Marksi ynë*

/Antonio Gramsci/

A jemi ne marksistë? A ekzistojnë marksistët? Marrëzi, ti vetëm je e përjetshme. Kjo çështje me gjasë do të rimerret këtyre ditëve, me rastin e njëqindvjetorit** dhe do të bëjë të derdhen lumenj të tërë me bojë e marrëzi. Fjalët boshe dhe pedantizmi janë trashëgimi e pavdekshme e njerëzve. Marksi nuk ka hartuar një doktrinëz, ai nuk është Mesia që ka lënë një varg parabolash të mbarsura me imperativë kategorikë, norma të padiskutueshme, absolute, përtej kategorive të kohës dhe hapësirës. Një imperativ kategorik i vetëm, një normë e vetme: “Proletarë të të gjitha vendeve, bashkohuni!” Detyra për t’u organizuar, propaganda e detyrës për t’u organizuar dhe bashkuar, do duhej të ishte shenjë dalluese mes marksistëve dhe jomarksistëve. Shumë pak dhe tepër: kush nuk do të ishte marksist në këtë rast?!

Megjithatë kështu është: të gjithë, në mënyrë të pavetëdijshme, janë nga pak marksistë. Marksi ka qenë i madh, puna e tij ka qenë e frytshme, jo sepse ka shpikur gjësend nga hiçi, jo sepse ka nxjerrë nga imagjinata e tij një vizion origjinal të historisë, porse tek ai fragmentarja, e paplota, e papjekura, janë shndërruar në pjekuri, sistem e vetëdije. Vetëdija e tij personale mund të bëhet e të gjithëve dhe tashmë ajo është e shumëkujt: prandaj ai nuk është vetëm studiues, por edhe njeri i veprimit; është i madh dhe prodhimtar si në veprim ashtu edhe në mendim, librat e tij kanë transformuar botën, sikundër kanë transformuar mendimin.

Marks do të thotë hyrje e inteligjencës në historinë e njerëzimit, mbretëri e vetëdijes.

Vepra e tij bie pikërisht në të njëjtën periudhë në të cilën zhvillohet beteja e madhe mes Thomas Carlyle-it dhe Herbert Spencer-it mbi funksionin e njeriut në histori.

Carlyle: heroi, individualiteti i madh, sinteza mistike e një bashkësie shpirtërore, i shpie fatet e njerëzimit drejt qëllimeve të panjohura e të vagullta, në vendin utopik të përsosurisë dhe shenjtërisë.

Spencer: natyra, evolucioni, abstraktimi mekanik dhe i pajetë. Njeriu: atom i një organizmi natyror, që i bindet një ligji abstrakt, por që bëhet ligj konkret, historikisht, tek individët: dobia e menjëhershme.

Marksi pozicionohet në histori si gjigant: nuk është as mistik e as metafizikan pozitivist; është historian, një interpretues i dokumenteve të së shkuarës, i të gjitha dokumenteve, jo thjesht i një pjese të tyre.

Kjo ishte mangësia e brendshme e historive dhe kërkimeve mbi ngjarjet njerëzore: shqyrtimi dhe marrja parasysh vetëm e një pjesë të dokumenteve. E kjo pjesë nuk zgjidhej mbi bazën e vullnetit historik, por të paragjykimit të njëanshëm, ndonëse ky i fundit ishte i pavetëdijshëm e qëllimmirë. Qëllimi i kërkimeve nuk ishte e vërteta, saktësia, rikrijimi i plotë i jetës siç ka qenë në të kaluarën, por theksimi i një aktiviteti të caktuar, vlerësimi i një teze të nxjerrë a priori. Historia sundohej vetëm nga idetë. Njeriu konsiderohej si shpirt, si shkencë e kulluar. Dy pasoja të gabuara vinin nga ky konceptim: idetë e zhvilluara shpesh ishin thjesht arbitrare, të rreme. Faktet të cilave u jepej rëndësi ishin anekdotikë, nuk ishin histori. Nëse historia u shkruar, në kuptimin e vërtetë të fjalës, kjo u bë falë intuitës gjeniale të individëve të veçantë dhe jo aktivitetit shkencor sistematik e të vetëdijshëm.

