Ekzistencializmi dhe marksizmi I

/George Novack/

Ekzistencializmi dhe marksizmi janë filozofitë më të përhapura dhe të pranuara të kohëve tona. E para, është filozofia dominuese në Evropën Perëndimore, ndërkohë që gëzon popullaritet në rritje edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. E dyta jo vetëm që është doktrina zyrtare në vendet e Bllokut Lindor, por është përqafuar nga lëvizje sociale dhe parti politike në të gjithë botën.

Gjatë 20 viteve të fundit ithtarët e këtyre shkollave të ndryshme të mendimit janë angazhuar në debate të njëpasnjëshme me njëri-tjetrin. Qendra e kësaj polemike të tejzgjatur ishte Franca sepse atje ekzistencializmi gjeti zëdhënës të talentuar në fituesin e çmimit Nobel, Jean-Paul Sartre-in, dhe bashkëpunëtorët e tij, të cilët pozicionet e tyre i kanë formuar edhe në kontakt, edhe në kundërshti të drejtpërdrejtë me marksizmin. Ekzistencialistët francezë jetojnë në një kontinent ku, ndryshe nga ç’ngjet në Amerikë, idetë socialiste e ndikojnë jetën publike prej më se një shekulli, Partia Komuniste fiton më shumë se 25% të votave, mbështetet nga klasa punëtore dhe rrjedhimisht ushtron presion të vazhdueshëm mbi intelektualët radikalë. Këto kushte objektive i kanë detyruar të ashtuquajturit mandarinë brenda të majtës të pasqyrojnë qartazi sjelljen e tyre kundrejt marksizmit në secilën fazë të evoluimit të pikëpamjeve të tyre.

Zhvillimi i filozofisë së Sarte-it është veçanërisht paradoksal. Idetë e tij fillestare u formuan nën ndikimin e mendimtarëve jomaterialistë si Edmund Husserl dhe Martin Heidegger, si një sfidë e mirëmenduar kundrejt filozofisë marksiste. Në punimet “Qenia dhe hiçi ” (1943) dhe “Materializmi dhe revolucioni” (1947), Sartre-i e paraqiste filozofinë e tij si një alternativë ndaj dialektikës materialiste. Më pas, në fund të viteve 1950, nga hiçi përqafoi marksizmin – të paktën me fjalë – të cilat (fjalët), siç shkruante në autobiografinë e tij, përmbanin brenda vetes një masë më të madhe realiteti se vetë bota objektive. Në traktatin e tij filozofik “Kritika ndaj arsyes dialektike” (1960), ai deklaron se ekzistencializmi ishte shndërruar në pjesë përbërëse të marksizmit, pjesë përbërëse e cila kishte si qëllim të rinovonte dhe pasuronte këtë të fundit. Në të tillë mënyrë, fenomenologët e ekzistencës, të cilët dikur e dënonin dialektikën marksiste si armike të lirisë njerëzore, tani bënin thirrje për një martesë mes vetë marksizmit dhe ekzistencializmit.

Deri në çfarë pike, nëse diçka e tillë është sadopak e mundur, mund të përputhen këto dy filozofi? A mund të ketë sintezë mes tyre? Ky artikull ka për qëllim të tregojë se këto dy botëkuptime të ndryshme nuk mund të harmonizohen dhe të bëhen pjesë përbërëse të një totaliteti të formuar nga aspektet më pozitive të secilës filozofi. Dikur një alkimist i shquar mendonte se duke bashkuar zjarrin me ujin, do mund të sillte në jetë gëzimin më madhor që do të njihte njeriu, zjarrin-ujë. Në të vërtetë, sapo bien në kontakt me njëri tjetrin, të dy elementët e mohojnë të kundërtin e tyre. E njëjta gjë vlen edhe për marksizmin dhe ekzistencializmin. Pozicionet e tyre fundamentale mbi një spektër madhor çështjesh, që nga filozofia dhe sociologjia deri te politika dhe morali janë kaq të ndryshme, saqë sinteza e tyre shndërrohet në pamundësi absolute.

