Lum ti që u vrave herët

/Hronis Misios/

“Të jetosh do të thotë të jesh partizan,” shkruante Antonio Gramsci, një ndër mendimtarët më të mëdhenj të mendimit politiko-shoqëror të shekullit XX. Por kuptimi i kësaj fraze nuk ka nevojë për shpjegime të komplikuara teorike; do të mjaftonte rrëfimi i njërit apo njërës prej atyre mbi përjetimin e ndjenjave dhe emocioneve që të shtyjnë të hedhësh një hap përpara drejt humnerës, vetëm për të pohuar se je qenie njerëzore. Sot, më 5 Maj, ditën përkujtimore të atyre që humbën jetën duke luftuar për një shoqëri më të mirë, vendosa të sjell në shqip rrëfimin e Hronit, partizanit grek që jetoi për t’u zhgënjyer.

Pjesa më poshtë është marrë nga libri me titull “Lum ti që u vrave herët”, ku autori u drejtohet shokëve të rënë në luftë për t’u shprehur atyre zhgënjimin e dyfishtë: nga njëra anë me qëndrimet e pas luftës dhe drejtimin autoritar e burokratik që mori Partia Komuniste Greke, nga ana tjetër me zbrazëtinë shpirtërore që përjeton autori në epokën e konsumerizmit kapitalist, kur në moshë të thyer vendos t’u hyjë shkrimeve.

Hronis Misios-i lind fëmija e dy punëtorëve të duhanit në Kavalla të Greqisë. I ati i vdes teksa e ëma ishte shtatzënë me të. E lë shkollën në klasën e dytë fillore për të bërë punë të ndryshme në Selanik, si bukëpjekës e lustraxhi. Më 1943 e ëma e dërgon me Kryqin e Kuq për të siguruar ushqimin vetjak, por ai largohet në mal për të fituar bukën si bari. Në moshën 14-vjeçare vendos t’i bashkohet batalionit të XVI-të të njësiteve guerrile partizane ELAS dhe merr pjesë në çlirimin e vendit nga nazistët. Pas marrëveshjen e Varkizas, bëhet dëshmitar i tragjedisë se si ata që luftuan kundër nazizmit u persekutuan më pas nga bashkëpunëtorët e nazistëve, çka u përshkallëzua në Luftën Civile në Greqi. Kështu në vitin 1947 arrestohet dhe dënohet me vdekje. Në një skenë që do ta përshkruante shumë vite më pas, teksa tranportohet me kamion drejt burgut, hedh vështrimin drejt përditshmërisë mondane të jetës në qytetin e Selanikut. “E sheh o tutkun? Kush po e çan kokën për ty?! Po shkon për pushkatim dhe je vetëm 16 vjeç,” do t’i thoshte ushtari që i bënte roje. “M’u desh të kaloja shumë peripeci dhe të lexoja shumë për të kuptuar se sa i vetmuar është monopati i revolucionarit”, do të shkruante autori kohë më pas.

Në burg ra në kontakt me shokë të arsimuar dhe mësoi prej tyre shkrim e këndim. Megjithëse jeta iu fal, në burg iu nënshtrua fatit të mijëra grekëve që i përkisnin ideologjisë së majtë: tortura, izolim dhe vuajtje çnjerëzore. Emblematike është skena e përshkruar në libër, ku përballë drejtorit të policisë refuzon të buzëqeshë, duke i shtuar edhe gjashtë vite të tjera dënimit të tij:

