Marksizmi kulturor

Një teori përbashkuese për të djathtët që vdesin të luajnë rolin e viktimës

/Jason Wilson/

Lufta kulturore që përshkon debatet aktuale midis krahëve të djathtë dhe të majtë të politikës i ka fillimet e saj në teorinë idioteske të “marksizmit kulturor”.

Çfarë kanë të përbashkët gazetari australian Nick Cater, grupi i videolojërave Gamergate, vrasësi Norvegjez Anders Breivik dhe një mori njerëzish të zakonshëm në Youtube? Të gjithë këta kanë përqafuar fantazmën e “marksizmit kulturor” si përgjegjëse për gjithçka me të cilën nuk bien dakord, si për shembull bashkësitë emigrante myslimane, feminizmi apo lideri i opozitës australiane Bill Shorten.  

Ku e kanë fjalën konkretisht? Tregimi ndryshon ne varësi të tregimtarit, por teoria e marksizmit kulturor është esenciale për jetën e mbushur me fantazi të së djathtës së ditëve tona. E gjithë kjo fantazi ndërtohet mbi shikimin e historisë në një pasqyrë shpërfyruese, e cila pasqyron ngjarje që kanë ndodhur vërtet, por në forma të shtrembëruara sa më s’ka.

Gjithçka fillon në vitet 1910-20. Kur revolucioni socialist dështoi të materializohej përtej Bashkimit Sovjetik, mendimtarë marksistë si Antonio Gramsci dhe Georg Lukacs-i u përpoqën të shpjegonin arsyet e këtij dështimi. Në këndvështrimin e tyre, kultura dhe feja dëmtuan dëshirën e proletariatit për revoltë, rrjedhimisht marksistët duhej të ndërmerrnin një “marshim të tejzgjatur përmes institucioneve”, shkollave dhe universiteteve , burokracisë qeveritare dhe medias. Në këtë mënyrë vlerat kulturore do mund të ndryshoheshin në mënyrë progresive nga sipër.

Duke e bërë të tyren këtë teori, mendimtarët e mëvonshëm të “Shkollës së Frankfurtit” vendosën që çelësi drejt shkatërrimit të kapitalizmit gjendej në bashkimin e marksizmit me disa nga teoritë frojdiste, sepse punëtorët jo vetëm shtypeshin nga faktorët ekonomikë, por i nënshtroheshin gjithashtu shtypjes seksuale dhe të tjera konvencioneve shoqërore. Pra problem nuk ishte vetëm kapitalizmi si sistem ekonomik, por edhe familja, hierarkia e sekseve, orientimi seksual; me pak fjalë, e gjithë panorama e vlerave tradicionale perëndimore.

Teoricienët e konspiracioneve pretendojnë se këta “marksistë kulturorë” përdorën forma graduale, por të dhunshme, manipulimi psikologjik për të përmbysur Perëndimin. Gjithnjë sipas këtyre teoricienëve , kur nazizmi i detyroi pjesëtarët e Shkollës së Frankfurtit (pjesa më e madhe e të cilëve ishin me prejardhje hebraike) të shpërnguleshin në Amerikë, ata e përdoren këtë mundësi për të hedhur baltë dhe hije mbi kulturën dhe vlerat të cilat kishin qenë baza e zgjerimit dhe fuqizimit të shtetit më të fuqishëm kapitalist të botës.

Popullariteti i ideve të mendimtarëve si Herbert Marcuse dhe Theodor Adorno gjatë kundër-kulturës së viteve 1960 arriti kulmin kur, sipas konspiracionit, dishepujt e tyre zunë postet më të rëndësishme kulturore, nga universitetet te studiot hollivudiane. Në vazhdim të kësaj logjike, ata i përdorën këto poste për të përhapur dhe forcuar ide që kishin për qëllim shkatërrimin e vlerave tradicionale të krishtera dhe zhdukjen e tregut të lirë. Për ç’ide bëhet fjalë? Feminizmi, multikulturalizmi, të drejtat e komunitetit gej dhe ateizmi. Dhe me sa duket, pikërisht në këtë moment lind “korrektësia politike”. Ju siguroj se këto gjëra i besojnë vërtet.

E gjithë kjo histori është qartësisht idioteske sepse nëse qëllimi i shkollave dhe universiteteve do të ishte të shtynin studentët drejt pranimit të së majtës radikale, atëherë ekzistenca e parlamenteve dhe presidencave perëndimore dhe suksesi i zhurmshëm i korporatave kapitaliste na sugjerojnë se këta “manipulues” po bëjnë një punë vërtet të keqe. Kush hedh një vështrim të paanshëm mbi tri dekadat e fundit të politikës, do t’i dukej i çuditshëm (idiotesk) interpretimi i ngjarjeve si një triumf i konspiracionit të plotfuqishëm të së majtës.

