Mbi Tomas Myncerin

Shënim: Kjo pjesë historike mbi teoricienin e kryengritjes fshatare gjermane ështëmarë nga “Lufta fshatare në Gjermani” e Fridrih Engels-it, i cili, përvijon me një saktësi të mrekullueshme intelektuale gjendjen e përgjithshme të Gjermanisë dhe Evropës së shek. të XVI, rolin e katolicizmit si autoritet të vetëm të dijes,  mardhëniet midis klasave shoqërore në raport me pushtetin, lëvizjen për reformimin e kishës katolike të Martin Luterit dhe zhvillimet e ethshme të ngjarjeve, siç ishte edhe kryengritja fshatare, rrjedhojë e revolucionit të ndaluar e të pamjaftueshëm luteran. Në vepër jepet një portret i plotë i ngjarjeve dhe replikave të ashpra midis reformatorit Martin Luter dhe radikalit Tomas Myncer, por që për motive të pamjaftueshmerisë kohore dhe kureshtjes konkrete mbi personazhin e  Myncerit, kemi shkeputur pjesën ku flitet vetëm për të – Klodi Leka.

Tomas Mynceri lindi në Shtolberg, rrëzë Harcit, rreth vitit 1498. I jati, që ra viktimë e arbitraritetit të kontit të Shtolbergut, me sa duket, i dha fund jetës së tij në litar. Që kur ishte pesëmbëdhjetë vjeç Mynceri themeloi në shkollë në Hale një shoqëri të fshehtë kundër kryepeshkopit të Magdeburgut dhe kishës katolike romake në përgjithësi. Dijenitë e tij të thella mbi teologjinë e asaj kohe shpejt i siguruan atij gradën e doktorit dhe postin e kapelanit të manastirit të murgeshave në Hale. Që kur ishte këtu ai shfaq një përbuzje të thellë ndaj dogmave dhe riteve kishtare, gjatë mëshimit i lë mënjanë fare fjalët mbi shndërrimin e bukës në trup dhe të verës në gjak të Krishtit dhe e ha, siç thotë për të Luteri, trupin e zotit pa e shenjtëruar.

Objekti kryesor i studimeve të tij ishin veprat e mistikëve mesjetarë, sidomos veprat hiliastike të Joakimit nga Kalabria. Mbretëria mijëvjeçare, gjyqi i fundit kundër kishës së degjeneruar dhe botës së shthurur, që profetizonte dhe përkshkruante ky shkrimtar, i dukeshin të afërta Myncerit me fillimin e reformës dhe të trazirës së përgjithshme që karakterizonte atë kohë. Predikimet e tij në fshatrat e rretheve priteshin me entuziazëm të madh. Në vitin 1520 ai vajti në Cvikau, si i pari predikues ungjillor. Këtu ai gjeti një nga sektet e ekzaltuara hiliastike, që vazhdonin të ekzistonin fshehurazi në shumë krahina – qetësimi dhe veçimi i tyre i përkohshëm shërbenin vetëm për të fshehur opozitën që po rritej vazhdimisht ndër shtresat e ulëta të shoqërisë kundrejt rendit ekzistues, dhe kur u rrit trazira e përgjithshme ata filluan të nxirrnin krye në mënyra më të hapur dhe më të vendosur.

Ky ishte sekti i anabaptistëve, në krye të të cilit ishte Niklas Shtorhu. Ata predikonin afrimin e ditës së gjyqit të fundit dhe të mbretërisë mijëvjeçare – ata “shihnin vizione, binin në ekstazë dhe kishin dhuntinë e profecisë”.  Shpejt ata ranë në konflikt me Këshillin e Cvikaut. Këshilli u ngrit në mënyrë të vendosur kundër anabaptistëve – ata u detyruan të largoheshin dhe bashkë me ta edhe Mynceri. Kjo ndodhi në fund të vitit 1521.

Mtnceri shkoi në Pragë dhe, duke u lidhur me përkrahësit e lëvizjes husite, që kishte mbetur akoma, u përpoq të vendosej këtu; por thirrja që shkroi veçse e detyroi të largohej edhe nga Çekia. Në vitin 1522 ai u bë predikues në Alshtedt në Tyringi. Këtu ai filloi veprimtarinë e tij duke reformuar kultin. Ai e hoqi gjuhën latinisht më parë se Luteri të shkonte kaq larg dhe urdhëroi që të lexoheshin jo vetëm ungjijtë e së dielës dhe kartat e apostujve, por e gjithë bibla. Në të njëjtën kohëai organizoi propagandën në krahinat e afërta.  Populli derdhej tek ai nga të katër anët dhe brenda një kohe të shkurtër Alshtedti u bë qendër e lëvizjes popullore kundër priftërinjve në të gjithë Tyringinë.

