Mes indiferencës ndaj tragjedisë dhe tragjizmit të indiferencës
/Kristi Çunga/
Që nga dita kur ushtria izrealitase ndërmori serinë e fundit të sulmeve mbi popullsinë civile në Rripin e Gazës ka kaluar më se një muaj. Ndërsa numri i viktimave të shkaktuara vetëm nga ky sulm përllogaritet t’i ketë kaluar një mijë. Një pjesë e konsiderueshme e viktimave rezulton të kenë qenë fëmijë. Por ajo çka bie në sy nga kjo mizori nuk është thjesht lufta ndaj civilëve. Luftë të tillë “të padrejtë” ka pasur kurdoherë në botë, madje edhe përgjatë shekujve të fundit,- duke nisur nga Lufta e Parë Botërore e duke përfunduar tek aktet terroristo-kriminale që ndodhin në lokacione të caktuara herë pas here. Habia me tmerrin ndodh pikërisht për faktin se tmerre të tilla ndiqen nga shumë politikëbërës dhe qytetarë globalë me indiferencën e një zhvillimi politik lokal që ndodh në një provincë të botës.
Masakrat në Rripin e Gazës janë nuk janë vetëm fatkeqësi për Palestinën. Akte të tilla kriminale që ndërmerren ditën për diell nën hundën e botës janë fatkeqësi për njerëzimin dhe turp për botën. Shenja e barazisë që vihet mes popullit palestinez dhe grupit ekstremist të Hamasit më shumë se pakujdesi mendimi është përligjje e gjenocidit të ndërmarrë nga shteti i Izraelit.
Kështu për shembull, valën e protestave solidarizuese me popullin palestinez të aktivistëve në Francë,- në vendin e lirisë, barazisë dhe vëllazërisë,- Qeveria e Holland’ite çlegjitimoi si të merrej leje pranë instancave që ruajnë sigurinë e vendit, për të ndërmarrë aktin më të kriminalizuar ngaherë. Protesta u gjykua si plëngprishëse dhe shkatërrimtare të rendit dhe qetësisë publike në vend.Në pamundësi për të siguruar zbatimin e një të drejte humano-universale si protesta solidarizuese, ministri i Brendshëm i 1everisë socialiste Bernard Cazeneuve-i, –me një deklaratë që edhe Jean-Marie le Pen-i do ta kishte zili,- u shpreh se kushtet në vend ishin të papërshtatshme për të siguruar mbarëvajtjen e protestës pasi mund të kishte përleshje mes protestuesve dhe grupeve proizraelite. Kauza për mbrojtjen e Palestinës nuk paska aq rëndësi sa të meritojë mobilizimin e forcave të armatosura për të siguruar mbarëvajtjen e një proteste normale.
Do të ishim cinikë po të pretendonim se do ishim të lumtur sikur problemi të ishte vetëm ky. Për hir të së vërtetës problemi nuk përmblidhet me kaq. Indiferenca së bashku fatkeqësinë. Edhe ai reagim që vihet re në shumë individë apo grupe, shfaqet në formën më reaksionare të mundshme,- në formën e radikalizmit islamik apo antisemitizmit.
Në rrugët e Berlinit, protestat e nisura si solidarizuese ndaj popullit palestinez degraduan në thirrje raciste ndaj popullit izraelit duke u kujtuar atyre kampet e përqendrimit dhe dhomat e gazit(!). Nekroanaliza që antisemitët i bëjnë numrit të viktimave që nazizmi i ka shkaktuar jo vetëm popullit hebre, por edhe vetë botës, harrimi i mënyrës infernale të realizimit të vdekjeve, litrat e gjakut të derdhur, etj., dhe krahasimi i saj me sulmet e ushtrisë izraelite, përbën thjesht një relativizim të së keqes duke kompensuar barbarinë me mizori.
Me sa duket për botën qenka më e vështirë se ç’duket gjykimi i ftohtë për të gjykuar vrasësit dhe viktimat nga aspekti human, e jo politik e religjioz. Edhe ai gjykim objektiv që artikulohet, shfaqet në formën e një indiference banale. Për shumëkënd gjykimi i kësaj barbarie qarkullon në bisedat e kafeve para pune dhe drekave pas pune, me kolegë, shefa apo vartës në baret dhe restorantet luksozë jo shumë larg zyrave luksoze. Biseda këto për të nisur apo për të ngrysur ditën që gjykohen me “objektivizmin” e një problemi të pazgjidhur ku të dyja palët kanë të drejtë. Por gabimet e njërës palë kompensohen nga mizoritë e tjetrës dhe anasjelltas. Kusht për t’u shqetësuar mbi fatin e fatzinjve të Gazës qenka përkatësia religjioze islamike.
Ndërsa në hapësirën panshqipëtare zërat konsistentë më kritikë ndaj politikave sistematike asimiluese dhe sulmeve ndaj civilëve të Izraelit, kanë qenë pikërisht të atyre që i përkasin një frymë fetare islamike. Një kritikë e tillë e cila parësore ka retorikën religjioze,- siç është vënë re,- nuk mund të përfaqësojë medoemos humanizëm. Për radikalët e besimit nuk përbën problem fakti se po vriten njerëz,- për ta mjafton të mos vriten vëllezërit e të njëjtit besim.
Tek e fundit, për t’u solidarizuar me popullin fatkeq palestinez nuk kemi përse të mbajmë qëndrime politike mbi të drejtën e territorialitetit të njërës palë apo tjetrës, as të jesh antisemitë apo myslimanë,- mjafton thjesht të jesh human.
Ky artikull është botuar nën licensën CC BY-SA 4.0.