/Arlind Qori/
“Nel mezzo del cammin di nostra vita…” Kështu nis “Komedia hyjnore” e Dantes që shtatë shekuj më pas do të përmbysej, e ku tjetër veçse në Bulqizë. Përmbysja nis me portën e nëntokës, minierës, aty ku nuk shpaloset dëshpërimi i “Lasciate ogne speranza, voi ch’entrate” (O ju që hyni mbrendë, keni mbarue!, përkth. Pashko Gjeçi), por lufta për jetën që tmerrit jetëngrënës të minierës i flakërin kumtin e jetës “Rrofshin minatorët!” dhe kërkesat jetëdhënëse të grevistëve. E megjithatë përshëndetja është “ardhshi shëndoshë!”.
Pasi kanë ndarë rrobat e trupit me ne, hap pas hapi futemi në minierë. Ashensori frikshëm i errët, i lagur, i ndryshkur, i lëkundshëm pashë më pashë zhytet në minierën ferr. Pas tij vijon ecja në shtigjet ku errësira e zbythshme vetëm me një elektrik dore shoqërohet nga copëza udhe të keqndriçuara. Ajri i lagësht rëndon frymën, por ecja midis baltës e ujit që rrjedh ngado vazhdon. Aty-këtu duken gjurmët e varrosjes së minierës. Galeri të hapura për të shtuar thellësinë e gërmimeve e të nxjerrjes së mineraleve që nuk kanë përparuar asnjë centimetër në 20 vitet e fundit. Aty gjendet edhe kova metalike që do të duhej të mbartte minatorin që në vetminë e errësirës të gërryente tokën. Ashensori i dytë të ul edhe më poshtë në rrathët e ferrit. Ai është më i vogël, me dy kate e më i frikshëm në lëkundjet e veta. Çdo metër nën tokë i ngjan ferrit dantesk deri në çastin kur në një dhomë të stisur për grevë, të shtrirë në rresht për një vertikalisht shfaqen grevistët. Të pamundur nga lodhja, ajri i rëndë, pangrënia, pagjumësia, me zë të mekur vuajtjesh, me serumet që mbanin gjallë më të sëmurin prej tyre, me tisin e ftohtësisë së vdekjes rreth fytyrës ; ata, jo të vdekurit e pakallur, por gjysmë të gjallët e kallur shpërfillin minierën ferr. Megjithëse për çdo pashë nën dhe’ thellohej atmosfera skëterrore, aty në grevë, në psherëtimat e rënkimet e dhimbshme përmbysej Dantja: “Këndej kalohet n’shpirtnat humbun shqimit”, (përkth. Pashko Gjeçi). Andej s’kalohet në Ugolinë që mishin e fëmijëve të tyre hanë, por në burra vullnetfortë që trupin e tyre mpaknin për çdo ditë që jo vetëm fëmijët e tyre, por shokët, qyteti të rilindin me ndaljen e shkatërrimit të minierës e rimëkëmbjen e saj.
Këta janë minatorët! Ata që një vendim gjykatësish, më së paku dritëshkurtër, i nxori të paligjshëm në ngritjen emancipuese të kryeve. Ata që policia e shtetit, e shtetit të tyre formalisht, por e një shteti që s’u përket realisht, i shtyn, i kërcënon, i rreh hapur a fshehtas pse një orë në ditë u zënë rrugën automjeteve, e midis tyre dasmorëve hajvanë që edhe bota në u përmbystë, s’kanë ndër mend të shkojnë në tjetrën pa i bërë hyzmetin ahengut. Ata që si rrallëherë e papritmas shpallën pavdekësinë politike të popullit duke shtruar pa kompromis jo vetëm kauzën e tyre e të punëtorëve, përditë e më të shfrytëzuar e të varfëruar, por me organizimin e solidaritetin mes vedi si pakkund po bëjnë të lindë subjekti i shumëpritur politik shqiptar; ai i cili nga kushtet e panegociueshme të lirisë e barazisë vetëvendos. Përçdoditja si bashkim duarsh e shpirtrash, ndarja e vuajtjes e frikës, shoku që vë në lëvizje ashensorin, bashkëpërdor mjetet e punës etj, po ndërtojnë pak nga pak ngrehinën e luftës emancipuese politike të mbështetur në nisje e pikësynim nga koncepti i fatit të përbashkët. Është ky fat i përbashkët që i shtyn të shtrojnë si të parën kërkesë investimet në minierë, atë që i kushton më shumë kompanisë shfrytëzuese, por që i