/Daniel Cohn-Bendit/
Intervistë nga Jean-Paul Sartre
1968 ishte vit i trazirave dhe protestave globale. Dëshira për ndryshime shoqërore dhe kundërshtimi ndaj kapitalizmit, konsumerizmit, imperializmit amerikan dhe institucioneve tradicionale, vlerave dhe rendit ekzistues po rriteshin gjithnjë e më shumë në Perëndim. Studentët dhe punëtorët zaptonin fabrika e universitete. Protesta u zhvilluan në Berlin, Frankfurt, Romë, Milano, Çikago, Pragë etj. Kulmi i kësaj rezistence u shënua në maj të atij viti në Paris ku rezistenca studentore u shoqërua me grevën më të madhe punëtore në Evropën e shekullit XX, që përfshiu rreth 11 milionë punëtorë, më shumë se 22% të popullsisë së përgjithshme të Francës së asaj kohe.
Më 3 maj 1968, një protestë studentore nga Universiteti i Sorbonës gati nxiti revolucionin. Në protestë kundër mbylljes së Universitetit të Parisit në Nanterë dhe përjashtimit të planifikuar të disa studentëve të Nanterës, shokët e tyre nga Universiteti i Sorbonës dolën masivisht në rrugë. Studentët, profesorët dhe mbështetësit e tyre ishin lodhur nga sistemi i vjetër arsimor dhe mungesa e mundësive të punësimit për të diplomuarit. Për disa ditë, qindra studentë u përleshën me policinë në rrugët e Parisit, ngritën barrikada, hodhën gurë dhe gaz lotsjellës.
Zaptimet studentore dhe grevat e përgjithshme të iniciuara në të gjithë Francën u ndeshën me reagimin e fortë të administratorëve të universiteteve dhe policisë. Përpjekjet e administratës së De Gaulle-it për t’i shuar këto sulme me veprime policore vetëm sa e ndezën edhe më situatën, duke sjellë beteja rruge me policinë në lagjet e ndryshme të Parisit. De Gaulle-i shkoi në një bazë ushtarake franceze në Gjermani dhe pas kthimit shpërndau Asamblenë Kombëtare dhe thirri zgjedhje të reja parlamentare për 23 qershor 1968.
Gjatë këtyre trazirave vdiqën disa vetë dhe u plagosën qindra të tjerë. Pas përfshirjes në grevë të punëtorëve, rezultati ishte një reformë arsimore, kushte më të mira pune dhe paga më të larta.
“Maji i 68-s” pati ndikim të madh në shoqërinë franceze dhe la gjurmët për dekada më pas. Kjo ngjarje konsiderohet edhe sot si një pikë kthese kulturore, shoqërore dhe morale në historinë e vendit.
“Maji i 68-s” pati ndikim të madh në shoqërinë franceze dhe la gjurmët për dekada më pas. Kjo ngjarje konsiderohet edhe sot si një pikë kthese kulturore, shoqërore dhe morale në historinë e vendit.
Ndër udhëheqësit më të shquar studentorë të asaj kohe ishte studenti gjerman i sociologjisë Daniel Cohn-Bendit. Ai njihej ndryshe edhe si “Deny le Rouge” (Deni i kuq) për shkak të bindjeve të tij dhe ngjyrës së flokëve. Kontribut intelektual në ato ngjarje dha edhe filozofi francez Jean Paul Sartre, me reflektimet mbi të dhe takimet e shpeshta me studentët gjatë asaj kohe, madje edhe duke u arrestuar për mosbindje civile. Ngjarjet e majit ’68 do të bënin që Sartre-i ta rishikonte përkufizimin e intelektualit. “Critique de la Raison Dialectique” (Kritika e arsyes dialektike) ishte një punim i rëndësishëm që u referohej aktorëve të Majit ’68. Ai shpalli formulën e famshme: “Grupi është fillesa e mbarë njerëzimit.” Vetë udhëheqësi studentor Cohn-Bendit pranoi se shumica dërrmuese e militantëve që morën pjesë në këtë lëvizje e kishin lexuar Sartre-in. Sartre-i foli me studentët që pushtuan Sorbonën. Ai dha një intervistë në “Radio Luxembourg” ku deklaroi se, pavarësisht përkatësisë politike të çdo qeverie, dhuna ishte e vetmja mundësi për studentët që donin ndryshime rrënjësore. Ai e justifikonte dhunën e studentëve si kundërvënie ndaj dhunës së ushtruar ndaj tyre. Për të, raporti i vetëm që mund të kishin studentët me universitetin ishte që hë për hë ta shkatërronin atë dhe për ta bërë këtë, ata duhej të dilnin në rrugë.