Me Marksin historia vijon të jetë sundim i ideve, shpirtit, veprimtarisë së vetëdijshme të individëve të veçantë ose të bashkuar. Mirëpo idetë, shpirti, konkretizohen, e humbasin arbitraritetin e tyre dhe nuk janë më abstraktime fetare apo sociologjike të rreme. Substanca e tyre gjendet në ekonominë, në veprimtarinë praktike, në sistemet dhe në marrëdhëniet e prodhimit e të shkëmbimit. Historia si ngjarje është veprimtari e pastër praktike (ekonomike e morale). Një ide realizohet jo sepse është logjikisht koherente me të vërtetën e kulluar, njerëzimin e kulluar (i cili ekziston thjesht si program, si qëllim etik i përgjithshëm i njerëzve), por sepse në realitetin ekonomik ajo gjen justifikimin e saj, instrumentin e saj për t’u rrënjosur. Për të njohur me saktësi se cilat janë qëllimet historike të një vendi, një shoqërie apo një grupimi është e rëndësishme që pikësëpari të njihet se cilat janë sistemet dhe marrëdhëniet e prodhimit dhe të shkëmbimit të atij vendi, të asaj shoqërie. Mund të përpilohen vetëm monografi të pjesshme, disertacione  të dobishme për historinë dhe kulturën. Pa këtë njohje mund të rroken vetëm pasojat dytësore, pasojat e largëta, por nuk do të bëhet histori dhe nuk do të jemi në gjendje të zbërthejmë kompaktësisë e fuqishme të veprimtarisë praktike.

Idhujt bien nga altari i tyre, hyjnitë shohin teksa davaritet tymi i temjanit erëndshëm. Njeriu vetëdijesohet për realitetin objektiv, përvetëson sekretin që qëndron pas zhvillimit të vërtetë të ngjarjeve. Njeriu e njeh vetveten, e di se sa mund të vlejë vullneti i tij individual dhe se si ai mund të fuqizohet për sa kohë duke u bindur, duke e disiplinuar veten me domosdoshmërinë, ai ngrihet mbi vetë domosdoshmërinë, duke e identifikuar atë me qëllimin e tij. Kush e njeh vetveten? Jo njeriu në përgjithësi, por ai që gjendet nën zgjedhën e domosdoshmërisë. Kërkimi i substancës historike dhe vendosja e saj në sistemin dhe marrëdhëniet e prodhimit dhe shkëmbimit tregojnë se si shoqëria e njerëzve është e ndarë në dy klasa. Klasa që zotëron mjetet e prodhimit tashmë e njeh medoemos vetveten, ka vetëdijen, ndonëse të turbullt dhe fragmentare, të fuqisë dhe misionit të saj. Ajo ka qëllime individuale dhe i realizon ato nëpërmjet organizimit, me gjakftohtësi, objektivisht, pa u shqetësuar nëse rruga e saj është e shtruar me trupa të kapitur nga uria apo me kufoma fushëbetejash.

Organizimi i shkakësisë historike reale kthehet në zbulesë për klasën tjetër, shndërrohet në parim rregullues për masën e panumërt pa bari. Masa fiton vetëdije për veten, për detyrën që aktualisht duhet të kryejë, në mënyrë që klasa tjetër të pohojë veten dhe të fitojë vetëdijen se qëllimet e saj individuale do të mbeten vullnet i kulluar, fjalë boshe, dëshira të parealizueshme, derisa të mos zotërojë mjetet, derisa dëshirat e parealizueshme të mos jenë shndërruar në vullnet.

