekonomia në marketing, gazetaria në public relations, inxhinieritë në shërbim të shkatërrimit të natyrës etj. Ne duhet ta mbrojmë universitetin në tri rrafshe: nga shkurtimi i shpenzimeve publike për edukimin, nga komercializimi i kurrikulës dhe nga një burokraci e brendshme idiote dhe eunuke. Por lufta nuk duhet të izolohet brenda universitetit. Ajo duhet të koordinohet edhe me rezistencën jashtë universitetit. Ne duhet të mbrojmë fort idenë e universitetit si një hapësirë për zhvillim jo veç profesional, por edhe intelektual e jetësor dhe kjo nuk mund të ndodhe veç në suazat e arsimit. Sepse nuk duam kurrsesi të jemi ata priftërinjtë që polemizojnë mbi seksin e engjëjve, ndërkohë që shoqëria digjet. Po kështu mbrojtja e të drejtës për arsim ka të bëjë thelbësisht edhe me rininë, kohën e lirë që ne si njerëz kemi në dispozicion për vetëformim. Sistemi po ngulmon ta gllabërojë idenë e rinisë. Ai do të na flakë sa më shpejt në xhunglën e tregut të punës. Por, siç thotë Pasolini, ne duam të mbesim të rinj, të shpenguar, me ëndrra, jo kaq seriozë që tani.”
N. S. Si mund të ndërtojnë studentët besim të ndërsjellë dhe narracione të majta dhe internacionalizëm përballë një shtresimi klasor gjithnjë e më të ashpër?
K. L. Për të rinjtë e sotëm e majta nuk është vetëm një dëshirë filozofike, por nevojë dhe domosdoshmëri e kushtëzuar nga rrethanat sociale. Kudo në Ballkan, por edhe në Evropë dhe më tej, me mijëra të rinj të mirarsimuar po flaken në punë të paqëndrueshme, të keqpaguara dhe pa perspektivë profesionale. Shto këtu që e drejta për t’u arsimuar, një e drejtë kaq e rëndësishme për fëmijët e klasës punëtore dhe shtresave të mesme të ulëta, po rrënohet me shpejtësi nga reformat neoliberale. Me pak fjalë, ashensori social ka ngecur dhe gjasat që ai të lëvizë përsëri nga poshtë-lart, në kuptimin e karrierës dhe të mirëqenies materiale, janë fare të vogla. Kësisoj e majta nuk është vetëm dëshirë, ajo tani po bëhet detyrë. Këta të rinj të arsimuar nuk kanë rrugë tjetër përveç kryengritjes dhe të bërit intelektualë radikalë, intelektualë që edukojnë dhe organizojnë popullin për rebelim. Përndryshe, të gjithëve na pret emigrimi masiv dhe dëshpërimi.
N. S. Studentët nga Ballkani nuk janë aspak të bashkuar. Si të fillojmë ndërtimin e besimit të ndërsjellë midis shqiptarëve, maqedonasve, serbëve, grekëve?
K. L. Për fat të keq, të rinjtë e Ballkanit vazhdojnë të trashëgojnë traumat e të kaluarës – ato të luftërave ballkanike dhe rënies së Jugosllavisë – dhe këto trauma, të cilat vazhdojnë të ushqehen në shkolla, kisha, gazeta, parlamente, qeveri, reparte ushtarake dhe akademi shkencash, vështirë se mund të kapërcehen me workshop-e ojëfëiste ose guida turistike. Çka mund t’i kapërcejë këto mosmarrëveshje është vetëm rruga politike, fuqizimi i ideve dhe politikës së majtë kudo në Ballkan. Janë idetë dhe solidariteti ato që mund të na bashkojnë, lufta kundër shtetit kapitalist, religjioz, militarist. Veç në pozitat e së majtës parimore ne mund t’i diskutojmë mosmarrëveshjet, traumat dhe keqkuptimet tona dhe, për pasojë, t’i kapërcejmë ato. Çdo rrugë tjetër më duket e pamundur.
N. S. Ka një rezistencë të madhe për të mësuar gjuhën e tjetrit. Atëherë si do ta njohim tjetrin? Si të pranojmë idenë e mësimit të gjuhëve ballkanike në mënyrë që të kuptojmë më mirë njëri-tjetrin?
K. L. Të gjitha gjuhët janë të bukura dhe, sipas mundësive, ne duhet t’i përvetësojmë ato. Megjithatë, kuptimi i njëri-tjetrit nuk mbetet veç në rrafshin e gjuhës së folur. Në krye të herës, ne duhet të zbulojmë kulturën e njëri-tjetrit, këngët dhe letërsinë e shkruar, filozofinë dhe artin pamor, pra atë kulturë që është demokratike dhe progresive. Kështu mund t’i afrohemi më tepër njëri-tjetrit. Unë në shkollë kam lexuar Balzakun, Hygoin, Lorkën, Servantesin, Petrarkën, Markezin, Tolstoin dhe vetëdija jonë, me arsyetimet e saj, kujtesën dhe poetikën, përveçse shqiptare, është edhe italiane, spanjolle, franceze, ruse etj. Kështu, kur unë lexoj Safon, Eskilin, Euripidin, Kavafin, Kazanxaqisin, Ricosin, Livadhitisin, unë ndihem grek, sepse këtu greku nuk është simbol i një lokaliteti të vogël etnik, por përfaqësues i tërë njerëzimit, intelektit dhe zemrës se tij, pra është përkatësi universale. Kështu kur lexoj edhe “Tregimet e Sarajevës” të Danilo Kishit, “Letrat shqiptare” të Dimitri Tucoviqit, “Tespihet prej fosfori” të Jovan Nikolaidisit. Përmes letërsisë, ne mundemi të kuptojmë popujt fqinj, të metat dhe virtytet e tyre dhe t’i bëjmë pjesë tonën.