Sartre-i i dha Cohn-Bendit-it një platformë politike duke e intervistuar atë.
Intervista origjinale u publikua më 20 maj 1968 në “Le Nouvel Observateur”[1]
***
Jean Paul Sartre: Brenda pak ditësh, edhe pse askush nuk bëri thirrje për grevë të përgjithshme, Franca praktikisht është paralizuar nga ndërprerja e punës dhe zaptimet e fabrikave. E gjitha kjo për shkak se studentët morën kontrollin e rrugëve në “Quartier latin”[2]. Si e analizoni lëvizjen që keni nisur? Sa larg mund të shkojë ajo?
Daniel Cohn- Bendit: Kjo lëvizje është rritur më shumë nga sa mund ta parashikonim në fillim. Qëllimi tash është që të përmbysim regjimin. Por arritja e këtij qëllimi nuk është në dorën tonë. Nëse Partia Komuniste, KPP-ja (Konfederata e Përgjithshme e Punës)[3] dhe selitë e sindikatave të tjera do të merrnin pjesë, përmbysja nuk do të paraqiste problem; regjimi do të binte brenda dy javëve pasi nuk ka kundërpeshë ndaj fuqisë së të gjitha forcave të klasës punëtore.
J. P. Sartre: Për momentin ka një shpërpjesëtim të dukshëm midis natyrës masive të lëvizjes greviste e cila, me të vërtetë, bën të mundur një konfrontim të drejtpërdrejtë me regjimin dhe kërkesave që kanë paraqitur sindikatat, që vazhdojnë ende të jenë të kufizuara, si: pagat, organizimi i punës, pensionet etj.
D. C. Bendit: Në betejat e punëtorisë gjithmonë ka pasur ndarje midis fuqisë së veprimit dhe kërkesave fillestare. Por mund të ndodhë që suksesi i veprimit dhe dinamizmi i lëvizjes ta ndryshojë natyrën e kërkesave në mënyrë progresive. Një grevë e nisur për një fitore të pjesshme mund të çojë deri në lëvizje kryengritëse.
Pavarësisht kësaj, disa nga kërkesat e punëtorëve këto ditë janë vështirësisht të arritshme, si p.sh. dyzetë orë pune në javë, te Renault-ja[4] paga minimale deri në njëmijë franga në muaj etj. Regjimi golist[5] nuk mund t’i pranojë këto kërkesa pa u turpëruar dhe nëse reziston, atëherë do të ketë konfrontim. Supozojmë gjithashtu se edhe punëtorët do të rezistojnë dhe pastaj regjimi bie. Ç’do të ndodhë paskëtaj? E majta do të vijë në pushtet. Gjithçka do të varet nga çfarë do të bëjë ajo. Nëse sistemi ndryshon vërtet, gjë që e pranoj se dyshoj shumë se mund të ndodhë, do të ketë përkrahje dhe gjithçka do të shkojë mbarë. Por nëse kemi një qeveri të stilit uillsonian[6], me ose pa komunistët, e cila propozon vetëm reforma dhe disa rregullime të vogla, atëherë e majta ekstreme do ta rifitojë fuqinë e saj dhe do të na duhet të ekspozojmë problemet reale të kontrollit social, fuqisë punëtore e kështu me radhë. Mirëpo nuk jemi akoma këtë fazë dhe nuk është e fare e qartë nëse regjimi do të bjerë.
J. P. Sartre: Kur situata është revolucionare, një lëvizje si kjo e juaja nuk duhet të ndalet, por mund të ndodhë që impulsi i saj të zbehet. Në këtë rast ju duhet të përpiqeni të shkoni sa më larg të jetë e mundur. Çfarë rezultatesh të papërmbysshme mendoni se mund të arrijë lëvizja aktuale, duke menduar që së shpejti ajo mund të ndalet?
D. C. Bendit: Punëtorët do të arrijnë plotësimin e një numri të kënaqshëm kërkesash materiale, kurse të moderuarit në lëvizjen studentore dhe pedagogët do të kalojnë nëpër reformat e rëndësishme universitare. Këto nuk do të jenë reformat radikale që do të donim t’i shihnim, por neve na duhet ende të jemi në gjendje të bëjmë presion. Ne duhet të bëjmë propozime konkrete dhe padyshim disa prej tyre do të pranohen sepse ata nuk do të kenë guxim të na refuzojnë gjithçka. Ky do të jetë progres, natyrisht, por asgjë themelore nuk do të ndryshojë dhe neve do të na duhet të vazhdojmë ta sfidojmë sistemin në tërësi.