Doktrinat e tij teologjike-filozofike drejtoheshin kundër të gjitha dogmave themelore jo vetëm të katolicizmit, por edhe të krishtërimit në përgjithësi. Në një formë të krishterë ai predikonte panteizmin, i cili u përngjan çuditërisht pikëpamjeve spekulative të sotme dhe në disa vende I afrohet edhe ateizmit. Ai nuk pranon që bibla të ishte i vetmi burim i saktëi zbulesës. Zbulesa e vërtetë dhe e gjallë, sipas mendimit të tij tij, është arsyeja, zbulesë që ka ekzistuar në të gjitha kohërat dhe në të gjithë popujt dhe që ekziston edhe sot. Të vësh biblën përballë arsyes, do të thoshte ta mbytësh frymën me gërmën e vdekur, sepse fryma e shenjtë, për të cilën flet bibla, nuk është diçka që ekziston jashtë nesh. Fryma e shenjtëështë pikërisht arsyeja jonë.

Besimi – po sipas Myncerit – nuk është gjë tjetër veçse zgjimi i arsyes brënda kokës së njeriut, dhe prandaj edhe paganët mund të kishin besim. Me ndihmën e këtij besimi, me ndihmën e arsyes qëështë zgjuar njeriu i shëmbëllen hyjnisë dhe arrin lumninë. Prandaj parajsa nuk është diçka që ndodhet në atë botë, ajo duhet kërkuar në këtë jetë, dhe besimtarët duhet ta krijojnë këtë parajsë, d.m.th mbretërinë e zotit, këtu në tokë. Ashtu sikurse nuk ka parajsë në atë botë, në atë botë nuk ka as ferr dhe mallkim të përjetshëm. Po ashtu nuk ka ndonjë djall tjetër, përveç pasioneve të këqia dhe epsheve të njeriut. Krishti ishte njeri si gjithë ne, profit dhe mësues, dhemisteri i kungimit, i krijuar prej tij, nuk është gjë tjetër, veçse një darkë e zakonshme përkujtimore, në të cilin hahet bukë e pihet verë pa pasur asgjë mistike  në të.

Këto pikëpamje Mynceri i predikonte, duke i veshur në pjesën më të madhe po me atë frazeologji të krishterë, me të cilën ishte i detyruar të mbulohej për një kohë të gjatë edhe filozofia e re. Por ideja themelore, thellësisht heretike, del kudo e theksuar në veprat e tij dhe ne e shohim qartë se kësaj mbulese biblike ai i jepte shumë më pak rëndësi, se shumë dishepuj të Hegelit në ditët e sotme. Dhe megjithatë filozofinë moderne e ndajnë plot tri shekuj nga Mynceri.

Doktrina e tij politike lidhej ngushtë me këto pikëpamje fetare revolucionare dhe shkonte po aq larg përtej caqeve të atyre mërdhënieve shoqërore dhe politike që ekzistonin në atë kohë. Sikundër filozofia fetare e Myncerit i afrohej ateizmit, edhe programi i tij politik ishte afër komunizmit, dhe bile në prag të revolucionit të shkurtit shumë seke komuniste moderne nuk kishin një arsenal teorik aq të pasur, sa ç’kishin përkrahësit e Myncerit në shekullin XVI. Ky program, i cili ishte jo aq një përmbledhje e kërkesave të plebenjve të atëhershëm, sa një anticipim gjenial i kushteve tëçlirimit të elementëve proletarë, që sapo kishin filluar të zhvilloheshin në radhët e këtyre plebenjve, kërkonte vendosjen e menjëhershme të mbretërisë së zotit mbi tokë – të mbretërisë mijëvjeçare të paralajmëruar nga profitët – duke u kthyer kisha në gjëndjen e saj të parë dhe duke i hequr të gjitha institucionet që ishin në kundërshtim me këtë kishë, e cila, gjoja paska ekzistuar në kohën e krishtërimit të hershëm, por që në të vërtetë ishte një kishë krejt e re.