Shkenca dhe absurditeti i realitetit

Për ekzistencialistët, universi është iracional; marksistët ndërkaq theksojnë ekzistencën e një ligjësie objektive. Pohimet filozofike të metafizikës ekzistencialiste burojnë nga eksperiencat individuale kataklizmike. Të gjitha këto pohime e kanë zanafillën në agoninë e shkaktuar nga ideja sipas së cilës bota ku jemi të dënuar të jetojmë nuk ka arsye të mjaftueshme për të justifikuar ekzistencën e saj, nuk ka një rend racional. Bota thjesht është dhe si e tillë duhet marrë. Jeta në tërësi është krejtësisht rastësore, e zhveshur nga çdo domethënie, madje e tepërt dhe e panevojshme.

E tillë është dhe vetë ekzistenca njerëzore. “Është absurde që kemi lindur, është absurde që do të vdesim” – shkruan Sarte-i te “Qenia dhe hiçi”. Ne nuk e dimë nga vijmë, përse jemi këtu, çfarë duhet të bëjmë dhe për ku jemi drejtuar. “Gjithçka ekzistuese lind pa arsye, siguron vazhdimësinë e ekzistencës nga dobësia e inercisë dhe vdes nga shansi” – shprehet njëri nga personazhet e Sartre-it në veprën “Neveria”.

Nëse bota është krejtësisht e çliruar nga një domethënie e caktuar dhe e parpërshkueshme nga hulumtimi racional, një filozofi e ekzistencës do të ishte kontradiktore që në emërtim. Përkundër misticizmit fetar, filozofia synon të ndriçojë realitetin nëpërmjet koncepteve, aparateve të arsyes. Nëse universi është absurd, si do mundej një sistem filozofik, cilido qoftë ky, të përpiqej ta shpjegonte atë?!

Soren Kierkegaard-i vinte në dukje se mendimi sistematik për realitetin e jetës nuk ishte as i mundur e aq më pak i dëshirueshëm sepse jeta reale e tejkalonte mundësinë e zotërimit nga intelekti abstrakt. Albert Camus-ja e refuzonte teorinë ekzistencialiste nga pozita të ngjashme. Është e pakuptimtë, mendonte ai, të përpiqesh t’i gjesh formë racionale dickaje iracioniale. Absurdi i ekzistencës duhej jetuar, vuajtur dhe sfiduar, por nuk mund të analizohej dhe shpjegohej në mënyrë të kënaqshme.

Megjithatë, mendimtarët e kësaj shkolle ishin aq të zgjuar sa të mos kryenin vetëvrasje filozofike. Ata arritën, sipas mënyrës së tyre, të përpunonin një filozofi të “qenies në një botë absurde”. Në një farë mënyre, ka gjurmë logjike në mungesën e logjikës së tyre. Nëse gjithçka është në mënyrë të pashpresë kontradiktore, pse do duhej të bënte përjashtim filozofia?! Qëllimi i njeriut, sipas tyre, do të ishte të gjente kuptimin e pakuptimshmërisë, ose të paktën t’i jepte sado pak kuptim nëpërmjet fjalëve dhe veprave një universi të padepërtueshëm.

Për materializmin dialektik, realiteti zhvillohet nëpërmjet një ligjësie të caktuar dhe mbart kuptim dhe shpjegim racional. Racionaliteti i njeriut dhe historisë njerëzore lidhet ngushtë me lëndën në lëvizje. Vargëzimi i ngjarjeve kozmike i jep jetë zinxhirit shkak-pasojë, i cili më pas kushtëzon cilësinë dhe evoluimin e gjithçkaje tjetër. Fizikja dhe materialja i paraprijnë dhe krijojnë biologjiken, kjo e fundit i paraprin sociales dhe socialja i paraprin psikologjikes në një seri fazash zhvillimi të ndërlidhura historikisht me njëra-tjetrën. Qëllimi i shkencës është të zbulojë lidhjet thelbësore mes këtyre fazave të ndryshme dhe t’i formulojë ato në ligje të cilat do të shërbejnë për të drejtuar aktivitetin njerëzor. Racionaliteti, determinizmi dhe shkakësia e procesit universal të zhvillimit të MATERIALES jo vetëm që nuk e përjashton, por e përqafon ekzistencën dhe domethënien e absurdit, papërcakuteshmërisë dhe rastësisë.