“Pushteti i fitimtarëve, shteti i makthshëm, kërkonte prej meje, syrgjynit që kërkoi të zhbënte për vite të tëra, ‘vetëm’ t’i buzëqeshja. Shiko si është puna, i them, nuk mund ta përmbaj më veten, do të buzëqesh nga lumturia për kotësinë e dhunës, do të buzëqesh për vëllanë tim, njeriun. Për ju do ta kisha më të lehtë një pikë loti. Shpresoj se meqë ma kërkoni, e kuptoni edhe pse refuzoj të buzëqesh. I pranishëm në bisedë ishte edhe Artemisi. I duheshin edhe dy vjet që të dilte në pension dhe e kishin spiun të përhershëm në hetuesi. Siç të thashë, e njihja që kalama, në të njëjtën lagje. Kurrë nuk torturoi njeri, përkundrazi ndihmonte ku kishte mundësi. Teksa Artemisi dëgjoi drejtorin e tij që më kërkoi të buzëqeshja thjesht e vetëm që të më lejonte të shkoja në shtëpi, krejt papritmas dhe nga dashuria për mua, kthehet e më thotë: “Qesh o budall, çfarë po të kërkojnë?” E vështroj në sy e i them, asgjë o Artemis, vetëm se, është edhe zebeqiko[1]. Në syrin e tij u zmadhua një bulëz që shkëlqente…”

***

Jetoja dikur në shtëpinë e një mjeku. Ishte i djathtë në bindje, por nuk i duronte dot “shpëtimtarët e mëmëdheut”. E dinte se isha komunist dhe çdo mbrëmje kur dilte për në punë, mbushej me shpresë. Eh, një herë u gjend një vendstrehim për mua dhe natën që do largohesha nga shtëpia e tij, si për lamtumirë, kthyem nja dy gota uiski. I fortë ama, që të sjell në qejf atypëraty.

Isha, që thua, në qejf dhe i papërmbajtur, që thonë. Në momentin kur po dilja dhe po më përshëndeste, sytë e tij ishin gjithë trishtim. Më thotë, ku do ikësh tani o Fani – unë një jetë të tërë me të njëjtin pseudonim në botën e jashtëligjshme. Aty siç rrinim në këmbë, i them, seriozisht e ke doktor, për mua të vjen keq? U shtang, por më thotë, po ikën kështu në mes të natës, po të ndjekin zotër e djaj, këta vrasin, torturojnë, nuk ke shtëpi, familje, nuk ke një emër…

E pashë. Më duhej ta lëndoja, nuk kisha rrugë tjetër. Isha i detyruar, sepse nëse e lëshoja veten në duart e dëshpërimit, isha i humbur, sepse faktet reale, ashtu siç i përshkroi doktori, ishin të sakta. Kisha nevojën të mbroja jetën time, thelbin e saj, përkundrejt vetvetes time.

Përnjëmend doktor, i them, për mua të vjen keq? E humbi për një moment. Ishte njeri shumë i mirë e i ëmbël, por edhe trim, që të pranojë të fshehë një të jashtëligjshëm në një moment kur as nëna jote, që thotë fjala, nuk të fuste brenda. Kur radioja ulërinte urdhrat e përditshme, “Kushdo që mikpret persona pa vënë në dijeni strukturat e policisë, do të procedohet sipas rregullave të gjykatës ushtarake…”

Shiko si është puna, i them, unë e mbaj jetën dhe fatin tim në duart e mia, vendimet janë të miat, kur të dua kthehem në vendin tënd. Nëse tani bëj një telefonatë në polici dhe u them se heq dorë nga politika, pa dëshmuar asgjë te askush, nesër do eci edhe unë në rrugë “i lirë” dhe “i parrezikuar” si ti… Po ti, a mund të kalosh në vendin tim? Të heqësh dorë nga gjithçka, paratë, karrierën, familjen, shtëpinë, të lidhesh pas një ëndrre dhe ta ndjekësh pas, t’i dashurosh me pathos njerëzit dhe lirinë e tyre, të hysh në zemrën e epokës tënde, dhe nga vëzhgues i thjeshtë të bëhesh farkëtues i historisë?

Dhe më lejo të të them diçka tjetër: jemi bashkëmoshatarë. Nëse biem dakord se ajo që quajmë jetë është të ekzistosh si një pemë, pra të ekzistosh vetëm biologjikisht – nuk e di nëse po përdor edhe termat e saktë por e kupton ç’dua të them – pra nëse jetën mund ta matim vetëm me prodhimin e disa të mirave dhe disa shërbimeve dhe me konsumimin e disa të mirave dhe disa shërbimeve, atëherë mendoj se jeta nuk do ishte gjë më shumë sesa një dëshpërim i pafund. Unë mendoj se ajo që quajmë jetë matet vetëm me ndjesitë që përjetojmë si njerëz, me ngashërimet, me hidhërimet, me gëzimet, me lumturitë e vogla, me fatkeqësitë e vogla, me mbijetesën, përfundimisht, të thelbit tonë njerëzor.

