Mbi mitin e sistemit anglosakson: Ideologjia e komercializimit të arsimit të lartë
/Redi Muçi/
Ashtu si dikur ylli ndriçues i rrugës drejt socializmit botëror ishte stalinizmi, miti mbi të cilin bazohet sot reforma në arsimin e lartë në vend është ai i sistemit anglosakson. Kjo është evidente në vetë kriterin mbi të cilin kryeministri bazoi emërimin e centurion-it të komisionit të reformës, profesorin e London School of Economics, Arjan Gjonçaj. Mjaftoi veç logoja profesor “i jashtëm”, si kanoçet e Coca Cola-s dikur, që ky i fundit të kishte dorë të lirë në zgjedhjen e komisionerëve që do të vendosin mbi fatet e 10-vjeçarit të ardhshëm të arsimit të lartë dhe mbarë shoqërisë shqiptare.
E vërteta që fshihet pas këtij miti është krejt banale: falimentimi i pritshëm i piramidave private të vetëquajtura “universitete” ka bërë që pronarët e tyre t’i hedhin sytë nga arka e shtetit. E meqenëse shteti “rilindas”, ashtu si paraardhësi i tij, është i palëkundur në bindjen se fondet publike nuk duhet të shkojnë për arsimimin e shoqërisë por për kushedi se ç’mrekulli infrastrukturore, atëherë pronarëve të sipërpërmendur s’u ngelet veçse të rritin kërkesën (klientelën) për produktin që nxjerrin në treg. Kjo arrihet përmes futjes në garë për mbijetesë financiare të universitetit publik me atë privat, çka do të thotë se publiku do transformohet në ndërmarrje private (si funksionim dhe pronësi), por jo një dosido, por një ndërmarrje private që shkon e sigurt drejt falimentit. E lënë pas dore prej vitesh nga infrastruktura e mësimdhënies dhe e rrënuar nga infrastruktura kërkimore, e detyruar të aplikojë të njëjtat tarifa studentore me paga disa herë më të vogla për pedagogët sesa konkurrentët e tyre privatë, reforma e re krijon kushtet e përsosura për një eksod të madh të studentëve dhe pedagogëve nga rrënojat e mbetura të atij që dikur quhej universitet publik, drejt bizneseve që nesër do mbajnë mbi krye aureolën e emrit “fondacione”.
Përveç disafishimit të tarifës studentore, reforma që propozohet do shformësojë logjikën mbi të cilën bazohet, qoftë edhe formalisht, institucioni i dijes. Komisionerët e reformës, bazuar në një numër hamendësimesh dhe mesazhesh elektronike, synojnë ta rikonceptojnë rolin e universitetit në ndërmarrje biznesi (sh.p.k. specifikon drafti). Ky proces komercializimi nënkupton transformimin rrënjësor të konceptit të mësimdhënies në shkëmbim tregtar, të institucionit të arsimit në ofrues shërbimi, të subjektit të pedagogut në ndërmjetësues në shkëmbimin e mallit/shërbimit dhe të subjektit të studentit në kategoritë e mëposhtme:
Klient/konsumator
Investitor (borxhli)
Mall që duhet të shesë veten në tregun e punës pasi dilpomohet
Për të kuptuar pasojat e modelit që na paraqitet si e vetmja alternativë, lipset medoemos që vështrimi të hidhet nga fusha e gjerë ku lëvron debati në vendet të cilat ky model është zbatuar, si Britania e Madhe, SHBA, apo Portugalia, mbi çështjen e drejtimit që ka marrë arsimi i lartë dhe mbi problemet që kanë lindur si rrjedhojë e kontradiktave brendasistemore që shpesh janë përshkallëzuar në protesta masive studentore. Pa e sforcuar shumë imagjinatën mund të merret me mend mënyra anekdotike me të cilën do meremetohen këto probleme në kontekstin shqiptar.