Megjithatë, këto tipare të realitetit nuk janë më thelbësore se tipari kryesor i tij, LIGJËSIA. Në fakt këto tipare të realitetit janë fenomene relative, madje gjatë rrugës së zhvillimit shoqëror mund të ndryshojnë deri në atë pikë sa të shndërrohen në të kundërtën e tyre. Për shembull shansi është antiteza e të domosdoshmes historike. Megjithatë edhe vetë shansi ka ligjet e tij të paraqitura në rregullsinë statistikore të ngjarjeve dhe skenarëve të caktuar të këtyre ngjarjeve. Mekanika kuantike dhe biznesi i sigurimit të jetës janë shembuj se aksidentet individuale janë të konvertueshme në grumbuj domosdoshmërish statistikore.

Përjashtimet nga rregulli janë vetëm alternativat me më pak gjasë, megjithatë kur një numër i mjaftueshëm përjashtimesh grumbullohen së bashku, ato shndërrohen në rregullin e ri dominues. Ndërveprimi i shansit dhe të domosdoshmes nëpërmjet konvertimit të përjashtimit në rregull mund të dëshmohet në vetë zhvillimin ekonomik të shoqërisë. Gjatë kohës së shoqërive të organizuara në fise, prodhimi  me qëllim konsumin e menjëhershëm personal ishte norma, ndërsa shkëmbimi i të mirave ishte përjashtimi. Në kapitalizëm, prodhimi me qëllim shitjen është rregulli, ndërsa prodhimi për konsum personal është përjashtimi. Pra rregulli në një shoqëri të caktuar është shndërruar në rastësi përjashtimore në një shoqëri tjetër.

Strukturat shoqërore të cilat janë racionale dhe të domosdoshme në rrethana të caktuara historike, shndërrohen në të kundërtën e tyre me ndryshimin e këtyre rrethanave dhe, si të tilla, shkërmoqen. Kështu marrëdhëniet feudale të cilat përkonin me një nivel të caktuar të fuqisë prodhuese të shoqërisë, me avancimin e kësaj të fundit u shndërruan në po aq anakronike sa Don Kishoti, rrjedhimisht u shuan nën presionin e forcave dinamike dhe formave racionale të organizimit së shoqërisë borgjeze. Pra sipas marksistëve, ekzistencialistët gabojnë në vështrimin e rastësisë si një e vërtetë e përjetshme. Rastësitë nuk janë të pandryshueshme dhe të pakushtëzuara, por aspekte relative dhe të ndryshueshme të ekzistencës.

Si rezultat i konceptimit konfliktual mbi realitetin, këto filozofi janë antagoniste në marrëdhënien e tyre me shkencën. Nëse universi është tërësisht iracional, rrjedhimisht shkenca është sipërmarrje e pakuptimtë. Sipas ekzistencialistëve, shkencëtarët përpiqen ta reduktojnë QENIEN në një grumbull abstraksionesh konceptuale dhe matematikore, duke ofruar si substancë të qenies lëvozhgën boshe të racionalitetit, e njëkohësisht duke mbarështuar në mënyrë të shfrenuar teknologjinë, e cila potencialisht do mund të shkatërrojë si Frankeshtajni krijuesin e saj. Ndërkaq marksizmi e konsideron njohurinë dhe kërkimin shkencor si shprehinë më të plotë të ushtrimit të arsyes. Në këtë mënyrë zbulimi i ligjeve fizike dhe shoqërore do të mund të shpjegojë ligjësinë e zhvillimit. Kësisoj mund të kuptohen edhe anomalitë më ekstreme të natyrës, shoqërisë dhe individit.

Epërsia e ambiguitetit

Në sytë e ekzistencialistëve, ambiguiteti sundon ekzistencën. Është e thjeshtë të kuptohet përse. Ambiguiteti është një gjendje mes rregullit dhe kaosit, dritës dhe errësirës, dijes dhe injorancës. Nëse universi qeveriset nga shansi, gjithçka është pashmangmërisht e papërcaktueshme. Mungesa e marrëdhënieve shkak-pasojë e pajis realitetin me një ngjyrim të vazhdueshëm kaosi dhe hipokrizie, të cilat e shndërrojnë këtë të fundit në të pakuptueshëm. Kjo gjendje paqartësie dëshmohet në mënyrë akute tek individi. Ne jemi të copëtuar nga elementët konfliktues brenda vetes tonë. Kjo gjendje vështirësohet gjithnjë e më shumë sepse individi është i zënë në kurth nga një rrjetë mundësish konfliktuale. Ne jetojmë në një mjegull ku forma të paqarta lëvizin në drejtime të pacaktuara, drejt pikëmbërritjesh të pazbulueshme. Meqë situata e dhënë nuk ka asnjë strukturë të brendshme ligjësie, rrjedhimisht asnjë mundësi nuk është racionalisht më superiore se tjetra, ekzistencialisti priret të zgjedhë rrugën më tërheqëse dhe përfundimi mbetet çështje shansi apo kapriçoje. “Forma esenciale e jetës shpirtërore shënjohet nga ambiguiteti” – shkruan Heidegger-i në veprën e tij “Hyrje në metafizikë”. Simone de Beauvoir-i: “Që në fillimet e tij, ekzistencializmi e përkufizoi veten si filozofi të ambiguitetit”…