Përveç kësaj, unë nuk besoj se revolucioni është i mundur brenda natës. Besoj se gjithçka që mund të arrijmë janë disa rregullime të njëpasnjëshme me pak apo shumë rëndësi, ama këto mund të arrihen vetëm me veprime revolucionare. Kështu lëvizja studentore, edhe nëse e humbet përkohësisht energjinë e saj, do të ketë arritur tashmë një reformë të rëndësishme universitare, që do të shërbejë si shembull për shumë punëtorë të rinj. Duke përdorur mjetet tradicionale të veprimit të lëvizjeve punëtore – grevat, zaptimin e rrugëve dhe fabrikave – do të kemi shkatërruar barrierën e parë: mitin që “asgjë nuk mund të bëhet kundër regjimit”. Ne kemi dëshmuar se kjo nuk është e vërtetë. Dhe punëtorët e kryen detyrën e tyre. Ndoshta kësaj here nuk do t’i shkojnë deri në fund. Por do të ketë shpërthime të tjera më vonë. E rëndësishme është të dëshmohet efikasiteti i metodave revolucionare. Bashkimi i punëtorëve dhe studentëve mund të arrihet vetëm në aksion dinamik, nëse lëvizja studentore dhe ajo punëtore mbështesin shtysat e tyre dhe i konvertojnë ato në një qëllim. Për momentin është e natyrshme dhe e kuptueshme që punëtorët të mos u besojnë studentëve.
J. P. Sartre: Ky mosbesim në fakt nuk është i natyrshëm; ai është i krijuar. Ai nuk ka ekzistuar në fillim të shekullit të nëntëmbëdhjetë dhe nuk u shfaq deri pas masakrës së qershorit 1848[7]. Para kësaj, republikanët (të cilët ishin intelektualë dhe mikroborgjezë) dhe punëtorët marshuan së bashku. Ky unitet ka qenë jashtë diskutimit që nga ajo kohë, madje edhe në Partinë Komuniste, e cila gjithmonë i ka ndarë me kujdes punëtorët nga intelektualët.
D. C. Bendit: Diçka ndodhi gjatë krizës. Në Bilankur[8] punëtorët nuk i lejuan studentët të hynin në fabrika. Por edhe fakti që studentët shkuan në Bilankur ishte diçka e re dhe e rëndësishme. Bëhet fjalë për tri faza të ndryshme. E para, mosbesimi i hapur jo vetëm në shtypin e klasës punëtore, por edhe në mesin e vetë punëtorëve. Ata thanë: “Kush janë këta çuna baballarësh që kanë ardhur të na bezdisin?!” Pastaj, pas përplasjeve në rrugë, përleshjes së studentëve me policinë, kjo ndjenjë u zhduk dhe u arrit një solidaritet efektiv. Tash jemi në fazën e tretë. Punëtorët dhe fshatarët kanë hyrë në betejë nga ana e tyre dhe na thonë: “Prisni pak, se ne duam të luftojmë betejat tona për veten tonë!” Kjo është e pritshme. Bashkimi mund të ndodhë vetëm më vonë, nëse lëvizja studentore dhe ajo punëtore ruajnë vrullin e tyre. Pas pesëdhjetë vitesh mosbesim, unë nuk mendoj se i ashtuquajturi “dialog” është i mundur. Nuk është vetëm çështje të folure. Ne nuk duhet të presim që punëtorët të na presin krahëhapur. Kontaktet do të vendosen vetëm kur të luftojmë krah për krah me njëri-tjetrin. Ne mund të krijojmë, për shembull, grupe të përbashkëta revolucionare veprimi, në të cilat punëtorët dhe studentët ngrenë probleme dhe veprojnë së bashku. Ka vende ku kjo do të funksionojë dhe vende të tjera ku nuk do të funksionojë.
J. P. Sartre: Problemi mbetet i njëjtë: reformë apo revolucion? Siç e keni thënë, gjithçka që ne bëjmë me forcë rikuperohet pozitivisht nga reformistët. Falë veprimit tuaj, universiteti do të rregullohet, por vetëm brenda kuadrit të një shoqërie borgjeze.