Sa herë në jetën tënde ke përjetuar ndjenja dhe mallëngjime të thella, doktor? Kur more diplomën, kur u dashurove me gruan, kur bëre karrierë, kur lindi vajza jote… Rreth këtyre mbyllet cikli. Unë në të njëjtat vite përjetova ndjenja kaq të mpiksura, kaq të përvëluara, saqë ti as në njëqind vite të jetës tënde nuk mund t’i njohësh. Sa herë luajta me vdekjen, jo për hir të lojës, sepse për këtë mund të bëja një truk të rrezikshëm në cirk, por i gulfuar nga mllefet e mia, nga vizionet e mia, nga dashuria ime për jetën, për njeriun dhe lirinë e tij. Sa herë guxova, u mata me makinacione të frikshme, herë duke dalë i fituar e herë i mundur, por gjithmonë duke u ndjerë njeri dhe kurrë një objekt në mëshirë të fatit.

E prapëseprapë, doktor, në krahasim me ty jam shumë i ri, dhe e di pse? Gjëra që për ty konsiderohen të mirëqena dhe i anashkalon duke i shpërfillur, për mua janë lumturi të mëdha e të vogla. Mrekullitë e botës, që thonë, shikimi im i përjeton me kureshtjen e një adoleshenti dhe më mbushin plot me ndjenja. Jam i sigurt se një shëtitje natën në rrugët e zbrazëta të qytetit është për ty diçka tejet e zakonshme, nëse jo e mërzitshme. Një shëtitje nëpër pyje, zhurma e detit, një pemë e bukur, një lule, vera, dashuria… Kontakti yt me gjërat është tipik, nuk i pasuron ato, nuk të pasurojnë, i tejkalon, nuk i jeton. Për mua, çdo mëngjes është një surprizë, çdo dyshim një nostalgji, çdo natë një mister i madh, një gotë verë, një puthje.

Të drejtën, cilat janë dëshirat e tua, doktor? Je “i suksesshëm”, ke gjithçka që dëshiron, je i ngopur, prandaj je i plakur, sepse në të njëjtën kohë nuk mund t’i heqësh qafe të gjitha këto. Je i robëruar në klasën tënde, nuk mund të fluturosh, të hysh në shtegun e ndjenjave, të fantazisë, të ëndrrës, të dëshirës, të një qasjeje të re me realitetin dhe njerëzit. Shiko, kërko një çik, rruga jote është rruga që e kthen njeriun në objekt me nevoja biologjike… Mos ndje keqardhje për mua, të lutem, unë do jem gjithmonë me pakicat, gjithmonë i ekspozuar, asnjëherë i rrënjosur.

Nuk u inatos, nuk më tha se po flas përçart. Më përqafoi, më tha se jemi njerëz të çuditshëm por të bukur. Më puthi, më futi edhe një dhjetëmijëshe në xhep – një shumë e madhe për atë kohë – dhe u largova. E di se thashë fjalë të mëdha sepse, megjithatë, jam i rrënjosur, i pozicionuar dhe i renditur ndaj mekanizmave të tjerë, ndaj një logjike tjetër, ndaj një rendi tjetër gjërash.

Hyrja dhe përkthimi: Redi Muçi

Imazhi: Social Waste


[1] Zebeqiko është një formë vallëzimi grek që lartëson rezistencën. Emërtimin e merr nga zeibekët, një milici guerile që jetonte në zonën e Egjeut gjatë Perandorisë Otomane nga shek. XVII-XX. Fillimisht një vallëzim nga dy burra të armatosur përballë njëri-tjetrit, u zhvillua si një vallëzim improvizues nga një burrë i vetëm. – Shën. përkth.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.