Voluntarizëm? Kjo fjalë nuk ka asnjë kuptim, ose përdoret në kuptimin e vullnetit. Vullnet, në kuptimin marksist, do të thotë vetëdije mbi qëllimin, i cili nga ana e tij do të thotë njohje ekzakte e fuqisë tonë dhe e mjeteve për ta kthyer atë në veprim. Do të thotë pra pikësëpari dallim, përcaktim i klasës, jetë politike e pavarur nga ajo e klasës tjetër, organizim kompakt dhe i disiplinuar me qëllime specifike, pa devijime e pavendosmëri. Do të thotë shtysë parimore drejt qëllimit kryesor, pa piknikë mbi lëndinat e gjelbra të vëllazërisë së përzemërt, të mallëngjyer nga bari i gjelbër dhe nga shprehjet e ëmbla të respektit dhe të dashurisë.

Megjithatë togfjalëshi “në kuptimin marksiste” është i kotë, madje mund të krijojë keqkuptime dhe mendjelehtësi të tepërt. Marksistët, në kuptimin marksist… janë terma të konsumuar si paraja e kaluar në shumë duar.

Karl Marksi për ne është mësuesi i jetës shpirtërore e morale, dhe jo një bari me thupër në dorë. Ai është stimuluesi i daljes nga përtacia mendore; është ai që zgjon energjitë e mira që dremitin brenda nesh, të cilat duhet të ngjallen që të zhvillojmë një betejë të suksesshme. Ai është shembulli i një pune të jashtëzakonshme e këmbëngulëse për të arritur tek idetë kthjelltësisht të arsyeshme dhe te një kulturë me baza, të domosdoshme për të mos folur për gjëra boshe, për abstraksione. Ai është bllok monolit i një humanizmi të mençur dhe mendues, i cili për të folur nuk sheh gjuhën dhe për të ndjerë nuk vë dorën në zemër, por ndërton silogjizma të hekurta që e ngërthejnë realitetin në esencën e tij dhe e zotërojnë atë, që depërtojnë në mendjet e njerëzve, shembin mbetjet paragjykuese dhe idetë e pandryshueshme, si dhe forcojnë karakterin moral.

Karl Marksi për ne nuk është vocërraku që qan në djep apo kaleshani që tremb kisharët. Ai nuk është asnjë nga episodet anekdotike të biografisë së tij dhe asnjë gjest i jashtëzakonshëm apo trashaman i kafshërisë së tij të jashtme njerëzore. Ai është një mendje e gjerë dhe e qetë menduese, është një moment individual i kërkimit të ethshëm sekular që njerëzimi bën për t’u vetëdijesuar mbi qenien dhe bërjen e tij, për të rrokur ritmin misterioz të historisë dhe zhdukur misterin, për të qenë më i fortë në të menduar e në të vepruar. Ai është një pjesë e domosdoshme dhe përbërëse e shpirtit tonë, i cili nuk do të ishte ai që është nëse nuk do të kishte jetuar, nuk do të kishte menduar, nuk do të kishte lëshuar shkëndija drite nga përplasja e pasioneve dhe ideve të tij, e mjerimit dhe idealeve të tij.

Duke përlëvduar Karl Marksin në njëqindvjetorin e lindjes së tij, proletariati ndërkombëtar përlëvdon vetveten, forcën e tij të vetëdijshme, dinamizmin e agresivitetit të tij përvetësues që avancon duke shembur sundimin e privilegjit, dhe përgatitet për luftën përfundimtare e cila do të kurorëzojë të gjithë mundin dhe sakrificat e bëra.

Shënime:

*Artikull i pafirmosur nga autori, botuar në të përjavshmen Il Grido del Popolo më 4 maj 1918. Marrë nga përmbledhja Antonio Gramsci: Scritti Politici, l’Unita’-Editori Riuniti, 1967.

** Njëqindvjetori i lindjes së Marksit (5 maj 1818).

E përktheu Alfred Bushi

Imazhi: Marx Guide

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.