D. C. Bendit: E qartë, por besoj që kjo është rruga e vetme për të shkuar përpara. Marrim rastin e provimeve! Nuk ka dyshim se ato do të zhvillohen. Sigurisht jo sipas mënyrës së dikurshme. Do të gjendet një formulë e re. Dhe me të nisur sipas një mënyre të pazakontë, do të zërë fill një proces i pakthyeshëm reformash. Nuk e di sa larg do të shkojë, e di që do të jetë një proces i ngadaltë, por është e vetmja strategji e mundshme. Mua nuk më intereson metafizika për të kuptuar mënyrat e bërjes së “revolucionit”. Siç e kam thënë më parë, mendoj se po ecim drejt një shoqërie vazhdimisht të ndryshueshme, të modifikuar nga veprime revolucionare në çdo fazë. Një ndryshim radikal në strukturën e shoqërisë mund të ishte i mundur vetëm nëse ndodh, për shembull, një krizë serioze ekonomike apo nëse aksioni i një lëvizjeje të fuqishme punëtore dhe aktiviteti i vrullshëm i studentëve puqen papritur. Këto kushte nuk janë akoma. Në rastin më të mirë, mund të shpresojmë të rrëzojmë qeverinë. Ne nuk duhet të ëndërrojmë shkatërrimin e shoqërisë borgjeze. Kjo nuk do të thotë se s’kemi ç’bëjmë. Përkundrazi, duhet të luftojmë hap pas hapi bazuar në një sfidë globale.
Në të vërtetë, nuk jam fort i interesuar nëse ka vend ende për revolucione në shoqëritë kapitaliste të përparuara apo se ç’duhet të bëjmë ne që t’i nxisim ato. Secili ka teorinë e tij. Disa thonë: revolucionet e “Botës së Tretë”[9] do të sjellin kolapsin e botës kapitaliste. Të tjerët: vetëm falë revolucionit në botën kapitaliste mund përparojë Bota e Tretë. Të gjitha këto analiza janë pak a shumë të sakta, por, sipas mendimit tim, jo edhe aq të rëndësishme.
Shikoni se çfarë ka ndodhur! Shumë njerëz kalojnë mjaft kohë duke kërkuar mënyrën më të mirë për të nxitur shpërthime në mesin e studentëve. Përfundimisht askush nuk arriti ta rrokë atë. Shpërthimin e shkaktoi situata objektive. Ndodhi grushti i shtetit i autoriteteve, natyrisht, okupimi policor i Sorbonës[10] etj., por është e qartë se ky gabim absurd nuk ishte burimi i vetëm i lëvizjes. Policia kishte hyrë në Nanterë[11] disa muaj më parë, pa shkaktuar ndonjë reaksion zinxhir. Kësaj radhe ndodhi një reaksion zinxhir që nuk mund të ndalej, çka na lejon të analizojmë rolin që mund të luajë një pakicë aktive. Ajo që ka ndodhur në dy javët e fundit, sipas mendimit tim, e përgënjeshtron teorinë e famshme të “pararojës revolucionare” si forca që udhëheq lëvizjen popullore. Në Nanterë dhe Paris pati thjesht një situatë objektive, që rrodhi nga ajo që quhet vagull ‘trazirë studentore’ dhe nga dëshira për veprim e disa të rinjve të lodhur nga mosveprimi i klasave sunduese. Për shkak se ishte më e vetëdijshme politikisht dhe më e përgatitur, pakica aktive ishte në gjendje të ndizte siguresën dhe të bënte çarjen. Por kjo është e gjitha. Të tjerët mund ta ndiqnin rrymën ose jo, dhe ndodhi që ta ndiqnin. Por që atëherë asnjë pararojë, as USK (Unioni i Studentëve Komunistë)[12], as RKR (Rinia Komuniste Revolucionare)[13], as marksistë-leninistët nuk qenë në gjendje të merrnin kontrollin e lëvizjes. Militantët e tyre mund të kenë marrë pjesë me vendosmëri në aksione, por ata u shkrinë brenda lëvizjes. Ata i gjen brenda komiteteve koordinuese, ku roli i tyre është i rëndësishëm, por asnjëherë nuk ka ardhur puna që ndonjëra nga pararojat të marrë pozicion udhëheqës.
Kjo është pika kyçe. Ajo tregon se ne duhet ta braktisim teorinë e “pararojës udhëheqëse” dhe ta zëvendësojmë me thjeshtësinë dhe ndershmërinë e pakicës aktive, duke funksionuar si nxitëse e përhershëm e aksioneve, pa i udhëhequr ato. Faktikisht, edhe pse askush nuk do që ta pranojë, Partia Bolshevike nuk e “udhëhoqi” Revolucionin Rus. Ai u mbart nga masat. Partia mund ta ketë teorizuar revolucionin rrugës dhe shtyrë lëvizjen në një drejtim ose tjetrin, por nuk e nisi ajo lëvizjen; kjo e fundit ishte kryesisht spontane. Në situata objektive të caktuara – me ndihmën e një pakice aktive – spontaniteti mund të gjejë vendin e tij të vjetër në lëvizjen shoqërore. Spontaniteti e bën të mundur ecjen përpara, jo urdhrat e një grupi udhëheqës.