Problemi i ambiguitetit është tepër REAL. Ai buron nga përmbajtja kontradiktore e botës materiale. Ndërkohë që universi ka një strukturë të mirëpërcaktuar dhe rregull të dallueshëm të evoluimit, elementët përbërës të tij janë kompleksë dhe në gjendje të vazhdueshme ndryshimi, çka bën që zhvillimi i tyre të marrë forma të shumëkuptimta. Pyetja që shtrohet është : këto manifestime paradoksale mbeten gjithnjë të pakuptueshme apo këto forma të ndryshme zhvillimi mund të bashkërenditen nëpërmjet mjeteve shkencore në modele të logjikshme të cilat i binden një ligjësie, me qëllim zbulimin e esencës së tyre?

Ekzistencialistët refuzojnë të pranojnë se përfundimi i një situate varet nga të gjithë faktorët pjesëmarrës në të; për ta, gjithçka varet drejtpërdrejt nga vullneti i individit. Megjithatë kjo qasje bie në kundërshti me vetë pohimin e tyre, sipas të cilit rezultatet e veprimeve tona janë të kundërta me dëshirat, qëllimet dhe pritshmëritë që kemi. Atëherë ç’forca të tjera e përcaktojnë rezultatin e veprimeve tona? Ekzistencialistët nuk kanë përgjigje tjetër veç aksidentit. Për ta, rastësia dhe aksidenti mbeten arbitri i të gjitha ngjarjeve.

Ndërkaq marksistët nisen nga premisa se gjithçka që është e mirëpërcaktuar në natyrë mund të gjejë formulim edhe në mendim. Pavarësisht sa të larmishme dhe të fshehta mund të jenë kontradiktat në realitet, me kohë dhe përpjekje ato mund të bëhen të kuptueshme. Thelbi dialektik i të gjitha proceseve konsiston pikërisht në zbulimin e kundërshtive të brendshme, në ekspozimin gradual të këtyre veçorive deri në pikën e shfaqjes përfundimtare të tyre. Ndërkohë që tendencat e ndryshme brenda një procesi avancojnë drejt ekstremit, ato bëhen gjithnjë e më të qarta dhe gjithnjë e më pak ambigue. Beteja e të kundërtave përfundon me triumfin e njërës alternativë përmbi tjetrën. E tillë është linja logjike e të gjithë proceseve të evoluimit. Marksistët e shohin ambiguitetin si një gjendje të përkohshme që mund të tejkalohet. Realiteti dhe kuptimi i tij nuk ka pse të jenë përherë të pakuptueshëm, po aq sa uji është i destinuar të jetë i rrjedhshëm nën ndikimin e kushteve të ndryshme atmosferike. Rregulli dhe kaosi janë tipare relative të fenomeneve. Kaosi më i madh buron nga rregulli brenda tij. Forma më e kristalizuar e rregullit përmban brenda vetes gjurmë të kaosit, të cilat me kalimin e kohës mund të shpërndahen dhe të përmbysin stabilitetin dhe simetrinë e kulluar. Shkenca avancon dhe veprimtaria njerëzore bëhet gjithnjë e më shume efektive, duke zëvendësuar gjithçka të paqartë e të papërcaktuar me të kundërtën e tyre.