Teoria e marksizmit kulturor përbën gjithashtu një shfaqje të pacipë antisemitizmi, duke projektuar idenë e një sulmi hebre që ka për qëllim shkatërrimin e qytetërimit perëndimor nga brenda. Një pikëpamje e tillë raciste e ka zanafillën që përpara marksizmit. Njësoj si “Protokolli i të moshuarve të Sionit”, teoria u fabrikua me një qëllim të vetëm: institucionalizimin dhe përjetësimin e luftës kulturore. Mund të përmendim edhe një autor për këtë çmenduri : William S. Lind, një “dijetar” i së djathtës radikale amerikane, i cili u përpoq ta ringrinte në këmbë këtë të fundit pas përfundimit të Luftës së Ftohtë.

Gjatë viteve 1980 Lind-i ishte autor i disa monografive ku shkruante se ekzistonte një konsensus politik në rritje mbi ekonominë e tregut të lirë (pjesërisht prej shpërbërjes së të majtës social-demokrate), mirëpo shumë amerikanë ishin të shqetësuar nga rënia graduale e vlerave tradicionale, të familjes dhe jetës së shtresës së mesme. Nëse konflikti me të majtën zhvendosej në terrenin kulturor, do të ekzistonte një mundësi për të përforcuar të djathtën, si dhe të fitoheshin votues që kishin votuar gjithnjë për Demokratët.

Pas rënies së Murit të Berlinit erdhi koha e strategjisë së Lind-it për ta shndërruar konservatorizmin kulturor në strategji qendrore për Republikanët sepse bëri të mundur identifikimin e një armiku të ri social, që shërbente për mobilizimin e të djathtës. Ndryshimi i parametrave të debatit ekonomik dhe fillimi i rënies së Amerikës kërkonte që konservatorët të përqafonin një politikë që “përqendrohej më shumë” te çështjet kulturore ( familja, edukimi, krimi dhe moraliteti). Përralla e marksizmit kulturor bëri të mundur krijimin e një armiku postkomunist i cili gjendej kryesisht në rrethet kulturore: universitete, Hollivud, gazetarë të ndryshëm, aktivistë të të drejtave të njeriut dhe feminizmit. Që atëherë ky ka qenë strumbullari i aktivizmit dhe retorikës konservatore.

Ndërsa kohët e fundit që Lind-i është bërë një figurë më pak e rëndësishme, historia e tij mbi marksizmin kulturor ka rezultuar e dobishme përgjatë spektrit të mendimit të krahut të djathtë.

Teoria e tij bën të mundur zëvendësimin e dhimbjes së shkaktuar nga humbja e privilegjit me petkun e viktimizimit, duke e drejtuar gishtin kah një tymnajë hijesh gjithëpërfshirëse , një elitë me njerëz të huaj të cilët tentojnë të shkatërrojnë çdo të mirë të kësaj bote. Teoria e tij ofron një shpjegim mbi rënien e familjes, qyteteve të vogla, autoritetit patriarkal, fuqisë së pakundërshtuar të supremacisë së bardhë – të gjitha këto si rezultat i një konspiracioni shekullor majtist. Mbi të gjitha, teoria e tij bën të mundur largimin e vëmendjes nga faktori më i rëndësishëm në këto ndryshime: kapitalizmi, i cili e ka të nevojshëm mobilitetin, krizat e të cilit kanë rrënuar gradualisht standardet e jetesës dhe, për pasojë, minon stabilitetin e strukturave familjare konvencionale dhe të mënyrës tradicionale të të jetuarit.

Historia e marksizmit kulturor është elastike dhe mund të përshtatet me obsesionet e një rrafshi të gjerë djathtistësh. Si e tillë, ajo përbën shembullin konkret se si një ide e lindur nga ekstremet përvetësohet nga figura më afër qendrës dhe e tërheq politikën drejt krahut të djathtë.

Anders Breivik-u i vrau të rinjtë socialdemokratë pasi besonte se partia e tyre ishte përfshirë në një konspiracion marksisto-kulturor që kishte për qëllim shkatërrimin e vlerave tradicionale evropiane , duke mbështetur emigrimin masiv nga bota islamike. Zëra të rëndësishëm brenda lëvizjes Gamergate e përdorin këtë teori për të shpjeguar se motivi i vërtetë i kritikëve feministë dhe queer të videolojërave është të zhdukin kulturën e “të qenit një mashkull i vërtetë”. Kjo teori mund të rezonojë edhe me ankesat e llojit: një klasë “të diplomuarish” po orvaten të rimodelojnë kulturën “barazimtare” australiane.

Një tjetër arsye pse teoria e marksizmit kulturor i ka rezistuar kohës është se, në mungesë të ballafaqimit real të ideve konkrete mbi ekonominë, ajo është një fushë pjellore për kontradikta politike… Derisa e gjithë kjo të ndryshojë, e djathta do të ketë mundësi të luajë rolin e viktimës dhe të krijojë teori konspirative, pa i munguar suksesi.

E përktheu Frenklin Elini

Marrë nga gazeta “The Guardian”

Imazhi: Reason

This image has an empty alt attribute; its file name is direct

Ky artikull është botuar nën licensën CCA 4.0 (Creative Commons Attribution 4.0 International License).


Lexojmë dhe shpërndajmë!
error

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.