J. P. Sartre: Ajo që shumë njerëz nuk arrijnë të kuptojnë është fakti se nuk është provuar të përpilohet një program ose një strukturë për lëvizjen. Në këtë rast mund të sulmohesh për tentativën e “prishjes gjithçka” pa e ditur – ose së paku pa e thënë – se me çfarë do ta zëvendësoni atë që prishni.
D. C. Bendit: Natyrisht! Gjithkush do të ndihej i qetë, veçanërisht Pompidou-ja[14], nëse ne do të themelonim një parti dhe shpallnim se “të gjithë këta njerëz këtu janë tanët tani. Ja tek janë synimet tona dhe kështu do t’i përmbushim.” Ata do të dinin me kë do të kenë punë dhe si të kundërvihen. Ata nuk do të përballeshin më me fjalët “anarki”, “rrëmujë”, “zemërim i pakontrollueshëm” etj. Forca e lëvizjes sonë bazohet pikërisht të spontaniteti “i pakontrollueshëm”, i cili jep një impuls pa u përpjekur për ta kanalizuar atë ose pa e përdorur veprimin për interesin e vet. Sot përpara nesh ka dy alternativa. E para do të ishte të bënim bashkë gjysmë duzine njerëzish me përvojë politike, t’u kërkonim atyre formulimin e disa kërkesave imediate bindëse dhe të thoshim: “Ja ku është pozicioni i lëvizjeve studentore, bëni ç’të doni me të!” Kjo është zgjidhje e keqe. E dyta është t’i japim kuptim të situatës jo për tërësinë e studentëve e as në tërësinë e demonstruesve, por për një numër të madh syresh. Për ta bërë këtë, duhet t’i shmangemi ndërtimit të një organizate menjëherë, ose përcaktimit të një programi, që në mënyrë të paevitueshme do të na paralizonte. Shansi i vetëm i lëvizjes është çrregullsia që i lejon njerëzit të flasin lirshëm dhe kjo mund të rezultojë në një trajtë vetorganizimi. Për shembull, ne tani duhet të heqim dorë nga takimet masive spektakolare dhe t’u kthehemi formimit të grupeve të punës dhe të aksionit. Këtë po mundohemi të bëjmë në Nanterë.
Por tash që fjala është çliruar papritur në Paris, mbi të gjitha është thelbësore që njerëzit të shprehen. Ata, të hutuar, thonë gjëra të paqarta dhe shpesh jointeresante për shkak se janë thënë qindra herë më parë. Por kur të kenë mbaruar, kjo i lejon të pyesin: Edhe çfarë?! Kjo është ajo që ka rëndësi, që një numër sa më i madh i mundshëm studentësh të thonë: “Edhe çfarë?!” Vetëm atëherë mund të diskutohen programi dhe struktura. Të na pyesësh ne sot: “Çfarë do të bëni në lidhje me provimet?”, është dëshirë për “të shuar zjarrin”, për të sabotuar lëvizjen dhe ndalur dinamikën e saj. Provimet do të zhvillohen dhe ne do të bëjmë propozime, por na jepni kohë. Fillimisht duhet të diskutojmë, të reflektojmë dhe të kërkojmë një formulë të re. Do ta gjejmë atë. Por jo sot.
J. P. Sartre: Ju keni thënë se lëvizja studentore është në kulmin e valës së saj. Por pushimet po vijnë dhe me to ngadalësimi, në mos tërheqja. Qeveria do të shfrytëzojë rastin për të bërë reforma. Do të ftojë studentët që të marrin pjesë dhe shumë syresh do të pranojnë, duke thënë se “reformizmi është gjithçka që duam” ose “është vetëm reformizëm, por është më mirë se asgjëja dhe ne e kemi fituar atë me forcë”. Pra ju do të keni një universitet të transformuar, edhe pse ndryshimet mund të jenë thjesht sipërfaqësore, që kanë të bëjnë veçanërisht me zhvillimin e elementëve materialë, konvikteve, mensave universitare etj. Këto nuk do të sillnin ndryshime thelbësore në sistem. Ato janë kërkesa që autoritetet mund t’i përmbushnin pa e vënë në pikëpyetje regjimin. A mendoni se mund të arrini ndonjë “përmirësim” që me të vërtetë do të fuste elementë revolucionarë në universitetin borgjez, për shembull, që do ta vendosnin arsimimin e dhënë në universitet në kundërshtim me funksionin bazë të universitetit në regjimin aktual: trajnimin e kuadrove të mirintegruar në sistem?
