Mos na i vrisni idealet!
/Suzana Kurtallari/
Arti më i madh i aristokracisë është të mosbërit absolutisht asgjë dhe modeli i shoqërisë që ata kanë krijuar, duke vazhduar në këtë mënyrë të citoj Oscar Wilde-in, bazohet në idenë se forma është absolutisht e rëndësishme, ka dinjitetin e ceremonisë dhe mungesën e reales. Aristokracia uaildiste e Shqipërisë e ka zgjeruar panoramën e të mosbërit absolutisht asgjë duke pirë bar cepave e filozofuar për jetën, shëtitur me qen në bllok, zaptuar lokalet e pafund të natës, veshur me rroba firmato. Në përpjekjen për t’u dukur stylish ngjajnë fallcërisht bukur. Për ta plotësuar fallcërinë postojnë fejsbuqeve foto të vendeve ekzotike që kanë vizituar, dreka e darka me ushqime të bollshme, e kur janë të pirë dhe ndonjë 500 euroshe duke fshirë djersët. Ah, se harrova: janë po këta “aristokratë” që i sheh vazhdimisht të dërdëllisin ekraneve televizive të njëjtat gjëra deri në mërzi për gjithkënd pos vetes.
Kur nuk u mbetet gjë tjetër për të bërë, për të plotësuar dërdëllitjet apo për t’u ndjerë me interesantë e në modë, vetëquhen idealistë. Ashtu fare pa të keq athua se idealizmi paska dalë të shitet tek të lirat në Pazar! Jo mor mik, këtë nuk ta lejoj! Të lejoj të pish lokaleve djersën e tim eti punëtor, të prishësh lekët e marra nga shfrytëzimi në punë i time mëje, t’i japësh mikut tënd vendin e punës që i takon tim vëllai, të më shfrytëzosh mua e studentët e këtij vendi duke na rritur tarifat çdo vit me pretendimin se buxheti i shtetit nuk e përballon dot financimin e arsimit. E dimë të gjithë miku im, se ky buxhet nuk e përballon arsimimin, përderisa përballon tërthorazi smartphone-t, rolex-ët, dietat, makinat, vilat, udhëtimet e shpenzimet tuaja. Nuk ka për ta përballuar ndonjëherë!
Po idealist mos u quaj lum miku! Ëndrrat keni kohë që na i keni vrarë. Mos na e vrisni dhe idealizmin! Ç’do mbetet për ne të shkretët pastaj?! Ç’do i ngelë shoqërisë?! Do ngelë një rini barkbosh, me borxhe e pa brekë – thotë një shoku im. Ndonjë prej jush mund ta bëjë edhe për të qeshur. Kështu kam qeshur dhe unë kur e dëgjova. Më pas u kujtova që po qesh me veten. Po qesh me shoqet e shokët e mi. Po qesh me të ardhmen pa të ardhme të një vendi. Kurse ti edhe qeshjen e ke të lehtë se fundja qesh me ne.
Faji nuk është yni. Po na i vrisni idealet çdo ditë. Na keni zënë për fyti, e kur të zënë për fyti – siç thotë Sartri – njeriu, lum miku, nuk mendon më me kokë. Mendon me stomakun bosh, e stomaku bosh duhet të mbushet. “Ndaj thithe fort at’cicë partie/ po s’qe yt atë horr i sprovuar” – ndryshe vdis barkbosh.
Por njeriu duhet të dijë sa i vlen lëkura, e për ta ditur sa vlen – vazhdonte Sartri herë pas here duhet të rrezikosh. E ne të birtë e shekullit të ri do rrezikojmë, duke mos iu përshtatur shtrëngimeve që shoqëria – pra ju zotërinjtë e shoqërisë – na ka imponuar. Do ta refuzojmë “cicën e partisë” e rehatinë personale. Jo për gjë, po radha e fakirëve që e presin atë cicë është aq e gjatë e jeta jonë kaq e shkurtër. Të paktën do mendojmë lirisht. Mendimet nuk ua falim! Mendja jonë nuk do të kthehet në vegël për të ruajtur pushtetin tuaj. Do guxojmë të mendojmë! Do guxojmë të veprojmë!
Na të birtë e shekullit të ri,
vllazën të lindun e të rritun në zi,
kur tinglloi çast’ i ynë i mbramë
edhe fatlumë
ditëm me thanë :
S’duem me humbë
në lojë të përgjaktë të historis njerzore,
jo! jo! s’i duem humbjet prore
duem ngadhnim!
ngadhnim, ndërgjegje dhe mendimi të lirë!
Ky artikull është botuar nën licensën CC BY-SA 4.0.