Por me mbretërinë e zotit Mynceri nuk kuptonte gjë tjetër, veçse një rend shoqëror, në të cilin nuk do të ketë më as dallime klase, as pronë private, as pushtet shtetëror të pavarur, të huaj për anëtarët e shoqërise dhe sundimtar përmbi ta. Të gjitha autoritetet ekzistuese, në rast se ato nuk i nënshtrohen revolucionit dhe nuk bashkohen me të, duhet të përmbysen, të gjitha punët dhe pasuritë bëhen të përbashkëta, vendoset barazia më e plotë. Për t’i realizuar të gjitha këto jo vetëm në të gjithë Gjermaninë, por edhe në të gjithë botën e krishterë, duhet themeluar një bashkim dhe fisnikëria duhej të bashkohej më të, dhe në qoftë se nuk e bën, bashkimi në rastin më të volitshëm t’i përmbysë me armë.

Mynceri ju përvesh menjëherë punës për organizimin e këtij bashkimi. Predikimet e tij bëheshin gjithnjë e më të zjarrta dhe revolucionare. Duke mos u kufizuar më me sulmet kundër priftërinjve, ai u hodh me po aq tërbim edhe kundër princërve, fisnikëve dhe patriciatit, shprehej plot zemërim kundër shtypjes që ekzistonte dhe vinte përballë saj tablonë e tij fantastike të mbretërisë mijëvjeçare të barazisë social-republikane. Njëkohësisht ai nxirrte një pamflet revolucionar pas tjetrit, dëgjonte në të gjitha anët emisarët e vet dhe vetë ju vu punës për organizimin e bashkimit në Alshtendt dhe në rrethet e tij. Fryti i parë i kësaj propagande që shkatërrimi i kishës së vogël të Shën Mërisë në Melerbah pranë Alshtedtit, sipas porosisë: “Shkatërrojini altarët e tyre, rrëzoni shtyllat e tyre, digjini idhujt e tyre, sepse ju jeni një popull i shenjtë”.

Princërit saksonë shkuan vetë në Alshtedt për t’u dhënë fund trazirave dhe urdhëruan të thirrej Mynceri në kështjellë. Këtu ai bëri një predikim të tillë, që ata nuk e kishin dëgjuar kurrë nga Luteri. Duke përmendur dhjatën e re, ai ngulte këmbë që sundimtarët, që ishin larguar nga udha e perëndisë, sidomos priftërinjtë dhe murgjit, që e quanin ungjillin herezi, duhet të asgjësoheshin. Dhe nëqoftëse princërit nuk do të mernin masa, atëherë perëndia ka për t’ua marë atyre shpatën, se forca e shpatës i përket gjithë komunitetit. Fajtorët kryesorë për fajdenë, për vjedhjet dhe për kusaritë janë princërit dhe fisnikët. Ata përvetësojnëçdo gjë: peshkun në uje, shpezët në ajër, gjithçka që prodhon toka. Dhe mbi të gjitha po këta i porosisin të varfërit: mos vidhni. Ata vetë rrëmbejnë çdo gjë që u vjen përdorësh, grabisin fshatarin dhe zejtarin, i rjepin; këta të fundit mjafton të bëjnë fajin më të vogël, që t’i çojnë në litar.

“Zotërinjtë e kanë fajin vetë që i varfëri bëhet armiku i tyre. Ata nuk duan t’i mënjanojnë shkaqet e zemërimit; e si mund të vendoset paqja, në fund të fundit? O zotërinj të nderuar, sa bukur do t’i thyejë zoti me shkop të hekurt poçet e vjetra! Po jua them troç, unë do të ngre peshë popullin. Lamtumirë!”
Mynceri e botoi predikimin e tij. Si dënim për këtë, tipografi, që e kishte shtypur në Alshtedt, me urdhër të dukës Johan të Saksonisë u detyrua të largohej nga vendi i tij dhe për të gjitha veprat e Myncerit u mor vendimi që t’i nënshtroheshin censurës së qeverisë së Vajmarit. Por Mynceri nuk ja vuri veshin këtij urdhëri. Ai shtypi menjëherë në qytetin perandorak Mylhauzen një vepër me ton shumë kryengritës, në të cilën i bënte thirrje popullit “ta zgjeronte tëçarën, në mënyrë që gjithë bota të mund të shihte dhe të kuptonte se ç’janë zotërinjtë tanë të rëndë, të cilët kanë bërë mëkat kundër perëndisë, duke e katandisur në një njeri të prikturur me bojëra”. Ai e përfundoi këtë vepër me fjalët: “E gjithë bota do të tronditet që nga themeli. Punët do të marrin një rrugë të tillë, që njerëzit e larguar nga udha e perëndisë do të përmbysen dhe të përulurit do të lartohen.”

Imazhi: Wikimedia Commons: Thomas Münzer der Bauernprophet

Ky artikull është botuar nën licensën CCA 4.0 (Creative Commons Attribution 4.0 International License).

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.