Socialistët nuk duan ta shkatërrojnë liberalizmin, por ta tejkalojnë atë

/Matt McManus/

Qëllimi i socialistëve nuk është shkatërrimi i liberalizmit, por kapërcimi i kufizimeve të tij – të drejtat bëhen të prekshme nga çiftimi i lirive civile dhe të drejtave të tjera liberale me një bazë barazimtare e demokratike.

Shumë socialistë kanë ndjenja kontradiktore për liberalizmin. Në varësi të kohës, ata mund t’i shohin liberalët si me qëllime të mira, por centristë naivë, që përsërisin si papagaj deklarata që tingëllojnë bukur, por të pavullnetshëm për ta sfiduar seriozisht status quo-në e padrejtë.

Po liberalizmi dhe socializmi kanë mjaft të përbashkëta: të dyja janë doktrina moderniste që theksojnë barazinë morale të të gjithë qenieve njerëzore. Socialistët nuk duhet ta kenë problem të përqafojnë shumë parime të rëndësishme liberale, ndërsa liberalët duhet të jenë të hapur të përqafojnë projektin që siguron mirëqenien ekonomike të popullit.

Natyrisht, kjo nuk nënkupton të pranohet e paimagjinueshmja, qëndrimi dorëzues i Demokratëve centristë, të cilët supozojnë se mënyra më e mirë për të ecur përpara është kthimi pas në stokun e politikave liberale të viteve të Obama-s. Ajo nënkupton të merret më e mira prej liberalizmit – mbrojtja që ajo u ka bërë historikisht lirive civile dhe barazisë morale – dhe të çiftohet konceptualisht me objektivin socialist për barazi më të madhe në realitet.

Shkrirja e përsosur e të dyjave do të ishte një formë e socializmit liberal, e cila respekton të drejtat themelore, duke inkurajuar një barazi materiale më të madhe dhe pjesëmarrje demokratike në të gjitha sferat e jetës.

Liberalizmi dhe barazia morale

Siç vë në dukje Thomas Piketty-ja librin e tij të ri të shkëlqyer, ‘Kapitali dhe ideologjia’, elitat sunduese të mbarë rruzullit janë treguar të afta në mënyrë mahnitëse për të përpunuar justifikime ideologjike për pabarazinë. Këto rrjedhin nga një gamë idesh si ripërtypja aristoteliane e “skllevërve natyrorë”, argumentet fetare për kastat dhe sistemet feudale e deri te mbrojtja që i bënin skllavopronarët skllavërisë.

Mbrojtës më bashkëkohorë të hierarkisë na kërkojnë të shikojmë pikët e koeficientit të inteligjencës apo në botën e karavidheve për të arsyetuar drejtësitë e kapitalizmit. Është domethënëse letra e Ludwig von Mises-it në 1958 drejtuar Ayn Rand-it, i cili në mënyrë të bujshme e konsideronte pjesën më të madhe të njerëzve si të dorës së dytë:

Ju keni kurajën t’u tregoni masave atë që asnjë politikan nuk do të guxonte t’u thoshte: ju jeni inferiorë dhe për të gjitha përmirësimet në kushtet e jetesës, të cilat ju i merrni për të mirëqena, u detyroheni përpjekjeve të atyre që janë në gjendje më të mirë se ju. Nëse kjo ngjan si arrogancë, siç vënë në dukje kritikët tuaj, kjo është ende një e vërtetë që duhej thënë në këtë epokë të shtetit të mirëqenies sociale.

Në rastin më të mirë liberalët i sfiduan në mënyrë të prerë këto mendjemadhësi ideologjike. Ata pohonin se ndonëse individët mund të jenë materialisht të pabarabartë apo të kenë aftësi natyrore të ndryshme, ata duhet të trajtohen si të barabartë moralisht përpara ligjit. Kjo mori trajta të ndryshme filozofike dhe politike, nga pretendimi kantian se çdo person është qëllim në vetvete, “përtej çmimit”, e deri te Deklarata e të Drejtave të Njeriut dhe Qytetarit që shpall se “njerëzit kanë lindur të lirë dhe me të drejta të barabarta”. Kaq e fuqishme ishte kjo ndjenjë, saqë gradualisht i shkatërroi shumë prej justifikimeve arkaike dhe egoiste për hierarkinë, duke i shtyrë ithtarët e shtresëzimit në pozita mbrojtëse.

Padyshim që liberalët kanë shfaqur hipokrizi shokuese përgjatë shekujve. Thomas Jefferson-i mund të ketë deklaruar “se të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë” por, siç është vënë në dukje, ai vijoi të përfitonte nga skllavëria. John Stuart Mill-i shkroi me forcë të madhe për çlirimin e gruas, por ai mbështeti kolonizimin britanik të Indisë dhe nuk donte t’ua jepte të drejtën e barabartë të votës më pak të arsimuarve.