hap rrugën e punësimit të vazhdueshëm jo vetëm atyre që tashmë punojnë, por edhe shumë të tjerëve. Është kjo ngritje mbi veten e kuptuar idiotësisht si konsumatore private e ndjekëse e padobi e interesit kontradiktor me atë të të tjerëve (askush prej tyre s’arriti në këtë përfundim duke rrëmuar nëpër biblioteka Hegelin apo Marksin, por duke bashkërrëmuar tokën e duke parë se vetëm së bashku punëtorët mund jo vetëm të mirëqenen, por edhe të emancipohen) që sot kërcënon gjithkënd në krahun tjetër të vijës së drejtë e të qartë që ndan të shfrytëzuarit e etur për drejtësi e shfrytëzuesit e etur për fitime, bakshishe, shpërblime e rehati të padrejta. – (I jap të drejtë me aq sa mundem përfundimit të Arbër Zaimit në gazetën Shekulli se në kauzën e minatorëve nuk mund të ketë të paanshëm. Veç mund të shtoj se çdo paanësi e shprehur qoftë si indiferencë politike, qoftë si gomarëri argumentuese e tipit “çdo gjë ka anën e vetë pozitive dhe atë negative” përbën pa doreza kolaboracionizëm politik. Sikundër shkruante edukatori e teoricieni brazilian i pedagogjisë Paulo Freire: “Të lash duart nga konflikti midis të fuqishmëve e të pafuqishmëve nuk do të thotë të jesh neutral, por të marrësh anën e të fuqishmëve”). – Është bashkimi i tyre që aq fort e kërcënon kompaninë shfrytëzuese, e cila për të mos realizuar investimet e domosdoshme e të detyrueshme kontraktualisht është gati që edhe rrogën t’ua rrisë minatorëve, veçse sindikatën e tyre të mos e pranojë: çdo gjë të pranojë që momentalisht një kafshatë ua hedh minatorëve, por në të ardhmen u shkul organizimin si mundësi për të rikafshuar me grevë e rezistencë sa herë shfrytëzimi shkatërrimtar i minierës e minatorëve do të rishfaqet. Është organizimi i brendshëm radikalisht demokratik ai që frigon institucionet e shtetit shqiptar e mbi të gjitha qeverinë, pasi përballë pseudodemokracisë përfaqësuese, përpara portës së minierës qindra minatorë ushtrojnë më të vjetrën e më të fuqishmen demokraci, atë të drejtpërdrejtën; atë në të cilën gjithkush propozon, diskuton hapur, pa droje e ku të gjithë barazisht vendosin sa njëzëri aq edhe me shumicë. Është spontaniteti demokratik i tyre në zgjedhjen e udhëheqësve që drejtojnë jo nëpërmjet shembullit të forcës e manipulimit, por nëpërmjet forcës së shembullit, ai që kërcënon partitë demokratikisht kufoma. E zgjedhin Dilaverin, këtë njeri që ngërthen në vetvete kryengritësin bakuninian e malësorin epik, që me trimërinë, vendosmërinë, sakrificën, zërin e grushtet (që duket se edhe malin do mund ta bënte të bëzante) u jep zemër e forcë shokëve të tij.
Prandaj Bulqiza, miniera e saj, përbën të fundit kështjellë të papushtuar nga ku mund të lindin lëvizje emancipuese gjithëshoqërore. Fati i grevës së tyre lidhet me atë të të gjithë punëtorëve shqiptarë, të të varfërve, kokëpalarëve të paparfumosur, të shtypurve, shfrytëzuarve, skajuarve, rrënuarve të këtij vendi. Ngadhënjimi i tyre do të lindte shpresën se organizimi e këmbëngulja shtrojnë rrugën e mirëqenies e çlirimit. Disfata e tyre do t’i zhyste edhe më thellë të mësipërmit jo vetëm në ferrin e mungesave të përditshme, por mbi të gjitha në dëshpërimin e mungesës së shpresës. Prandaj andej vijës së drejtë e të qartë që ndan shfrytëzuesit nga të shfrytëzuarit, përditë ndihet kërcënimi e tentohet mposhtja e minatorëve. Prandaj këtej kësaj vije, pavarësisht cektisë obobo-iste ideologjike të frikësimit nga emrat, duhet thënë: Bulqiza është Stalingradi ynë!
Ky artikull është botuar nën licensën CC BY-SA 4.0.