Ekzistencialistët theksojnë ambiguitetin e paçrrënjosshëm të historisë. Për ta, historia nuk lëviz në një mënyrë të caktuar nga njëra fazë e zhvillimit shoqëror në tjetrën, madje për shumë prej tyre duhet vënë në pikëpyetje edhe nëse njerëzimi ka arritur të avancojë. Ndërkohë marksistët nuk e mohojnë se historia është plot me çrregullsi, kthime pas dhe ngjarje në pamje të parë të pashpjegueshme. Megjithatë, për ta, njerëzimi qartazi ka avancuar përpara nga njëra fazë e organizimit shoqëror në tjetrën, nga barbaria drejt qytetërimit, për arsye të kuptueshme. Historia përmban ngjarje të domosdoshme, si edhe ngjarje rastësore, përfundime të qarta, por edhe çështje ende të pazgjidhura. Feudalët në Francë, kolonizatorët, nazistët apo kapitalistët në Rusi mund të dëshmojnë më së miri për këtë gjë.

Individët dhe mjedisi rreth tyre

Për hir të analizës, realitetin mund ta ndajmë në dy sektorë kryesorë: publik dhe privat. Në njërën anë, gjendet bota materiale objektive e cila ekziston pavarësisht  ndjenjave, mendimeve apo njohurive tona mbi të. Nga ana tjetër, brendësia e eksperiencave personale, pra bota siç i shfaqet gjithsecilit prej nesh, në varësi të perceptimeve  tona. Pavarësisht se këto dy dimensione të ekzistencës njerëzore nuk ndahen kurrë nga njëra-tjetra në formë kaq të theksuar dhe ndërkaq ndërveprimi i tyre është i ashpër, në instanca të caktuara ato nuk përkojnë në aspekte esenciale me njëra-tjetrën. Prandaj lind mundësia për t’i analizuar përkohësisht të veçuara nga njëra tjetra.

Ekzistencializmi dhe marksizmi kanë këndvështrim të papajtueshëm mbi natyrën dhe marrëdhënien e aspekteve objektive dhe suvjektive të jetës njerëzore, mbi ndërveprimin dhe rëndësinë relative të botës publike dhe asaj private. Marksistët besojnë se natyra i paraprin dhe është e pavarur nga njerëzimi. Ekzistenca njerëzore, si produkt dhe pjesë përbërëse e natyrës, është doemos e varur nga kjo e fundit.

Ndërkohë ekzistencialistët besojnë se komponentët objektivë dhe subjektivë të qenies nuk ekzistojnë të veçuar nga njëri-tjetri, madje është pikërisht subjekti ai që e bën botën të jetë ashtu siç është. Kontrasti midis subjektivitetit idealist të ekzistencialistëve dhe objektivitetit materialist të marksistëve mund të dëshmohet në pohimin e Heidegger-it në “Hyrje në metafizikë” : “Vetëm nëpërmjet gjuhës dhe fjalëve gjërat vijnë në ekzistencë.” Në përputhje me idenë se aspekte të realitetit vijnë në EKZISTENCË vetëm në momentin kur bëhen pjesë e eksperiencës njerëzore, Heidegger-i e sheh jo vetëm DOMETHËNIEN, por dhe vetë ekzistencën e gjërave si produkt të shprehjes sonë verbale të këtyre të fundit.

Për materialistët, funksione të tilla si të folurit apo të menduarit reflektojnë karakterin e sendeve, por nuk i krijojnë ato. Bota e jashtme ekziston pavarësisht marrëdhënieve tona me të. I gjithë ekzistencializmi rrotullohet rreth parësisë së subjektit të ndërgjegjshëm përmbi gjithçka objektive, qoftë kjo fizike apo sociale. Të vërtetat dhe vlerat e ekzistencës duhen kërkuar ekskluzivisht vetëm brenda eksperiencës së individit, nëpërmjet vetëzbulimit dhe vetëkrijimit së autenticitetit tonë. Marksizmi mbron pozicionin e kundërt. Prioriteti ekzistencial i takon natyrës përmbi shoqërinë dhe shoqërisë përmbi individin. Natyra, shoqëria dhe individi bashkekzistojnë në marrëdhënien më të ngushtë të reciprocitetit, marrëdhënie e karakterizuar nga veprimi njerëzor me qëllim ndryshimin e botës. Gjatë ndërveprimit me realitetin objektiv për shkak të nevojave të tyre, njerëzit ndryshojnë vetveten. Subjektivja rrjedh nga objektivja, është në ndërveprim konstant me objektiven dhe, në analizë të fundit, kushtëzohet nga objektivja.