D. C. Bendit: Së pari, kërkesat e thjeshta materiale mund të kenë një koncept revolucionar. Për mensat universitare ne kemi një kërkesë thelbësore. Kërkojmë heqjen e tyre si mensa universitare. Ato duhet të bëhen mensa të të rinjve, në të cilat të gjithë të rinjtë, qofshin ose jo studentë, të mund të ushqehen vetëm për një frangë e pak. Askush nuk mund ta refuzojë këtë kërkesë; nëse punëtorët e rinj kanë punuar gjatë ditës, s’ka arsye pse ata të mos hanë për një frangë e dyzetë në mbrëmje. Njëlloj edhe me Cités-në[15] universitare. Ka shumë punëtorë të rinj dhe stazhierë të cilët do të preferonin të jetonin larg prindërve, por që nuk mund të marrin një dhomë për shkak se ajo do të kushtonte 30.000 franga në muaj. Na lejoni t’i mirëpresim në Cités, ku qiraja është nga 9.000 deri në 10.000 franga në muaj. Studentët e pasur të drejtësisë dhe shkencave politike le të shkojnë gjetiu!
Parimisht unë nuk besoj se asnjëra prej reformave të marra nga qeveria do të ishte e mjaftueshme për të demobilizuar studentët. Natyrisht që do të ketë një tërheqje gjatë pushimeve, por ata nuk do ta “thyejnë” dot lëvizjen. Disa do të thonë: “Ne e humbëm mundësinë tonë”, pa asnjë përpjekje për të shpjeguar se çfarë ka ndodhur. Të tjerë: “Situata nuk është pjekur akoma”. Por shumë militantë do të kuptojnë se ne duhet të përfitojmë nga ajo që sa ka ndodhur, ta analizojmë atë teorikisht dhe të përgatitemi t’i nisim aksionet në një moment të dytë. Diçka do të shpërthejë atëherë, pavarësisht reformave të qeverisë. Dhe përvoja e veprimeve të çrregullta, të paqëllimshme, si dhe veprimet nëpër të cilat kemi kaluar, të provokuara nga autoritetet do të na mundësojnë efektivitet për çdo veprim që do të nisim në vjeshtë. Pushimet do t’u mundësojnë studentëve që të kthjellohen për ç’u shkaktua gjatë krizës dyjavore, paskëtaj të mendojnë për atë që duan të bëjnë dhe që mund të bëjnë.
Sa i përket mundësisë së shndërrimit të arsimimit universitar në “kundërarsimim” që nuk prodhon kuadro të integruar, por revolucionarë, druaj se është shpresë pak idealiste. Edhe një arsim i reformuar borgjez, do të vazhdojë të prodhojë kuadro borgjezë. Njerëzit do të kapen në rrotat e sistemit. Në rastin më të mirë do të bëhen anëtarë të së majtës konvencionale, por objektivisht do të mbeten hallka që sigurojnë funksionimin e shoqërisë.
Synimi ynë është zhvillimi i një “arsimi paralel” i cili do të jetë teknik dhe ideologjik. Duhet të themelojmë vetë një universitet, mbi një bazë krejtësisht të re, edhe nëse zgjat vetëm disa javë. Duhet të afrojmë profesorët e majtë dhe të ekstremit të majtë të cilët janë gati të punojnë me ne në seminare dhe të na asistojnë me njohuritë e tyre – duke hequr dorë nga statusi i tyre “profesional” – në hulumtimet tona.
Në të gjitha fakultetet do të hapim seminare – jo kurse leksionesh, padyshim – për problemet e lëvizjes punëtore, mbi përdorimin e teknologjisë në interes të njeriut, mbi mundësitë e hapura nga automatizimi etj. Sigurisht jo nga këndvështrimi teorik (çdo studim sociologjik në ditët e sotme hapet me fjalët “teknologjia duhet t’u shërbejë interesave të njeriut”), por duke shtruar probleme konkrete. Natyrisht që ky arsim do të shkojë në drejtim të kundërt me atë që promovon sistemi dhe eksperimenti nuk mund të zgjasë shumë; sistemi do të reagonte shpejt dhe lëvizja do të hapë rrugë. Por nuk është puna të reformohet shoqëria kapitaliste, por nisja e një eksperimenti që e thyen plotësisht këtë shoqëri, një eksperiment që nuk do të zgjasë, por që mundëson shkrepjen e një mundësie: diçka që zbulohet për një moment dhe pastaj venitet. Mirëpo kjo është e mjaftueshme për të provuar që diçka mund të ekzistonte.