N. S. Punëtorët nuk kanë atdhe – është një slogan socialist. Si mund të fillojnë studentët, që janë punëtorë të ardhshëm, ndërtimin e një komuniteti që do të rezultojë me ndryshime më të mëdha në Ballkan?
K. L. “Punëtorët janë të paatdhe” duhet ta kuptojmë në tri mënyra. Së pari, ngaqë revanshi agresiv i kapitalit në të gjithë sektorët e jetës e ka zhveshur njeriun prej bashkësisë, prej pronës, prej përkatësisë. Atdheun, pra qytetet e tij, bukuritë natyrore, gërmadhat arkeologjike, mund t’i shijojë më tepër një turist amerikan, se shqiptari i thjeshtë. Qytetari i thjesht shqiptar, ai që jeton me pak dollarë në ditë, nuk mundet të shijojë as bukuritë joniane të bregdetit, as gërmadhat e botës greko-romake, as qytetet muze të Shqipërisë. Sipas një përllogaritjeje, rreth 70% e qytetarëve tanë nuk mund të shkojnë me pushime në vendin e tyre, ndërkohë që ethet turistike kanë sëmurur republikën. Së dyti, punëtorët nuk kanë atdhe në kuptimin e agresionit, luftës, shovinizmit që klasat në fuqi dëshirojnë të nxisin midis popujve në konfliktin e tyre për tregje, gaz, naftë, territore etj. Një punëtor shqiptar është më i ngjashëm me një punëtori boshnjak ose maqedonas sesa me një oligark shqiptar. Për këtë të fundit, njeriu dhe atdheu janë vetëm mundësi biznesi, asgjë më shumë. Së treti, për punëtorët dhe një popull progresiv, atdheu nuk duhet të jetë një koncept thjesht fizik, një thelë toke, një shprehje gjeografike, por mbi të gjitha një koncept, koncepti i drejtësisë, i demokracisë, i jetës së njerëzishme.
N. S. Kultura është krijim. Si të krijojmë vlera, por edhe të mira materiale që do të përmirësojnë jetën e individit, veçanërisht jetën e të shtypurve?
K. L. Mendoj se është e domosdoshme të rishpikim një grusht konceptesh të lëna mënjanë si romantike ose si arkaike, për shembull konceptin e lumturisë, të cilën Sen Zhysti dhe Robespieri pretendonin se ishte e re për Evropën, konceptin e demokracisë si pjesëmarrje radikale në punët publike, konceptin e të jetuarit në kolektivitet, konceptin e një qyteti të tipit të ri që nuk është fjetore dhe mensë, por polis ku shprehim gjithë dashurinë dhe liritë tona. Po kështu, meqë shumica dërrmuese e artistëve dhe intelektualëve është konformuar dhe janë bërë teknicienë të sistemit, neve na bie barra e të bërit edhe poetë, edhe regjisorë, edhe muzikantë, edhe intelektualë. Pra ne duhet të eksplorojmë të gjitha format dhe mundësitë që mund të ngrenë vetëdijen e njerëzve prej padijes dhe dëshpërimit. Për të shtypurit, kultura është mburojë dhe shpatë lufte, jo kopshtije për t’u lazdruar.
N. S. Disa thonë se dashuria u shpik nga komunistët, ndërsa të tjerë thonë se ajo buronte nga aristokracia. Çfarë është dashuria dhe si ta shprehim atë në shqip në mënyrë që maqedonasit të mund ta kuptojnë?
K. L. Po, dashuria me gjasë ka qenë shpikje e komunistëve që njerëzit të bënin seks pa paguar para. Bëj shaka! E sigurt është që aristokratët dhe borgjezët nuk kanë ditur të dashuronin. Lexoni “Ema Bovarinë”! I shoqi, Sharli, një borgjez i vogël, mjek province, shpërfillës, i ftohtë, i përkushtuar pas profesionit, e shpie të shoqen në dëshpërim. Ose Franceska, personazhe të Dantes, që vuan në ferr në trupin e një fluture së bashku me të dashurin e saj ngaqë i shoqi, tregtar borgjez, me siguri e ka blerë për një grusht para. Për borgjezin, gruaja është pronë e patundshme, asgjë më shumë. Aristokracia është edhe më skandaloze, me ato gratë e vogla të ngjeshura në korse dhe martesa me strategji, ose zdërhallje seksuale pa asnjë ndjesi dashurie në të. Në fund, si borgjezia dhe si aristokracia i shtypin me dhunë rrugëdaljet e dashurisë, atje mbylljet janë goxha dramatike: thjesht kujto Romeon dhe Zhuljetën, Ana Kareninën, Ema Bovarinë dhe një armatë grash të vdekura o të çmendura! Jam i mendimit se dashuria është e mundur vetëm në një botë të socializmit demokratik, ku puna e rëndë, paga e ulët, këstet bankare, qiratë, kultura kapitaliste e konsumit dhe shëndeti i rrënuar mendor nuk do të ekzistojnë në këto përmasa. Këto fenomene e vështirësojnë goxha dashurinë, sado e fortë qoftë ajo. Prandaj nëse dashurinë nuk e shpikën komunistët, por njerëzit e thjeshtë, komunistëve u duhet ta rishpikin atë, si edhe vetveten. Fundja, shumëçka duhet rishpikur.
Botuar më parë në gazetën online Glasnik në dy gjuhë, maqedonisht dhe shqip
Imazhi: Organizata Politike