Komercializimi i universitetit dhe studenti klient/konsumator
Ideja e universitetit si vatër që vepron e pavarur nga ndikimi politik dhe biznesor, e cila gjeneron një kulturë të brendshme vetorganizimi në shërbim të nxitjes dhe zhvillimit të konceptit të dijes kritike e akademike si e mirë publike, e që për hir të kësaj autonomie/pavarësie ka nevojë për financimin e garantuar të shtetit, në vende si Britania e Madhe dhe Amerika erdhi gjithnjë drejt zbehjes me kapërcimin konceptual të ekonomisë nga termat kejnsiane drejt mekanizmave neoliberalë të zbatuar në fillimvitet ’80 nga Margaret Theçeri dhe Ronald Regani.
Ideologjia neoliberale e konsideron si më efiçente funksionimin e universitetit si ndërmarrje biznesi që i nënshtrohet rregullave të tregut dhe parimit të konkurrencës. Dija shihet në termat e një produkti ose shërbimi (të shkëmbyeshëm dhe negociueshëm) që ofrohet brenda ambientit të “tregut të dijes”. Për pasojë studenti nuk konsiderohet më si përftues i një të mire (të drejte) publike me impakt shoqëror (një mjek/inxhinier/filozof në komunitet është më mirë sesa një i apasionuar skedinash eurollotoje), që bëhet pjesë e një eksperience social-kulturore unike siç është jeta universitare duke qenë aktor i procesit pedagogjik dhe vendimmarrës. Studenti konceptohet si përvetësues dhe konsumator i një numri “aftësish” personale, të tipit “teamwork”, “communication skills” dhe “leadership” që, së bashku me njohuritë teknike të fushës, i shërbejnë veçse individit që i zotëron ato duke i vënë në shërbim të karrierës së vet profesionale.
Pretendimi i ithtarëve të tregut është se në një sistem të tillë tregu do ushtrojë presion mbi institucionin sa i përket cilësisë së profesionistëve që do prodhojë dhe universiteti do tentojë të rrisë cilësinë në mënyrë që të mos humbasë “klientelën”, njëkohësisht duke ofruar nëpërmjet kurrikulave një produkt universitar që i shërben nevojave dhe kërkesave të tregut të punës.
Praktika e institucionalizimit të nocionit të konsumatorit brenda dyerve të universitetit i shkon për shtat edhe një shteti gjithnjë e më pak pjesëmarrës në ekonomi i cili heq nga vetja përgjegjësinë e përfshirjes në shoqëri, çka përkthehet në zvogëlimin e detyrimeve financiare ndaj arsimit të lartë të kthyer në agjenci biznesi.
Debati në vendet anglo-saksone rreth pasojave të komercializimit të universiteteve është mjaft i gjerë dhe vështirë se mund të përmblidhet në pak pika. Disa prej tyre janë trajtuar në vijim:
Marrëdhëniet e brendshme prodhues-klient tentojnë t’i japin përparësi vlerës së “këmbimit” që ka në treg dija universitare kundrejt vlerës së “përdorimit”. Për pasojë kriteret vlerësuese të punës studentore dhe performancës akademike të universitetit tentojnë të riformësohen sipas parametrave specifikë siç janë të ardhurat që nxjerr një i diplomuar, numri i studentëve-klientë që tërheq institucioni, shkalla e përfshirjes në interesa komerciale e institucionit dhe të ardhurat shtesë që nxirren në këtë mënyrë. Këto kritere zëvendësojnë kriteret tradicionale të vlerësimit të kapitalit akademik dhe shkencor të përftuar në fund të çdo viti, duke transformuar kështu ato që më parë ishin interesa të përbashkëta student-pedagog (transmetimi i dijes) në interesa partikulare dhe shpesh herë kontradiktore.
Institucionet, të cilat mbijetesën e tyre financiare (grantet shtetërore) e bazojnë tek rankimet, tentojnë që pjesën më të madhe të resurseve ta shpenzojnë për ngjitjen në rankime. Ndërkohë që kjo tendencë në disa raste ka sjellë pasoja të drejtpërdrejta në rënien e standardit, si për shembull rritja në mënyrë artificiale e notave kaluese, ajo që njihet me termin “inflacion notash”, për të rritur profilin e universitetit dhe kapërcyer pozicionet në tabelat e rankimeve. Në vende si SH.B.A, Australi, Kanada, MB etj ekzistojnë ato që quhen “rankime komerciale” të cilat ndërmerren nga agjentë tregu (gazetat në shumë raste) dhe janë tërësisht të pavarur nga kriteret universitare të cilësisë së mësimdhënies . Këto tabela rankimesh, të kontrolluara nga korporata multinacionale, operojnë edhe ndërmjet shtetesh të ndryshme [1].
