Made in…

/Anna-Maria Taraj/

Këtë karantinim, unë qeshë një ndër të privilegjuarit që, duke pasur një çati mbi kokë dhe mjaftueshëm para për t’u ushqyer, pata mundësi të thellohesha në lexime dhe të praktikoja hobit e mia. Teksa po shfrytëzoja kohën me lexime, më shumë përshtypje më la diçka që më kishte rënë në duar së fundmi: libri i fundit autobiografik i Zweig-ut. Nuk është e vështirë të mahnitesh (sidomos kur je mbyllur dhe i privuar nga bota e jashtme) nga Vjena e Zweig-ut. E përshkruar nga ai si një parajsë mbi tokë, Vjena është qendra kulturore e gjithë Evropës, ku arti dhe dija lulëzojnë në çdo formë të tyren. Në Vjenën e Zweig-ut nuk kishte rëndësi çfarë kombësie kishe, qoftë çeke apo gjermane, as çfarë feje kishe, qoftë hebraike apo myslimane; madje edhe varfëria peshonte më lehtë mbi supe sepse atmosfera e qytetit nuk ta privonte kurrë përkëdheljen me shfaqje teatrale dhe letërsi. Zweig-u vazhdon e tregon se si i shijoi frytet e kësaj parajse kozmopolite, duke vlerësuar krijimtarinë e të tjerëve dhe duke u treguar produktiv edhe vetë, deri në momentin që të qenit hebre e përcaktoi më shumë qenien e tij se të qenit Stefan Zweig. Ky moment qe Lufta II Botërore, shoqëruar me gjithë marrëzitë që solli, një prej të cilave ishte hipernacionalizmi. Nazizmi ishte ai që shkundi themelet solidare të shoqërisë vjeneze, që deri në atë moment ngriheshin mbi respektin dhe kuriozitetin për nacionalitetin e tjetrit. Në vend të këtyre themeleve u ngritën norma te reja, ku nacionaliteti përcakton edhe vendin tënd në shoqëri. Si hebre, Zweig-u u detyrua të emigronte duke e ditur që nuk do kthehej më kurrë për shkak se të jetoje në Vjenë asokohe do te thoshte të hiqje dore nga çdo parim.

Duke lexuar këtë libër nuk munda të mos bëja lidhjen me popullin shqiptar për të cilin konceptet e nacionalizmit dhe emigracionit nuk janë aspak të huaja. Mjaftojnë pak vite në Shqipëri për të kuptuar që skena politike, muzika, sporti dhe çdo element tjetër janë të mbushura me hipernacionalizëm. Për t’ia nisur nga ngjarjet politike, sa herë që duhet marrë ndonjë vendim me ndjeshmëri për publikun, figurat politike nuk ngurojnë të ngatërrojnë edhe ndonjë çështje me karakter nacionalist, në mënyrë që gjithë energjia e publikut të përfshihet në të dhe çështjet vërtet të rëndësishme të kalojnë pa shumë zhurmë. Për të vazhduar me muzikën në Shqipëri, që ndoshta ka më shumë këngë patriotike sesa dashurie. Edhe për sa i përket sportit, ndeshja merr komplet karakter tjetër. Ajo nuk zhvillohet më në fushë, por në tribuna, ku sidomos nëse ke ndonjë kundërshtar si Serbia do të rastisë të shohësh shqiptarët më krenarë që janë shqiptarë në jetë. Përplasja në fytyrë të tjerëve e krenarisë kombëtare do të bënte sens dhe do të përbënte një gjest të guximshëm nëse vendit tonë do t’i mohoheshin liria dhe identiteti, por në kushte normale ç’kuptim ka? Në rregull, jemi shqiptarë. Edhe çfarë?! Duhet të kuptojmë që ky fakt nuk të bën as më të mirë dhe as më të keq se të tjerët që nuk janë të tillë. Është koha për t’i lënë pas ndjenjat e superioritetit apo inferioritetit për shkak të kombësisë. Ne përfaqësojmë veten dhe jo vendin në të cilin kemi rastisur të lindim.