Shkrimet e James Madison-it janë shembull se si mendimi liberal bart prirje antidemokratike. Në numrin 10 të revistës Federalist, Madison-i shfaq mendimin se “një demokraci e pastër” do të kërcënonte “pronën private”, madje pretendon se “detyra e parë e qeverisë” ishte të mbronte “aftësitë e ndryshme dhe të pabarabarta të zotërimit të pronës”. Mjaft shpesh liberalët – historikisht më të lidhur me kapitalizmin sesa demokracinë – nxituan në mbrojtje të klasave sunduese.

Por me kalimin e kohës legjitimiteti moral i pabarazive bazike u minua për shkak se ishte kundër parimeve bazike të një shoqërie liberale, shpesh falë përpjekjeve të radikalëve dhe të të shtypurve. Një nga çështjet e mëdha të politikës së shekullit të njëzetë e një është nëse liberalizmi e ka realizuar barazinë për të gjithë apo nëse duhet të ndodhin ndryshime më fundamentale për të vendosur një shoqëri të drejtë. Përgjigjja e socialistëve është një “po” e prerë.  

Socializmi dhe barazia në realitet

Socialistët janë pajtuar gjithmonë me liberalët se çdo person është moralisht i barabartë, ndërsa e kanë kritikuar liberalizmin për mosshkuarjen larg në realizimin e retorikës së saj barazimtare. Barazia formale nuk mjaftonte: shpërndarja më e barabartë e pasurisë dhe burimeve, e drejta e votës dhe demokratizimi – këto ishin thelbësore për realizimin kuptimplotë të “barazisë morale”.

Socialistët gjithashtu vlerësonin se këto dy ambicie – barazia në parim dhe barazia në realitet – ishin të pandashme. Çdo përpjekje për të arritur të parën pa të dytën në mënyrë të pashmangshme do të shtyhej pas nga interesa të caktuara, njëlloj si arritjet e shtetit të mirëqenies sociale të mesit të shekullit të njëzetë, të cilat u zhbënë me shpejtësi nga neoliberalizmi prej viteve 1980. E njëjta gjë ndodhi edhe me Gjykatën Supreme: siç kanë argumentuar Samuel Moyn-i dhe të tjerë, është e rrezikshme t’i varësh shpresat në nëntë gjyqtarë të cilët, përjashto lulëzimin e shkurtër të gjykatës Warren[i], prej kohësh kanë qenë një forcë reaksionare.

Sa më sipër nuk është për të thënë se arritjet më të mëdha të liberalizmit duhet të zhbëhen. Shumë prej tipareve të shtetit liberal duhet të mbahen dhe zgjerohen, nga të drejtat e shprehjes, për të formuar shoqata dhe besimi fetar, e më tej te mbrojtja nga ndëshkimi mizor dhe i pazakontë e deri te trajtimi i barabartë përpara ligjit. Çështja nuk është të shkatërrohet liberalizmi, por pavarësimi i tij nga lidhja historike me kapitalizmin, në mënyrë që të tejkalohen kufizimet e tij.

Pranimi i kësaj nuk është thjesht çështje konceptuale, por mbart pasoja strategjike. Figura konservatore si Yoram Hazony dhe Patrick Deneen-i kanë kuptuar me intuitë afritë moderniste midis liberalizmit dhe socializmit, madje duke përshkruar një “vallëzim” mes të dyjave kur progresistët i tërheqin homologët e tyre liberalë më majtas. Aspirata e Hazony-it dhe Deneen-it është ta parandalojnë këtë, duke i atashuar liberalët me konservatorët dhe duke evokuar ankthet për korrektësinë politike, trazirat dhe gulagët e pashmangshëm.

Në vend se ta dorëzojnë liberalizmin tek e djathta politike, socialistët duhet të kërkojnë të ndërtojnë ura, duke theksuar zotimin tonë të përbashkët për barazinë morale dhe lirinë, duke argumentuar se këto ruhen më mirë dhe thellohen në të ashtuquajturin shtet socialist liberal.

Rasti i socializmit liberal

Ideja e socializmit liberal është diskutuar për shumë vite, me figura si John Stuart Mill-i dhe John Dewey duke menduar se si arrihet një barazi ekonomike më e madhe ndërkohë që ruhen të drejtat liberale.

Me shumë gjasë figura më e spikatur e lidhur me socializmin liberal është John Rawls-i. Në veprën e tij më të famshme, Teori e drejtësisë (1971), Rawls-i argumenton se një shoqëri e drejtë duhet të kërkojë të realizojë atë që ai e quan “parimi i diferencës” – pabarazitë ekonomike dhe sociale mund të tolerohen vetëm atëherë kur sjellin përfitime për ata që gjenden në pozitë më pak të favorshme. Ankthet si maksimizimi i fitimit apo mbajtja e hierarkive mbështetur në ide abstrakte si “meritokracia” nuk janë të mjaftueshme për të shkelur këtë parim fundamental, e cila rrjedh nga bindja e Rawls-it se qeniet morale duhet ta trajtojnë njëri-tjetrin si të lirë dhe të barabartë.