Komercializimi i universitetit nënkupton se tërheqja e studentëve-konsumatorë arrihet përmes pretendimit të garancisë që ofron diploma për punësim. Rrjedhimisht shkëmbimi i mallit kryhet nga pozita që nuk bazohen në një marrëdhënie të domosdoshme mirëbesimi pedagog-student dhe student-student, e cila lind nga predispozita reale e mungesës së garancisë së suksesit në tregun e punës. Elementë të tillë si ndihma dhe përkujdesja, demokracia dhe etika publike, që ndodhen në qendër të aktivitetit të çdo shërbimi social, luajnë një rol fare të vogël në sektorin privat të prodhimit. Ato zëvendësohen nga vlera të lidhura ngushtë me menaxhimin privat, si konkurrenca, racionaliteti funksional i biznesit, efiçenca në kosto dhe produktiviteti.
Studentët që përbrendësojnë identitetin e konsumatorit e konsiderojnë procesin e të mësuarit si shkëmbim tregtar apo produkt që blihet duke u pozicionuar në rolin e konsumatorit pasiv që tenton të zgjedhë rrugën më të thjeshtë drejt objektit të dëshirës (mallit) e për pasojë e kufizon eksperiencën e të mësuarit në atë çka “i duhet”. Kjo e vendos studentin jashtë komunitetit intelektual të pjesëmarrjes aktive dhe kritike në rrugëtimin drejt dijes.[2]Kjo shpjegon edhe tendencën për kurrikula që ofrojnë njohuri standarde ose “të paketuara” që supozohet të merren, përtypen dhe riprodhohen nga studentët si një varg informacionesh jomedoemos të lidhura me njëra-tjetrën që duhet t’i përshtaten objektivave menaxheriale të institucionit. Mundësia për zhvillimin e të menduarit kritik izolohet në nisma sporadike studentore, si ajo e studentëve të degës së Fakultetit të Ekonomisë në Universitetin e Mançesterit, të përballur me kontradiktën midis një krize globale ekonomike dhe kurrikulave të studimit që bazohen tërësisht tek e njëjta ideologji neoliberale që shkaktoi krizën dhe që është e paaftë të artikulojë një zgjidhje për të dalë prej saj.[3]
Supozohet se studenti do veprojë si konsumator i mirinformuar mbi opsionet e arsimimit që ofron tregu. Një studim i kryer në Portugali, ku prej disa vitesh aplikohet e njëjti sistem, del në konkluzionin se universiteti i nënshtrohet logjikës së reklamimit të aspektit unikal të çdo malli që e dallon nga konkurrentët (si dallimi Pepsi-CocaCola), ku ndërthuren simbolet tradicionale me ato më moderne me qëllim krijimin e një “brand-i” dhe vihet re përdorimi i atyre që quhen buzzwords (fjalë që tërheqin vëmendjen), një strategji e njohur marketingu.[4] Në vështirësitë për punësim që paraqet tregu duket se përparësi ideologjike kanë ato buzzwords që përmbajnë konceptet e europianizimit dhe internacionalizimit si garanci punësimi në tregun global. Në specifikën shqiptare universitetet private nuk kanë nguruar të shkojnë edhe përtej kufijve të planetit Tokë (Universiteti UFO). Megjithatë një informacion i ngjeshur dhe një larmi alternativash sa të ndryshme aq edhe të njëjta mund të shkaktojë efektin e kundërt duke e vështirësuar zgjedhjen e duhur lidhur me të ardhmen e studentit. Për më tepër, studimet tregojnë se zgjedhja e saktë është më e pritshme për studentë të asistuar nga familje me status në shoqëri dhe me njohuri lidhur me makinacionet dhe procedurat e përzgjedhjes.[5] Familjet e klasës punëtore, nga ana tjetër, duken të paafta për të bërë dallimin mes larmisë së ofertës së tregut duke iu nënshtruar zgjedhjeve rastësore.