Të gjithë kemi nga një histori emigracioni për të treguar. Në mos të tonën, të ndonjë të afërmi a shoku se si eci për orë të tëra nëpër male për të kaluar në Greqi, si rrezikoi të mbytej në gomone për të shkuar në Itali apo si qëndroi orë të tëra në një kamion për të arritur në Angli. Ka aq shumë histori emigracioni sa populli e ka artikuluar në shprehjen: “Kudo që të shkosh do të gjesh një shqiptar.” Të gjitha këto histori janë histori të dhimbshme. Pavarësisht sfidave të mëdha, shumë arritën të shkelnin tokat e “shteteve shpëtimtare”. Ambientimi në një vend në të cilin nuk di të komunikosh është i vështirë pasi duhet kohë të gjesh një punë, një çati mbi kokë, të mësosh gjuhën e të integrohesh në shoqëri. Të gjitha këto nëse je me fat. Megjithatë, fati nuk tregohet bujar me të gjithë. Nga dëshpërimi për një copë bukë, shumë djem  e burra janë detyruan t’u drejtohen vjedhjeve ose trafikimeve ilegale, ndërsa shume gra e vajza prostitucionit për të arritur të ushqejnë veten dhe familjen që kishin lënë në Shqipëri. Këto veprime të dëshpëruara rëndojnë edhe sot e kësaj dite në reputacionin e shqiptarëve që jetojnë jashtë Shqipërisë, prandaj ata mundohen të identifikohen sa më pak me Shqipërinë. Këtu bëhet fjalë për njerëz që kanë lënë çdo gjë që kishin, madje ndonjëherë edhe identitetin e tyre, sepse në shumë vende të qenit shqiptar nuk konsiderohej e pranueshme.

Pavarësisht gjithë procesit të imponuar të zhbërjes së identitetit kombëtar, mund ta themi me optimizëm që fëmijët e emigrantëve shqiptarë janë hapi i parë drejt internacionalizmit. Ata rriten në një mjedis të përzier. Identiteti i tyre formohet nga përzierja e kulturës së prindërve dhe vendit në te cilin kanë lindur. Është e vështirë për ta të krijojnë identitetin e tyre sepse ndjejnë qe copëza të ndryshme të formimit të tyre i përkasin qoftë vendit te lindjes, qoftë vendit të origjinës. Për këta fëmijë paragjykimi më i zakonshëm do të jetë ai i përkatësisë kombëtare. Në filmin grek “Xenia”, një film kontrovers për shkak se nxjerr në pah se si trajtohen emigrantët në Greqi, biri i një emigranteje shqiptare tregon se si në Greqi paragjykohet sepse është shumë shqiptar, ndërsa në Shqipëri sepse është shumë grek. Ama përtej vështirësisë së mos pasurit një shtëpi, në fund të ditës është i lumtur sepse ndjehet që i përket çdo vendi dhe çdo vend mund të bëhet shtëpia e tij, ndjesi që njerëzit e kapur pas dokrrave nacionaliste nuk do e përjetojnë dot kurrë.

Është e pakuptimtë domosdoshmëria e të pasurit patjetër një kombësi. Të pretendosh që një  individ i përket një vendi apo një vendi tjetër është ta barazosh atë me një produkt. Kur blejmë një telefon të ri, zakonisht duam të dimë ku është prodhuar, që të kemi një ide rreth cilësisë së tij. Njerëzit nuk janë produkte që kanë nevojë për stampimin made in për të përcaktuar cilësinë e tyre. Nëse themi që i përkasim një shteti është sikur ta mendojmë atë si një gjë fikse, si një rregull natyre që nuk do të ndryshojë kurrë. Përkundrazi, gjatë historisë së njerëzimit, shtetet kanë ndryshuar vazhdimisht dhe kufijtë ashtu siç janë vendosur, edhe janë zhbërë më vonë. Varufakisi shprehej me neveri se kufijtë i dukeshin thjesht si gërvishtje në fytyrën e planetit Tokë.