Ne nuk shpresojmë të ndërtojmë ndonjë lloj universiteti socialist në shoqërinë tonë sepse e dimë që funksioni i universitetit do të mbetet i njëjtë përderisa sistemi nuk ndryshohet në tërësi. Por ne besojmë që mund të ketë momente këputjeje të kohezionit sistemik dhe mund të përfitohet prej tyre për të hapur të çara në të.
J. P. Sartre: Kjo nënkupton ekzistencën e përhershme të një lëvizjeje “antinstitucionale” që i pengon forcat studentore të strukturojnë veten. Në fakt, ju mund të sulmoni UNEF-in[16] se është sindikatë, pra një institucion detyrimisht i sklerozuar.
D. C. Bendit: Ne e sulmojë atë kryesisht për paaftësinë për të shtruar çfarëdo kërkese për shkak të formave të organizimit të saj. Për më tepër, mbrojtja e interesave të studentëve është diçka shumë problematike. Cilat janë interesat? Ata nuk janë klasë. Punëtorët dhe fshatarët formojnë klasa sociale dhe kanë interesa objektive. Kërkesat e tyre janë të qarta dhe u drejtohen menaxhmentit dhe qeverisë së borgjezisë. Po studentët? Kush janë “shtypësit” e tyre, nëse jo sistemi në tërësi?!
J. P. Sartre: E vërtetë, studentët nuk janë klasë. Ata përcaktohen në bazë të moshës dhe lidhjes me dijen. Për përkufizim, student është ai të cilit një ditë i duhet të pushojë së qeni student në çfarëdolloj shoqërie, madje edhe në shoqërinë e ëndrrave tona.
D. C. Bendit: Pikërisht kjo është ajo që duhet të ndryshojmë. Në sistemin aktual, ata thonë: ca punojnë dhe ca studiojnë. Jemi të rrethuar nga një ndarje sociale e punës, sado inteligjente. Por mund të imagjinojmë një sistem tjetër ku të gjithë do të kryenin detyra në sferën e prodhimit – të reduktuara në minimum falë avancimit teknologjik – dhe të gjithë do të ishin në gjendje të ndiqnin studimet në të njëjtën kohë: sistemin e njëkohshëm punës produktive dhe studimit.
Natyrisht, do të kishte raste të veçanta; matematika shumë e avancuar ose mjekësia nuk mund të merren gjatë ushtrimit të një aktiviteti tjetër në të njëjtën kohë. Nuk mund të vendosen rregulla uniforme. Por parimi bazë duhet të ndryshohet. Sa për fillim, duhet të hedhim poshtë dallimin midis studentit dhe punëtorit.
Sigurisht që kjo nuk mund të parashikohet hë për hë, por diçka ka filluar dhe duhet të vazhdojë medoemos.
Hyrja, përkthimi dhe shënimet sqaruese: Dardan Konjufca
Shënime:
[1] E krijuar në vitin 1950 si revistë politike dhe ekonomike. Sot e njohur si L’Obs është revista më e shquar e lajmeve në qarkullim.
[2] Lagje e Parisit e njohur për jetën studentore dhe atmosferën e gjallë. Është shtëpia e një numri institucionesh universitare, si Ecole Normale Supérieure, Ecole des Mines de Paris, Panthéon-Assas University, Schola Cantorum, dhe kampusin universitar Jussieu.
[3] CGT (Confédération générale du travail).
[4] Prodhues shumëkombësh francez automobilësh i themeluar më 1899. Kompania prodhon një sërë makinash dhe furgona, dhe në të kaluarën ka prodhuar kamionë, traktorë, tanke, autobusë etj.
[5] Charles André Joseph Marie de Gaulle, gjeneral francez dhe burrë shteti. Ai ishte udhëheqësi i Francës së Lirë (1940-44) dhe kreu i Qeverisë së Përkohshme të Republikës Franceze (1944-46). Në vitin 1958 themeloi Republikën e Pestë dhe u zgjodh si President i Francës, pozitë që ai mbajti deri në dorëheqjen e tij më 1969. Ai ishte figura dominuese e Francës gjatë epokës së Luftës së Ftohtë.
[6] James Harold Wilson ishte një politikan i Partisë Laburiste Britanike i cili shërbeu si kryeministër i Mbretërisë së Bashkuar në vitet 1964- 1970 dhe 1974-1976.