Orientimi i universiteteve kah nevojat e tregut dhe konkurrencës shkakton të njëjtat simptoma si në tregun e biznesit: krijimin e monopoleve financiare. Në rastin e IAL-ve kjo përkthehet në krijimin e universiteteve elitiste dhe atyre të dorës së dytë. Këto të fundit bazën e studentëve e kanë nga prejardhje më pak të privilegjuara se të parat dhe janë shumë më të ndjeshëm ndaj kapriçove të tregut dhe krizave ciklike të ekonomisë. Shpesh kjo situatë vulnerabiliteti rezulton në mbylljen e departamenteve që nuk performojnë siç duhet nga pikëpamja financiare apo edhe në shkurtimin drastik të stafeve akademike. Më të prekur janë fakultetet e shkencave ekzakte të cilat kanë nevojë për laboratorë dhe pajisje eksperimentale në procesin e mësimdhënies.
Përcaktimi i tarifave të studimit nga universitetet e dorës së dytë është gjithashtu i varur nga situata ekonomike e vendit. Vitin e fundit në Britaninë e Madhe pati një rritje deri në £9000 të tarifave vjetore për të kompensuar shkurtimet e buxhetit të shtetit prej £2 miliardë për arsimin e lartë.[6]
Universitetet dhe kolegjet elitiste (Oxford, Cambridge, Eton etj) ndikohen më pak nga situata ekonomike dhe nëpërmjet kritereve subjektive (origjina familjare) apo objektive (tarifat e larta) përzgjedhin një kontingjent studentësh me prejardhje social-ekonomike të privilegjuar duke u mundësuar këtyre që pas diplomimit të rikapin pozicione të privilegjuara në profesion.[7] Një strukturim i tillë i arsimit të lartë, ndërkohë që vendos një homogjenitet të kontingjentit të brendshëm pedagogë-studentë, themelon ndarjen mes IAL-ve në bazë të origjinës social-ekonomike. Në këtë mënyrë sistemi i arsimit të lartë kontribuon në riprodhimin, legjitimimin dhe thellimin e pabarazisë shoqërore në terma ekonomikë dhe kulturorë.
Të gjitha aspektet e mësipërme drafti i propozuar i injoron katërcipërisht, madje trajtimin e studentit si klient kërkon ta kamuflojë me një retorikë sa abstrakte, aq edhe qesharake. Për shembull heqja e të drejtës së votës për studentin argumentohet me shprehjen: “Demokracia e gjerë nuk është zgjidhja e përsosur për vende që nuk kanë demokraci të stabilizuar”. Ndërkohë që tregu ka 23 vjet që na mëson se demokracia e gjerë nuk është as alternativë për konsumatorin/punëtorin sa i përket procesit të prodhimit. E vetmja e drejtë e konsumatorit është “të zgjedhurit” në larminë që ofron tregu. Studenti në rolin e konsumatorit do ketë të drejtën e zgjedhjes së universitetit, jo atë të vendimmarrjes rreth politikave, kurrikulave, mënyrës së shfrytëzimit të hapësirave, marrëdhënies me pedagogët, tarifave apo shumëçkaje tjetër.
Subjekti i studentit në draftin e propozuar përmendet veçse si e dhënë statistikore dhe raporti i ngjan një studimi të rëndomtë mbi tregun dhe klientelën që hartohet nga çdo kompani tregtare. Fjalës “student” në pjesën dërrmuese të raportit i bashkëngjitet fjala “numër” dhe “euro”, e herë të tjera fjalët “kredi”, “kosto”, “rekrutim”, “mobilitet”, “vrojtim”, “zgjedhje”, “aplikim”, “tregues” etj. Nevojat bazë të studentit si qenie e gjallë e cila e pëson mbi vete çdo politikë që ndërmerr universiteti, që detyrohet të punojë në punë të rëndomta jashtë profesionit të tij për të përballuar koston e jetës studentore, si subjekt i tëhuajësuar brenda universitetit sot dhe i zhveshur tërësisht si subjekt pas klientelëzimit të universitetit; të gjitha këto nuk përmenden në draft-reformë.