E lindur në një familje emigrante, gjithmonë jam ndjerë nën presion për t’ju përshtatur një nacionaliteti deri ne momentin që gjeta paqe, pasi internacionalizmi më konfirmoi që nuk ka asgjë të keqe të duash më shumë se një kulturë. Përkundrazi, vlerësimi i kulturave të ndryshme vetëm sa ta pasuron edhe më shpirtin dhe botën e brendshme, duke të bërë mendjehapur. Internacionalizmi është koncept i përmendur nga Levitiku[1] i Biblës deri te parimet e OKB. Internacionalizëm do të thotë të mendosh se të gjitha grupet etnike njerëzore i përkasin një komuniteti të vetëm të bazuar në një moral të përbashkët: atë të barazisë. Rosa Luxemburg-u në kohën e Revolucionit Rus në 1917, ndërkohë që shoqëria ishte e ndarë në shumë klasa, i shtynte proletarët rusë dhe polakë të bashkoheshin për të krijuar struktura të përbashkëta pavarësisht nacionalitetit të tyre. Në kushtet ku populizmi nacionalist mbizotëron skenën politike duke nxitur diskriminim racor, është e vështirë të qëndrosh gjakftohtë dhe ta mbash vëmendjen te problemet e vërteta, por teorisë së Rosa Luxemburg-ut duhet t’i lëmë pak hapësirë e ta përshtatim në realitetin e ditëve të sotme. Sot kjo teori do të përkthehej: një minator në Shqipëri ka shumë herë më tepër të përbashkëta me një minator në Serbi sesa me Samir Manen me të cilin ndan të njëjtën pasaportë. Prandaj ai duhet të luftojë për të drejtat e tij në punë dhe jo për koncepte abstrakte si krenaria nacionale.

Në mbyllje do të flas nga përvoja ime (jo sepse jam autore e këtij shkrimi apo sepse kam ndonjë rëndësi të veçantë, por për faktin e thjeshtë se jam shembull konkret që ilustron atë që po mundohem të shpreh): Jam nga Athina sepse aty hodha hapat e parë, jam nga Qiproja sepse aty kam kaluar momentet më të paharrueshme me familjen, jam nga Fieri sepse aty kam kaluar adoleshencën, jam nga Tirana sepse aty kam shokët e mi të idealit dhe jam formuar politikisht, jam nga Firence sepse aty kam parë arkitekturën që më ka kënaqur më shumë sytë, jam nga Zvërneci sepse aty kam parë perëndimet më të bukura të diellit, jam nga Bulqiza sepse aty më është dridhur zemra më fort nga padrejtësitë, jam nga Prizreni sepse aty kam njohur njerëzit më mikpritës. Unë jam nga çdo vend ku kam shkelur sado pak në jetë, sepse të gjitha këto vende kanë lënë shenja në identitetin dhe formimin tim. Madje, në këtë epokë globalizimi, unë jam edhe nga ato vende në të cilat nuk kam shkelur kurrë. Jam nga Anglia sepse kështu më pëlqen ta pi çajin, jam nga Algjeri sepse Kasabaja[2] më kujton lagjen e varfër të qytetit tim, jam nga Turqia sepse çdo fundviti shijoj ëmbëlsinë e bakllavasë, jam nga Venezuela[3] sepse edhe unë kam miq që janë detyruar të kryejnë krime nga varfëria.


[1] Ky është një libër udhëzimesh për priftërinë levitikë, i dhënë Moisiut, ndërsa populli (izraelitët) ishte në malin Sinai.

[2] Lagje tradicionale e Algjerit, e ngelur në varfëri për shkak të përndjekjeve dhe bombardimeve që u janë bërë arabëve gjatë kolonizimit francez.

[3] Karakasi në Venezuelë është një nga qytetet më të kriminalizuara në botë.

Imazhi: Josh M.

This image has an empty alt attribute; its file name is direct

Ky artikull është botuar nën licensën CC BY-SA 4.0.

Lexojmë dhe shpërndajmë!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.