Copëza jete në ditën e 1 Majit

/Jani Marka/

U nisëm në grup për të biseduar me punëtorë e qytetarë rrugëve të Tiranës. Takuam fillimisht një studente të vitit të dytë në Fakultetin e Drejtësisë. Pasi folëm pak për simbolikën e 1 Majit, bisedën e zhvendosëm natyrshëm te protesta e studentëve. I thamë se atje, te Juridiku, Lëvizjen Për Universitetin disa e kanë halë në sy. Buzëqeshi dhe tha se kishte qenë në protestë, kryesisht te Ministria, por se ndihej e neveritur nga disa të fakultetit të saj që ishin shpërblyer me lekë për të mbajtur ngujimin e dhunshëm… Natyrisht, i thamë, ai model ishte i shëmtuar, ndryshe nga  ai i Shkencave Sociale, për shembull, ku fakulteti gjatë bojkotit u banua me gjallëri e kreativet nga studentët. Bisedën e mbyllëm duke e ftuar të angazhohej me aktivistët e Lëvizjes te Juridiku për të ndryshuar universitetin.

Mimoza, një grua rreth të dyzetave, punonte në një fabrikë këpucësh në rrugën 5 Maji. Kishte një farë kontradikte në bisedë se, edhe pse pohoi – me droje – se kishte sindikatë në vendin e punës, ajo nuk bënte asgjë për të përmirësuar problemet në punë. Mimozës i thamë se kemi kohë që po përpiqemi të nxisim organizimin sindikal në sektorin fason dhe i kërkuam numrin e telefonit për ta kontaktuar në vijim. Nuk hezitoi të na e jepte numrin.

Një grua tjetër, rreth të gjashtëdhjetave, ishte pa punë e pa pension në Shqipëri. Po si jeton? “Shyqyr –tha – që shteti italian më ka caktuar një pension prej 100 eurosh, se edhe vajza që punon në fabrikë këpucësh më shumë është e sëmurë prej mastiçit sesa shkon në punë…”

Një burrë, 48 vjeç, kur e pyetëm se a punonte, tha se kishte emigruar për të punuar në Kroaci. Na bëri pak habi dhe biseduam gjerë e gjatë se si kishte përfunduar disa muaj më parë në Kroaci. Përmes një shoku të tij kishte shkuar në Kroaci, ishte paraqitur në një zyrë atje, por përpara se të fillonte punë duhej të priste një muaj për arsye procedurale. Qyshse nuk mund të rrinte kot një muaj, kishte gjetur provizorisht punë në një provincë të Kroacisë ku mund të punohej në të zezë muajin e parë e larg syve të policisë. Në përgjithësi dukej i kënaqur me punën në Kroaci dhe natyrisht i lodhur nga realiteti shqiptar që e kish detyruar të largohej nga familja. “Shqipëria nuk mund të bëhet kurrë si Kroacia” – na tha. Kishte dy fëmijë, njërin prej të cilëve në universitet, çka hapi shtegun për të biseduar sërish për universitetin. I folëm për protestën e studentëve, por ndihej i zhgënjyer nga studentët që e mbyllën “shpejt” pasi kishte shpresuar se ata do ta shpërthenin nga themelet sistemin e kalbur. “Nuk është kaq kollaj” – i thamë. “Me shpresë herës tjetër.”

Një grua tjetër rreth të dyzetave punonte në QTU. “Ku në QTU – e pyetëm – apo aty në zonë?” Në fakt punonte brenda QTU, te Spar-i.  “Ah, po si janë kushtet aty? Edhe mirë edhe keq, por ishim më mirë para dy vitesh kur ishte Carrefour-i. Imagjiono – tha – edhe ditën e 1 Janarit që është festë ndërkombëtare na i ulën nga rroga.” Duke folur për pagat e ulëta i kujtuam se sa të vështirë do ta kishte të çonte fëmijët në universitet për kostot e larta të tarifave, librave. “Unë e kam një fëmijë në universitet” – tha. “Po si ia dilni? Po djali punon. Madje edhe djali më i vogël në shkollë të mesme ka ndër mend të fillojë punë.” Më tej folëm se sa e padrejtë është që të rinjtë, në vend se t’u përkushtohen me intensitet studimeve u duhet të punojnë.

Një grua tjetër, sërish te të dyzetat, ishte e papunë. “Si jeton? Hiç – tha, kam një kopsht te shtëpia në Babrru. A nxirrni prodhime në shitje? Jo, ku del toka?! Edhe për vete tarracën e shtëpisë e kam kthyer në kopsht.”

Me Erzenin, te të tridhjetat, biseduam shumë gjatë. Edhe pse punonte ne një call center në Tiranë, biseda kishte një natyrë shumë politike. Shumë shpejt na rrëfeu se duhen bojkotuar zgjedhjet në masë dhe se për veten e tij kishte shumë vite që i bojkotonte. Kur i thamë se Organizata jonë (Politike) ndante të njëjtën pikëpamje dhe ka dy javë që e ka shpallur publikisht një qëndrim të tillë, interesi i tij u shtua edhe më shumë për të folur për rezistencën. Tha se duhet luftuar te pikat e nxehta, në Bulqizë, me naftëtarët e Ballshit. Ishte i prekur nga vdekja në Sharrë e djaloshit Ardit Gjoklaj. Foli për Gërdecin e 21 Janarin. Foli për partinë e Patozit dhe të Blushit. “Sikur Blushi ta kishte pasur seriozisht – tha – e jo për interesin e tij, në rastin e protestës së studentëve gjërat do të kishin shkuar ndryshe.” Erzeni e fotografoi fletushkën që i dhamë. “Fletushkën edhe mund ta humbas – tha, por këtu në telefon e kam dhe mund të interesohem për organizatën tuaj.”

Dy gra të tjera jetonin me pastrimin e shkallëve të pallateve. Njëra prej tyre, edhe pse e bënte prej vitesh këtë punë, kishte pak muaj që ishte e kontraktuar nga një kompani e Bashkisë, por ishte e revoltuar se nuk i paguanin sigurimet. “Jam ankuar, por do të ankohem prapë e nuk do e lë me kaq.” Pastronte katër shkallë pallati dhe merrte 18000 lekë në muaj, por ata të Bashkisë i kishin thënë që duhej të gjente edhe shkallë të tjera që të mund të punonte e siguruar. Në bisedë e sipër na rrëfeu se kishin ardhur në Tiranë nga një zonë e Kukësit, pasi te shtëpia kishin pasur konflikte për tokën, aq sa dikush i kishte izoluar (pjesën e tokës) deri edhe hyrjen për në shtëpi.

Shpesh, te 9-katëshet, aty ku u stacionuam për të biseduar me njerëz, shkëmbenin fjalë me një ish-studente të bachelorit te Sportet, e cila, po aty, po shiste produktet e një prej kompanive të mëdha të telefonisë celulare. Folëm për kushtet e punës, për protestën e studentëve dhe se protesta i kishte përmirësuar disa kushte, si uljen e pjesshme të tarifave, shitjen e librave. Apo jo? “Jo, jo – tha –  librat vazhdojnë të shiten si më parë.” Na tregoi edhe disa teknika të intervistimit që gjykonte se mund të na shërbenin në punën tonë. Kështu e quante veprimtarinë tonë: punë. I pranuam kritikat e saj, por u kujdesëm t’i shpjegonin se ne nuk ishim në punë, por vullnetarë. Vullnetarë të kauzës punëtore.

Imazhi: Organizata Politike

This image has an empty alt attribute; its file name is direct

Ky artikull është botuar nën licensën CCA 4.0 (Creative Commons Attribution 4.0 International License).

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.