Tarifa e studimit dhe studenti borxhli
“Zafir, mos më dil qafir!” – i drejtohej borxhdhënësi personazhit të luajtur nga Sejfulla Myftari në komedinë “Borxhliu”. Simptomatike sa i përket subjektit të borxhliut i ilustruar në peripecitë që kalon Zafiri është nënshtrimi i këtij subjekti ndaj situatës në të cilën ndodhet. Niçja gjen të njëjtën rrënjë gjuhësore (fjalaschulden) si për borxhin, ashtu edhe për fajin. Në librin “Farkëtimi i Borxhliut”, Maurizio Lazzarato vë në dukje se përmes borxhit kontrollohet e ardhmja, pasi borxhliu tanimë do të jetojë për të kthyer borxhin. Pra borxhi zhduk të ardhmen si mundësi për të pasur zgjedhje alternative. Kontradikta e sistemit ekonomik ku jetojmë është se ndërsa varfërohemi si marrës page apo përfitues shërbimesh sociale, “pasurohemi” në mundësinë për të blerë përmes borxhit (kartat e kreditit, kreditë konsumatore etj). Kapitalizmi ka nevojë edhe për ulje pagash, edhe për rritje konsumi, dhe këtë kontradiktë e merr përsipër për ta zgjidhur marrëdhënia e borxhit.
Por si depërton subjekti i borxhliut brenda universitetit? Përgjigja e shkurtër është: “Përmes rritjes së tarifës së arsimimit”, rritje e domosdoshme sipas hartuesve të draftit për mbijetesën financiare të universiteteve të kthyera në fondacione. Shteti, sipas tyre, e ka të pamundur të rrisë financimet për arsimin e lartë. Arsyeja se pse përçohet në draft me një gjuhë mistike, thuajse biblike: “Tashmë trendet dhe mundësitë reale të buxheteve tona janë të perceptueshme dhe të kushtëzuara nga shumë faktorë të tjerë strukturorë e madhorë”.[8] Shpjegimi i mësipërm duhet konsideruar i vetëmjaftueshëm.
Drafti përmend se buxheti i shtetit për arsimin publik është 40 milionë €, ndërsa kontributi nga tarifat studentore 20 milionë €. Për 126000 studentë që ulen sot në bankat e universitetit publik rezulton se për arsimimin e një studenti, shteti dhe shoqëria shpenzojnë rreth 460 €. Drafti propozon: “Shqipëria duhet të synojë të paktën shifrat 1500-2000 euro/student”. Nga shuma 460 € shteti kontribuon 2/3, pra rreth €300/student. Në kushtet ku universitetet publike do duhet të konkurrojnë me ato private për të marrë një pjesë të këtyre parave, kjo shumë në rastin më të mirë do shkojë 200 €/student. Lind pyetja se nga do dalin 1800 € shtesë për të shkuar tek vlera 2000 €? Duke lënë mënjanë shakanë bajate se biznesmenët e këtij vendi do lëvrojnë paratë për investime në universitete (përjashto rastin e ndonjë reklame pijesh energjike që shkathtësojnë trurin gjatë sezonit të provimeve), arrihet kollaj në përfundimin se këto lekë do dalin nga rritja e tarifës së studimit. Duke mbajtur në mendje se tek vlera 2000 €/student përfshihen veç të tjerave (infrastruktura, rrogat e pedagogëve) edhe rrogat e strukturës menaxheriale që propozon drafti (de-factopronarët/aksionerët e IAL-ve [9]), atëherë vlera 1800 € për studentin do jetë, siç thonë anglosaksonët, money well-spent (para të mirëshpenzuara).