Ndonëse Teoria e drejtësisë pretendonte të ishte neutrale nëse parimin e diferencës do ta realizonte më mirë kapitalizmi apo socializmi, Rawls-i u bë më i prerë kah fundit të jetës së tij. Te Drejtësia si paanshmëri: një riformulim (2001), ai insistonte se shumë shtete po u largoheshin idealeve tipike liberale për një shoqëri të drejtë dhe të ndershme. Përqafimi prej tyre i ideologjisë neoliberale të tregut nënkuptonte se ata që gjendeshin në pozita më pak të favorshme jo vetëm që s’po trajtoheshin si qenie morale të lira dhe të barabarta, por po dobësoheshin ekonomikisht dhe politikisht.

Një shtet liberal i drejtë, shkruante Rawls-i, duhet të braktisë këto ideologji të tregut dhe të bëjë progres drejt një “demokracie me zotërim prone” ose “socializmit liberal”. Ky shtet do të respektonte të drejtat liberale, por do t’i vendoste mjetet e prodhimit në funksion të sigurimit për të gjithë individët të burimeve për të ndjekur një jetë të mirë, pavarësisht ndryshimeve në të shkuarën apo talentit të tyre.

Ka të çara në vizionin e Rawls-it, veçanërisht teorizimi i tij i papërshtatshëm për demokracinë. Socialistët kanë argumentuar prej kohësh, me shumë të drejtë, se çdo përparim drejt barazisë ekonomike do të jetë veçanërisht i brishtë nëse nuk shoqërohet me reforma demokratike radikale që e vendosin pushtetin në duart e njerëzve të zakonshëm.

Por vizioni i tij për një shoqëri të drejtë të qenieve morale, të përkushtuara si për lirinë liberale ashtu edhe për barazinë socialiste, është vërtet frymëzues. Ai tregon për lidhjen intime, edhe pse të trazuar, midis socialistëve dhe të afërmve të tyre liberalë modernistë.

Liberalët dhe socialistët

Përtej detyrës ngazëllyese të teorizimit të këtyre të përbashkëtave, shumë më tepër mund të bëhet në praktikë. Popullariteti personal i politikanëve socialistë demokratë, si Alexandria Ocasio-Cortez-i dhe Bernie Sanders-i, me votuesit e thjeshtë liberalë është një pikënisje e mirë. Të dy kanë filluar procesin thelbësor të artikulimit të kërkesave të tyre për më tepër barazi, dinjitet dhe mbrojtje sociale në shprehjen e lirisë. (Madje kjo lloj retorike nuk do të ishte e huaj as për një barazimtar radikal si Karl Marksi, i cili harxhoi mjaft kohë për të theksuar se zhvillimi i lirë i secilit është kusht për zhvillimin e lirë të të gjithëve).

Ne mund t’i bëjmë thirrje edhe dëshirës individuale liberale për një zë më të madh në procesin politik duke ushtruar presion kundër institucione si Gjykata Supreme, anëtarët e të cilës do të ishin gati të rrëzonin çfarëdolloj legjislacioni progresist në vitet e ardhshme. Socialistët dhe homologët e tyre liberalë do të ishin në gjendje më të mirë duke ndjekur këshillën e mençur të Kantit: shoqëri e lirë është ajo në të cilën populli i bën vetë ligjet për veten e tij, në vend se t’u jepen të gatshme nga lart.

Disa mund të jenë të rezervuar për të ndërmarrë këtë hap, duke ndjerë se do të çonte në shumë lëshime për liberalët – në veçanti ata me prirje elitiste të kalcifikuara. Kjo është e mundshme. Por brezat e rinj me më tepër gjasë janë të hapur dhe me më tepër gjasë të lëvizin majtas. Rreziku më i madh është dështimi për t’i hedhur këto hapa.

Socialistët duhet t’i shtojnë radhët – por ne gjithashtu duhet të ndërtojmë aleanca me udhëtarë partnerë potencialë. Në këtë moment vendimtar të historisë, me politikën e qendrës që po kolapson dhe të djathtën që lëkundet mes kolapsit dhe kapjes së pushtetit për një kohë të gjatë, ne nuk mund t’ia lejojmë vetes të mos bëjmë thirrje jashtë rrethit tonë – dhe të valëvitim flamurin e socializmit liberal.

E përktheu Jani Marka

Marrë nga revista Jacobin

Imazhi: Quillete


[i]Gjykata Warren është periudha në Gjykatën Supreme të SHBA (1953-1969), gjatës së cilës Earl Warren-i shërbeu si kryetari i saj. Ajo konsiderohet si gjykata më liberale në historinë e SHBA. – Shën. përkth., marrë me shkurtime nga Wikipedia.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.