Këto konceptime kundërshtuese mbi marrëdhënien objekt-subjekt reflektohen në konfliktin mes dy filozofive mbi natyrën e individit dhe marrëdhënien e tij me realitetin objektiv. Kategoria e individit të izoluar është qendrore për ekzistencializmin. Ekzistenca e vërtetë e personit kushtëzohet negativisht nga sendet dhe njerëzit e tjerë. Këto forca të jashtme e shtypin personalitetin dhe e tërheqin atë në nivelin e jopersonales dhe të zakonshmes. Individi mund të fitojë vërtetësi vetëm në betejë me këto marrëdhënie të jashtme. Ne duhet të shohim brendësinë tonë për të arritur lirinë e vërtetë. Vetëm në thellësitë e humnerës brenda vetes, ku shpirti lakuriq përleshet me idenë e vdekjes së sigurt, pakuptimshmëria dhe domethënia e ekzistencës shfaqen përpara nesh. Kështu ekzistencializmi e paraqet njeriun si të shkëputur nga të tjerët e llojit të tij, në mosmarrëveshje me një ambient të palëvizshëm dhe armiqësor, përballë një shoqërie shtrënguese. Ky shkretim i individit është burim i tragjedisë së pakapërcyeshme njerëzore. Duke e izoluar individin nga uniteti i tij organik me realitetin objektiv, nga rrjedha logjike e proceseve  natyrore dhe ndikimi i forcave historike, ekzistencializmi nuk është në gjendje t’i shohë ndjesitë subjektive dhe personalitetin si reflektime të ambientit rrethues. Kësisoj, sipas Sarte-it, përpjekjet tona për ta bërë ndërgjegjen të përkojë me realitetin objektiv janë të pavlera. Si shprehi e një paradoksi të zymtë, mendja vetmitare mendohet të jetë sovrane në formëzimin e ekzistencës së saj reale. Duke u mbështetur vetëm mbi forcat dhe gjykimin e saj, ajo duhet të përballë dhe mposhtë vështirësitë e jetës.

Ekzistencializmi është përfaqësuesi më i plotë i individualizmit. “JI VETVETJA ME ÇDO KUSHT!” është urdhëresa e parë. Spontanitetit i individit konsiderohet i kërcënuar nga masat, nga klasat, nga shteti. Prandaj ekzistencializmi tenton të ruajë dinjitetin, të drejtat, iniciativat madje dhe luhatjet e personalitetit autonom kundrejt çdo autoriteti shtypës, lëvizjeje të organizuar dhe institucioni në fuqi. Me lirinë  individuale si parullë kryesore, ekzistencializmi është filozofi e jokonformizmit. “Mësova të shoh si detyrë krijimin e vështirësive të reja” – shkruan Kierkegaard-i, duke përshkruar si u bë pjesë e botëkuptimit ekzistencialist. Ekzistencialistët nuk priren drejt rutinës, modeleve të disiplinuara të sjelljes dhe gjithçkaje në kundërshti me dëshirat e egos. Çdo nënshtrim ndaj fenomeneve që nuk zgjidhen me vullnet të lirë është shprehje e refuzimit për t’u përballur me zgjedhjet tona, shkruan Sartre-i.

Kështu protestat e ekzistencialistëve kanë variuar nga ortodoksitë religjioze te sistematizmi filozofik, nga shfrytëzimi kapitalist te regjimi stalinist, nga morali borgjez te burokracia e pushtetit punëtor. Kierkegaard-i u nis të trazonte paqen mendore të klasës së mesme në Danimarkë. Nietzsche-ja lajmëronte ardhjen e Mbinjeriut, i cili do të ngrihej përmbi mentalitetin e tufës dhe do të tejkalonte të Mirën dhe te Keqen. Heronjtë e preferuar të Camus-së dhe Sartre-it ishin rebelë të veçuar nga shoqëria. Simone de Beauvoir-i dhe Sartre-i analizonin shkrimtarë si Marquis de Sade dhe Jean Genet, të cilët me sjelljen dhe veprat e tyre thyenin çdo tabu të sjelljes së moralshme në shoqëri.