Interesant është kontrasti mes modelit anglosakson dhe mënyrës shqiptare të implementimit. Tarifa mesatare e shkollimit në Angli shkon diku tek 3200 £ për vit shkollor. Granti i shtetit për çdo student është 5000 £. Shqipëria si pararojë e neoliberalizmit, këtë raport e vendos tek 1800 € me 200 €.[10]
Një tjetër fakt që nuk përmendet në draft është shkalla e borxhit studentor të pashlyer në Britaninë e Madhe. Të dhënat tregojnë se nga shuma prej 10 miliardë £ e kredisë studentore të përvitshme është grumbulluar në regjistrat e shtetit një vlerë prej 46 miliardë £ kredish studentore të pashlyera ndër vite. Me trendin e tarifave dhe kredive gjithnjë në rritje llogaritet se në vitin 2042, 90 miliardë £ nga shuma prej 200 miliardë £ do jenë kredi të pashlyera.[11] Numri i lartë i të papunëve dhe pagat e ulëta kanë shkaktuar një rritje të borxhit të papaguar nga 28%, që ishte në vitin 2010, në 40%.[12] Në SHBA borxhi në kredi studentore është me i lartë se ai i kartave të kreditit, duke u renditur i dyti pas kredive famëkeqe te tregut imobiliar që shkaktuan flluskën financiare të 2008-ës.[13]
Shifrat e përmendura më sipër e drejtojnë debatin rreth subjektit të punëtorit të ri në tregun e punës, dhe pyetja që ngrihet lidhet me parimin e lirive dhe të drejtave në vendin e punës si dhe me mundësinë që ka punëdhënësi të shkelë mbi këto të drejta. Sa më i lëkundur statusi shoqëror i punëtorit, aq më shumë ai mund shfrytëzohet nga pronari. Për shembull, statusi “ilegal” i emigrantëve i kthen ata në subjekte të preferuar nga tregu, pikërisht sepse mund të paguhen me më pak se gjysmën e pagës së një punëtori “legal”. Të njëjtin rol luan edhe borxhi. Sa më i lartë të jetë, aq më shumë lëshime detyrohet të bëjë punëmarrësi. Në kontekstin e krizës globale ekonomike ku vendin kryesor në shifrat e papunësisë e zënë të rinjtë, në Shqipëri me zyrtarisht21% të papunë mundësia kryesore e punësimit për të rinjtë ofrohet nga agjencitë Call-Centre dhe birraritë e bllokut. Ata fatlumë që arrijnë të gjejnë punë në profesionin ku janë diplomuar shpesh herë nënpaguhen dhe u mohohen sigurimet. Duke iu mbivendosur kësaj situate edhe borxhi i kredisë studentore, atëherë me të drejtë FMN-ja do detyrohet ta quajë edhe njëherë Shqipërinë, ashtu si bëri gjatë viteve ’90 që pollën Suden e Xhaferrin, modeli pararojë i neoliberalizmit botëror.
Diplomanti si mall në tregun e punës
Në përputhje me qasjen që arsimimin e sheh nga tejqyra e produktit dhe vlerës ekonomike, neoliberalizmi përkufizon edhe individin në shoqëri në po këto terma si një homo economicus, i drejtuar në qëllimet dhe aktivitetin e vet nga forcat e tregut dhe statusi i tij ekonomik në shoqëri. Si i tillë, homo economicus-i e konsideron hyrjen në universitet si investim. Produkti i këtij investimi (individi i diplomuar) duhet të shitet në treg në mënyrë që të rritë kapitalin përtej asaj çka është investuar fillimisht (ngritja e karrierës profesionale). Shitja në treg e produktit nuk varet gjithmonë nga cilësia e tij (dija e përftuar), por shpeshherë nga aftësia për ta reklamuar produktin, pra veten, në mënyrën e duhur.
Një pjesë të mirë të “aftësimit” të individit për tregun e punës e zë përkryerja e teknikave të intervistimit dhe nxjerrjes në pah të cilëve të tij si dhe përkushtimit të ardhshëm ndaj kompanisë që e interviston. Pyetje të tipit “përse kërkon të punosh për këtë kompani?” apo “përse mendon se je kandidati i përsosur për këtë vend pune?” janë pyetje standarde të çdo procedure intervistimi. Avantazh në këtë aspekt kanë individët me paraqitje më të mirë fizike dhe ata që priren të plotësojnë tekat e punëdhënësve, si për shembull marrja në ‘provë’ me kontratë pune të papaguar për një periudhë të pacaktuar, aq sa do jetë e domosdoshme për të ‘bindur’ pronarin të nënshkruajë një kontratë të rregullt pune. Përgjithësisht stafi i papaguar, i cili përbën një numër të konsiderueshëm të totalit të të punësuarve, merret me pikëpamjen logjistike të organizimit të punës, që shpeshherë ka fare pak ose aspak të bëjë me profesionin si të tillë.