[7] “Kryengritja e Ditës së Qershorit” ishte një kryengritje e organizuar nga punëtorët e Francës nga 23 deri më 26 qershor 1848. Ajo erdhi në përgjigje të planeve për të mbyllur Punëtoritë Kombëtare, të krijuara nga Republika e Dytë, për të siguruar punë dhe një burim të ardhurash për të papunët; Garda Kombëtare, e udhëhequr nga gjenerali Louis Eugène Cavaignac, u thirr për të shuar protestat. Gjërat nuk shkuan në mënyrë paqësore dhe mbi 10000 vetë u vranë ose u plagosën, ndërsa 4000 kryengritës u dëbuan në Algjeri. Kjo shënoi fundin e shpresave për një “Republikë Demokratike dhe Sociale” dhe fitoren e liberalëve mbi republikanët radikalë.
[8] Bulonjë-Bilankuri (Boulogne-Billancourt), shpesh i quajtur thjesht Bulonjë, është një komunë në periferi të Parisit. I vendosur 8.2 km nga qendra e Parisit. Me të ardhura familjare mesatare në vitin 2013 prej 47,592 €, pothuajse dyfishi i mesatares franceze prej 25,548 €, Bulonjë-Bilankuri është një nga qytetet më të pasura në Francë.
[9] Termi “Bota e Tretë” zuri fill gjatë Luftës së Ftohtë për të përcaktuar vendet që mbetën të parreshtuara as me NATO-n, as me bllokun socialist. Shtetet e Bashkuara, Kanadaja, Japonia, Koreja e Jugut, vendet e Evropës Perëndimore dhe aleatët e tyre përfaqësonin Botën e Parë, ndërsa Bashkimi Sovjetik, Kina, Kuba dhe aleatët e tyre përfaqësonin Botën e Dytë. Kjo terminologji siguroi një mënyrë për kategorizimin e kombeve në tri grupe, të bazuara në ndarjet politike dhe ekonomike.
[10] Sorbona është një ndërtesë në Latin Quarter në Paris, e cila ishte shtëpia historike e ish-Universitetit të Parisit. Sot ajo strehon një pjesë ose të gjitha institucionet e arsimit të lartë dhe ato kërkimore, si Panthéon-Sorbonne University, Sorbonne Nouvelle University, Paris-Sorbonne University, Paris Descartes University, the École Nationale des Chartes and the École pratique des hautes etudes etj.
[11] Komunë në departamentin e O-dë-Sjen (Hauts-de-Seine) në periferinë perëndimore të Parisit. Ajo ndodhet rreth 11 km në veri-perëndim të qendrës së Parisit.
[12] UEC (Union des étudiants communists) – organizatë politike studente franceze, pjesë e Lëvizjes Rinore Komuniste të Francës.
[13] JCR (Jeunesse communiste révolutionnaire) – ish-organizatë trockiste të rinjsh (1966- 1969), pararendëse e Lidhjes Komuniste dhe Ligës Komuniste Revolucionare.
[14] Georges Jean Raymond Pompidou ishte kryeministër i Francës nga viti 1962 deri në vitin 1968 dhe më vonë president i Republikës Franceze nga 1969 deri në vdekjen e tij në vitin 1974. Prej kohësh ka qenë një prej ndihmësve kryesorë të presidentit Charles de Gaulle. Si president, ai ishte një konservator i moderuar i cili riparoi marrëdhëniet e Francës me Shtetet e Bashkuara dhe mbajti marrëdhënie pozitive me ish-kolonitë e pavarura në Afrikë.
[15] Qytet-park privat i vendosur në Paris. Që nga viti 1925 ka ofruar shërbime të përgjithshme dhe publike, duke përfshirë mbajtjen e disa dhjetëra rezidencave për studentët dhe akademikët vizitues në rajonin e Il-dë-Fonsës (Île-de-France) dhe është njohur zyrtarisht si bazë e interesit publik që nga ajo kohë.
[16] “Union Nationale des Étudiants de France” (Bashkimi Kombëtar i Studentëve të Francës) është sindikata kryesore e studentëve në Francë. Organizata punon për të përfaqësuar interesin e studentëve përballë qeverive kombëtare dhe lokale, partive politike, organeve qeveritare të përfshira në arsimin e lartë dhe administratës së universiteteve. Organizata është gjithashtu aktive në arenën ndërkombëtare, veçanërisht brenda Bashkimit të Studentëve Evropian, ESU.
Imazhi: Sorbonne University
Ky artikull është botuar nën licensën CCA 4.0 (Creative Commons Attribution 4.0 International License).