Por duhet thënë që jo gjithmonë herezitë e ekzistencialistit arrinin të mohonin tërësisht vlerat e shoqërisë ndaj secilës rebelohen. Kierkegaard-i sulmonte vetëpëlqimin dhe pasivitetin e të tjerëve rreth tij, por përfundoi duke përqafuar idenë e zotit të gjithëditur. Sartre-i sulmonte pompozët e përçmuar për shkak të egotizmit të tyre, ndërkohë që u kap pas njeriut krejtësisht të lirë i cili i detyrohej vetëm vetes si pikë qendrore e filozofisë dhe teorisë së tij mbi moralin.

Ekzistencializmi thekson nevojën e individit për t’u zhvilluar pa pengesa të jashtme. Prandaj mospëlqimi i theksuar ndaj veprimtarisë së organizuar të masave të nxitur nga kushtet objektive, e bën të pamundur që ekzistencializmi të ofrojë një zgjidhje reale për gjithë problemet me të cilat përballet shoqëria. Prandaj ekzistencializmi është filozofi antikomformiste, por nuk mund të jetë revolucionare.  

Ndërkohë materializmi historik ka një qasje krejt tjetër mbi marrëdhënien midis individit dhe mjedisit. Ne jemi mbi të gjitha qenie shoqërore; dhe vetëm nëpërmjet shoqërisë mund të krijojmë individualitetin tonë. Për marksistët, individi i izoluar është thjesht një abstraksion. Të gjitha veçoritë e njeriut – që nga mjetet e punës, të folurit, të menduarit, arritjet në art dhe teknologji – janë fryt i përpjekjeve kolektive të të gjithë shoqërisë. Nëse njeriu zhvishet nga të gjitha cilësitë e përftuara nga jeta në shoqëri, ai s’mbetet asgjë më shumë se një kafshë biologjike. Natyra specifike e individit përcaktohet nga përmbajtja sociale e botës përreth tij. Kështu realiteti objektiv i jep formë jo vetëm marrëdhënieve më të tjerët, por edhe vetë mendimeve, ëndrrave dhe emocioneve tona. Madje edhe vetmia të cilën e përjetojnë gjithnjë e më shumë njerëzit në ditët e sotme është pasojë e ndërtimit të strukturave shoqërore. Një nga kontradiktat madhore të kapitalizmit është krijimi i bashkësive të forta mes njerëzve, ndërkohë që njëkohësisht nëpërmjet ideologjisë thekson gjithnjë e më shumë gjërat që i ndajnë njerëzit nga njëri-tjetri. Nga njëra anë kapitalizmi ka shoqërizuar procesin e prodhimit dhe e ka shndërruar botën në një njësi të vetme, ndërkohë i distancon njerëzit nëpërmjet pronës private dhe konkurrencës. Engelsi e përshkruante këtë proces në veprën e tij të parë “Gjendja e klasës punëtore në Angli” më 1844: “Ky izolim i individuales, ky vetëkërkim i ngushtë, është parimi themelor mbi të cilin ngrihen sot shoqëritë kudo. Shpërbërja e njerëzimit në entitete individuale, ku secili prej tyre udhëhiqet nga një parim i veçuar, kjo botë atomesh, shihet sot në formën e saj më ekstreme.” Indiferenca barbare, egoizmi ekstrem, mizoria e paemërtuar, të cilat ai i analizonte një shekull më parë, ende sot përshkojnë shoqërinë tonë “lakmitare”.

Njëlloj si ekzistencialistët, lëvizja socialiste ka për qëllim pasurimin e botëkuptimit të individit, pavarësisht se diçka e tillë nuk ndodhi gjatë regjimit stalinist. Por ndryshe nga ekzistencializmi, marksizmi nuk e sheh filozofinë e individualitetit si një metodë efektive në të mirë të përparimit shoqëror dhe veprimtarisë politike. Përderisa struktura shoqërore i jep formë dhe dominon jetën e individëve, e vetmja mënyrë për ta ndryshuar është nëpërmjet përpjekjeve kolektive bazuar mbi marrëdhëniet klasore, duke zhdukur kushtet të cilat shtypin individualitetin dhe duke krijuar një ambient të përshtatshëm për kultivimin e kapaciteteve të të gjitha qenieve njerëzore.

(Vijon)

E përktheu Frenklin Elini

Marrë nga libri “Të kuptuarit e historisë” i George Novack-ut, botuar më 1968.

Imazhi: Edvard Munch

Lexojmë dhe shpërndajmë!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.