Po tregoj një eksperiencë personale. I sapodiplomuar në vitin 2009 në qytetin e Mançesterit, qendra e dikurshme e revolucionit industrial, tanimë i prekur ndjeshëm nga efektet e krizës së para një viti, po pija birra me një mikun tim dhe disa të njohur të tij të punësuar prej vitesh në një kompani me emër në fushën e ndërtimeve urbane. Kolegët e ardhshëm nisën të na dëftonin sokakët e errët nga do kalonim ne të rinjtë për të arritur në pozitën e tyre. “Kur diplomën e ke në xhep duhet të dish si të tërheqësh vëmendjen.” – ia behu njëri prej tyre, dhe vijoi duke treguar legjendën që qarkullonte në ndërmarrjen ku punonin. Një i ri 25-vjeçar për t’i rënë në sy shefit të madh, i dërgonte me postë në zyrë tablo të mëdha kartoni në formë puzzle-i për një javë rresht. Pasi dërgoi copën e fundit, me to formohej shëmbëlltyra e personit të tij në përmasa reale duke mbajtur në dorë një tabelë ku shkruhej “I only need one chance!” (kam nevojë vetëm për një mundësi). Shefit i pëlqeu fakti se i riu kishte bërë gjithë atë përpjekje kreative për të tërhequr vëmendjen dhe pas 3-4 minutash intervistë e punësoi të riun. “Duhet të dish si ta shesësh veten te punëdhënësi. Si t’i biesh në sy. Vetëm kjo ka rëndësi.” Të ulur në ato ndenjëse të rehatshme ngjyrë vishnjë në pub-in e vjetër, e përfytyrova veten mes një grupi kurtizanesh në bordelet e Londrës të shekullit të XIX-të, duke pëshpëritur taktikat e joshjes së myshterive mustaqellinj më të kamur të qytetit. Nuk e ndava mendimin me të tjerët se mu duk i pavend.
Referenca:
[1] LYNCH, KATHLEEN (2006): Neo-liberalism and Marketisation: the implications for higher education (http://firgoa.usc.es/drupal/files/lynch.pdf)
[2] Molesworth, Nixon and Scullion (2009): “The Marketization of Higher Education and the Student as Consumer”
[3] Economics students aim to tear up free-market syllabus
(http://www.theguardian.com/business/2013/oct/24/students-post-crash-economics)
[4] Cardodo, Carvalho and Rui Santiago: From Students to Consumers: reflections on marketization of Portuguese Higher Education (http://www.resup.u-bordeaux2.fr/manifestations/conferenceinternationaleparis2007/Actes/CARDOSO%20et%20al_RESUP2007.pdf)
[5] Shankar, Avi: The consumerist turn in higher education: Policy aspiratoins and outcomes (https://www.academia.edu/4675938/The_consumerist_turn_in_higher_education_Policy_aspirations_and_outcomes)
[6] Neoliberalism and the commercialization of higher education (http://www.theinternational.org/articles/448-neoliberalism-and-the-commercialization-o)
[7] Who Gets The Best Jobs BBC Documentary (https://www.youtube.com/watch?v=V1ONGMjJ35k)
[8] RAPORTI I PARË PËR REFORMIMIN E ARSIMIT TË LARTË DHE KËRKIMIT SHKENCOR (http://fgjm.edu.al/reforma14/raport_reforma_arsimit_larte.pdf)
[9] Po aty
[10] Top universities reject Gordon Brown’s extra places plan (http://www.telegraph.co.uk/education/educationnews/5934453/Top-universities-reject-Gordon-Browns-extra-places-plan.html)
[11] Higher education shouldn’t be a market. No wonder tuition fees are failing (http://www.theguardian.com/commentisfree/2014/mar/21/higher-education-market-tuition-fees-failing-9000-pounds?CMP=fb_gu)
[12] Student fees policy likely to cost more than the system it replaced (http://www.theguardian.com/education/2014/mar/21/student-fees-policy-costing-more)
[13] 5 key findings about student debt (http://www.pewresearch.org/fact-tank/2014/05/14/5-key-findings-about-student-debt/)
Ky artikull është botuar nën licensën CC BY-SA 4.0.